PËR HATËR TË VIDRËS


Nga Thani Naqo

Kaluan njëzet vjet dhe erdhi çasti të vishte rrobat e asaj dite kur e arrestuan. Xhupin e lëkurtë, prej bizoni, bluzën e leshtë e pantallonat, fillimisht i shtrëngoi i malluar pas gjoksit e pastaj ngjeshi hundën mes tyre. Nga nëna ishte metis 1) dhe prej saj trashëgoi nuhatjen e hollë, durimin dhe heshtjen.

“Përndryshe, - i tha vetes, - do ishe edhe njëzet vjet të tjera prapa rrjetës së hekurt.”

Nuk iu ankua gardërrobistit për shtrëngesën e rrobave rinore dhe as për kutërbimin e naftalinës. Vërtet u stërmundua gjersa mbërtheu kopsat e pantallonave bluxhins dhe të këmishës, por nuk i kërkoi lugë për këpucët e tkurura e të shtrembërua, prej lëkure derri. Që sa i pa i shëmbëllyen me oshafet e goricave të egra të Dausonit.2) Pantallonat e shtrëngonin paq. Sidomos në vithe e në bel edhe se la pa kopsitur filiqin dhe se gjelkëzën e rripit e avancoi dy brima më shumë. Nga burgu po dilte njëzet vjet më i vjetër, njëzet paund3) më i rëndë, ama i çburrëruar që ditën e parë në sallën e dusheve.

Këto ia kujtoi edhe humori i garderrobistit:

-Mashkulli shpërfytyrohet, ama rritet edhe në ferr.

Kur u përkul, të vishte këpucët, garderrobisti i nderi para fytyrës një pecetë. Ua fshiu pluhurin këpucëve dhe, me një mbledhje të beftë të buzëve, mbështyu mbi shpinat e tyre, të rrudhura. Me lëvizjet e shkathëta donte t’i linte përshtypjen garderrobistit se ende ishte energjik dhe i gatshëm të bënte çdo lloj pune.

“Nuk kam dëshirë të kthehem ku jetohet nën zero gradë,” – donte t’i thoshte, por ndroi mendje. - I dënuari për vrasje nuk tregon adresën e të ardhmes,” – i tha vetes ndërsa shtyp gishtat e mbledhur keqas brenda këpucëve. Këqyr lëkurën poroze të tyre dhe ajo i faniti Vidrën. Me dhjamë vidre Vidra lyente trupin çdo javë. Indiania thoshte se ia mbante lëkurën të ngrohtë e të butë, por e të rrëshqitshme, për të mos rënë në kthetrat e meshkujve të fisit Chilkut.1) Mirëpo, veç dy prej tyre, ai dhe një tjetër, më të krisurit e fisit, bënin çdo javë njëzet milje me ski, për ta parë e për ta shtënë në dorë Vidrën.

“Vraje se do të të vrasë,” – i tha Vidra. Zëri i saj atë ditë nuk ishte i butë dhe as i ngrohtë, por i ashpër dhe çjerrës. Ajo nuk i tregoi ç’kishte ndodhur me atë, tjetrin, që vinte nga Veriperëndimi, por shenjat e thonjve në qafë dhe në fytyrë tregonin përleshjen e saj me atë, tjetrin.

Jaka e këmishës iu mblodh vilar pas qafës dhe shtrëngesa e saj i kujtoi këmborën e tunxhit, që i patën varur prindërit në qafë, në fëmijëri.

-Më nxorre mallin e Al-Kapones,1) - tha befas garderrobisti dhe i tregoi me majën e stilolapsit ku duhej të firmonte në formular. Mirëpo, megjithëse ai nuk e dinte kush ish Al Kapone, por krahasimi me një të panohur, mbase më të egër e më të rrezikshëm se ai, tjetri që vinte nga Lindja, e bëri garderrobistin të stepet e të largohet një hap mbrapa. Hasi në turbullirën e syve të murmë dhe përfkaljen e beftë të fytyrës të ish numrit 33770. Atëherë garderrobisti u përpoq të buzëqeshë dhe shtoi nxitimthi për t’i bërë qejfin:

