top of page

Pëllumbat


Viron KONA



Pëllumbat

kanë një lutje për vitin e Ri


Rrugët, mbushur me pëllumba,

Nuk kanë qenë kështu më parë,

Gu – gu zhurmojnë rreth nesh,

T`bukur, paqësorë e lozonjarë.


Na vëzhgojnë nga poshtë - lart,

Nëse të sinqertë me ta ne jemi,

Jemi miq të mirë, a grabitqarë,

Na hetojnë, mendjen si e kemi?


Farat nga duart na i rrëmbejnë,

Gu – gu - gu, na përshëndesin,

Nga duart tek supet fluturojnë,

Gu – gu – gu, hipin dhe zbresin.


Pastaj një lutje që kanë për ne,

Na e shprehin me sy engjëllorë:

“Bëhuni edhe ju si ne, o njerëz,

Të qetë, të butë dhe paqësorë!”





Fëmijët pyesin...



Po vjen viti i Ri, shohim lajmet,

Pranë nesh fëmija sheh me habi,

Pse,o ba, pse,o ma, këta njerëz,

Grinden kaq shumë për pasuri?


Pse këta njerëzit e rëndësishëm,

Që vijnë te ne dhe na ledhatojnë,

Duan kaq shumë karriget e zyrës,

Dhe s`duan askujt t`ia lëshojnë?


Pse këta të tjerët shpejt inatosen,

Marrin flak edhe zjarr menjëherë,

Sa zënë n`gojë pronat e politikën,

Shahen keq e ndeshen si boksierë?


Si i vjetmi, kaloi edhe ky vit, o ba,

Kështu do ndodh dhe vitin q`vjen?

Prapë s`do arrijmë t`dallojmë dot,

Kush ka t`drejtë dhe kush gënjen?














Nga “fronti i pensionistëve”,

s`do kemi asgjë të re!


Ecën ngadalë në bulevardin shtruar me pllaka,

Ndjen dhembje n`trup, ndal, krruset e rënkon,

M`shumë se gjendja shëndetësore dhe mosha,

Është shpirti i vrarë e i rënduar, që e mundon.


Dëgjon lloj-lloj lajmesh dhe biseda analistësh,

Q`flasin e debatojnë për korrupsion e pushtet,

Lexon në gazeta ditore për “elita” pasanikësh,

Që kapardisen studiove, e po, ç`paskan lezet!


Dëgjon për kanabis, kokainë,ekstazia, heroinë,

Pabarazia ekonomike e bën keq dhe e revolton,

Përjeton zinxhirin kriminal q`zgjatet pambarim,

Përbuz skandalet,shtetarët zhytur n`korrupsion.


Sheh që shqiptarët vriten për ndarjet e pronës,

Aty t`pandershmit abuzojnë, maskarai kryeson,

Populli shpreson shumë te drejtësia e premtuar,

Fituesin e vendos “ligji” i pyllit,“më i forti fiton!”


Të pasurit shtojnë milionat, pasurinë kanë hobi,

S`dinë sa vila kanë,veç për jetë luksi mendojnë,

T`tjerë shtynë netët bodrumeve,t`mjerë,varfëri,

Duart n`treg dridhen, kur qindarkat numërojnë.


Sillen rreth sobës së vjetër,as sonte dru nuk ka,

Kanë shumë ftohtë, kolliten, ilaçe s`blejnë dot,

Ushqimi është për qentë;për ata një tas trahna,

Mallkojnë fatin e keq, pse erdhën në këtë botë!

Refreni

Duket se në 2022-shin, me hap do“marshojmë”,

“Fitimtarë” si “Shpirtrat e vdekura” do jemi ne,

Më mirë ia futim gjumit, se kot po shpresojmë,

Nga “fronti i pensionistëve”,s`do kemi gjë të re.

....................

“Ligji i pyllit: ”Më i forti fiton”.

“Ligji” i detit:”Peshku i madh e ha të voglin”.

"Shpirtrat e vdekura", vepër e Nikolaj Gogolit (1809-1852), shkrimtar i njohur rus. Vepra është konsideruar simbol i letërsisë botërore. Në Perandorinë Ruse, pronarët e tokave kishin të drejtë të zotëronin bujkrobër, shërbëtorët konsideroheshin pronë e pronarit, i cili mund t'i blinte, t'i shiste ose t'i hipotekonte. Për të numëruar skllevërit, u përdor fjala “frymë”.



تعليقات


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page