Vullnet Mato
PËLLUMBAT E DËNUAR ME VDEKJE
Tregim
Në qytetin bregdetar të Jugut sapo kishte hyrë vjeshta e dytë dhe kishin filluar të frynin erërat e ftohta, me të cilat deti i dërgonte lajmërim tokës, se nëpër qiell po trokiste dimri. Por dhe korrieri i komitetit dhe solli një lajmërim dimëror të akullt, te shtëpia përdhese e nënë Thëllëzës. Të gjashtë pëllumbat e vegjël të saj dhe pëllumbesha, më e madhja e tyre, dolën njëri pas tjetrit te dera.
- Ku është kjo Thëllëza ? – pyeti me ton prej tellalli, korrieri i komitetit, duke i hedhur një sy letrës lajmëruese që kishte në dorë.
- Në punë. – iu gjegj vajza pëllumbeshë e habitur.
- Ku e ka punën ?
-Te llaçi i pallateve të ndërtimit…
Korrieri mblodhi buzët. Pallatet ishin larg dhe rruga për aty ishte e mbuluar me llucë, të përzier me gëlqere të rënë nga karroceritë e makinave vetëshkarkuese.
- Merre! - zgjati dorën e ftohtë korrieri! - Jepjani asaj në dorë këtë lajmërim, të paraqitet nesër në orën tetë te sekretari i komitetit, shoku Myslim!
Pëllumbesha dymbëdhjetëvjeçare lexoi me një frymë lajmërimin me ca shkronja të zbehta e të goditura përgjysmë nga makina e shkrimit të komitetit. Por ajo copë shkresë nuk thoshte asgjë tjetër, veç fjalëve lajmëruese dhe asaj vulës që kishte njollosur letrën me bojë të zezë, tamam sikur kishte rënë mbi të një glasë laraske.
Pëllumbat e vegjël krejt indiferent u shpërndanë për të vazhduar çukitjen e uritur të copave të vogla të bukës së misërt të lyer me gjizë që u kishte lënë nënë Thëllëza mbi tryezën e madhe në mes të shtëpisë. Çukitnin duke mos lënë asnjë thërrime nga pjesa e tyre të përzihej me thërrimet e tjetrit, ku kishin tërhequr me gisht edhe kufirin ndarës mbi shtresën e lëmuar të tryezës.
Katërqindgramshin e bukës së triskës, që i takonte çdo pëllumbi ordiner të familjes, nëna ua kishte ndarë në tre pjesë për të tre vaktet. Shtatë pjesët e mëngjesit, pak më tepër se njëqind gram secila me madhësinë e një biskote, ua kishte lënë mbi tryezën e drunjtë dhe kishte shkuar në punë që në orën gjashtë e gjysmë. Gjatë tetë orëve rraskapitëse do të përziente e transportonte llaç me tezgë nëpër katet në rritje të pallatit, për të marrë aq para, sa për të blerë bukën e misër dhe racionin e pakët me sheqer e oriz të triskave të ushqimit.
Pasdite sapo arriti nga puna te shkallët e gurta të shtëpisë, Pëllumbesha i doli nënës përpara dhe i zgjati lajmërimin e komitetit. Ajo e lexoi me një frymë dhe parandjeu diçka të keqe, por kurrsesi gjëmën që do ta priste të nesërmen. E kishin thirrur para pak ditësh në Degën e Sigurimit dhe e kishin pyetur për fjalët armiqësore që mund të kishin pëshpëritur shoqet e saj me burrat në burg, të cilat punonin te llaçi e tullat ndërtimit. Dhe pasi nuk i kujtohej ndonjë rast të tillë e kishte heshtur qëllimisht, se nuk donte të bëhej spiune e shoqeve, ata i kishin thënë, se po të bashkëpunonte me sigurimin, do ta lejonin të punonte në ndërtim, ndryshe do ta çonin të pastronte bajgat e derrave te stallat gjashtë kilometra larg. U kishte premtuar se po të dëgjonte ndonjë fjalë të natyrës armiqësore, do t’u tregonte patjetër. Por kur kishte ikur prej andej, i kishte bërë përshtypje, si ishte e mundur që ata kishin aq besim tek ajo grua “armiku”! Mirëpo kur kishte biseduar me shoqen e saj të ngushtë, Ritën, burri i së cilës ishte gjithashtu i burgosur për agjitacion e propagandë dhe kishte dëgjuar prej saj të njëjtën histori, ato thanë të dyja “Këta laro të sigurimit pështyjnë burrat dhe duan të lëpihen te gratë e tyre!”
