PËR DY SHKRIMTARË BASHKËKOHËS….

Updated: Aug 29, 2021


Shefqet Meko


-Duke pështjelluar mendime për miqtë e mi Faruk Myrtaj dhe Lazër Stani, dy mjeshtra të fjalës shqipe, sa të ngjashëm aq dhe të ndryshëm-


Mbase nuk do t’i kisha shkruar këto radhë, po të mos kisha marrë në dorë librin me tregime të Lazër Stanit “Kohë për nuse”. Ma nisi me emtuziasëm nga Nju Jorku me një dedikim miqësor. E lexova me një frymë. Më pëlqeu pa masë e më shokoi. Mu duk sikur kisha bërë një copë rrugë me Lazrin diku në Shkodër apo Tiranë. U ndjeva sikur Lazri i urtë, më kishte ardhur në Minneapolis, dhe shëtisnim bashkë buzë Missisipit e pranë pallatit ku ka jetuar Arshi Pipa. Duke marrë frymë ndryshe, u zhyta në kujtime të së shkuarës që datojnë shekullin e kaluar, vitin 1975…

Lazër Stani

Lazër Stani mbetet në memorjen time si i njohuri më i hershëm i të shquarëve të brezit tim. Ishte njeriu më i urtë, jashtëzakonisht i paqtë, që kam njohur në shkollën e mesme veterinare në Shkodër. I mbyllur tmerrësisht në vetvete,i respektueshëm, studjues,i sjellshëm, kokëulur, kurrë problematik dhe “i thekur për libra”. Ka qënë i vetmi nxënës që harronte të hante darkë dhe shpesh“flinte” në bibliotekën e vogël të shkollës.Qysh ato vite Lazri dukej qartë se shëtiste me vetveten në “stanin” e vet, mbase duke qëmtuar projektet krijuese të së nesërmes që ai i mbajti “top sekret”. Ato kohë unë isha tip i kundërt i Lazër Stanit. Kisha ambicjen të dukesha, të shafqesha mbi të tjerët, të shkruaja në gazeta e të flisja në Radio-Shkodra,të diskutoja në mbledhje rinie dhe të krijoja profilin tim të “udhëheqsit të rinisë”. Isha i kundërt i shkrimtarit të ardhshëm, por po aq i mirë dhe njerëzor në dëshira si ai. Si i tillë edhe “u gjodha” sekretar i komitetit të rinisë së shkollës, ndërsa miku im në blloçkat e mia të shënimeve të atyre viteve, listohet si propogandist i klasës së tij që shpesh më mungonte në mbledhjet e formave të edukimit...

Shoku im i shkollës së mesme nuk u bë kurrë veteriner, ndërsa unë u diplomova si i tillë, por për fat nuk punova asnjë ditë si doktor kafshësh. Unë dhe Lazër Stani, megjithse vinim nga e njëjta shkollë e mesme, ishim në udhëecje të ndryshme universitare. Kishim marrë me vete kujtimet e shoqërisë së rinisë dhe secili në rrugën e vet. Më ka ngelur në mendje takimi i parë me Lazër Stanin në Tiranë, pas vitesh harrimi nga shkolla e mesme, në Institutin Bujqësor të Kamzës ku unë bëja punën e kryeredaktorit të gazetës “Studenti i bujqësisë”. Nuk mund të sjell ndonjë ritakim tjetër aq të nguluar në mendje, sa ai me Lazrin. Me nje respekt të skajshëm ndaj meje si “ish-sekretar rinie”, me një konsideratë të ngjizur në botën e thellë të Stanit që nuk e di se si më ka “regjistruar” në fantazitë e tij krijuese, ai mu rishfaq i qeshur, po ai dhe po aq ndryshe, për të mos u zbehur kurrë. Prej asaj dite unë pashë një Lazër mendjeplot, të dalë nga “guaska” e adoleshencës, plot entuziazëm, energjik në mendime, me ide të çuditshme që vinin si “dallgë biologjike” dhe unë prisja se ai mund të bëhej një nga shkencëtarët tanë më të famshëm të biologjisë shqiptare.Isha i gabuar. Stani kishte tjetër destinacion. Ato vite nuk kishte fakultet gazetarie, dhe të tillët vinin nga fusha të ndryshme pas diplomimeve në faklutete.Ishte ajo kohë brilante kur gazetarët më ta talentuar u bënë ata që nuk kishin bërë kurrë shkollë gazetarie. Ky fat i qëlloi edhe Lazër Stanit, që duke rënë në “karremin” e Remzi Lanit, u bë gazetari më interesant dhe më i lexueshëm në faqet shkencore të “Zërit të Rinisë” në vitet 80-të. Ndërkohë unë jam krenar të them se jam botues i tregimeve të para të Lazër Stanit në gazetën “Studenti i Bujqësisë”, që ai mi sillte me një dëshirë të veçantë dhe miqësi të shpallur. Ai mbase e ka harruar këtë të vërtetë, por unë nuk mund ta fsheh.

