Analizë e refleksione
Optika e veçantë hulumtuese e botuese e historianit dibran Ramazan Kica
Nga Hasan M Shahinaj, publicist e shkrimtar
Tashmë dihet se: historia, kjo mësuese e përveçme e jetës, shkruhet denjësisht veçse me burime arkivore, dokumente e fakte; madje faktet e argumentet duhet të jenë domosdoshmërisht mermer i llojit “kokëfortë”. Përndryshe, ato (faktet) mund të “thyhen” e copëzohen rrugës hulumtuese, pa arritur të ngrenë godinën solide të kështjellës studimore të pretenduar nga gjithë secili prej materialit të grumbulluar; falë edhe intuitës e vullnetit tënd të hekurt intelektual, për të zbatuar të gjitha energjitë e mundshme që zotëron potencialisht. Këtij parimi themeltar i është përkushtuar totalisht studiuesi e historiani ynë i mirënjohur dibrano-bulqizak, z. Ramazan Kica. Le të analizojmë pikat kyçe në hulumtimet e botimet e tij të mirëfillta e të mirëpritura dukshëm nga lexuesi i kualifikuar i fushës burimore historiografike:
Së pari, nuk mund të themi kurrsesi se studiuesi R. Kica është “zgjuar” vonë, përkundrazi s’ka fjetur fare dhe reflekton në kohë e hapësirë të dhëna arkivore, fakte e argumente kyçe historike, si rrjedhojë e hulumtimeve të tij serioze e të reja përmes një optike qartësisht të mirëpërcaktuar, gati-gati të paanshme për të ndriçuar sa më bindshëm disa mistere mëdyshëse dhe jo vetëm; rreth historiografisë shqiptare qysh nga Antikiteti famoz e i papërsëritshëm e deri më sot.
Qysh në krye të herës pohojmë se: studiuesi e botuesi dibrano-bulqizak, R. Kica është marrë me studime e hulumtime serioze për etnogjenezën mbarëkrahinore të trevës së tij, vendlindëse fort herët. Pikërisht, që kur ka qenë nxënës adoleshent, në shkollë të mesme e universitet, ai përditë gjatë dy rrugëtimeve për në shkollë, do të ndalej enkas te toponimi domethënës “Ura e Qytetit” i Grykës së Madhe, siç mbiquhet teknikisht emërtimi i trevës së Bulqizës; ku lartësohet memoriali për betejat famoze e të tejfaktuara Skënderbegiane, të cilat çdo shqiptar i ka dëgjuar e lexuar, sikurse;
- ajo e Valikardhës (e Valchales së moçme), që dikush e quan gabimisht “e Torviollit”;
- beteja e parë e Skënderbeut, në Fushën e Korabit;
- lufta në Sfetigrad;
- katër betejat kundër tradhtarit vendas në shërbim të sulltanit, Ballaban Badera;
- beteja e Modrisës, Albulenës, e Dejës etj.
Kësisoj pra, ish studenti kureshtar e këmbëngulës, R. Kica ka lexuar e hulumtuar vazhdimisht nëpër arkiva, përveç rileximit ngultazi të autorëve në seri që prej Antikitetit e deri në Mesjetën e vonë. Konkretisht, qysh nga të dhënat e veçanta, prognozat-skica, hartat antike të Ptolemeut e deri tek Oliver Shmiti i sotëm me botimin e “bujshëm”, kinse të përveçëm për Skënderbeun real, të “zhveshur sipas tij (shënimi im H. Sh.) nga mjegullat” alegoriko-mitike e legjendaro-hiperbolizuese deri në proverbalitet përrallor!
Autori R. Kica në punën e tij origjinale, sistematike e modeste, studimoro-botuese ka për kryefjalë reference, kryesisht strumbullarin Marin Barleti me autenticitetin e tij të përveçëm nga çdo autor; jo vetëm se është i pari botues biograf i saktë i Skënderbeut dhe i fushëbetejave të tij, por dhe historiani i vërtetë kulmor i paarritshëm i kohës; falë erudicionit të gjerë të tij si humanist i madh i Rilindjes evropiane; madje mbi të gjitha si thesar i fakteve, kronikave, botimeve të asaj mesjete zulmëmadhe të betejave kundër Perandorisë së madhe turke, të kryesuar nga sulltanët më të egër në lakmitë e tyre grabiqaro-pushtuese.
