top of page

PËR NJË BASHKIM TË NATYRSHËM




Në këtë fundvit, problemi i një Bashkimi të mundshëm Shqipëri-Kosovë niset nga një kontekst ndërkombëtar i favorshëm: një ndryshim i shpejtë dhe dinamik i marrëdhënieve midis shteteve evropiane dhe atyre tejatlantike. Modeli unik Evropë-NATO- liberalizëm dhe progres ekonomik, që, për 25 vjet rresht vazhdon të përbëjë lajtmotivin ideologjik të sistemit aktual, është në transformim të thellë. Breksiti, politika e Trampit, pasqyrimi i ringjalljes së nacionalizmave në rrafsh ekonomik dhe riformulimi i politikave evropiane, të gjitha dëshmojnë për një botë në ndryshim të pandërprerë. Nuk përjashtohet as krijimi i një ushtrie evropiane, as forma të tjera aleancash. Këto dukuri lypin një trajtim inventiv, jo kapjen pas modelesh që u ka ikur koha meqë nuk përputhen me realitetin. Nga këndvështrimi simbolik dhe i komunikimit strategjik, ideja e Bashkimit tingëllon më se normale përderisa është e drejta e shqiptarëve të Këtej e të PërtejDrinit të jetojnë në një shtet evropian, demokratik, dhe të kenë një qeverisje sa më të mirë, e cila mund t’u ofrojë më shumë begati e më shumë të drejta. Përveç sa thamë, ARBËRIA (kështu propozoj të quhet shteti i ardhshëm), do të luante rol më të rëndësishëm në Bashkimin Evropian si prodhues e furnizues sigurie dhe qëndrueshmërie në këtë rajon të brishtë. Ja përmbledhtas disa argumente në mbështetje të Bashkimit: 1. Kosova është pjesë e hapësirës së banuar brez pas brezi nga shqiptarët, qysh në lashtësi. Afro dy milionë shqiptarë të Republikës së Kosovës janë ndarë prej Shqipërisë për shkak të pushtimit sllav. Kjo padrejtësi duhet ndrequr me mjete e në rrugë demokratike, me referendum dhe duke garantuar të drejta të barabarta për serbët dhe pakicat e tjera bashkëjetuese; 2. Gjurmë të panumurta të traditave e virtyteve të përbashkëta, në radhë të parë gjuha, si sinonim i kombit dhe i identitetit kombëtar, janë të njëjta e njëlloj të fuqishme në të dy krahët e Drinit; 3. Mijëra luftëtarë shqiptarë në të dy krahët e Drinit, gjatë shekujve, janë flijuar për unitetin, lirinë dhe integritetin e territoreve mbarëkombëtare; 4. Për të vetmen arësye që nuk e kanë mohuar faktin që janë dhe që duan të mbeten shqiptarë, mbi qindramijëra kosovarë është zbatuar një genocid i egër; janë shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre stërgjyshore, janë burgosur, internuar e torturuar; 5. Mijëra kosovarë të të gjitha moshave e profesioneve, kryesisht të rinj, i janë kundërvënë vazhdimisht terrorit të të huajve, çka kulmoi me demonstratat e përgjakshme të vitit 1981; 6. Bashkimi i të dy shteteve shqiptare do të konsolidonte unitetin tonë gjuhësor e kulturor; 7. Personalitete të shumta të të gjitha fushave në Shqipëri janë nga Kosova dhe anasjelltas; 8. Shtimi i numurit të banorëve dhe zgjerimi i territorit përmes Bashkimit dhe krijmit të shtetit ARBËRIA, janë dy tregues që ndikojnë në fuqizimin afatgjatë të potencialit të një vendi. Bashkimi do t’i sillte ARBËRISË rritjen e potencialit turistik, e eksportit drejt tregjeve lindorë e perëndimorë, e zhvillimit industrial dhe shtimin e diversifikimin e partnerëve ekonomikë e tregtarë; 9. Një shtet më i madh është më i fortë ekonomikisht e politikisht. Pas Bashkimit prestigji i ARBËRISË do të ngrihej më lart në Evropë e në botë.

15 views1 comment

1 Comment


Minush Hoxha
Minush Hoxha
Dec 06, 2022

Ka një milion e një arsye që ky synim /ideal/ të bëhet jetë dhe, tani që këto fliten e përfliten, konfirmojnë patundueshëm synimin e nevojen për këte. Dhe, në vend të retorikes, mbështetur në gjëndjen faktike, kjo duhet pa pompë, po marrjeleje nga sekush, pa zhurmë, të sendertohet. Thjeshtë të bëhet realitet. Aktualisht, këto dy pjesë i përkufizon vetem një vijë e dobtë e vende-vende me ndëprerje ose e padukshme fare. Ndaj ,,avanti populi" si thon latinet.


Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page