- Faqe nga ditari i saj personal, që ajo e pat harruar jashtë sirtarit-
Faji vërtet duhet të jetë bërë qyrk dhe shumë e vërtetë që nuk ka dashur ta veshë asnjë burrë. Është e vërtetë edhe që zënkat kanë bukurinë e tyre, sidomos qëkur cilësia e kinematografisë botërore ka rënë, ose së paku, nuk arrin të barabitet me grindjet burrë-grua.
Por jo ama, që ato zënka i nis unë, siç mundohet im shoq t’i mbushë mendjen botës. Unë jam paqësore dhe vetë ai më quan ëngjëll. Dhe nëse zotëria e tij e di vërtet kuptimin e fjalës, duhet edhe ta dijë se nuk ka më paqësor se ëngjëlli. E këtë fjalë, e mbaj mend mirë, ma ka thënë disa herë! Herë e fundit që ma ka thënë, vërtet ka qenë para dyzet vjetësh, por ajo nuk ka përse ta humbë aktualitetin.
Fjala nuk ndryshon. Mes nesh ka ndryshuar veç ai që e ka thënë. Kur ai shkruan ndonjë gjë dhe unë nuk ia pëlqej, ai kujton se e kam fajin unë. Atëherë ai nis e gërmon të shkuarat.
Unë nganjëherë kam dyshimin se ai nuk ka patur fare nevojë për grua, por për një njeri që ta ketë tërë jetën afër, dhe ta përshkruajë ashtu siç do ai. Tamam si piktorët që marrin modelet, i ndriçojnë nga të katër anët, veshur dhe çveshur, me drita dhe me hije, dhe i pikturojnë. E modelja del siç duan ata, dhe jo si është në realitet.
Kur ndonjëherë zënka është në kulmin e saj, shkrimtari në fjalë ndërpret gërnjën, merr lapsin dhe diç shënon. Pastaj i përdor shënimet në shkrimet e tij. Më shfrytëzon dhe pikë. Kjo sidomos na ndodh këtu në Amerikë. Kishin të drejtë kur na mësonin, se në këtë vend ndodh shfrytëzimi i njeriut nga njeriu.
Diku, në një nga intervistat ai ka thënë, fjalëpërfjalë, që “karakteret e grave unë i nxjerr nga vetitë e gruas sime, kurse të burrave nga vetitë e mia”.
Nga vetitë e tij?! Phë!...Gënjen! E po meqë përdorka vetitë e tij, a na ka sjellë zotëria e tij në librat e tij ndonjë Jago, apo ndonjë Tartuf? Po, e dijmë, ka shkruar për ca shofera taksish të lezetshëm, dhe e shumta ka vajtur deri te Avni Rustemi, të cilit nuk i hynte në punë asnjëra nga vetitë e tim shoqi! Me Rustemin ai mund të krahasohet, aq sa mund të krahasohet maçoku me tigrin! Kaq!
Kurse gratë, ai gratë i ka në shënjestër. E kur them gratë, them mua! Më bën hutaqe, koprace, dembele, xheloze, bestyte dhe plot “vetira” që m’i vesh ai, por jo që i kam vërtet unë!
Një mbrëmje, duhet të ishte mezi i natës, u ngrit dhe nisi të mbathte këpucët. Unë e pyeta se ku po shkonte dhe ai më tha që do të dilte përjashta, për pak ajër të freskët. I thashë ta shoqëroja. Unë e gjora, pa të keq… “Mirë,” më tha hundë e buzë mbledhur tok dhe pa pikë dëshire, më priti të vishesha.
E gjithë ndërtesa ku banonim ishte në qetësi. Njerëzit në atë orë nuk lëviznin. Të paktën ne nuk pamë njeri dhe nuk dëgjuam zhurmë kur dolëm në korridorin e katit tonë të njëmbëdhjetë dhe hymë në ashensor.
Sa u mbyll dera e ashensorit unë fola e para. Këtë e pranoj. Ajo grindje nisi nga një vërejtje e imja, po unë e bëra pa të keq, siç i them unë gjërat pa të keq qëkurse kam lindur.
“Më parë”, i thashë “më luteshe të vija në shëtitje me ty, që ta thithnim ajrin e pastër krah njëri-tjetrit, kurse tani…”
Ai nuk foli. Në kabinën e ashensorit, si duket, ai nuk kishte qejf ta zgjaste. Por e zgjata unë. Dhe e zgjata pa të keq, e gjora:
“Përjashta ka ajër për të gjithë, nuk do të të mbarohej ajri i caktuar për ty!”
Dhe ia thashë me kuptimin më dashamirës të një shoqes së tij të jetës, që ai vetë dkur e quante ëngjëll.
Ai prapë nuk e shqepi. Kësisoj po e pranonte që ishte egoist dhe i zënë në faj, mu në mes të natës, kur pallati flinte dhe ashensori i ngushtë na ofronte një ring ideal, ku po ta zgjaste do ta vija me shpatulla.
