Odiseja e dhimbshme e patriotit Hafëz Mustafa Dauti



Nga Mustafa BERATI


Nuk do ta nisja këtë shkrim nëse s’do të kaloja rastësisht përmes lagjes “Skënderbej” (në Fushë Mbret) dhe pikërisht përbri shtëpisë së patriotit të njohur, myftiut të Elbasanit, Mustafa Dauti. Me të birin, Ahmet Dautin, jemi miq të hershëm. Njihja kontributin e tij si korrespondent i Televizionit Shqiptar për Elbasanin dhe pata admiruar fotoreportazhet plot kolorit.

Hafëz Mustafa Dauti prejardhjen e kishte nga Prilepi i Maqedonisë. Kishte parë masakrat serbe, vrasjen tragjike të të atit, Rifatit dhe shtegtimin e detyruar drejt Selanikut, bashkëngjitur me shumë karvanë të shpërngulur shqiptarësh atje, nga Peja (Ipeku), Prishtina, Struga etj. Në Selanik, siç tregojnë dëshmitë, u krijua një gjendje pështjelluese. Të mos harrojmë qe vigjilja e viteve 1933-1935 dhe rreth të shpërngulurve nga dhuna serbe, kishte shumë stres, demagogji dhe thashethemnaja të dyshimta. Pikërisht në kulmin e kësaj mjegulle të rreme politike patrioti Mustafa Dauti kuptoi një gjë themelore: duhej të mos e braktisnin atdheun. Ikja me anije të huaja do të krijonte për ta një katastrofë të pandreqshme. Forca e tij bindëse, e ndihmuar kjo edhe nga qëndrimi patriotik i konsullit shqiptar në Manastir Kosta Meksi nga Labova e Gjirokastrës, bëri që shumë e shumë familje të kthehen në atdheun amë dhe kryesisht në Fushë Mbret të Elbasanit, në Karpenin e ri të Kavajës, në Sheq të Fierit, Shkozet të Durrësit etj. Dukej se ishte këmbëngulja e plotfuqishme e Hafëz Mustafait që ata të kishin një identitet të ri kombëtar.

Portreti i këtij patrioti të madh e të heshtur s’do të ishte i plotë po të mos njihja faktin se ai njihet historikisht si themelues i disa zonave të reja banimi. 1 tetori i vitit 1935 është kthyer në festë zyrtare të ndërtimit të shtëpisë së tij që simbolizon edhe krijimin e një zone të re banimi të lagjes “Skënderbej” (Fushë Mbret) Elbasan. Më erdhi ndër mend një fakt jetëdhënës: Gjithë ky patriotizëm i tij, i pafund për Shqipërinë dhe shqiptarët s’do të kishte kuptim po të mos përmendje aktivitetin e tij përkushtuar Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për ta ushqyer këtë luftë me një patriotizëm të ndershëm në ndihmë, propagandë, aktivitete të dobishme dhe duke e kthyer shtëpinë e tij në bazë për partizanët dhe kuadrot e luftës dhe depo armatimi, veshmbathje dhe ushqimi.

Duke shfletuar dokumentacionin e nevojshëm që i shërben këtij qëllimi, ndër aktivitetet e shumta të Hafëz Mustafait, veçojmë se ka ndihmuar Hafëz Musa Bashën (ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të qarkut të Elbasanit, kuadro dhe personalitete të tjera të Luftës Nacionalçlirimtare si: Jorgji Shuteriqi, Zihni Muça, Hasan Kokunja, Ali Myftiu, Sulë Spahiu, Petro Kita, Stefan Dedja (Fani), Mustafa Hamzai, Emin Ipeku, Abdyl Vogli etj. “Ai ishte për ne, - kujton patrioti elbasanas Ali Myftiu, - një pishtar në Fushë Mbret. Sa herë që kishim nevojë, ai ndizej befas në atë errësirë të thellë pushtimi fashist. Njihet në Elbasan si student shembullor i medresesë së Stambollit, që detyrat si fetar i devotshëm i përzien bukur me detyrat patriotike”. Feja, - kujtonte ai, - është një religjion i bukur shpirtëror, por s’do ta kishte atë amalgamë të fortë shpirtërore po të mos përzihej me dashurinë për atdheun”. “Ai ndihej gjithmonë mirë këtu në Fushë Mbret, - kujton një bashkëkohës i tij, - tamam si në Prilep ku edhe dëgjoi këngët më të brishta për shqiptarët, këngë të mbushura plot e përplot për vendlindjen”.

