Miqtë e mi!
Për 70 vjetorin e lindjes sime, ju ftoj të lexoni këtë poezi, të cilën ua kushtoj edhe moshatarëve të mi.
Qenkan shtatëdhjetë!
Të rëndë ndiej supet, po këmbët pse dridhen? Fjalët s'po i binden mendimit të shkretë. Rebelohen kujtimet, në valle hidhen... Më sollën këtu, në vitin shtatëdhjetë.
Kohë e pabesë, cigane, bredhare, Pse më mjegullove sot , që në mëngjes, Vitet m'i vodhi kjo jetë gënjeshtare, Po m; sheh nga larg, shp;rfillur, pa kujdes
Në rrugë të pashtruar, lodhur, munduar, Tani më sjell në oazin pleqëri? Më nxite si njerkë, me shpresën në duar, Shpirti im nuk t'u bind, ka mbetur i ri.
Pa ti mendon se do nënështrosh poetin? Mos u merr me të, ai i ngjan stuhisë, Ashtu si dallgët ngrihen, trazojnë detin, Shpirti i tij s'i bindet as Perëndisë.
Më solle këtu, në oaz të harruar? Po ka cigan që të durojë vetminë? Si nat' e errët dimri, mendimtrazuar, Poeti shpërfill edhe vet Perëndinë.
I thotë ; " Vet më bëre kështu, krenar, I pabindur pse të mos jem dhe me ty? Ashtu si Adamin e le mëkatar, Më ler dhe mua në të shenjtën liri! "
Dhe eca unë në rrugë të pashtruar, Vitet nuk i numërova asnjëherë, I hidhja pas shpine, i pata harruar, Veç sot ishin shumë...Sa lodhje kam ndjerë!
Një çast u duka diell i perënduar, Një muzg të përhumbur pash në syt' e mi. O Zot, mos do mbetem plak i shenjtëruar? Jo, jo, më ler mëkatar, po në rini.
Kështu , mes miqve, gëzuar dhe trishtuar, Kalë ergjele ma ler shpirtin e shkretë, Më mirë të mbetem shtegtar i vonuar, Sesa vetmitar në një oaz të qetë!
Pajtim Xhelo, 20 nëntor 2020 ( për 70 vjetorin e lindjes)
टिप्पणियां