-Veshja bluxhins është akoma në modë, pavarësisht se shpikjen amerikane e përlanë kinezët - dhe shtoi se edhe këmishët me jaka të gjëra preferoheshin akoma, por veç nga homoseksualët. Ama, sa të dilte nga porta e këtij ferri, do t’i duhej të hapte kuletën dhe të blinte këpucë me shuaj porozë e me majë katrore. Garderrobisti e këshilloi se në çdo Thrift Store1), me pak dollarë mund të geje rroba dhe këpucë të përdorura, por shumë të mira. Me tonin e ekspertit të veshmbathjeve sqaroi se shuajt e presarur të këpucëve nga lëkurët e kafshëve, ishin zëvëndësuar me gomën poroze artificiale.

-Të duket sikur ke veshur këpucë prej ajri, - tha.

Megjithatë, ai kishte vazhduar të pastronte këpucët, pavarësisht se e dinte që vështrimi i garderrobistit kalonte sa mbi vithet, aq e mbi çaçkën e tij, rralluar nga flokët. Ndërkohë që firmoi, nuk ia vuri veshin dërdëllitjeve të tjera, edhe se e ishin të vlefshme e paralajmëruese. Mësoi se, sa të kapërcente pragun e portës së burgut, do përballej me çmimet e larta të qirave të apartamenteve; “shto dhe mosbesimin ndaj të burgosurve.”

-Tani kompjuterin e ngasin edhe stërgjyshet, - tha garderrobisti dhe qeshi. E dëgjoi garderrobistin, por pa kureshtje për stërgjyshet e gjyshet, mbasi po stërmundohej të mbërthente kapësen e zinxhirit të orës. Në çast iu përshpejtua frymëmarja dhe të rrahurat e zemrës. U kujtua se kapësja ishte shtrembëruar kur ai, tjetri, befas, e goditi i pari me shkop në kyçin e dorës. Përfytyroi, përtëkushedisaherën, skenën makabre kur dora e djathtë shkuli thikën nga këllëfi dhe i shpoi barkun, atij, tjetrit, gjersa maja e saj i doli në shpinë.

“Ka ngecur një ditë pas arrestimit,” – bëri zbulimin kur pa dy agrepat e puthitur njëri me tjetrin, pikërisht mbi numrin dymbëdhjetë. Atëherë u kujtua se thikën, atë që vrau atë, tjetrin, si dhe Strassfordin1),ia kishte dhuruar gjyshi, nga babai, peshkatar në Dauson.2) Por edhe u kujtua se e kishte kurdisur, për herë të fundit, një a dy minuta para se ta arrestonin. Përfytyroi veten ulur në një stol druri, veshur me akull, para kasolles të Vidrës. Përfytyroi edhe atë, tjetrin, shtrirë përmbys, mbi dëborën e shkelur e të përgjakur, duke lëshuar ende avuj që ngrinin në çast. Pastaj, përfytyroi skitë e mbërrthyera në këmbët e të dyve dhe Vidrën, rënë në gjunjë para hyrjes së kasolles. Për njëzet vjet me rradhë i fanitej në gjumë, por edhe tani, iu fanit si një hyjni indiane, prej akulli, me sytë e mbërrthyera në qiellin gri.

Veç njëherë Vidra tha:

“Më mirë të ishit përleshur diku gjetkë.”

“Ku gjetkë,” – e kishte pyetur ai.

“Në mesin e rrugës, ku bashkohet Lindja me Perëndimin.” – ish përgjigjur Vidra.

Ai e dinte se zembreku i Strassfordit e mbante kurdisjen njëzet e katër orë dhe ingranazhet kishin ndalur lëvizjen pikërisht kur agrepat prekën numrin dymbëdhjetë.

“Domosdo, të ditës tjetër,” - i shkon ndërmend.

Në kutinë plastike, që edhe ajo mbante numrin 33770, ishte dhe zari ngjyrë uji, i rrumbullt, sa një gështenjë, ose sa një kërpudhë tymuese, me brimëz tejpërtej. Zarin ia kishte dhuruar Vidra, e cila këmbëngulte, symbyllur e me zë misterioz: