LANDI SPAHIU, DJALOSHI FISNIK, ME ZEMER TE MADHE.
Pjesë nga libri : " Pocesti, ballkoni i Maqëllarës"
Një djalë i gjatë, i sinqertë dhe me sy bojëqielli. Sy të mëdhenj, ëndërrimtarë, me ngjyrën e qiellit, apo të detit. Sy që kërkonin e synonin hapësirat e tyre të pafundme për ti eksploruar. Shpirti i tij ishte i dëlirë, sikur Zoti i kisht dhënë një mision. Por ai ishte ende fëmijë dhe nuk e kuptonte, se çfarë ishte konkretisht kuptimi i këtij misioni.
Në shkollë ishte një fëmijë i zgjuar, me prirje për historinë dhe gjeografinë. Donte të ndihmojë të tjerët dhe njerëzit në nevojë, po si mund ta bënte këtë. Në xhepat e tij mund të kishte vetëm pesqind, apo njëmijë lekë të vjetra, që baba Afrimi i jepte çdo ditë, për të marrë ato qerasjet ditore. Ishte i dhënë pas sportit, sidomos, futbollin dhe notin i donte më tepër. Njëherë, teksa po laheshin në liqen, një moshatar i tij gati po mbytej. Landi futet pa nguruar dhe e shpëton atë nga vdekja. Një tjetër rast me rrezik mbytje pati në lumin e Drinit. Një njeri kishte mbetur në shkurre, mes vorbullës së ujrave të dallgëzuara dhe sërish djali futet me guxim dhe arrin ta shpëtojë tjetrin. Ndoshta mund të kish mbetur dhe vetë në ujra, ashtu siç mund të ndodhë në raste të tilla. U ndje i çliruar dhe i plotësuar. Kishte shpëtuar dy jetë njerëzore, duke rrezikuar të tijën. Të dy këto episode kishin ndodhur natyrshëm, ndjenja humanizmi, që buronin nga zemra dhe shpirti i tij.
Ishte vetëm 16 vjeç, kur mori rrugët e kurbetit. Donte t’i bëhej krah familjes. Donte të fitojë para, jo vetëm për vete, por dhe për bamirësi. Provoi Italinë, por dhe Gjermaninë. Ishin vitet para liberalizimit të vizave. Ishte pa letra në Gjermani, në kërkim të ndonjë pune për mbijetesë. Teksa po priste trenin në metronë e një qyteti, pa një burrë, që u rrëzua pa ndjenja. Rrëzimi ishte mjaft i fortë dhe fytyra e qytetarit gjerman u mbulua me gjak. Mjaft kalimtarë të rastit e panë dhe asnjëri nuk u afrua për ndihmë. Landi u mendua për një moment. Njëri mendim e shtynte të veprojë, ta ngrejë, t’i fshijë fytyrën e gjakosur dhe t’i japë një ndihmesë të vogël. Një tjetër mendim i i kundërt i kujtonte, se ai ishte pa letra dhe mund të përballej me policinë, të cilës i druhej. Vetëm pak çaste debatuan ashpër dy mendimet e kundërt dhe fitoi i pari, ai që buronte nga zemra. Ashtu ishte gatuar, nuk mund të vepronte ndryshe.
Gati tre vjet qëndroi në Itali dhe Gjermani. Punoi në bujqësi e ndërtim. Provoi dhe ndonjë tregëti të vogël rrobash, por pa shumë rezultat. Mësoi gjuhë e fitoi eksperienca, që do t’i duheshin në jetë. I fitoi ato, por nuk kishte fituar ca gjëra më kryesore, para dhe ndonjë leje qëndrimi. I mërzitur, i zhgënjyer dhe i dërmuar moralisht bëhej gati të ulej në aeroportin e Rinasit. E dinte, të paktën kështu besonte, se ky do të ishte fluturmi i fundit dhe ai nuk do të kishte më shanse për të udhëtuar me avion.
Kështu kishte besuar djaloshi, por Zoti i Gjithësisë kishte vendosur ndryshe. Suksesi i Landit do të ishte diku tjetër, në kontinentin e largët. Motra dhe miq të tjerë i rekomandojnë të marrë për nuse një vajzë të mirë me origjinë dibrane, po që jetonte në Amerikë. Miqtë e rinj ishin nga fisi i nderuar Çira dhe kishin vite, që jetonin e punonin atje. Siç thotë populli, me një gur vret dy zogj. Krijonte familjen dhe merrte letrat amerikane, për një qëndrim ligjor e legal në këtë vend, që shumëkush e ëndërronte.
Një jete e re nisi për Landin, me mundësi të pafundme pune e biznesi. Nuk e pati shumë të vështirë të akomodohej me jetën e re. Eksperiencat nuk i mungonin, anglishten e njihte jo pak, shokë e miq i afruan ndihmën, pa u kursyer. Landi e dinte, që kjo ishte mundësia e fundit për të dhe ai kursesi nuk mund ta humbiste e shpërdoronte një shans të tillë. Martesa u bë në xhami me një ceremoni të bukur. Liria amerikane ishte e pafund, gjithmonë e kornizuar nga normat njerëzore.
Brenda muajit fillon punë si menaxher në një kompleks pallatesh me 600 familje. Për herë të parë po thithte aromën e jetës si një njeri normal, që kishte një punë, që kishte një familje, pa frikë se ndiqej nga policia e ta deportonin si të padëshiruar. Shumë shpejt i’a mori dorën punës, kishte një komunikim korrekt e menaxhim perfekt. Njohu shumë miq e shokë, të cilët do t’i duheshin në hapat e mëvonshëm, që do të ndërmerrte.
