top of page

Osman Xhili: KOSOVARI   NAIM   REÇICA...


KOSOVARI   NAIM   REÇICA,  QE   U  BË   SI  NJË  NGA BANORËT E  POCESTIT


(Pjesë nga libri në botim “Pocesti, ballkoni i Maqellarës”)


    Plot çerek shekulli më parë, në pranverën e vitit 1999, zogjtë nuk cicëruan si zakonisht, zërat e fëmijëve nuk ishin të bukur si më parë, madje dhe pranvera duket sikur çeli më vonë e trembur nga krismat e topave dhe mortajave, e asfiksuar nga tymi i armëve.

   Si kudo në Kosovë, ashtu dhe në fshatin Miradie e Epërme e Fushë Kosovës, jeta njerëzore u tulat dhe humbi drejtpeshimin. Ishte data 24 mars e këtij viti, kur filluan bombardimet e para, për të mos u ndaluar për gjatë kohë, deri në mbarimin e luftës.

   Data 10 prill do të ishte ajo më fatalja, për banorët e këtij fshati. Ishte dita kur gjithë popullsia, i madh e i vogël u mblodhën në qendër të fshatit, nën terrorin e kallashnikovëve dhe bajonetave të ushtarëve serb. Gratë e fëmijët u ndanë veças, për ti nisur drejt Shqipërisë, kurse burrat i priste një fat i zi. Do të mjaftonte vetëm një komandë për zjarr dhe ato qindra trupa do të dergjeshin për tokë pa frymë e pa shenjë jete.  

Pak kohë para se të ndodhte kjo tragjedi, njëri prej turmës, Naim Reçica, u shkëput pa rënë shumë në sy. Kishte dëgjuar, se mes shumë masakrave të tjera do të digjej dhe kompleksi blektoral, që mund të kishte mbi 1000 krerë gjedhë. Të gjorat kafshë, po çfarë kishin bërë ato të mjerat! Madje as mund ta konceptonin një çoroditje të tillë të trurit njerëzor. Ata prisnin që tu shkonte jonxha, tagjia dhe uji e po habiteshin me një vonesë të tillë. Naim Reçica, inxhinjeri me duar të arta ishte mësuar aq shumë me këto krijesa, të bekuara të Zotit, që dinin të prodhonin qumësht e mish pa u ndalur. Ah, sytë e tyre të mëdhenj e të pafajshëm, kur të shihnin tymin e flakën t’i rrethonte nga të katër anët! Por, jo, Naimi nuk do ta lejonte kursesi një tmerr të tillë dhe sikur të digjej vetë brenda, bashkë me to. I liroi me kujdes një nga një nga zinxhirët dhe ata dolën në ambjentet e jashtme, duke i shpëtuar tragjedisë.

   Turma e burrave të mbledhur pranë shkollës vazhdonte të priste në ankth. Pritej vetëm një sinjal nga komanda eprore. Fatmirësisht ajo komandë fatale nuk u dha. Vendin e saj e zuri një mesazh, që urdhëronte burrat, që brenda një ore të zhdukeshin që aty. Në të kundërt, i priste vdekja e sigurtë.

  Të gjithë u larguan. Vetëm njëri prej tyre jo. Ai nuk gjente arësye në vetvete përse duhej të ikte. Ishte në tokën e tij, në trojet e tija, ku kishte lindur, në shtëpinë e tij të re, që e kishte bërë me aq shumë mund. Me ç’të drejtë të Zotit donin ta largonin? Të tjerët ikën, ai qëndroi. Tre muaj më vonë, kur turmat e kosovarëve u kthyen në fshatrat e tyre, gjetën shtëpitë e tyre të djegura. Diku në një pemë, aty në mes të fshatit gjetën të varur dhe njeriun, që nuk kishte pranuar të largohej. Në përkujtim të kësaj dite aq të frikshme, banorët emërtuan njërën nga rrugët e fshatit, sinkron me datën, “10 Prilli”, që të përkujtohet në shekujt që do vijnë.

    Rrugëtimi i turmave të njerëzve ishte tepër i vështirë, si në kohrat prehistorike. Më mirë të ecje në këmbë, se sa mbi rimorkiot e atyre zetorëve të lodhur, që dukej sikur po jepnin shpirt në rrugët gjithë baltë nga shirat e shumtë. Ushtarët serbë ishin vendosur në të dy anët e rrugës. Nëse dikush vonohej e ngelej prapa turmës, ata e ekzekutonin pa mëshirë. Në një moment kritik, një gomë e zetorit, ngjitur me atë të Naim Reçicës, prishet. Mundej që të gjitha ata të mjerë që ishin ngarkuar si thasë në rimorkio të vriteshin për shkak të vonesës. Naimi e merr në sy rrezikun dhe zbret nga traktori i tij. Me një shpejtësi rrufe, fituar në dhjetra vite eksperiencë e zëvendëson gomën e prishur me një tjetër dhe traktori i mbetur bashkohet sërish me karvanin.

    Duket sikur dhe qielli lotonte për mynxyrën që kishte pllakosur Kosovën. Turmat e njerëzve të terrorizuara lëviznin në një ikje nga sytë këmbët. Me bukë dhe pa bukë, ditën e natën, me rrobat e qullura e që nuk u dallohej ngjyra origjinale nga shiu, djersa e balta. Familja e Naimit, bashkë me të vëllanë, me dy gratë dhe dhjetë fëmijët fjetën një natë në Morinë, në tokën e zbuluar. Natën tjetër në Pallatin e sportit në Peshkopi dhe që aty lëvizën për në Maqëllarë, për tu bërë rezidentë të përkohshëm të fshatit të Pocestit.

