OXHAKFSHIRËSI PE KORÇE


Thani Naqo

reportazh

Ja si u njoha me një pastrues oxhakesh në Korçë, në v. 70-të. Kur isha hollë me lek shkoja e flija në Hotelin e Fshatarëve në Pazari i Vjetër. Atje nata ishte 30 leka të vjetra, Turizmi 100, kurse hotelet e tjera 50, 60 dhe 70 leka tek Krimea. Në Pazari i Vjetër ishte një klub, që quhej Klubi i Hamejve. Atje kam njohur Abas Hajron, fizarmoniçistin e serenatistin e famshëm Korçar dhe nuk më besohej që ai të kishte punuar hamall në rininë e tij.

Në Klubin e Hamejve një pjatë me cironka të fërguara, pa garniturë, ishte 12 leka. Tekja e vodkës 11 leka, dy leka më pak se kudo. Paninja 10 leka. Një drekëherë, pa më marë lejë, vjen e ulet në tavolinë me mua një burrë i pakët, i shumëvuajtur, i krusur, i nxirrë e përnxirë. Rrudhat e lëkurën e qafës të veshura me pluhur të zi; pëllëmbët i kishte të zeza, si pepellashe furre. Fillimisht mendova se do qe ndonjë puntor skaldabanje në spital ose në hotel.


-Jam pastrues oxhakësh, - më tha me krenari. - Ke oxhak për të pastruar?

-Jo, - i thashë dhe shtova: -Jam kurioz të shikoj si i pastron.

-Ri se je mirë, - më tha dhe vuri buzën në gaz.

Ishte pa dhëmbë.

Për ta marë me të mirë, e qerasa me një teke vodkë dhe iu luta se desha ta shikoja si i pastronte nga bloza oxhakët e pallateve ose, të ndonjë shtëpie, sepse doja të shkruaja një tregim për oxhakfshirësin.

-Këtë gënjeshtër thuaja ndonjë tjetri, jo mua, - ma ktheu me inat e më pa me dyshim. -Pse, si ti janë shkrimtarët, - shtoi, brofi në këmbë dhe, para se të ikte, e rrëkëlleu gotën me një të hedhur e më tha me zë të lartë:

-Zanatin nuk e shes edhe po të më japish një çisternë me vodkë...,Më mbeten fëmijkat pa bukë!

Banakieri, kamarieret dhe disa klientë e duartokitën, kurse guzhinieri nxorri kokën në frëngjinë e kuzhinës, më tregoi me garuzhde e tha:

-Hej, thirri turit: zanati vidhet, nuk shitet e as falet!

Por mua akoma më djeg dyshimi i tij se nuk kam pamjen e shkrimtarit, por edhe se ende nuk jam bërë shkrimtar e më gric meraku që nuk mund të shkruaj një tregim për pastruesit e oxhakëve...

Ama e shkrojta këtë reportazh për ta..

25 views

Shkrimet e fundit