Admirimi dhe simpatia e shqiptarve për Francën dhe kulturën e saj
SHPENDI TOPOLLAJ
Vetëm pak ditë kishte qëndruar si vizitor në Francë një miku im dhe më thosh se jam i lumtur, njësoj sikur kam parë gjithë botën. Trembëdhjetë vjet ka jetuar dhe punuar atje shoku tjetër i imi, Haxhi Taga dhe me sigurinë më të madhe, më kërkon mua që nuk kam qenë asnjë ditë në këtë vend përrallor që t`i shkruaj parathënien e librit të tij kushtuar rrethinave të kryeqytetit francez, gjë që unë pa asnjë hezitim dhe pa ndierë asnjë vështirësi, e pranova, sikurse kisha bërë kohë më parë, duke shkruar rreth librit të mëparshëm të këtij autori kushtuar vetë Parisit. Dikush mund të pyes se përse ne shqiptarët e njohim kaq mirë këtë vend; historinë, gjeografinë, artin dhe letërsinë e tij, veçanërisht nga mesjeta dhe republika e parë (1792 - 1804) deri te kjo e pesta që lindi pas vitit 1959, për të mos thënë edhe shpirtin e madh të popullit të tij. Dhe nuk do të gabonim aspak po t`i shtonim pyetjes edhe këtë: përse, sikur të kemi qenë atje, sikur të mos e kemi shkelur kurrë atë vend, si tani në demokraci, kur lëvizja dhe komunikimi mes popujve dhe kulturave të tyre është krejt i lirë, si atëherë kur diktatura komuniste na kishte izoluar dhe rrethuar me tela me gjemba, ne e kemi dashur Francën aq shumë dhe e kemi parë atë plot dritë, gëzim dhe optimizëm, si vendin model të qytetërimit, mirëqenies, barazisë e lirisë.
Nga ana e tij, autori Haxhi Taga ka zgjedhur një mënyrë mjaft interesante për të na dhënë të gjithë vlerat e Francës dhe rrugën nga kaloi zhvillimi i saj, duke përshkruar gjithçka të mrekullueshme bëri mendja dhe dora e njerëzve të këtij vendi.
Vetë francezët kanë një shpehje të bukur: “Paris n`a pas ete bati en un jour” që do të thotë se magjia e Parisit nuk është ndërtuar brenda një dite.
Ja përse edhe u hidhëruam aq shumë kur pamë se si u dogj Katedralja e famshme Notre Dame, humbjen e së cilës e kam krahasuar me djegien nga Herostrati të Tempullit të Artemisës, njerës nga shtatë mrekullitë e botës së vjetër.
Kjo vlen edhe për rrethinat e saj, dhe atë që quhet Le` ille - de France, që shfaqet si një kurorë mbretërore kombëtare, për qytezat, ku sikurse thuhet në këtë libërth “… është e vështirë të gjendet një (e tillë) që të mos ketë kështjellën, muzeumin, kullën ose rrënojat e vjetra historike.”
Natyra e Francës, në të gjithë shtrirjen e saj prej 550.000 km2, me Mont Blan (4.807 m), me Alpet Perëndimore, Ardenet, Pirenejtë etj. me lumenjtë Sena, Luari, Garona, Rodan, me 3.200 km bregdet, me kodrat mbjellë me vreshta, me fushat dhe pyjet e gjelbëra si ai i Pellgut të Parisit, ku klima zbutet nga bujaria e Atlantikut, është e gjitha e mbushur me peizazhe të larmishëm, të denja për penelin e piktorëve të mëdhenj që atij vendi nuk i munguan kurrë. Dhe kësaj natyre, po t`i shtojmë edhe atë që ka bërë dora e francezit ndër vite, pra ndërtime nga më mbresëlënëset, kuptohet përse ky vend i tërheq aq shumë turistët nga e gjithë bota. Dhe në këtë kuadër, një rol të rëndësishëm, luajnë rrethinat e kryeqytetit, që të gjitha sëbashku, me ngjarjet dhe karakteret e njerëzve të shtresave të ndryshme, na janë ngulitur qysh në fëmijëri nga librat e famshëm të Balzakut, Hygoit, Mopasanit e Stendalit me shokë. Në to kanë shëtitur dhe kanë dalë për gjueti mbretër, janë dashuruar aristokratë, janë organizuar dreka e darka madhështore dhe orgjira, kanë intriguar politikanë, etj. etj. Aty, pikërisht në oborrin e nderit në kështjellën Fontainebleau, pranë një pylli gjigant, e humbi nderin në vitin 1814 vetë N. Bonaparti i cili nënshkroi aktin e abdikimit në favor të Burbonëve.