              POCESTI, NJË SHTËPI E DYTË.

   Ashtu si shumë e shumë familje bujare, banorët fisnikë të Pocestit hapën dyert. Vetë kryetari i këshillit të fshatit, Skënder Bajraktari, strehoi një familje të madhe në shtëpinë e tij. Kështu vepruan pa u menduar dy herë Hashim Osmani, Karafil Rexha, Dylber Imeri, vëllezërit Bajram e Afrim Spahiu e shumë të tjerë.    

  Në fillim të ndrojtur dhe me tmerret e luftës në memorje, familjet e ardhura, pak nga pak e kaluan stresin. Gratë u angazhuan me punët e shtëpisë, larje, pastrime, gatime e çdo gjë tjetër, që nevojitej. Tani, pas një çerek shekulli, Mensurja, njëra nga vajzat e familjes Reçica tregon plot humor se ajo dhe Silvana, vajza e Afrimit, kishin për detyrë të shtronin e të ngrinin tavolinën e darkës. Po kështu angazhohet dhe Ganimetja, motra e madhe e Mensures.

  Jo vetëm të mëdhenjtë, por dhe fëmijët filluan të ndjehen si në shtëpitë e tyre. Mensurja, që sapo kishte mbaruar studimet e larta asokohe, filloi t’u japë mësim fëmijëve kosovarë, në mënyrë, që të mos e humbnin vitin shkollor dhe të harronin disi tmerret e luftës.

Naim Reçica, i talentuar për rrymën elektrike dhe mekanikën ishte diplomuar në Obiliq. Nuk kishte diçka e vogël, apo e madhe qoftë në këto dy fusha, që ai ta shihte e të mos e gjente difektin e ta riparonte. Akoma ishin vite të hershme dhe shumica e punëve bëheshin me sobat e me drutë e zjarrit. Naimi instalon të gjitha paisjet për të futur ujin brenda, rregullon një buljerë për nxemjen e tij e gjithçka tjetër, që nevojitej tek familja e Afrimit. Sakaq, vinin komshinjtë pranë dhe kërkonin që të njejtën gjë ta bënte dhe te shtëpitë e tyre. Kur njerëzit e kuptuan se ai rregullonte dhe difektet në zetora e paisje motorike filluan ta kërkojnë, jo vetëm në fshat, por dhe në fshatra të tjerë. Njerëzit e mësuan adresën e tij dhe vinin e pyesnin, nëse ishte baci Naim te shtëpia.

   Njëherë, tek xhamia e Pocestit pati një difekt të vogël me qendrën e zërit, ku thirrej ezani. U njoftua Naimi dhe çdo gjë funksionoi krejt normal.  Kështu që, në vetëm pak kohë, Naim Reçica nga Miradija e Fushë Kosovës u bë një personazh i njohur dhe i dashur për zonën e Maqëllarës. Ata qëndruan vetëm tre muaj në fshatin e Pocestit, por familjet krijuan e farkëtuan një miqësi që ndoshta në shekuj nuk do të shuhet.

                        FAMILJA E NAIMIT

   Me mikun tim të mirë, maestron e dixhejit dhe të krasitjes, Urim Asllani, bëmë një vizitë në Miradijen e Epërme të Fushë Kosovës. Donim të takoheshim me ata njerëz të mirë, që kishin përjetuar sprova të mëdha. Tre fëmijë të Naimit jetojnë dhe punojnë në Gjermani. Neroni dhe Alisa janë dy fëmijët e Ganimetes, dhe po përfundojnë shkollimet e larta me shumë sukses. Neroni i kalon pushimet verore në Kosovë, për të njohur më mirë rrënjët nga ka ardhë. Saliu është djali i madh i familjes dhe punon me drejtorinë e doganave në Gjermani. Vajza e tij, Rita, dëshironte që ta përmendja paksa në shkrimin tim dhe unë i dhashë fjalën. Ajo kishte një shqiponjë të vogël në krahun e saj e si mundesha unë të mos kujtohem për të! Dy vëllezërit e tij më të vegjël, Flamuri dhe Liridoni kanë marrë plotësishtë mjeshtërinë e babait të tyre, duke e bërë krenare nënë Rukijen.

  Ah, sikur të kishim bërë këtë vizitë vetëm një vit më parë! Tabloja familjare do të ishte akoma më e bukur dhe më e plotë. Mungonte Naimi, shtylla e familjes. Ai kishte ndërruar jetë më 27 shtator të vitit të kaluar, duke lënë pas dhjetra e qindra mirësi e kujtime të bukura, që nuk do të shuhen kurrë. Ai la pas modelin e një burri të shquar për durim, maturi e pjekuri, aq sa njerëzit i besonin ndërmjetësimin në grindjet e mosmarrveshjet, që padyshim shfaqen në jetë.

Naim Reçica u muar gjithë jetën e tij me rrymën dhe ndriçimin, ndaj ne lusim Zotin e Gjithësisë që t’ja ndriçojë varrin këtij njeriu fisnik dhe ta bëjë atë prej banorëve të xhenetit!

243 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page