Edhe unë i lashë ankesat deri sa të zbrisnim.
Por njëmbëdhjetë kate janë shumë dhe ashensori ynë është tip i vjetër e i ngadalshëm. Rrugë e gjatë. Dhe unë, sa për të kaluar kohën, shtova një vërejtje tjetër, por jo për burrin këtë radhë. E bëra për atë palo ashensor. Dhe e bëra pa të keq, unë e varfëra. Ai nuk kishte se përse ta bënte tërkuzë, aq sa desh u therëm atë natë.
“Se çfarë dreq deodoranti hedhin këtu në kabinën e ashensorit!” thashë unë. “Erë e neveritshme. Të shpon hundën. Shumë nga këta banorët që kemi këtu, e pëlqejnë,” shtova më tej. “Janë njerëz banalë. U duket aromë e preferuar, kurse mua… Brrr! Ty mbase të pëlqen, mbase edhe ti e quan aromë… E ndjen?”
“Jo,” më tha shkurt e prerë, me inat të dukshëm.
“Lum si ti!” i thashë. “T’i kam zili ato hundë, se i ke si të zëna me shtupa! Asgjë nuk ndjen ti. Dhe ju, ju njerëzit, që ju mungon nuhatja, kaloni jetë të bukur. Nuk ndjeni asgjë, as nëpër kuzhina, as nëpër thertore, as afër kazanëve të plehrave… Hundë të mrekullueshme, për një jetë të lumtur!”
E po t’i lavdërosh tjetrit hundën, moj motra, dhe të të vërsulet sikur i kevrarë babain! Goditi me grusht murin e alumintë të kabinës së ashensorit e m’u duk se u shemb tërë ndërtesa e të na zinte aty brënda në atë kuvli metalike.
“Ti po vjen të shëtisim si dy dashnorë,” më sokëlliu, “apo po vjen aty në shesh që të nxjerrim shpatat? Po e pate këtë mendje, qepe! Ose, kur të zbresim në katin e parë, mos dil hiç nga kabina, por shtyp njëmbëdhjetën dhe mbathja! Ngjitu përsëri përpjetë! Unë kam nevojë tjetër, jo të zihem me ty. Të thashë: dua të shijoj ajër të pastër!”
Bah, çfarë ulurime! Nuk e durova dot tonin e tij. Ia plasa:
“Të marrësh ajër të pastër! Me ato hundë, mo?! Mirë ishe lart në apartament, o i zi! Ku e dallon dot ti ndryshimin e të pastrit, nga ai i ndohturi, lumëmadh!”
E pastaj folë ai, e folë unë. Ai më tha që ishte i kënaqur nga hunda e tij. Më tha që unë nuk kisha faj, se isha rritur afër një përroi që kundërmonte dhe ai më paskej shpëtuar kur më zgjodhi për nuse. Më tha që t’i shash tjetrit nuhatjen, është ofeza më e madhe. Me atë nuhatje ai u mburr se kishte kuptuar tërë lëvizjet politike që ndodhnin në atdhe. Aty unë i thashë se me atë nuhatje, e cila ish tjetër dhe nuk kishte lidhje me hundët, ai na kish marrë më qafë. Se edhe në situatën politike ai nuk e pat ndjerë dot pisllëkun. Ai ma hodhi fjalën që unë mund të kisha zgjedhur një burrë tjetër më të suksesshëm… Dhe e kish llafin për një histori me një djalë Berati, që u bë deputet. Mua më pat shpëtuar goja dhe ia pata treguar një mbrëmje, teksa pinim kafe.
Ai folë e unë folë! Unë me dashamirësi, ai me gërnjë! Plot një orë brënda ashensorit! Kishim hipur në ora dymbëdhjetë fiks dhe e pamë që pat vajtur ora një e dy minuta, gati në të gdhirë! Si duket ashensori pat zbritur me kohë, nuk i nevojitej më njeriu dhe ne, në vënd të ajrit të pastër, na kish rrëmbyer zënka e dashur.
Po ashensori nuk paskish zbritur fare! Ai bile as ishte nisur nga kati ynë, ngaqë ne na kish rrëmbyer zjarri i “dashurisë” dhe nuk e kishim shtypur hiç butonin për të vajtur poshtë. As njëri, as tjetri!
Hapëm derën dhe u kthyem përsëri në apartament. Pa dalë përjashta fare. Pa ajër, pa gjë! Ta dinim ashtu, do ishim grindur me komoditet, ulur në kulltukë. Ohoho!
Ndërsa unë turfulloja ai shkroi disa gjëra me ngut në bllokun e tij. Por ama e ndjenim veten të lehtësuar e të rellaksur, siç i thonë këtej.
E fjetëm si dy qingja! …............................................................................................
Shënim. E publikova se e di që ajo do të më fajsojë, por duhet ta dijë edhe atë, që kur e le ditarin në mes të rrugës, kushdo mund ta lexojë e të ta publikojë
Comentários