Po ashtu, autori ynë në fjalë, R. Kica citon sipas rastit edhe Dhimitër Frangun, bashkëluftëtarin e Skënderbeut; bile referimet e këtij autori të mirëfilltë i krahason posaçërisht me ato të Barletit të madh në çdo përqasje e replikë të argumenteve që bën me autorët e tjerë; të cilët devijojnë a manipulojnë faktet e njohura historike kryesuar nga Giammaria Biemmi, dhe vazhduar nga Noli, Thanas Gegaj, Kasem Biçoku e deri te historiani Kristo Frashëri.
Së dyti, sipari i hulumtimeve të mirëfillta, të drejtpërdrejta, origjinale të autorit R. Kica, ngrihet dukshëm me studimin e tij tashmë të botuar në gazetat ditore shqiptare “Albanopoli” (vendndodhja e qytetit Alban); ku ai argumenton me fakte të reja të dokumentuara qysh nga autorët antikë e mesjetarë se: vendndodhja e qytetit Alban (Albanos polis), të etnogjenezës emërtuese të prejardhjes sonë shqiptare është Qyteti në Valikardhë të Grykës së Madhe të Bulqizës. Pra, sipas autorit tonë R. Kica, bie hipoteza që “Albanopoli ka qenë në Zgërdhesh të Fushë-Krujës”; tezë kjo e hedhur nga albanologu J. G. fon Hahn në vitin 1854, e cila ka qenë vijimisht dyshuese deri më sot nga historiografia shqiptare për mungesë argumentesh të sakta bindëse. Albanopoli ka qenë kryeqendra e fisit ilir të albanëve ose siç etiketohen më saktë “të të bardhëve”.
Kryesorja në studimet dhe botimet e autorit R. Kica nuk janë thjeshtë citimet e datuara me shkrim të autorëve antiko-mesjetarë, pikënisur nga Ptolemeu, Polibi (historiani më i madh grek i Antikitetit), Herodoti, Plini, Straboni, Tit Livi, Ana Komnena, Gjergj Akropoliti etj., por mbi të gjitha pasqyrimet e duhura përmes skicave, grafikëve, hartave etj. Shih, p.sh., hartën interesante “Iliriku”, në faqen 95 te libri i autorit në fjalë, “Beteja e parë e Skënderbeut” (Beteja e Korabit), botim i vitit 2019, që saktëson betejën e vitit 1444 mes Skënderbeut dhe ushtrisë osmane nën komandën e Ali Pashës, me pamjet e sakta me fotografi të terrenit dhe të skicuara hollësisht, madje me ngjyra dhe shumë të lehtëkuptueshme.
Kësisoj autori R. Kica, në librin “Sfetigradi” (Fundi i një enigme) ka vepruar me zgjuarsi, kompetencë e finesë botuese ilustrative me plot grafikë, skica e harta të hollësishme për lokalizimin sa më të saktë të kryekështjellës arbërore të Sfetigradit; gjithashtu në mënyrë të detajuar fushëbetejat Skënderbegiane po dhe dështimet për marrjen e mosmarrjen e asaj kështjelle të krejtrrethuar e mbrojtur nga hordhitë sulltanore.
Nga ana tjetër, autori ynë sërish me fakte e argumente historike “kokëforte” e plotësisht të motivuara; natyrshëm na e lokalizon vendndodhjen e Sfetigradit në vargmalet kurorë e të thepisura në lindje të Ohrit (që quhet aktualisht Parku Kombëtar i “Peristerit”) dhe kufizuar nga rrethinat e Manastirit e të Resnjës. Kjo zgjidh “enigmën e misterit” sikurse është cilësuar deri më sot (Oliver Shmit); ngaqë deri më tash Sfetigradi, ky qytet kryekështjellar i kohës arbërore të Skënderbeut, është menduar gabimisht që është në Koxhaxhik (si, Frashëri etj), apo në malin Dervenik në anë të fushës së Pelagonisë (nga Kasem Biçoku etj).