Vdiq një të premte të vitit 1991, plot 91 vjeç nga lindja e tij dhe plot 56 vjet nga Anabasi i madh i Selanikut. Qe një ditë e dhimbshme për gjithë shokët e miqtë e tij, për gjithë patriotët elbasanas, por më e dhimbshme qe për njerëzit e përkushtuar të kultit, të cilët nëpërmjet fjalës së kryetarit të bashkësisë islamike shqiptare z. Hafëz Sabri Koçi, mbajtur në ceremoninë funebre e krahasoi atë “me një shpirt të mirë që rrallë i gjen në jetë”. Vërtet një shpirt i mirë, mendoj edhe unë për të kur e përqas edhe me largimin tragjik nga feja e tij e dashur. Ai mund të quhet me plot gojën si “myftiu i fundit i Elbasanit që përjetoi dhunën e tmerrshme të diktaturës pas shembjes katastrofike të monumenteve të kultit shpirtëror dhe zëvendësimin e tyre me kultin e rremë të idolit stalinist. Në këtë kohë ai mbeti pa asgjë, u harrua kontributi i tij i madh si bazë e Luftës dhe kjo u zëvendësua me një harresë të qëllimshme. Mbeti shumë ngushtë ekonomikisht, pa pension, veç me një ndihmë financiare fare të vogël si veteran.

Deri në maj të vitit 1967, vit kur u hoq feja, ishte myfti i zonës së Elbasanit ku përfshihej Librazhdi, Gramshi e Peqini, me rrogë shteti. Pas vitit 1967 personeli i administratës fetare doli jashtë ligjit dhe u ndërprenë marrëdhëniet financiare. Vjetërsia në punë nuk iu njoh as për efekt pensioni. Në atë kohë ishte 67-68 vjeç. Në vitin 1972 hyri në fuqi 1000 lekëshi i Luftës derisa u nda nga jeta dhe pa asnjë të ardhur tjetër. Lufta kundër ideologjisë fetare e mbylli në shtëpi duke evituar daljet në publik. Madje edhe në ceremonitë familjare të fëmijëve të tij nuk merrte pjesë. shkonte deri te kafja e lagjes duke e respektuar të gjithë njerëzit. Megjithatë, si nuk u dha asnjëherë. Mbeti po ai që ishte, një klerik i devotshëm, një patriot i mirë.

Dhe teksa shkruaj këto rreshta, ose më mirë këtë konfiguracion fizik të Hafëz Dautit, s’di pse më kujtohet tabloja e njohur e piktorit të madh shqiptar Abdurrahim Buza “Refugjatët”, një sintetizim madhështor i të gjithë ikanakëve shqiptarë që, të detyruar nga goditjet gjenocidiste, iknin të anatemuar nëpër botë duke marrë me vete nga një grusht dhé nga Mitrovica, Prishtina, Prilepi, Ohri.

Kjo ishte odiseja e patriotit Hafëz Dautit, një odise e heshtur dhimbjesh të pafundme që i shëron vetëm ky perëndim muzgu që po shijoj rastësisht në lagjen “Skënderbej” (Fushë Mbret), ku vjen çlodhëse pak erë plepi dimëror dhe pak erë zambakësh të rrahur nga një erë Shkumbini e butë.

22 views

Shkrimet e fundit