Por nga miqtë e shumtë, dy intelektualë nga Mali i Zi ishin më të veçantë. Zef Shkreli dhe Gjeto Sinishtaj dhe pse nuk kishin as moshën dhe formimin intelektual të djalit të ri, do të ishin inspiruesit e tij kryesorë. Zef Shkreli kishte punuar gjithë jetën për Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët e Maqedonisë dhe gjithë diasporën shqiptare. Po kaq kontribute për çeshtjen shqiptare kishte dhe miku tjetër, Gjeto Sinishtaj. Për gati 50 vite ai kishte qenë si doorman, kishte qenë drejtues i radioprogramit “Zëri i malësisë” në gjuhën shqipe dhe sekretar i klubit kombëtar “ Jusuf Gërvalla”. Ja pra, me të tillë miq e njerëz të nderuar kishte pasur fatin të njihej e të shoqërohej Landi Spahiu. Ata kishin lexuar secili mbi dymijë libri dhe ishin dete të gjërë kulture e diturie, ku mund të përfitonte çdo njeri.
Muajt e vitet po ecnin pak nga pak dhe Landi po ndihej gjithmonë e më tepër si në shtëpi të tij. Ai kishte një punë, kishte një shtëpi të bukur, por kishte dhe një familje akoma më të bukur, ku cicëronin zërat e fëmijëve, që kishin ardhur në jetë. Të parat erdhën në jetë vajzat, Leona, Amina dhe Marina e më pas Afrimi, trashëgimtari, që do të mbante emrin e gjyshit të tij.
I la këtë emër për ta patur si kujtim të babait, të atij njeriu, që gjithë jetën e tij e lidhi me makinat, të mëdha e të vogla, për të mbajtur familjen, që të mos i mungonte asgjë. Dhe pse vetë ishte i dhënë pas mekanikës, Landin e këshillonte të mos i ndahej shkollës dhe të bëhej njeri i ditur.
Shtëpia private e Landit është e madhe, e bukur, siç është i tillë dhe shpirti i tij. Ka një bahçe të mrekullueshme, të kuruar me kujdes, ku gjenden dhjetra pemë e bimë dekorative, disa prej të cilave, të rralla e të shtrenjta. Nëna e tij, Dashja, një grua malësore nga Kovashica, bujare dhe e palodhur, gjen kohën e mundësinë të mbjellë dhe ca perime bio, siç ka bërë gjithë jetën e saj.
Pasi punoi për disa vite si menaxher i kompleksit Landi mendoi dhe gjykoi, se duhej të kalonte në një stad të ri, të krijonte kompaninë e tij. Modeste si fillim, por pak nga pak do të rritej dhe ajo, siç rriteshin fëmijët, bimët e pemët. Emri i saj do të ishte “A1 garden state construction”, e fokusuar kryesisht në fushën e ndërtimit. Të shumtën e kohës Landi ishte në lëvizje, në punë, në projekte. Ndonjëherë ulej dhe meditonte. Habitej se si kishte ndryshuar jeta e tij, fati i tij, falë mëshirës dhe ndihmës së Zotit. Kujtonte atë ditë, kur po ulej i trishtuar në Rinas, me idenë se kurrë më nuk do të hypte në avion e tani shihte se si ishin plotësuar ata gjëra, që kishte ëndërruar në adoleshencë. Kishte shkuar në Itali me ëndrrën, që blejë një mercedes dhe ishte kthyer duarbosh. Tani e kishte mercedesin e bukur dhe elegant, kishte dhe një porshe, krahas makinës së punës. I kishte pasion të hershëm makinat dhe nganjëherë shkon dhe në organizimet e kësaj natyre të tipit ‘show car”.
Po, tani e kishte mundësinë dhe të kryente sadakanë, të jepte diçka nga pasuria e tij. Saherë që xhami të ndryshme në Amerikë bënin thirrje për donacione të ndryshme, Landi nuk nguronte të jepte një shumë të caktuar, ashtu modest, siç e kishte karakterin e tij. Jo vetëm atje! Ai e kujton me nostalgji dhe e mban në zemër vendlindjen e tij, Pocestin, Maqëllarën, Dibrën dhe më gjërë akoma. Kur xhamia e Maqëllarës bëri një rikonstruksion, që ishte i nevojshëm, Landi e kishte marrë vesh nga interneti dhe sjell bujarisht 500 dollarë. Vitin e kaluar, kur u bënë ca punime në shkollën e Pocestit, ai dërgon 1000 dollarë. Landi po ndihmon dy muzikantë të rinj shqqiptarë, që të promovohen në rrugën e suksesit, kurse një familje në Tiranë ka përfituar dhjetra herë dërgesat e tij, aq të nevojshme e jetike për ta.
Njëherë, një çifti shqiptar, të ardhur në Amerikë i paguan për dy javë qiranë e makinës për të shkuar në punë. Dhe unë më kot mundohem të kërkoj e pasqyroj copëzat e bujarisë të këtij djaloshi fisnik! Është e pamundur t’i sjellësh të gjitha në një shkrim. Vetë shpirti i tij është gatuar i tillë, bujar e fisnik. Ai kujton disa kohë të zymta të jetës së tij, kur ishte pa kokërr leku në xhep dhe sa dëshirë e nevojë, që kishte ta ndihmonte dikush!
Landi kishte dëgjuar nga njerëz të ditur, me të cilët qëndronte shpesh, se një popull vdes, nëse nuk e shkruan historinë e tij. Ishte këmbëngulja, vullneti dhe motivimi i tij, që më bëri të ulem e të shkruaj një libër historik për Pocestin, fshatin e madh, plot vlera, bukuri e mirësi. Respekte, o miku im i nderuar! Krenari për Pocestin, që ka një djalë si ti!
Comments