
SHPENDI TOPOLLAJ
ZABIT ÇUKU NË NJË LIBËR VOLUMINOZ PËR ARMËN E NDERUAR TË
XHENIOS
Historia e Armës së Xhenios në Shqipëri është shumë e vjetër. Ndër shekuj ajo ndofta nuk kishte fizionominë, përcaktimin dh rëndësinë që ka sot, por nuk duhet harruar se ndërtimi i kalave, fortifikatave, tuneleve, kanaleve që shërbenin si pengesa për armikun, urave dhe rrugëve për kalimin e trupave ushtarake, ngritja e kurtheve, hapja e puseve për ujë të pijshëm, përdorimi e pirgjeve të gurëve si mjet luftimi etj. nuk janë asgjë tjetër veçse format e para të Armës të Xhenios e cila mori trajtat dhe kuptimin e kohës tonë. Natyrisht që ajo do të merrte vlerën e vërtetë fill pas krijimit të ushtrisë tonë, pas shpalljes së pavarësisë, pra, pas 4 dhjetorit të vitit 1912. Dhe ishte 20 janari i vitit 1921, fill pas Kongresit të Lushnjes, kur u vendos krijimi i një kompanie xheniere që quhet dhe data e lindjes të Armës së Xhenios. Çlirimi i vendit nga okupatorër nazi - fashistë si rezultat i luftës heroike të UNÇl krijoi mundësitë që kësaj arme t`i jepej roli dhe vendi i duhur. Këtë e kushtëzonte si nevoja për çminimin e territoreve të mëdha, sidomos përgjatë bregdetit tonë që ishte minuar nga armiku, por edhe perspektiva e modernizimit të ushtrisë për mbrojtjen së vendit. Për këtë shërbyen si oficerët atdhetarë që kishin shërbyer në ushtrinë e vjetër, ashtu edhe kuadrot e dala nga lufta, shumë prej të cilëve u dërguan për studime të specializuara jashtë vendit e kryesisht në ish Bashkimin Sovjetik. Me kohë shumica prej tyre studiuan në shkollat tona si ajo e Bashkuar e Oficerëve e deri në Akademinë Ushtarake. Shumë prej tyre njëkohësisht kryen studimet edhe në universitet ku u titulluan inxhinierë. Këta, kudo që ishin caktuar, pra nëpër repartet e shumta të shpërndara anë e kënd atdheut, dalloheshin jo vetëm për aftësi të spikatura profesionale e përkushtim, por edhe për kulturë të lartë. Kam pasur fatin t`i njoh nga afër shumë prej tyre dhe ruaj respektin më të madh për kuadrot e kësaj arme. Si mund të harrohet erudicioni dhe humanizmi i Tomorr Dedes, takti pedagogjik i Bexhet Guxhollit, urtësia e Stefan Inxhilizit, zgjuarsia e Subi Maskës, pedagogëve tanë në shkollën e oficerëve. Puna e ndershme dhe plot sakrifica e përkushtim i sa e sa oficerëve xhenierë nëpër repartet ku punova, më ka mbetur në mendje. E kam ndier atë te Sabri Rexha, që ishte plagosur duke çminuar bregdetin te shkëmbi i Kavajës, ku i ishin vrarë shokë. E kam parë atë te miku im i ndjerë Besnik Alibali i cili edhe pse i ndëshkuar, dhe i liruar padrejtësisht nga ajo çmenduria e politikës, bënte çmos duke organizuar veprimtari nga më të ndryshmet, duke shkruar libra, broshura, fletëplosje e artikuj nëpër gazeta për të ndërgjegjësuar njerëzit nga rreziku i minave. Si të mos e vija re te puna e të urtit Koli Dano në Durrës e më pas në Korpusin e Tiranës. Si mund të mos përmendet vepra e inxh. Habil Serjanit në ndërtimin e atyre kthesave të famshme në ata malet shkëmborë pranë Tamarës. Dhe natyrisht, te shoku im i shkollës “Skënderbej” ing. Cane Mehmetaj që punonte si hero për të realizuar detyrat në fortifikim dhe që e ruajti dashurinë për armën e xhenios edhe pasi e dënuan poshtërsisht. Por e ka parë kushdo tek ai xhenieri burrë shteti dhe mjaft i ekuilibruar, Alfred Moisiu, që u bë Ministër i Mbrojtjes e deri President i Republikës në demokraci. Dhe mbi të gjitha, vlerat e tyre janë shkruar me gjakun e mbi 80 dëshmorëve që dhanë jetën në moshën më të re duke zbatuar detyrat e ngarkuara dhe që në libër është përjetësuar vepra e tyre. Këta që përmenda janë vetëm disa nga ata që e shkuan jetën për ta vënë mbi baza shkencore Armën e Xhenios në Shqipëri, për t`ua mësuar mjeshtërinë dhe sekretet e saj kuadrove, ushtarëve, rezervistëve, studentëve e nxënësve të shkollave, apo për t`i stërvitur ata sipas kërkesave të Artit Ushtarak të kohës në fortifikimin e vendit. Ndaj u gëzova kur nënkoloneli pasionant Zabit Cuku më solli