Përpos sa cituam, lexoni e përvetësoni me vëmendjen tuaj ngulimtare veprat seriale të autorit tonë në fjalë R. Kica: “Beteja e parë e Skënderbeut” e vitit 2019, “Beteja e Parë dhe e katërt e Skënderbeut me Ballabanin” e vitit 2020, “Sfetigradi” e vitit 2021, “Modrisa” e vitit 2022, dhe me siguri e bindje të plotë do të më jepni të drejtë në analizën time përmbyllëse; madje do të surprizoheni nga prurjet re reja që sjell autori prej hulumtimeve të tij afro katër dekada.
Së treti, sa vështirë ka qenë, është e do të jetë që ë hedhësh dy fjalë qartësisht, denjësisht, të motivuara saktë në letër! Aq më tepër kur ke të bësh me vepra historiko-shkencore, sikurse këto të autorit tonë R. Kica; te të cilat domosdoshmërisht duhet të përdorësh lupën e optikës zmadhuese si rrjedhojë e premisë së mjaftueshme të argumenteve, fakteve, shembujve referues, të dhënave të sakta arkivore për të mbrojtur me objektivitet tezat e tua në ballafaqim e kundërshti me hipotezat apo hamendësimet e dyzuara të të tjerëve; të cilat në mjaft raste u qëndrojnë fanatikë atyre çka është pohuar e botuar deri më tash. Nuk e sedërsojnë veten apo të vrasin mendjen për më tej; në një kohë që dihet se spiralja e tendosur e njohurive ecën gjithnjë veçse përpara. Apo thënë ndryshe, ajo ritendoset e zgjatet me hope e stade cilësore vetëm e vetëm në shërbim të njerëzimit, të qytetarit, kudo që jeton ai e veçanërisht për aktualitetin e sotëm kaq galopante të digjitalizimit dhe internetit.
Kështu ka ndodhur konkretisht me autorin tonë R. Kica, i cili përkufizon argumentueshëm me teza të reja, vjelë nga burime të sakta arkivore (siç cituam më lart) për betejën e përfolur e shkruar tradicionalisht nën emrin “Beteja e Torviollit”; e cila realisht jo vetëm emërtimin e ka të pasaktë, edhe vendndodhjen po ashtu të gabuar. Domethënë nuk është zhvilluar si betejë në Valikardhë të Grykës së Madhe. Përkundrazi, ajo sqarohet me fakte të shteruara argumentuese prej autorit Kica, që faktikisht është beteja e parë e Skënderbeut, zhvilluar në fushën e Korabit të Dibrës së Poshtme në vitin 1444. Ushtritë turke aq numeroze futeshin në trojet tona epirote (pra arbërore), nga Shkupi e Pollogu duke lëvizur nëpër bjeshkët e Pollogut drejt qafës së Korabit (Kryeportës së Epirit – siç e quan Barleti). Këtë e konkludon duke e motivuar qartësisht autori Kica mbështetur në autenticitetin e veprave të të dy autorëve bashkëkohës të Skënderbeut M. Barleti e Dh. Frangu; në kundërshtim të hapur me çfarë ka falsifikuar qëllimshëm prifti breshian italian Giammaria Biemmi; tezat tekanjoze e të shtrembëruara të të cilit janë pranuar qorrazi, apriori për fat të keq nga shumë historianë tanë, duke filluar nga Noli në tre botimet e tij për Skënderbeun (1021, 1947, 1950). Po kështu ranë në të njëjtin gabim (kurth) dhe Thanas Gegaj, dhe më vonë studiuesi ushtarak Dilaver Radëshi, bile duke e çuar betejën e vitit 1444 në fushën e Domosdovës së Përrenjasit (në lindje të Librazhdit). Gjithashtu në vazhdën e mashtruesit breshian vazhdoi dhe Kristo Frashëri duke e vendosur betejën në fjalë në Shumbat të Dibrës; dhe duke arsyetuar gabim e “motivon” këtë me përfundimin që ushtria turke prej 40 mijë kalorësish e Ali Pashës ka hyrë në territoret e Kastriotit nga Pollogu nëpër Grykën e Radikës, në Rahonik (sot qyteti Dibër); grykë e cila në fakt është aq e ngushtë, aq e vështirë sa mezi kalonin këmbësorët e jo më një ushtri aq e madhe kalorësiake.
