top of page

Orët e një nate përcjell në merak



Në kufirin e harrimit i trishtuar,

endem bregut të acartë të mërzisë,

përcjell orët e një nate të mallkuar,

grindem me hijet në heshtjen e vetmisë.


Sa larg je ti, n'atë qytetin e huaj,

rrethuar je nga të tjera dashuri,

ka ndalur koha, ditët më duken muaj,

dhe druaj shpesh mos nuk kthehesh përsëri.


Mbase ndonjë çast meraku , i verbuar,

nis kalëron n'errësirë për te ti,

malli thinjosh mposht durimin e vonuar,

dhe ndizet përvëluar si në rini.


Tinguj të zvargur, , një këngë në të shuar,

i qaset shpirtit tim, si vala në breg,

qesh hidhur ai, me natën zemëruar,

një breng'e ëmbël çapitet shteg më shteg.


Ashtu, në përfytyrim, palos hapsirën,

Ainshtajn po bëhem të kem pranë ty,

andej nga erdhi, e dërgoj errësirën,

në qytet zbrita yjet për ne të dy.


Eh, mikja ime, sa po më lodh vetmia,

edhe përmallimi keq po më mundon,

mjegulluar shpresa në ditët e mia,

pritja e gjatë dhe gjumin po ma largon.


Qytetin e huaj po mallkoj mëkot,

fajtor nuk është ai që s'të kam pranë,

nga dashuritë e tjera nuk të ndaj dot,

në shpirt dhe gjakun tënd, rrënjët thell' i kanë.


Lodhur, munduar, brengosur, do të pres,

edhe pse një pritje e gjatë të plak,

çdo mëngjes ditën e re do përshëndes,

mbrëmjeve, në terr, do tretem në merak.


Pajtim Xhelo, 28 Dhjetor 2023


Qaj Madhështinë që mbeti pa vlerë


Fol me yjet kur je vetëm miku im poet dhe shkruaj,

këndo me zërin e shpirtit dhe nëse askush s'të dëgjon,

mbase zëri yt do tingëllojë i largët, i huaj,

mos harro, je shenjt, Zoti të dha një ëngjëll që të mbron.


Je këtu që dhëmbjen ta shërosh, brengës t'i japësh shpresë,

Zoti të solli si barshërues për atë që vuan,

t'i terësh lotët e hidhur atij që qan me dënesë,

t'i nxitësh në pendesë ata që mëkatet harruan.


Fol me retë që rrëzojnë nga sytë e lodhur shiun,

këndo me gjethet që flladitin kur zhegu tokën djeg,

ngushëlloje dhe të varfërin, mos e harro fatziun,

u end nëpër botë dhe kurrë nuk gjeti asnjë shteg.


Qaj në vargje Madhështinë, që mbeti hije, pa vlerë,

qesh kur zhabat e moçalit trembin netët me shëmti,

me guximin e djaloshit endu territ, bëhu erë,

shih kusarët dhe shtrigat nëpër vila, nëpër shtëpi.


Kur të jesh lodhur nga kjo botë plot me halle ngarkuar,

kur të të përbuzin, të të shajnë, mos u ligështo,

ata që jetën po vrasin, kanë lindur të mallkuar,

ti qesh dhe këndo, me zërin e shpirtit klith dhe dërmo .


Pajtim Xhelo, 7 janar 2024


16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page