top of page

Osman Xhili: URAT   E   NJË   BASHKËPUNIMI   MES   DIBRANËSH



 

Hyrje

 

Nganjëherë, mjafton një ngjarje, apo dhe një moment i vetëm e njeriu të mendoj, se jeta ka vlera të pallogaritshme. Këto ide bluaja në mendje pas atij aktiviteti që u zhvillua në Dibër të Madhe, me rastin e promovimit të librit,  “Breshia, kopësht, apo universitet”.

 U desh të paktën një vit punë, vizita të panumërta tek ky institucion i mrekullueshëm i arsimit parashkollor, pjesëmarrje në orë mësimore dhe në raste eventesh të rëndësishme. Nuk desha të më shpëtojë, qoftë dhe një detaj i vogël, për të përshkruar sa më bukur atë punë titanike, që ka bërë stafi i mrekullueshëm i kopështit “Breshia”, me në krye drejtoreshën vizionare Ajrie Daçi.

 

Skaner artistik

 

  Më së fundi ia dolëm! Kishim bërë një skaner artistik të veprimtarisë së këtij institucioni, që nga ajo datë e largët e 55 viteve më parë e deri më sot. Tani e tutje, kopshti “Breshia” do të kishte librin e tij, një pashaportë historike, me të cilën mund të njihet kushdo, që kërkon të dijë diçka rreth punës dhe veprimtarisë së tyre.

   Ashtu sikur një fëmije, që vjen në këtë jetë i lihet një emër, ramë dakort me drejtoreshë Ajrien, që të bëjmë një ceremoni të vogël dhe katër qershori do të ishte një datë mjaft e përshtatshme. Do të merrte pjesë pothuaj gjithë stafi i “ Breshias”, që në fakt janë mbi 60 persona, do të ftoeshin ish punonjës, ish drejtues të këtij institucioni, drejtues të kopshteve të Tetovës, Strugës, Shkupit, Kërçovës e simotra të tjera. Do të merrnin pjesë personalitete të artit dhe kulturës, si dhe drejtues institucionesh të rëndësishëm vendorë. I thashë drejtoreshës, se kisha dhe një kërkesë të vogël. Në cilësinë e kryetarit të intelektualëve të Maqëllarës, dëshiroja, që ta bëjmë si një aktivitet të përbashkët. Ashtu ndodhi dhe gjërat shkuan në mënyrën më të mirë të mundshme.

 

4 Qershori

 

   Erdhi dhe 4 Qershori. Kisha ftuar nga Maqëllara, drejtoreshat e nderuara, Gjylsime Topalli, Adelina Tafçiu, Nexhmie Sula, si dhe nëndrejtoreshën Engjëllushe Hamzai. Ishin ftuar dhe disa mësues të tjerë, si dhe një grup i vogël nxënësish, që do ta përshëndetnin takimin me recitime, apo valle të njohura shqiptare. Nga kryesia e Lidhjes së intelektualëve të Maqëllarës ishte ftuar vetë kryetari, profesor Shpëtim Cami. Takimi promovues do të mbahej tek amfiteatri i pallatit të kulturës.

   Kur çdo gjë dukej në perfeksion, vetëm një detaj sikur çalonte. Mes atyre, që do të përshëndesnin nga ana jonë ishin dhe katër vajza të vogla të shkollës së Pocestit, që do të ekzekutonin mjeshtërisht vallen e Tropojës. Ata ishin përgatitur që një javë më parë, kishin marrë kostumet popullore dhe prokurat e prindërve. Ama, skena e amfiteatrit nuk ishte e përshtatshme për vallen e tyre, dhe muzikë shoqëruese nuk kishte për ta. Duhej gjetur medoemos një zgjidhje e duhur. A mund t’i linim të dëshpëruara vajzat e vogla të talentuara, në të parën eksperiencë jashtë vendit?


Promovimi i librit

 

   Promovimi i librit do të shoqërohej me një koktej të rastit në ambjentet e kopshtit “Breshia”. Këtu do të ishte plotësisht e mundshme, që të plotësohej dëshira e valltareve të vogla. Si për ta bërë më të plotë këtë performancë kërkuam ndihmën e mjeshtrit të dixheit nga Maqëllara, Urim Asllani.

  Salla e amfiteatrit po mbushej plot me të ftuar. Të gjithë ishin të emocionuar për eventin që pritej. Në podium zë vend, kryetari i komunës, doktor Hekuran Duka, kryetari i Lidhjes dibrane, profesor Shpëtimi, unë në cilësinë e autorit të librit dhe drejtoreshë Ajria, që hap takimin me një fjalë të rastit. Ajo thotë se ky libër është një kurorëzim i bukur i punës së këtij stafi në dekada të tëra. Fëmijët e dikurshëm të këtij institucioni arsimor, sot janë doktorë, inxhinjerë, profesorë, biznesmenë, apo drejtues të institucioneve të ndryshëm, por ata kurrë nuk do të harrojnë çerdhen e ngrohtë.

  Më tej e merr fjalën kryetari, dr. Hekurani. Është me të të vërtetë një ngjarje e bukur, thotë ai jo vetëm për kopështin “Breshia”, por për gjithë jetën kulturore të qytetit. Ne, si komunë jemi përpjekur të japim maksimalisht ndihmesën tonë, por jam koshient, që duhet bërë më shumë për këtë institucion arsimor, ku hidhen hapat e parë të jetës. Madje dhe ne vetë, jemi pikërish produkt i kësaj pune të mësuesve dhe edukatoreve të përkushtuara.