Atë natë nuk e zuri gjumi dhe u përpëlit në shtratin e drunjtë deri afër mëngjesit. Pikërisht atëherë kur gjumi po e kaplonte nga lodhja, ra disa herë resht zilja e sahatit mbi tryezë dhe ajo u çua të bëhej gati për të shkuar te shpella e gjëmës, që quhej zyrë komiteti.
Nëpunësi i shërbimit te hyrja kryesore e lejoi përzemërsisht, sapo lexoi njoftimin që kishte në dorë. Te zyra e sekretarit, që kishte një fytyrë të gjatë si të kalit, hyri duke ndjerë një dridhje të lehtë gjunjësh dhe i filloi para kohe një rrahje zemre e pazakonshme.
Sekretari i tregoi me dorë një karrige që ndodhej përballë tij. Dhe pasi e shigjetoi me një vështrim të mprehtë, filloi t’i thotë pa vonesë:
-Të kam thirrur për të njoftuar një vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Ti duhet brenda javës të ndash në gjykatë burrin tënd armik të popullit. Në të kundërt, në fund të muajit do t’u priten triskat e bukës për të gjithë familjen...
Kjo ishte për nënën e shtatë pëllumbave një bombë, që ai e nxori nga goja e tij gjatoshe fare lehtë dhe i ndezi fitilin flakërues para syve të saj të skuqur, njësoj sikur të bënte një truk fëmijësh. Gruaja e tronditur deri në inde, vështroi sekretarin e komitetit me atë lloj lemerie, sikur të gjendej befas përpara gojës së hapur të një përbindëshi, që po bëhej gati ta gllabëronte me gjithë fëmijët e saj.
- Po... po... neve jemi të ndarë për pesëmbëdhjetë vjet... Ai në burg e ne fillikat në shtëpi !...
- Jo, jo, ti duhet ta ndash burrin ligjërisht, që të mos keni asnjë lidhje me të, as ti dhe as fëmijët...
- Po fëmijët janë gjaku i tij...
- Duhet të bëhen gjaku i Partisë, jo të mbeten gjaku i armiqve te saj...
Gruaja fatzezë u përtyp hidhur.
- Ç’armik është ai, zoti Myslim!... Burri im tha në gjyq, nuk kam dashur kurrë të arratisem në Greqi, se edhe po të isha aty, do isha arratisur për të ardhur në Shqipëri tek shtatë fëmijët e mi që janë akoma kërthi...
- Nuk më duhet ç’tha ai në gjyqin e tij, mua më duhet ç’do thuash ti në gjyqin tënd të ndarjes me të!
Nënë Thëllëza kapërdiu toklën e trashur që i kishte bllokuar fytin dhe lëkundi kryet në të dy anët në shenjë mohimi të dukshëm.
- Nuk vete në gjyq unë, s’kam punë me gjykatën dhe as kam të drejtë të ndaj fëmijët nga babai i tyre, se më vret zoti!...
Sekretari u përtyp thatë një grimë dhe tha me ton të prerë:
- Atëherë fëmijët do t’i vrasësh ti vetë, duke i lënë të vdesin për bukë...
Gruaja e drobitur u mendua sërish për të gjetur fjalët që do të thoshte pas këtij njoftimi të kobshëm. Dhe pas pak, tha duke u dridhur e tëra:
- Unë do shkoj të hidhem në det bashkë me të shtatë fëmijët e mi, që të mos i shoh duke vdekur për bukë!... - u shpreh ajo vendosmërisht dhe befas një çurg i madh lotësh të rrëmbyer i zbritën deri poshtë fytyrës së saj të rreshkur nga puna me çimento e gëlqere.