Çelësi i saktësimit të vendbetejës së parë të Skënderbeut me ushtrinë osmane në vitin 1444 (në fushën e Korabit) është zbulimi i të vërtetës që historiani Kica i bën shtrirjes së Mokrës (së kohës së Skënderbeut); si nyja kyçe nga kanë lëvizur pjesa më e madhe e ushtrive osmanë nga Shkupi drejt territoreve të Kastriotit. Kështu zoti Kica argumenton me fakte shteruese që Mokra e kohës së Skënderbeut shtrihej në të gjithë zonën me katunde të dendura mes Shkupit dhe luginës së Pollogut, sot krahina e malit të Thatë (Suva Gora). Pikërisht me konceptimin jo të saktë të vendshtrirjes së Mokrës, kanë gabuar historianët, që nga Noli, Gegaj etj., e deri te K. Frashëri (i cili pothuajse ka vazhduar po linjën e tyre biemiane); i cili duke e menduar Mokrën diku në grykën e Radikës (nga Pollogu në Rahonik), kanë gabuar pastaj duke arsyetuar jo saktë mbi drejtimin e lëvizjes së ushtrive osmane. Gjithashtu dhe Kasem Kaleci, duke e menduar Mokrën në malet Jakupice në jug të Shkupit, normalisht që gaboi dhe më tej mbi drejtimin dhe vendet e lëvizjeve të ushtrive; gabim që, normalisht duke u nisur nga një pikë referimi e gabuar, vazhdoi të vetëthellohet duke e çuar Dibrën e Poshtme në Pollog. Për vendshtrirjen e Mokrës, përveç autorëve shqiptarë gaboi she Shmiti, duke e menduar në malet e Korabit.
Me “argumente” të pamotivuara dhe të pasakta, historiani K. Frashëri trajton dhe luftën e Sfetigradit të vitit 1448 duke e lokalizuar atë në Koxhaxhik; vendosur gjeografikisht në pjerrësitë e malit të Stogovës, në të djathtë të Drinit të Zi, në afërsi të Rahonikut; gjë që s’është e vërtetë. Këtë tezë të gabuar (që Sfetigradi ishte në Koxhaxhik) e kanë mbrojtur dhe shumë historianë të tjerë.
Ndërsa Kasem Biçoku e ka lokalizuar atë në malin Dervenik, në anë të fushës së Pelagonisë, tezë gjithashtu e gabuar.
Autori R. Kica me kompetencë shkencore arkivore përmes dhjetëra shembujve dhe referimeve; bile dhe disa ekspedita që ai ka bërë vetë në terren (së bashku me kolegë studiues e hartografë të specializuar ushtarakë) ka botuar libër të veçantë për kryekështjellën Skënderbegiane të Sfetigradit me titull “Sfetigradi, fundi i një enigme” në vitin e afërt 2021. Kjo qasje tjetërlloj e autorit Kica, duke kulmuar me këtë libër me shumë vlera për historinë tonë, dëshmon katërçipërisht mbrojtjen dhe veçmas zbatimin praktik të tezave të tij të reja, gjithë sesi oponente me të gjitha tjerat (që përmendëm më lart).
Autori Kica gjithashtu ka studiuar me kujdes dhe dy betejat (e para dhe e katërta) e Skënderbeut me Ballabanin të njohura nga Barleti si betejat Valkale; gjë për të cilën ka botuar librin “Beteja e parë dhe e katërt e Skënderbeut me Ballabanin”, në vitin 2020. Në këtë studim Kica ka lokalizuar saktësisht vendet e zhvillimit të tyre, e para në Qytet Valikardhë (beteja e Valikardhës) dhe e katërta në livadhet e Gurrijve në fushën e Zerqanit (beteja e Zerqanit), rreth 3 km., larg betejës së Valikardhës. Të dyja duke i argumentuar me fakte sipas të dhënave të Barletit dhe Frangut. Shtojmë që Kristo Frashëri, gabimisht i çon ato në Vajkal të Bulqizës; ndërsa Kasem Biçoku i lokalizon në malin e panjohur Furkë (Bigë) në Ohër, përfundim gjithashtu i gabuar.