  Më tej profesor Shpëtim Cami përshëndet në emër të Lidhjes së intelektualëve dibranë. Pasi bën një përmbledhje të shkurtër të veprimtarisë së kësaj shoqate, ai thotë se ndihet krenar të jetë këtu, mes intelektualëve të dy Dibrave, që koha dhe historia i ndanë padrejtësisht. Ai shpreh idenë se urat e bashkëpunimit tashmë janë të ngritura dhe shpresojmë të kemi sa më shumë veprimtari të tilla, në mënyrë që të shkrijnë akujt e kohës.

   Tashmë është rradha e drejtorëve për të përshëndetur. Gjylsime Topalli është drejtoresha e shkollës “Haki Sharofi” të Kërçishtit. Është tejet e emocionuar, si pjesë e këtij takimi vëllazëror me intelektualë nga të dy krahët e Dibrës, kur dekada më parë as mund të imagjinohej. Duke falenderuar mikpritësit dhe autorin e librit, ajo shprehet se takime të tilla i bëjnë mirë klimës së vëllazërimit e unitetit mes dibranëve e më gjerë akoma.

  Kanë ardhur dhe përshëndesin ish drejtues të kopështit “Breshia”, ata të cilët i dhuruan rininë dhe energjitë e moshës këtij institucioni. Ata që bënë çfarë ishte e mundur për ta bërë sa më të bukur e argëtuese jetën e këtyre vogëlulëshëve. Mosha ka bërë të vetën. Erozioni i kohës ka gërryer pa mëshirë trupat e tyre, por jo shpirtin dhe kontributet e tyre. Profesor Vehap Duka, dikur profesor dhe sportist i talentuar, sot mezi ngjitet në podium. Profesor Hysen Kosovrasti, ka ligjëruar kushedi sa kohë para studentëve të tij. Ai është dhe autor i disa librave, por sot mezi flet nga kujtimet dhe emocionet e shumta, që mbysin zërin e tij.

   Një zonjë tjetër ngrihet e merr fjalën, Sevdije Vojnika. Veç të tjerash, ajo pati fatin e mirë apo të keq të përballojë dhe krizën kosovare. Asokohe, në kopështin “Breshia”u akomoduan jo pak, por pesë mijë persona, duke shënuar kështu një gjest të rrallë humanizmi. Zonja e nderuar ka mbajtur një ditar shumë artistik e plot detaje interesante, që do tu shërbejë studjuesve dhe brezave të të gjithë kohrave.

  Një fjalë përshëndetëse vjen dhe nga Sadik Ahmeti i Kërçovës. Ai është drejtori i kopshtit të këtij qyteti dhe bashkë me stafin që drejton, ka bërë me të vërtetë një revolucion në mënyrën e punës së këtij institucioni.

  Hera herës këto diskutime të bukura alternoheshin me përshëndetjet poetike të nxënëseve të talentuara të Maqëllarës. Kejsi Spahiu na sjell një poezi të bukur të artistit të njohur shqiptar, Mirush Kabashi, kurse Hatixhe Liçaj na evokon poemën e mjerimit të Migjenit të madh. Ishte kjo një arësye tjetër, për ta ngjitur më lart kurbën e emocioneve tek të pranishmit.

  Mes shumë personave që përshëndetën ishte dhe një pensionist, Hasan Muslioski. Ai nuk kishte qenë as profesor dhe as drejtues, por nga duart e tij hëngrën bukë qindra e mijra fëmijë, në kushtet e një higjene, fantazie në gatim  dhe të një profesionalizmi tejet të lartë. Dhe ai është pjesë e librit, pjesë e historisë, duke u kujtuar me respekt e mirnjohje nga të gjithë brezat që do të vijnë.

 

Konkluzion

 

  Pak e nga pak takimit po i vinte fundi. Drejtoresha Ajrie Daçi i falenderoi të gjithë të pranishmit dhe i ftoi të kalonin dhe pak kohë në amjentet e brendshme të “Breshias”. Do të kishim dhe një koktej të shtruar para se të largoheshim. Gatime të ndryshme, ëmbëlsira dhe pije ishin servirur me bollëk. Mjeshtri i dixheit nga Maqellara, Urim Asllani kishte bërë gati çdo gjë për të argëtuar të pranishmit. Sakaq në skenë u shfaqën katër vajza të vogla të shkollës së Pocestit. Me veshje të bukura popullore, ato do të interpretonin gjithë elegancë e hijeshi vallen e Tropojës. Të bëhej se nuk ishin qenie njerëzore, por shqiponja të vogla, që fluturonin krenare në alpet shqiptare. Të pranishmit u ngritën të gjithë në këmbë, dikush duke bërë ndonjë foto e dikush donte ti fiksojë në vidjo, por gjithsecili duke shijuar performancën.

  Valle të tjera nga krahina të ndryshme të trojeve shqiptare,ndoqën të parën, për tu përmbyllur me foto të personave, për ti pasur si kujtim të këtij takimi plot mbresa.

  Faleminderit stafi i palodhur i “Breshias”, faleminderit drejtoresha Ajrie Daçi për këtë pritje të ngrohtë e vëlazërore! Ta gëzoni librin tuaj, frut i punës së shumë brezave në disa dekada!

19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page