top of page

Për Dritëroin




(Kujtime)


Dritëro Agollin e kam respektuar gjithmonë për talentin, erudicionin, shpirtin e gjerë, guximin qytetar, çiltërsinë, ndershmërinë, burrërinë, mbajtjen e shenjtërimin e fjalës së dhënë dhe modestinë pa të dytë.

T’ju them të drejtën: më vinte mirë kur, sa herë takoheshim, u thoshte të tjerëve: „Kopi është burrë i zoti”.

I kam vajtur dhe më ka ardhur për vizitë në shtëpi bashkë me të ndjerët Fatmir Gjata e Niko Nikolla. Bisedat tona atëhere zgjatnin me orë të tëra dhe gjithmonë nuk ngopesha duke dëgjuar nga goja drituese e Dritëroit xhevahire të vërteta, mendime sa të thella e të dobishme, gjithaq edhe të shprehura me një thjeshtësi, rrjedhshmëri, koherencë dhe elegancë mahnitëse. Vetëm grurë, asnjë kokërr egjër! Dhe, si një fill i kuq, çdo fjalë a frazë të tij e përshkonte natyrshëm dashuria për atdheun, për kulturën e mirëfilltë kombëtare dhe universale, për njerëzit.

Ndër kujtimet e shumta me Dritëroin, po ju tregoj vetëm dy, njërin „serioz” dhe tjetrin për të qeshur pak.

I pari: më 1978 më çoi në Algjeri, bashkë me prozatorin e mirënjohur Agim Cerga, ku qëndruam një muaj.

I dyti: punoja në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe po prisja një delegacion në aeroport. Dritëroi nuk priste, por përcillte. Përcillte shkrimtarin e madh turk, Jashar Qemalin, autorin e romanit „Shtylla”. Rretheqark - një shpurë e tërë shkrimtarësh dhe përgjegjësja e sektorit të jashtëm të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Fatime Afezolli. Të gjithë kishin përpara nga një shishe me verë të kuqe.

Dritëroi, sa më pa, më bëri shënjë t’u afrohesha. Pasi i përshëndeta të gjithë dhe i urova mikut udhë të mbarë në turqisht, Dritëroi zuri t’i thosh se „Kyçyku di gjuhë pa hesap, ngaqë kur ra në një pus miniere, iu çlirua një vidë, burgjia e gjuhëve”. Kjo ishte një shaka që Dritëroi e përsëriste shpesh pa të keq, madje me dashamirësi dhe me të cilën të gjithë të pranishmit, që ndrroheshin shpesh, shqyheshin së qeshuri. Por këtë herë dikush nuk qeshi dhe ky ishte pikërisht Jashar Qemali. Dritëroi kujtoi se Stefan Vuçani nuk bëri përkthim të saktë dhe kërkoi t’ia përsëriste edhe një herë. „Anlladëm, anlladëm” (E mora vesh, e mora vesh) tha Jashari, pa gaz në buzë. „Stefan efendi, thuaji zonjës Fatime se do ta anuloj nisjen. Dua të qëndroj edhe disa ditë, që të shkojmë e të biem bashkë me kryetarin, Dritëro efendiun, në pusin e Kyçyk beut, që të na vihet në lëvizje burgjia e gjuhëve”. Dhe nuk qeshi deri sa u hipi shkallëve të avionit.

40 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page