top of page

Për 5 Tetorin - Ditën Botërore të Mësuesit



Nga Albert Habazaj


Dita Botërore e Mësuesit - Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, në vitin 1994, ka përcaktuar 5 tetorin si Ditën Botërore të Mësuesit, për të përkujtuar nënshkrimin e Rekomandimit, në lidhje me Statusin e Mësuesve, miratuar nga ana e ILO/UNESCO, në Paris, më 5 tetor 1966. Po në këtë vit, sipas idesë dhe sugjerimit të UNESCO-s, pedagogu zviceran Robert Dottrens (1893-1984) hartoi edhe betimin solemn të mësuesit mbi bazën e betimit të Hipokratit.

Drita e Mësuesit është e ngrohtë për ne, sepse na ndrit mendimin, na fisnikëron shpirtin, na dëlirëson zemrën, na mbarëson veprimin, na qartëson Udhëtimin, na zbukuron jetën

Gjithkush, në Shqipëri dhe në botë ka mësuesit e tij. Jemi grimcëza të pjesëszës së pjesës të së tërës njerëzore në glob. Në këtë rrafsh, edhe unë kam të regjistruar në kujtesën time, mësuesit e mi, ata që janë Mirënjohja e Nderimit tim. Ata që unë i quaj Ikona të arsimit, yje të dritës, të mirët tanë, krenaria e Tërbaçit, nga unë kam origjinën dhe ku kam marrë mësimet e para në shkollën 8-vjeçare “Halim Xhelo”. Ata lindën dhe jetuan këtu, por edhe në Paris, Romë, Londër, Uashington, Çikago, Kembrixh, Zyrih a gjetkë, po t’u jepej mundësia për kohën e jetuar dhe të mësimdhënies, kam bindjen se do të ishin mësues të denjë e me firmë.

Ata ishin burra të zotë, fisnikë e atdhetarë, komisarë të dritës.



Nderim 3 Mësuesve të mi, që s'i harroj sa të jem: (në këmbë, nga e majta në të djathtë, të paharruarit Rexhep Abazi e Kujtim Mici dhe fisniku Zaim N. Hoxha, ulur, unë, Albert Habazaj). Këta 3 viganë të arsimit në Tërbaç, në Lumin e Vlorës dhe në Vlorë janë shembëlltyra më e përsosur e komisarit të Dritës për mua.

5 Tetori për gjithë botën dhe 7 Marsi për Shqipërinë zyrtare, tek unë vjen me imazhin e këtyre 3 dritanëve të edukimit dhe arsimit të sa e sa brezave në Tërbaç, në krahinën e Lumit të Vlorës dhe në Vlorë. Duke i kujtuar çdo ditë, eci në shembullin e mësuesve të mi në kohë të re, çdo ditë mësoj për vete dhe mësoj të tjerët. Me dinjitet. Nderim kujtimit të tre dritanëve të mi të paharruar!

GËZUAR DITËN TUAJ, MËSUES TË BOTËS!

Gëzuar ju, mësues të vendit tim për ta përmirësuar Shqipërinë, duke përparuar!

Mirënjohje atij brezi edukatorësh!




DRITA E MËSUESIT


***triptik***


NGA: ALBERT HABAZAJ


1. Drita e Ngrohtë e Mësuesit

Drita e Mësuesit, si frym’ e Bekuesit,

Lum ne për Mësuesit tanë,

Qenë imazh i Udhërrëfyesit,

Dhanë dritën e mendjes

e shpirtin dhanë!


2. Mësuesi im


Në hartën e yjeve

I bukur shkëlqimi yt.

Ra në tokën e ngrohtë,

Si meteor u këput.

Mësuesi im po të ndjek

Edhe tani që nuk jeton,

Unë të përshëndes kokulur...


3. Nderim Mësuesve të mi

Kur nxënës ne kemi qenë

Mësuesi quhej prind i dytë,

Dinjiteti i tyre kishte vlerë,

Si mësuesit s'kishte të dytë.

Ata qenë të mençur shumë,

Qenë si male hyjnorë,

Ata qenë diell në furtunë,

Një nga një u bën' meteorë.

Mësuesit më ikën një nga një,

Fisnikët e mi të lartë,

I kam, dhe pse s'ua dëgjoj atë zë,

Në frymëmarrjen time dit' e natë.

Ku t'i gjej t'u puth fjalën

Siç puth Dheun e Flamurin,

Si bregu i detit pret valën

Pres urtësinë e tyre të Burrit.

Mrekulli mund të ndodhë vërtet

Të bëhem sa një e mijta e tyre,

Ata erdhën e ikën profetë,

Dhe zbukurojnë qiellin me yje.

Për nxënësin qe emri Mësues

Baras me Perëndi, Zotërues.

Dritanët e mi dritërofshin e të paharrueshëm qofshin!

Mësuesit e sotshëm rrofshin e përparofshin!


Vlorë, e enjte, 05.10.2023

52 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page