Gjithashtu nuk mund të kalojmë pa trajtuar dhe studimin mjaft konciz dhe bindës të titulluar “Modrisa”, botuar në vitin 2022; ku përcaktohet saktësisht vendi ku ishte kalaja e Modrisës, në malin Bukovik, rreth 10 km., në jug të fushës së Pollogut. Po aty trajtohen dhe shumë beteja të Skënderbeut me ushtritë osmane që tentonin territoret e Kastriotit duke ardhur nga Shkupi. Ky studim hedh dritë mbi shumë toponime, si dhe saktëson kalanë e Modrisës që ndërtoi Skënderbeu; vendndodhja e të cilës është menduar gabimisht nga historianët tonë më Modriç të Drinit.
Në këtë mes ia vlen të përsëritet ideja kryesore se; autori R. Kica qëllimisht e plot vullnet ka udhëtuar disa herë, vetëm dhe së bashku me studiues të tjerë nëpër vendet e fushëbetejave e të pozicionit gjeografik të kështjellave. P.sh., për katër rrugëkalimet e Korabit për në bjeshkët e Pollogut dhe anasjelltas, lokalizimit të Sfetigradit, të betejave të Oronikut, të dy betejave Valkale të Skënderbeut me Ballabanin në Qytet Valikardhë dhe në livadhet e fushës së Zerqanit, të Mokrës mes Pollogut dhe Shkupit, të Modrisës në kufi me Mokrën në jug të Pollogut etj.
Në këtë këndvështrim , vlen sugjerimi kritik aktual i autorit tonë të cituar shpesh. Bie fjala: rruga Kala e Dodës – Qafë e Korabit – Pollog, sipas Kicës, pse nuk përmendet fare nga historiografia jonë; as në tekstet shkollore nuk pasqyrohet, në një kohë që atë rrugë tradicionale, e referojnë plotësisht në kujtimet e tyre ndër breza vetë banorët kaladodas të Dibrës dhe lumjanët e Kukësit si dhe autorët Shefqet Hoxha e Qamil Hoxha në librat e tyre studimorë të botuar.
Enkas, autori R. Kica për të qenë sa më i hapur dhe i besueshëm për lexuesin e gjerë, parafrazon, citon, referon shpesh paragrafë tekstesh nga M. Barleti e Dh. Frangu, nga veprat e tyre të veçanta për idhullin e tyre dhe tonin Heroin Skënderbe. Ndonjëherë (sipas meje H. Sh.), duket sikur e “tepron” z. Kica me këto referime; shkruar me shkrim korsiv me qëllimin e mirë që të jetë më i dallueshëm nga shkrimi tjetër i librave në rrjedhën kronologjike të fushëbetejave.
Veç tjerash, autori Kica me të drejtë dhe pa ekzaltim e quan Marin Barletin “Skënderbeu i penës” për autenticitetin e veprës së tij vërtetë madhore, të saktë e të plotë si biografi i parë dhe i pazëvendësueshëm në raport me të tjerët bashkëkohës e dishepuj pasues në mjaft vende të botës; si dhe duke e kritikuar kalimthi për ndonjë paqartësi diku-diku, i cili duke mos i shkelur dhe parë të gjitha vendbetejat dhe territoret nuk ka arritur ta konceptojë gjithçka saktësisht. Gjithashtu autori vlerëson shumë Frangun, si i vetmi autor që ka njohur drejtpërdrejt Heroin, dhe duke arsyetuar që për vitet e fundit të jetës së Kastriotit Dh. Frangu është më i besueshëm se çdokush.
Së katërti, studiuesi skupuloz dhe botuesi i mirëfilltë R. Kica për realizimin me sukses deri më sot të veprave të tij historike, kryesisht për epokën skënderbegiane por edhe për antikitetin si dhe studimet e veçanta historiografike për etnogjenezën dibrane (si p.sh., Doberën, Uskanën, Valikardhën etj) ka punuar e punon me durim e pasion të thekur, thuajse dita ditës.