Haxhi Taga, na përshkruan historinë e ndërtimit të këtyre monumenteve kulturore me vlerë të përbotëshme, duke mos harruar jo vetëm urdhëruesit, sponsorizuesit, arkitektët e pavdekshëm të ndërtimeve të kishave, ku ajo e Chartres në Dreux është quajtur poema më e bukur prej guri, rrugëve, shatërvaneve, lulishteve etj. etj. deri skulptorët, piktorët dhe arreduesit që i dekoruan ato me kryevepra të artit. Ai, nuk le pa përmendur se kush ka banuar aty dhe si ka rrjedhur historia, deri në kohët moderne. Na del parasysh ai vagoni në stacionin Rethondes afër pyllit Champagne, ku Franca përjetoi triumfin dhe disfatën, gjithsesi, armëpushimin me gjermanët.
Por, ajo që lexuesit i mbetet në mendje është përshkrimi i parajsës me emrin Versajë, qysh nga ndërtimi i saj nga Luigji i XIV i cili mori artistët që bënë De Vaux le Vicopt, pronë e zyrtarit hajdut Fouquet, kryeintendenti i financave. Kur hyn në të, si një vizitor i vëmendshëm secili mahnitet duke kaluar nëpër ato sallone marramendëse dhe ndalet i përhumbur para eksponateve të pa përsëritëshme. Dhe gjithmonë me një admirim e respekt për këtë popull që i ka dhënë si pakkush vendin e merituar kulturës dhe artit.
Është e qartë se për ne shqiptarët, një vend të veçantë zënë shpjegimet për kështjellën e Rambujesë, atë që në kohën e Chaterine de Vivone, një gruaje të zgjuar, plot sharm e hire, u quajt shpirti i Parisit, një vend me aq histori të pasur dhe ku pas mesit të shkurtit 1999, nisi Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën, në të cilën mësë fundi nisi ndreqja e padrejtësive ndaj Kombit tonë.
Historia e marrëdhënieve mes vendeve dhe popujve të ndryshëm, nuk fillon sot. Ajo është shumë e vjetër dhe kujtesa popullore e mban përherë të freskët. E tillë është dhe ajo midis Francës dhe vendit tonë, për të cilën historiani i paanshëm dhe aq objektiv Jean - Claude Favereyal, te vepra e tij brilante “Historia e Shqipërisë” ndër të tjera shkruan se “Në kohën e Louis XIII, misionarët francezë që vizituan Shqipërinë, u habitën kur panë me admirim këtë racë me shpirt të fuqishëm, shtatlartë, me tipare të ashpra dhe me armët ku ishin emblemat e zambakut francez.”
Dhe kjo simpati reciproke nuk ka kaluar pa u vënë re shumë kohë para heroit tonë Skënderbeut, qysh nga Charles d`Anjou (i cili kishte idhull mbretin e famshëm Charlemagne), pra kryqëzatat, e më pas te stratiotët për të cilët flet me entusiazëm Commynesi, Costandin Araniti aleati i mbretit të Francës, pinjolli francez me gjak shqiptar Karl Topia, babai i të cilit Tanushi, rrëmbeu zemrën e një bjondeje bukuroshe franceze me emrin Helena që duke lënë të fejuarin për të, i vranë sëbashku, pas disa vitesh në Napoli, ku i kishte thirrur i ati i saj, mbreti Robert që nuk i qe fashitur inati e deri tek Ali Pashë Tepelena dhe N. Bonaparti.
Nuk është pa domethënie edhe fakti se në Orleans, pranë Luarës, gjendet një rrugë e emërtuar “Passage des Albanais”.
Ish mbreti shqiptar A. Zogu që nga gjithë historitë, njihte më mirë atë të Napoleonit të cilin edhe e imitonte në shumë veprime, kur u strehua në Francë në vitin 1955, pasi e bleu, jetoi në shtëpinë e P. Pikasos që gjithashtu kishte shkuar nga Spanja për të jetuar atje gati 70 vjet.
Duket paradoksale, por edhe gjatë viteve të diktaturës komuniste, leteratura franceze u përkthye mjeshtërisht nga pena të fuqishme si Vedat Kokona, Misto Treska, Isuf Vrioni, Javer Malo dhe përfaqsuesi më dinjitoz i letrave shqipe Ismail Kadareja që kur u arratis zgjodhi pikërisht Parisin, u botua dhe bëri mjaft emër në këtë vend, prej nga jehona u përhap në të gjithë botën, për të mos thënë se atje edhe u vlerësua, u nderua dhe u propozua për çmimin Nobel.
Edhe dy librat e mikut tim Haxhi Taga, kushtuar Parisit dhe rrethinave, janë tregues i këtij respekti të madh dhe detyrimi moral që ne shqiptarët kemi për francezët. Me përshkrimet e tij plot dashuri e vërtetësi, ky autor synon të shpërndajë te ne rrezatimin shkëlqimtar të gjithçkaje të mirë bëri ai popull që nga Kryeqyteti, nga rrethinat e tij e më gjerë, e deri tek idetë e iluministëve që vazhdojnë të ndriçojnë botën mbarë.
Comments