top of page

Për Amerikën...


Minella Aleksi

Për Amerikën kordinatat në hartë dhe vullneti i popullit mbikalojnë të gjithë faktorët e tjerë.

Rënia e Murit të Berlinit çvendosi boshtin gjeostrategjik të botës. Shpërbërja e BS krijoi një situatë të re të kontrollit të sferave të reja të influencës. Me kurorëzimin e shtetit të Kosovës nga NATO një mur i ri Berlini u strukturua në Ballkanin Perëndimor, muri i plotë shqiptar që pengon daljen në Adriatik të Rusisë. Antarësimi i Shqipërisë në NATO edhe sot pas 20 vjetësh vazhdon të personalizohet dhe t’i njihet si meritë njeriut të asaj kohe në krye të shtetit, Sali Berisha. Rasti i antarësimit të Shqipërisë në NATO më sjell në mend rastin e ishullit të Islandës, një shtet shumë i vogël që edhe pse me një popullsi 329 mijë banorë, pa forca të armatosura, në distancë detare pothuaj 1000 km nga Anglia prapëse prapë u përfshi në 12 shtetet e para që krijuan NATON në vitin 1949. U përfshi në NATO sepse u konsiderua për sigurinë e Aleancës euroatlantike një vend me rëndësi shumë më të madhe gjeostrategjike se sa madhësia dhe burimet e shtetit mundësonin. Në gjeopolitikë “Vend ndodhja” përbën një moment shumë kritik, njëlloj si vend ndodhja e një pasurie të paluajtëshme. Për NATO-n kordinatat e hartës së një vendi kanë vlerë shumë më të madhe sesa madhësia e kapaciteteve apo pasurive bankare të tij. Gjeografia ka rëndësi kur bëhet fjalë për integrimin ekonomik, transportin, shpërndarjen e energjisë dhe sigurinë fizike. Edhe në një botë të dixhitalizuar, liria për të lëvizur njerëz, mallra dhe shërbime nëpër hapësirën fizike është një mall shumë i vlefshëm. Kështu, një shtet i vogël në vendin e duhur mund të jetë shumë i rëndësishëm për një fuqi të madhe. Në Oqeanin Atlantik verior, Islanda qëndron në kufirin e tokës së Amerikës së Veriut, është shteti më perëndimor në Evropë dhe është vetëm 300 km larg nga Groenlanda. Arena e L2B dëshmoi se zotërimi i ishullit ishte një mbështetje vitale për forcat ajrore dhe detare për të dominuar detin dhe qiellin e Atlantikut perëndimor dhe qendror, përmes të cilit u desh të tranzitonte praktikisht gjithëçka midis Amerikës dhe Britanisë. Ushtarakët anglo-amerikane mendonin që Islanda ishte një thikë e mundëshme në venën e qafës së detit të Britanisë. Për analogji mund të themi që sot Shqipëria është një thikë e mundëshme në venën e qafës së detit të Europës. Sesa vlerë kanë kordinatat në hartë për Amerikën do sjell gjithashtu shëmbullin tjetër të marrëveshjes me urdhër ekzekutiv të presidentit Ruzvelt me Anglinë në 2 shtator të vitit 1940. Çurçilli kërkoi dhe mori me këtë marrëveshje brenda 2 muajsh, 40 destrojerë nga Amerika në këmbim të vënies në dispozicion të ushtrisë amerikane për 99 vjet tetë ishujt në Oqeanin Paqësor që deri atëhere ishin në zotërim të Anglisë. Një vend kaq i vogël si Shqipëria u përfshi në asetet e patundëshme të NATOS. Me këtë akt të orientimit Perëndimor u përmbush vullneti shekullor i popullit shqiptar. Sistemi demokratik u jep të drejtën dhe mundësinë popujve të vegjël që të aspirojnë të njëjtat shpresa, aspirata dhe të drejta natyrore e njerëzore me ato të popujve të fuqive të mëdha Perëndimore. Në këtë rrugë popujt e vegjël kanë mbështetjen e plotë të Aleancës euroatllantike. Në Shqipëri këto 30 vjetët e fundit pushteti u privatizua nga pak politikanë që menduan dhe vepruan gjithmon në interes të kolltukut dhe të pasurimit të tyre. Sistemi demokratik shqiptar u minua nga politikanët e mykur në krye të shtetit. Momenti kur Berisha, Meta e Basha filluan të flirtonin me të tjerë, të “tradhëtonin kurorën e martesës” u dha sinjali që Aleanca u ndje e rrezikuar. “Divorci politik” i kupolës Berisha, Meta, Basha me Aleancën, që kërcënonte interesat jetike euro-atllantike ishte vija e zeë dhe e kuqe bashkë që përcaktoi fatin e tyre të mëtejshëm. Amerika nuk mund të tolerojë që shtetarë “vagabond, rrugaçë e aventurier” të vënë në rrezik fatin e sigurisë së Aleancës më të madhe politiko-ushtarake në botë. Prandaj mendoj se ndëshkimi në këtë rast do të jetë edhe një shëmbull për të tjerët. Litari i zullumit jo kur holloet por, kur trashet këputet. Mendoj se manifestojnë shejtan–budallain disa diplomatë, disa deputetë të rinj të PD-së dhe ndonjë shoqatë panshqiptare që s’të kujton ato të kohës së Nolit, kur nuk ngurojnë të deklarojnë se një nga historitë e suksesit të Berishës është anëtarsimi i Shqipërisë në NATO. Shtetarët tanë kanë kujtesë të shkurtër institucionale e historike sepse u mungon historia familjare e edukimit të trashëguar me ligjin dhe shtetin. Populli thotë: “Shtetari horr nga shtetari zotni janë larg njëri tjetrit me shtatë brezni”. Shtetet e Bashkuara janë një fuqi globale me interesa globale. Një nga arsyet që NATO funksionon është sepse aleanca është një partneritet i kombeve të lira pro Perëndimore.



58 views1 comment

1 Comment


sotir.mimi
sotir.mimi
Jun 23, 2021

Xing.

Një analizë me një shkallëzim të hollë diplomatik ku argumenti bashkëvjen me arsyen që bind këdo kundërshtar dhe e bën të uli kryet i heshtur. Ju lumtë pena, z. ALEKSI!

XING./ Athinë.


Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page