Ish-kryeredaktori i “Zërit të Rinisë”, Remzi Lani, që padyshim ishte një “i preferuari” i sektorit të shtypit në KQ, ka bërë një ndër aktet më të guximshme duke bashkuar në gazetën e vet, Lazër Stanin dhe Faruk Murtajn si “dyshja intersante” e asaj kohe që “vlonte në heshtje”. Kujtoj se do vinte me “valën e poetëve nga jugu” edhe Ilirjan Zhupa në këtë gazetë qëndrore rinie, por Myrtaj-Stani krijuan çiftin e çuditshëm publicistik, që futej çdo ditë pune në derën anash të ndërtesës hijerëndë të KQ. Faruk Murtaj ishte tashmë një emër i njohur në shtypin e kohës dhe në vetë Lidhjen e Shkrimtarëve ku shpesh përmendej si “talenti që vinte nga galeritë”. Për mua emri Faruk Myrtaj, ndërkohë që nuk ishim parë, më shëmbëllente me një njeri me kapele minatori, madje kisha një lloj afeksoni sepse edhe vete i kisha provuar galerite e qymyrgurit në fshatin tim të lindjes, Pretushë. Ishin ato vite kur fytyrat e shumicës intelektuale mbeteshin të fshehta ose rrallë të publikuara, ndaj ne që ëndërronim vetëm përfytyronim dikë pas emrit që lexonim në gazetë apo tek revista “Nëntori” duke krijuar një profil fanatazie. Çdo dalje publike ishte filtruar kujdesshëm që vështirë ta bësh sot të kuptueshme. Kështu edhe me shkrimtarin e ri të asaj kohe Faruk Myrtaj.Do ishte prezenca e tij tek “Zëri i rinisë” që na bëri të takoheshim ballë për ballë. “Talenti i nëntokës” shqiptare, siç e përshkruante kritika e kohës, ishte një njeri i butë dhe i artë në shpirt si ngjyra e flokëve që kishin filluar t’i binin. Miqësia me të ishte si një “fat i parashkruar” që për hir të së vërtetës mbeti e gjallë , me zikzake dhe ulje ngritje edhe këtej matanë Atlantikut, por gjithsesi në “shina” njerëzore. Faruk Myrtaj ka qënë ndër të “djathtët e parë” që kam debatuar kur të dy shkruanim për “Partinë e shokut Ramiz”. Të dyve na revoltonte plogështia drejtuese e kohës, por këtë e shikonim nga kënde të ndryshme. Myrtaj ishte qartësisht më i avancuar.


Faruk Myrtaj

Kur shkonim së bashku me tren apo makina të rastit në Burrel për të përgatitur gazetën “Vullnetari” që ishte fokusuar në jetën e rinisë që ndërtonte me aksion hekurudhën Rrëshen-Klos, Faruk Myrtaj do vinte në mendimet e mia si një “jehonë nga thellësia”. Butësisht siç di të false ai, por zhurmshëm e tundshëm si një tërmet disaballësh. Shkurt ai mendonte ndryshe nga unë, dhe mendimet ndryshe ishin një lloj manjeti intelektual që edhe sot na ndajnë dhe bashkojnë. Ndërsa miqësia me shkrimtarin tashmë shqiptaro-kanadez, kaloi në zig-zake interesante, Lazër Stani kishte mbetur në horizontin e Tiranës si një kujtim i ndritshëm rinie. Ai mbeti shok që i ke borxh respektin e mirësinë, edhe kur ishte kryeredaktori “RD”,edhe kur u bë deputet që nuk mundi të “imitonte Nolin”, edhe kur nuk shiheshim për vite me radhë, edhe kur rastësia na bashkonte në rrugët e Tiranës sonë. Ishte ardhja e tij në Nju-Jork në “vitin e pandemisë”, 2020, të cilën ma bëri të njohur Faruk Myrtaj që sikur më ribashkoi me dy miqtë e mi të mirë, por krejt të ndryshëm. Ishte sërish një miqësi në distancë, por e lëngëshme, emocionale dhe plot mbresa e subjekte interesante për të diskutuar në largësi. Nuk di si ta falenderoj Faruk Myrtajn që me mirësinë e tij,tashmë të njohur, më solli në rrethin e miqve të mi të pakët, Lazër Stanin,shkrimtarin tashmë të konfirmuar.

Nuk mund të them se kam lexuar çdo gjë që kanë shkruar Faruk Myrtaj dhe Lazër Stani, por gjithsesi ato që kam lexuar i kam përpirë dhe si një dashamirës kurrë nuk kam përtuar t’u përcjell mendimet e mia. Veçmas me Faruk Myrtajn kemi shkëmbyer lloj-lloj bisedash në mënyrë virtuale, i cili shpesh më ka përcjellë krijimet më të fundit duke kërkuar një mendim si lexues dhe si mik. Kjo nuk ka ndodhur me Lazër Stanin, të cilit nuk ja di as adresën elektronike, por siç shënova më sipër, ai kishte mirësinë të ma dërgonte librin e vet të fundit. Në këto kohë kaq të ndryshme të shekullit të 21-të, librat janë bërë “rrjetë” ku bien të kënduarit. Përmes tyre përpiqemi të njohim të pathënat në jetë. Ndërkohë kur libra të tillë të “gjuajnë” edhe në pafundësinë amerikane, provon një ndjesi elektrike. Shijon radhë pas radhe fabulën, artin e të treguarit, zhdërvjellësinë e fjalës dhe fundin befasues.Sikurse thotë Lazër Stani “Shkrimatrit… i duhet të gjejë argumentin se përse një histori duhet rrëfyer, se përse një histori nuk mund të lihet të vdesë”.