PËR HOMERIN E PËRJETËSISË
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Aug 13, 2020
- 1 min read

POEMË
PËR HOMERIN E PËRJETËSISË
O At i madh
O Gjergj
Kush e di se sa herë të vranë
Por ju edhe i vrarë
Jetoni te yjet
O ylli i shqiptarisë
Jetoni
Duke bartur në dorë
Zjarrin e Olimpit
Flakadanin madhështor
I cili kurrë nuk shuhet
Të ishit gjallë
Do i shkruanit ca këngë Homerike
Për Vraninën e Kosovës
Gjakun e derdhur
Për ato zjarre që i dogjën flakë
Shpirtrat e etërve
2.
O Gjergji
Me penë misterioze
E shpatë në dorë
E cila preu
Më shumë se vdekja
Më shumë se çdo ushtri barbare
Dhe triumfove
Nëpër bejlegjet me kriminelët
Këndove
Aq bukur këndove për atdheun
Sa që i tmerrove ardhacakët
3.
O at në qiell e në tokë
Mbi varrin tënd
Po mbijnë ullinjtë e Shqipërisë
Po mbijnë me disa lloje rrënjësh
Më besoni
Nuk krakëllijnë më korbat
E Kardakut
As sorrëshkinat e Serbisë
Këtu fluturojnë dykrenorët
Fluturojnë
Nga dyert e gdhendura
Me vargjet e zjarrta
Fluturojnë pëllumbat e dashurisë
fluturojnë
Nëpër fushat e gjëra
Të Shqiptarisë
4.
Nuk pëllet më Gomari i Babatasit
Nëpër kopshtet e trëndafilave
Po lulëzojnë
Si kurrë më parë
Aguliçet e stinëve të kënduara
Nga mendja dhe pena e juaj
Po lulëzojnë
Gonxhet e ardhmërisë
5.
Një Zot e di se ku jeni tani
Çfarë shkruani te yjet
Ne i kemi thyer kambanat e urrejtjes
I kemi bërë
Copë e grimë
Jetojmë me të sotmen
Ëndërrojmë ardhmërinë
Ati jonë sypetrit
Ju edhe nga lartësitë e qiellit
Bëni dritë
O ju përgjëroj
Dërgona ca rreze
Mbi këtë tokë
Të na ngrohin me mirësinë
Ta mbajë gjallë Shqipërinë
Ta zhdukim urrejtjen
Nga malet tona
Të ulemi si dikur
Me zanat e Tropojës
Të kuvendojmë në logje burrash
Për hallet e përditshmërisë
6.
Zgjohu o Gjergj Fishta
Zgjohu
Se hajdutët e Ballkanit
Na e vodhën lahutën
Por jo edhe zërin e saj hyjnor
E cila nëpër çatitë e djegura
U këndon perëndive Dardanë
Të përbej
Me emrin e Shën Mërisë
Zgjohu o at i Shqiptarisë
Zgjohu
Sa shumë kemi nevojë
Për Homerin e përjetësisë
Comments