Kjo falë erudicionit të gjerë, intuitës intelektuale të spikatur, kuriozitetit historiko-shkencor si premisa bazë të temperamentit të autorit tonë; pa harruar edhe bashkëpunimin e duhur që realizon ai mjeshtërisht me kolegët e fushës sikurse studiuesit Sali Onuzi, Ali Hyka, Bajram Kurti, Azis Keta etj., të cilët i ka falënderuar me zemër. Autori R. Kica përdor stilin e gjuhës përkatëse shkencore me aparatin ilustrativ të pasur në çdo botim; plus frazës së ngjeshur me shembuj, data, kronika dhe sidomos referimet për çdo tezë që mbron objektivisht, me një ballafaqim final që i ka vënë vetes: të ndriçojë sadopak misteret, të panjohurat, mëdyshjet në rrugëtimin mijëvjeçar të historisë së lashtë të Shqipërisë sonë me një etnogjenezë burimore reale; shpesh të lakmuar jo vetëm nga fqinjët ardhacakë sllavë e helenë, por edhe nga popujt e tjerë mesdhetarë. Çdo botim i autorit Kica shoqërohet me shënime plotësuese për fjalorin e përdorur, me indeks alfabetik për autorët e cituar, toponimit e fushëbetejave, burimet bibliografike etj. Interes të veçantë, madje risi do të thosha, paraqesin konkluzionet e arritura sipas autorit për secilën vepër e studim të vetin, krahasuar me të tjerët. Pra, tamam siç e kërkon natyrshëm procedura specifike e këtyre lloj veprash me karakter shkencor e sens enciklopedik. Autori R. Kica me objektivitet të paanshëm; gati të lakmuar nga çdo autor i kësaj fushe historiografike, pasuron e saktëson botimet e tij edhe me kronikat ilustruese e referuese latine, bizantine, turke në tërësi e ato evropiane në veçanti; gjithnjë duke i përzgjedhur kronikanët-autorë seriozë, të gjithëpranuar shkencërisht. Ndihmesë të madhe e origjinale i japin në këtë mes përkthimet dhe botimet e mirënjohura të studiuesve Koço Bozhori, Filip Liço e Selami Pulaha, të cilët me të drejtë mirënjohëse, autori ynë R. Kica i citon shpesh, këndshëm; në mënyrën më të mundshme porsi kripa me karar për gjellën (këtu, ushqim libror) sa më aperitive e të shijshme.
Posaçërisht, autori Kica referon autorë seriozë e objektivë të kalibrit F. Babinger, i cili me fakte botuese ka hedhur poshtë sharlatanin shterp italian G. Biemmi për hipotezat boshe rreth fushëbetejave skënderbegiane. Shkurt: kjo mënyrë botuese e përzgjedhur kujdesshëm e me shumë lodhje natyrisht nga autori ynë R. Kica; jo vetëm ka pasuruar lëndën e zgjedhur që ai trajton por, kryesorja, çdo botim i tij bëhet më i bindshëm, tërheqës, aktual e perspektiv njëherësh, në kohën e hapësirën e duhur mbarëkombëtare. Vetëm kështu autori në fjalë, them me bindje të plotë, zgjon vëmendjen e historiografisë tonë; e cila duhet domosdoshmërisht t’u rikthehet enigmave, gjërave; të korrigjohen e plotësohen të metat, të pasurohet me prurjet e reja; të projektojë qartësisht fusha të reja studimore (qofshin dhe “djerrina tokash”!) siç po bën me kaq guxim, ngulm, vullnet e pasion të paparë si rrallëkush autori serioz Ramazan Kica; pa harruar arritjet e tij të mirënjohura e të plotsuksesshme si deri më tash.
Kryebusulla në tërë punën voluminoze të tij, ashtu siç pohon Ai vetë në ligjëratë të drejtë, me sinqeritet e me modesti, është parimi bazë i Polibit, historianit më të madh grek i Antikitetit: “gjetja e faktit dhe ndarjen e tij nga fiksioni (supozimi, trillimi), si dhe sigurimin e materialit bazë autentik (të dokumentuar) për çfarë do të shkruash”.
