Pëlqimet
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Feb 8, 2021
- 1 min read

Nga Petrit Malushi
Pëlqimet
Unë pëlqej të zezat kaçurrela,
Ty pa mend të lënë bjondinat.
Si varka në lundrim hapur velat,
Për brunet ai merr sheshet, lëndinat.
Më mahnit balli i lëmuar, mermer,
Qerpikët e gjatë, halë gruri...
Ty vetullat hark, bishtin pa prer
Të goditin rëndë, si shpatë guri.
Atë e përndezin xixëllues sytë...
S´ka të sharë qafa si sorkadhe,
Gusha si llokum, brumë, e butë,
Faqet, kuqëlime molle e dardhe.
Kush i shan buzët flakë, shegë,
Apo gjoksin si folezë zogu?!
Belin, pemë mbuluar nga degë,
Llërë e pupla si palcë shtogu ?!...
................................................
Pëlqimet, ah naziket pëlqime,
Motër, as vëlla nuk kanë binjakë.
Ajo që mua më sjell drithërime,
Ty të duket e akullt, pa vlag.
Unë, më dëgjoni, të gjitha i fal:
Vetull, buzë, gushë, sytë tërheqës...
Pëlqej mbi to, “Bukurinë e rrallë”…
Mençurinë, që driton rrugët e jetës!
“Përqafime në vjeshtë”
Përballë u gjendëm rastësisht,
Dhe ti dhe unë u befasuam.
Zjarri i fshehur u ndez sërish,
Të turbulluar hapat ndaluam.
Që kur me “jo”, “po”-të shtymë tutje
Rendur kishim në rrugë të ndara.
Në vjeshtë të jetës ecnim pa ngutje,
Pranverë e verë s’kishim më para.
I kishte zverdhur shikimet tanë
Koha e ndarjes, si gjethe vjeshte.
“Jo”-të e dikurshme flakëm mënjanë.
Të përqafuar, lotuam në heshtje.
Përkëdhelje
Si dy fëmijë tekanjozë
T’na përkëdhelin na pëlqen.
Të tepëruar jemi në “dozë”,
Dhe unë, dhe ti këtë e ndien.
T’na ledhatojnë me shikime,
Me fjalë ngjyer në mjaltë hoji.
Për buzë e sy t’na bëjnë lëvdime,
Për shtat e flokë si pendë palloi.
Për modë, veshje, shijen e hollë,
Për ecje, vetulla, qerpikë…
Dhe trill kur ka, nuk themi boll.
Na lumturojnë përkëdhelitë !
Comments