Sekretari komitetit i hodhi një vështrim të mprehtë, mblodhi supet dhe ia kthye me zë paksa te ulët:
- Nuk di unë çar do bësh ti, unë di vetëm të të komunikoj vendimin komitetit !
Thëllëza krahëthyer nxori shaminë nga xhepi i bluzës prej doku për të pritur rrëketë e lotëve të tjerë.
- Mosni, ju bëj rixha! Në keni besuar perëndinë, mos më lini fëmijët pa bukë, se do me vdesin ! Ju lutem, ju përgjërohem, vini dorën në zemër, se keni vetë fëmijë...
- Unë kam fëmijë, po nuk gaboj t’i lë rrugëve!
Duke ndjerë krenarinë e shprehur edhe me pamjen e fytyrës së tij, ku mungonin vetëm frerët e kalit, nënë Thëllëza u bë më serioze në qëndrimin e saj.
- Më thoni, cili është faji që kanë bërë fëmijët e mi, për t’i dënuar me vdekje?
- Fajin që ka bërë babai i tyre duhet ta paguani bashkërisht... – tha zëri i tij i pamëshirshëm.
- Po edhe nëse duhet ta paguajmë të tërë, babai i tyre është dënuar me 15 vjet burg, pse fëmijët e tij duhen dënuar me vdekje?...Ku është parë e dëgjuar kjo? Atëherë shpini dhe fëmijët në burg të hanë të paktën një pjatë supë, po jo t’i lini të vdesin për kotheren e bukës, more zotni! – u shpreh ajo më në fund me ton akuzues.
Sekretari e ndjeu veten ngushtë dhe për të dalë nga pyetja e tmerrshme e asaj nëne të dhimbsur fëmijësh, gjeti shkakun për tu shkrehur me ton të lartë:
- Nuk jam zotni unë, akoma s’ke mësuar të flasësh me kuadrot e partisë e të pushtetit nëpër zyra ti ?
- Më fal, po unë të quaj zot e perëndi, se ke në dorë jetën dhe vdekjen e fëmijëve të mi!...
- Nejse, nejse, mbaruam bashkë!- tha Sekretari me mërzi dhe gati i zemëruar u çua në këmbë! - Dil jashtë tani se kam punë!
Nënës fatzezë iu morën mentë dhe i erdhi zyra vërdallë me një rrotullim të marramendës të llahtarshëm, sa ishte gati të lëshohej përtokë. Por zgjati menjëherë dorën te faqja e murit për t’u mbështetur, që të mos turpërohej për të rënë mbi dyshemenë me parket dhe u gërmuq drejt derës, pak nga pak derisa doli në korridor. Aty ishte një stol druri i vjetër, ku u lëshua për disa çaste dhe zuri kryet me të dy duart për të mbledhur veten.
Pastaj u nis dhe arriti në shtëpi e trullosur e kokulur, që të mos e shihnin njerëzia rrugës duke fshirë lotët. Sapo hapi derën dhe me sy të mjegulluar pa fëmijët, ajo u lëshua mbi minderin e kanapesë gati si e vdekur. Vajza pëllumbeshë, me të gjashtë pëllumbat vëllezër, iu mblodhën në çast te kryet.
- Çar ke moj nënë, tu bëfsha, më thuaj mua ?! – iu lut Pëllumbesha me sy te zgurdulluar, duke u përkulur në gjunjë përmbi të ëmën.
- Nuk kam gjë ! – u gjegja nëna me një zë sikur e nxirrte nga fundi i qenies së saj. – Jam lodhur shumë se erdha me vrap të bëhem gati për të shkuar prapë në punë...
Nuk u tregoi asnjë fjalë nga vendimi i llahtarshëm i pushtetit që quhej “popullor”, për të mos i trishtuar fëmijët para kohe. Por edhe seç kishte një lloj shprese, se ndoshta ata burra të pjekur të komitetit, nuk do ta bënin atë krim aq vrastar, sa të linin shtatë fëmijë të vegjël pa bukë. Si mund të vdisnin qenie të pafajshme, vetëm se babai i tyre ishte dënuar për një ëndërr që i kishte treguar shokut spiun, sikur kishte fluturuar me kalë të bardhë përmbi Greqi. Ajo do të priste derisa të vinte fundi i muajit, kur ndaheshin triskat e reja të nëntorit. Atëherë ishte dhe pragu që ndante jetën e familjes së saj nga vdekja.
