Ende George Orwell më duket se nuk është kuptuar mirë. Leximi i tij i thekshëm të shpie tek ajo që shumica e njerëzve mendojnë se George Orwell po shkruante për dhe kundër totalitarizmit. Kjo e marë në kosideratë, veçanërisht kur lexuesit e këtij mendimi, e takojnë atë përmes prizmit të romanit të tij të madh distopian, „Nëntëmbëdhjetë e Tetëdhjetë e Katër“.
Kjo pikëpamje e Orwellit nuk është e gabuar, por mund të humbasë diçka. E humbet këtë, për mjaft arsye, por më së shumti sepse Orwell ishte i shqetësuar mbi të gjitha për kërcënimin e veçantë të paraqitur nga totalitarizmi ndaj fjalëve dhe gjuhës. Ai ishte i shqetësuar për kërcënimin që përbënte për aftësinë tonë për të menduar dhe folur lirshëm dhe me të vërtetë. Për kërcënimin që përbënte për lirinë tonë.
George Orwell, duket se në narativin e tij ka dashur që atë kohë të paralajmëronte e të mbante në vëmendje, atë që e pa qartë dhe e tha pastaj mjaft qartë se të humbësh kontrollin e fjalëve do të thotë të humbasësh kontrollin e kuptimit. Kjo është ajo që e frikësoi atë për totalitarizmin e Gjermanisë naziste dhe Rusisë staliniste. E tha për këto regjime që donin të kontrollonin vetë substancën gjuhësore të mendimit. Dhe kjo është arsyeja pse Orwell vazhdon të na flasë kaq fuqishëm sot. Sepse fjalët, gjuha dhe kuptimi janë edhe një herë nën kërcënim.
Sot në mjedisin shqiptar nga maja e shtetit kemi dëgjuar dhe dëgjojmë: „telenovela e Babale Alizoti“; „telefonata e Niçes nga Shijaku“; „në derrhane, sherrhane të paparë çdo ditë“; „miza bëhet buall, miu bëhet ari“; „dhe derrave u drejtohen fjalë zotëri“; „kadri:; „kadrinjtë“; „derrat e shtrirë“; „derrhane“; „zuzarë“ e mjaft të tjera më të thukshme, të kuptueshme e të pakuptueshme, për mediat, gazetarët, televizionet, radiot, gazetat, blogjet, shkrimet dhe shkruesit e një forme tjetër, formës së mendimit dhe shtypit të lirë, që mendon ndryshe nga Njeriu në krye, Njeriu i i zgjedhur dhe i fryrë.
Kur dy regjimet e lartcituara trembën Orwellin dhe e bën të shkruaj në mënyrën e tij, ishte kohë tjetër dhe mendimet edhe atëherë natyrshëm si në të gjitha kohërat ishin ndryshe. Para disa ditësh po flisja lirshëm me një shqiptar në `londër, që jo rastëssishëm u ul me mua në një kafene.
„Dëgjo, - më tha ai, - „jeni me fat se nuk jeni në kazanin mediatik të Shqipërisë, se do të ishin njësoj si ata atje. Kryeminsitri mirë ua bën atyre, se ata një e dy vetëm të kritikojnë dinë.“
Unë e pashë dhe heshta. Ai ndërhyri dhe më ripyeti: „A nuk është kështu?'
Unë prapë heshta. „E po më tha ai, e paskan infektuar edhe këtu ata me atë që bëjnë…“
Pastaj nuk mund të heshtja. Nuk heshta dhe nisa ti flisja…
Regjimet totalitare filluan të shkatërronin klubet, sindikatat dhe shoqatat e tjera vullnetare. Ata në mënyrë efektive po shpërbënin ato fusha të jetës shoqërore dhe politike në të cilat njerëzit ishin në gjendje të shoqëroheshin lirisht dhe spontanisht. Hapësirat, pra në të cilat zhvillohet kultura lokale dhe kombëtare e lirë nga shteti dhe zyrtarët. Këto hapësira kulturore ishin gjithmonë jashtëzakonisht të rëndësishme për Orwell. Regjimet totalitare të Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik të Stalinit përfaqësonin diçka të re dhe të frikshme për Orwell. Natyrisht, diktaturat autoritare, në të cilat pushteti ushtrohej në mënyrë të papërgjegjshme dhe arbitrare, kishin ekzistuar më parë. Por ajo që i bëri të ndryshme regjimet totalitare të shekullit të 20-të ishte shkalla në të cilën ata kërkonin nënshtrimin e plotë të çdo individi ndaj shtetit. Ata kërkuan të shfuqizojnë vetë bazën e lirisë dhe autonomisë individuale. Ata donin të përdornin fuqitë diktatoriale për të inxhinieruar shoqërisht vetë shpirtin njerëzor, duke ndryshuar dhe formësuar mënyrën se si njerëzit mendojnë dhe sillen. Nuk e di a ka ndonjë ndryshim me atë që ndodhi atëherë? A ka gjuhë të ngjashme? Në ditët e sotme të gjithë jemi shumë të njohur me këtë kastë sunduese të arsimuar në universitet dhe dëshirën e saj për të kontrolluar fjalët dhe kuptimin. Thjesht mendoni, për shembull, mënyrën se si elitat tona kulturore dhe arsimore e kanë kthyer 'fashizmin' nga një fenomen historik specifik në një pezhorativ që ka humbur çdo kuptim, për t'u përdorur për të përshkruar çdo gjë nga dështimi me premtimet për punësimin e 300 mijë njerëzve (natyrisht u punësuan se ikën me torbë në krahë në Europë dhe Britani të Madhe) deri tek dështimi në këtë kohë krize. Në atë Orwell e pa fillimin me praktikën staliniste për t'i quajtur revolucionarët demokratë spanjollë „Trocki-fashistë“ (të cilën ai e dokumentoi në Homage to Katalonia (1938) dhe sot është fjalori i Kryeminsitrit shqiptar që i delegohet dhe i instalohet mbylljes së gojës së medias.
Paralelet midis vizionit makth të Orwellit për totalitarizmin dhe mendësisë totalitare të sotme, në të cilën gjuha kontrollohet dhe imponohet, nuk duhet të mbivlerësohen. Në distopinë e nëntëmbëdhjetë e tetëdhjetë e katër, projekti i eliminimit të lirisë dhe mospajtimit, si në Gjermaninë naziste apo Rusinë staliniste, u mbështet nga një polici sekrete brutale, vrasëse. Ka pak nga kjo në shoqërinë tonë sot, njerëzit nuk heshten, apo zhduken me forcë. Në rastin konkret u hapet Porta e Madhe e Atdhet që ta braktisin dhe të kërkojnë strehim poltik për hir të kërcënimit, për të cilin hesht dhe Ambasada e SHBA-së.
Por shqiptarit të kafenesë nuk i duhej më shumë. Në fund ai vetëm tundte kokën. E në këtë fund ishte dhe bindja se George Orwell duket se nuk është kuptuar mirë ende sot.
Comments