Autori Kica, në këtë rast specifik krijues, shton edhe ndihmën e përveçme të internetit me publikimet kyçe të shumta për çdo fushë studimore; mjafton të kesh aftësi, durim e vullnet titanik.
Së pesti, brenda mirëkuptimit me autorin e talentuar, zotin Kica, unë H. Shahinaj, analizuesi i sotëm i veprës së tij historiko-shkencore, me sinqeritetin e plotë dhe largpamësinë që më karakterizojnë, dëshiroj t’i bëj dhe disa vërejtje dashamirëse në dobi të procesit krijues të pandërprerë të autorit në fjalë; sepse jo çdo gjë shkon si në vaj në këtë lloj veprimtarie, sa të vështirë aq dhe delikate e specifike.
Bie fjala: krahas punës shumë serioze, të guximshme dhe model, ideuese, motivuese, faqosëse-printuese të autorit (i cili zotëron vetë këto mjeshtëri, së toku me dy djemtë e vet të aftë Arbër e Artur); kujdesi korrektonjës gjuhësoro-letrar mund të duhet të ishte konformë paraqitjes përformante të libërlidhjeve ekstra, m letër të zgjedhur, shkrimit referues me tri ngjyra, llojshmërisë së harta-skicave me ngjyra, madhësisë së shkronjës, ngjyrës bold ku është dashur etj.
Shkurt: kanë shpëtuar gjatë korrektimit disa shmangie të moszbatimit të standardit të njësuar të drejtshkrimit të shqipes letrare. Të mirëkuptohemi, sqaroj këtë dukuri në fjalë, vetëm për lëndën e shkruar nga dora e autorit Kica dhe jo për citimet referuese nga veprat e autorëve M. Barleti, Dh. Frangu etj (sipas përkthimit të autorëve S. Prifti e L. Previzi). Përshembull: përdorimi i gabuar ose mospërdorimi i duhur i apostrofit; i formave rasore e gjinore të disa përemrave dëftorë e pronorë; i ndonjë trajte vetore foljore; i nyjave të përparme i, e, të, së gjatë përshtatjes rasore; ë-së fundore të patheksuar; mosvënien e thonjëzave «» në emërtimet e veprave, emrave gjeografikë, të përveçëm; fjalëve që shkruhen bashkë e ndaras; vizës së vogël; vizës së vogël ndarëse në fjalët e tipit ish (ish-perandoria, ish-vepra a institucioni); përdorimit të duhur të shkronjës së madhe (në fjalët e tipit Vrana Konti) dhe të ndonjë shenje pikësimi, kryesisht presja e pikëpresja etj.
Si konkluzion:
Duke përmbyllur këto shënime analitiko-sintetike të mia të para të para për këtë autor, që me të drejtë meriton të quhet historian i ri, plotësisht i formuar; madje talent i përveçëm i formimit Tjetërlloj objektiv-argumentues, ma ka ënda të pohoj zëplot: nëse autori R. Kica me të drejtë e quan idhullin e vet, histori-shkruesin autentik M. Barleti “Skënderbeun e penës”; unë, publicisti, studiuesi e shkrimtari H. Shahinaj, do ta quaj denjësisht autorin modest dibrano-bulqizak, R. Kica “demonin e fjalës” dhe argumentuesin “kokëfortë”, por të saktë, të mirëpritur, aktual e largpamës. Gjithashtu, do t’i uroja përzemërsisht një “Të lumtë të merituar!”; sepse ka nxjerrë nga terri i mjegulluar i harresës dhe njëherazi i ka mbrojtur këto teza e tema (thembra akiliane) kaq të rëndësishme të Epokës Skënderbegiane, me vlera të përhershme për identitetin tonë mbarëkombëtar si njësia bazë e mbijetesës ekzistenciale të kombit tonë ndër shekuj. Përmes këtij këndvështrimi fiks të përqendruar të optikës objektive të kohës (siç kam titulluar materialin tim, pa asnjë kahe pretenduese); mendoj, ndjej e shprehem: vepra e autorit Ramazan Kica ka vlera të vërteta atdhedashuria për sot e mot...
Hasan M. Shahinaj, publicist e shkrimtar
Durrës më, 06.01.2023
Commenti