Por ndonjëherë, kur e pret me padurim, edhe vdekja vonon të vijë. Fundi muajit për fatin e mirë dhe të keq të saj, ndonëse donte edhe një javë, nënë Thëllëzës iu duk sikur erdhi pas dy javësh të ankthshme. Më 28 tetor, ajo shkoi te zyra triskëtimit bashkë me shoqet e punës. Por aty goditja në tru ishte më e madhe se gratë e tjera që prisnin edhe ato gjëmën e saj.
Shkoi në shtëpi duarbosh, me një vendim të ngulitur në tru ndoshta nga vetë zoti, për të mos bërë hapin e gabuar që kishte deklaruar te zyra vrastare e komitetit. Nuk do t’ua bënte qejfin armiqve të “armikut” të saj të pafajshëm, të linte namin duke mbytur në det një kope me fëmijë dhe veten bashkë me ta.
Ajo mblodhi fëmijët përreth tryezës së bukës dhe u tha shkoqur e me një ton krejt të qetë:
- Dëgjoni këtu pëllumbat e mi ! Çoç do t’u them sot, po dua të më dëgjoni mirë e të mendoheni mirë, sikur jeni burra të mëdhenj... Më thanë në komitet që ne ta ndajmë babanë me gjyq, që unë të mos jem më gruaja e tij dhe ju të mos e keni më baba... Si thoni, e bëni ju këtë poshtërsi për atë baba që u mbajti në prehër qëkur ishit një pëllëmbë, ju ushqeu me lugën e vogël të kafesë, ju këndoi këngë e ju tregoi përralla të bukura, me engjëj që fluturojnë nëpër lule, por dhe me kuçedra që ua presin njerëzve ujin e u pengojnë bukën e gojës...
- Jooooo, nënëëëë, jooooo, nuk e ndajmë, babin ! – thirrën pëllumbat duke hapur sqepin të gjithë njëherësh.
- Po mirë atëherë, do bëni të tërë si t’u them unë, që të mos vdesim nga uria, se ne nuk na dhanë triska për këtë muaj që vjen dhe nuk do na japin më bukë për të ngrënë këtej e tutje?!
Pëllumbat i zmadhuan rruazat e syve për disa çaste, sa i bënë si kokrra kullumbri. Pastaj Pëllumbesha pyeti të ëmën:
- Po si thua ti, moj nënë, të bëjmë ne ?
- Shko matanë tek enët, merr kompletin e thikave e ma sill këtu! – i tha ajo së bijës.
Pëllumbesha solli kanistrën me të gjitha thikat, ia vuri nënës përpara dhe të gjithë së bashku ata prisnin me sytë e mëdhenj si yje të ndezur, çdo të bënte ajo me tërë ato thika.
Nëna u ndau të gjithëve nga një thikë në dorë dhe krejt e çelur në fytyrë u tha ëmbëlsisht:
- Të gjithë bashkë ne do shkojmë ta shkulim vdekjen tonë nga dheu i malit, që të na shporret nga shtëpia! Që të rrojmë e të presin babanë që na do dhe e duam, derisa të na vijë prapë në shtëpi. Tani bëhuni gati, të shkojmë për të mbledhur radhiqe, lëpjeta, labota, e nga të tëra lakrat e egra. Unë do ua ziej me një dorë oriz të blerë e do t’ua mbush pjatat plot, sa tu bëhen faqet të kuqe si molla...
Atë çast më vogli i pëllumbave, që sapo kishte mbushur vitin, filloi të tundte thikën e vet dhe po kënaqej, që të tjerët i shmangeshin dorës së tij. Pëllumbat zunë të qeshnin aq fort me të, sa u shkëlqyen faqet. Pastaj me thikat në duar e duke gugitur, fluturuan drejt malit me bar të njomë, ngjitja e të cilit fillonte prapa shtëpive të fundit të qytetit.
Comentarios