librin e tij prej 1060 faqesh (vol. I - rë), kushtuar “Oficerëve të Xhenios në rrjedhën e historisë”. Parakalojnë aty plot figura të njohura dhe të pa njohura, rreth 500 të tilla, me jetë dhe veprimtari pak a shumë të ndryshme. Të ndryshme në moshë, pjesëmarrje në luftë, shkollim, vendet ku studiuan, repartet ku shërbyen, detyrat që kryen, gradat e dekoratat që fituan, fatet politike që i ndoqën etj. por sa të ngjashëm në atdhetari, ndershmëri, përkushtim, dashuri për profesionin, solidaritet e deri korrektesë shembullore si bashkëshortë apo si prindër. Kam ndeshur aty shumë nga shokët e mi të shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, si Canja, Andon Dhana, Hiqmet Muça, Riza Murati, Teodor Biceri, Ilirian Xhemalaj, Skënder Sulaj etj. dhe janë përshkruar nga ky autor me shumë vërtetësi. Ata ishin djem nga më të mirët dhe të tillë mbetën derisa dolën në pension. Duke iu përmbajtur një metodologjie skrupuloze, Zabit Çuku ka arritur të japë vazhdimësinë e funksionimit të kësaj arme, pra traditën që krijuan aty kuadrot me emër në ushtri, si (veç disave që përmenda deri tani), Veli Dedi, Dhimitër Dhespoti, Spiro Shalsi, Menduh Backa, Josif Zegali, Abedin Poloska, Petrit Çobani, Pandi Dushku, Kadri Brahimaj, Njazi Çepani, Myfit Mushi, Maliq Tartari me shokë. Nga kjo armë, ushtrisë shqiptare iu shtuan shumë oficerë madhorë si dhjetra kolonelë dhe gjeneralë si Luan Hoxha dhe këshilltari i tanishëm ushtarak i Presidentit të Republikës dhe Komandantit të Përgjithshëm, zoti Dedë Prenga. Shumë prej tyre janë dalluar edhe si personalitete të kulturës tonë, si fjala vjen shkrimtari i njohur Vasil Premçi apo ish komandanti i Brigadës së Urave në Kavajë i ndjeri Mustafa Dervishi, autor i disa romaneve mjaft të arrira, por që Covidi e mori këto ditë. Por të gjithë ata që vdekja i mori para kohe nga efektivat e xhenios edhe pse shumë prej tyre ishin thjeshtë ushtarë a nënoficerë, autori është kujdesur t`i skalisë në këtë libër, duke u udhëhequr nga parimi se para Atdheut të gjithë jemi të barabartë. Ai ka hulumtuar dhe ka shkruar si për ata që ranë në luftë ashtu edhe pas çlirimit apo gjatë trazirave të marsit 1997. Madje edhe të plagosurit i ka renditur këtu, dhe kjo nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi duhen përpjekje të mëdha dhe këmbëngulje për t`i gjetur dhe evidentuar. Po kështu ka vepruar ai edhe me ata që shkuan nëpër misione jashtë vendit si kapiten Feti Vogli, rënë në Afganistan, major Klodian Tanushi, nëntetare Zafire Hasanaj, e reshter Julian Kapaj që dhanë jetën në Letoni. I lexon emrat dhe veprën e tyre dhe ndien nderim e krenari për bij të tillë të atdheut tonë. Dhe këtë nderim e krenari e ndien për armatën e xhenierëve që ndër dekada kryen punime të jashtëzakonshme, sidomos vend komanda, spitale e vend strehime njerëzish, armatimesh e municionesh. Janë mbresëlënëse ato të bazave të FLD - së apo aviacionit të asaj kohe si p.sh. ajo në Gjadër për të cilat ai shkruan: “Pas viteve 1990 kur është vizituar nga ushtarakë të lartë të vendeve anëtare të NATO - s si Shefi i Shtabit të Turqisë ka bërë vlerësimin e kuadrove që kanë ndërtuar këto objekte me vlera të rralla ndërtuese dhe historike në rajon e më gjerë”. Dhe të mendosh se aso kohe teknika që përdorej nuk ishte e avancuar si kjo e tashmja. Por kuadrot e xhenios e efektivat e tyre, punonin me shpirt e sedër të madhe. Zabiti ka shkruar edhe për shoqatën e xhenierëve dhe aktivitetin e saj sot dhe ka përfshirë në librin e tij vlerësimet e disa ushtarakëve me emër si Maliq Sadushi, Bajram Mane, Zyhdi Kroi, Gani Elezi etj. Tek e fundit, ky libër ashtu sikurse e ka quajtur gjeneral Ded Prenga “është një vepër që do të mbetet, është një gur i çmuar në historinë e xhenios”. Unë do t`u shtoja fjalëve të tij, se është edhe shembull frymëzimi për kuadrot e reja dhe një nder që u bëhet të gjithë oficerëve të ushtrisë tonë ndër vite dhe që Atdheun e kishin dhe e kanë gjënë më të shenjtë.
Commentaires