top of page

O Zot, ç’ Parlament!


Vangjush Saro

Sidoqoftë, ky Parlament… nuk “kapërcehet” me asgjë. Ishte një shtrëngesë e rastësishme, një gabim i madh i opozitës reale, u poll një gjë për të kaluar ca kohë, fataliteti e favorizoi të mbijetojë… Por është, gjithsesi, një turp kur shikon se kush e përfaqëson qytetarin shqiptar, atë që jeton në Shqipëri apo atë që është diku gjetkë, atë që gjendet në zenith të artit a ndonjë mjeshtërie tjetër apo atë që e ka emrin më modest, por bën jetën e vet si koha dhe rrethanat  diktuan. Me ndonjë përjashtim, kjo s(t)allë këtë herë është një teprim, ngado që ta vërtisim argumentin. Përtej historive dhe skenave komike që janë përcjellë në medie apo asish që i dimë nga informacioni dhe njohjet që kemi vetë, fjalët e tyre janë të rëndomta, pa thelb, me shumë rrotulla katundi, me mungesa të theksuara në logjikë dhe në fjalor. (“Në një punë të vështirë, dërgo njeriun e sprovuar.” Sadiu) Më në fund, edhe pamja e tyre dhe figura që bëjnë në foltore, lë shumë për të dëshiruar. Ndonjëherë të kujtojnë ata llafazanët e fshatrave, që (dikur) shkruanin letra anonime. Ne s’mund të bëjmë përjashtim nga bota, sa i takon problematikës dhe prapaskenave të politikës; e dimë që në mesin e tyre, të rrallë janë ata që e vlen t’ua kthesh kokën. (“As ata që e duan të vërtetën, as ata që duan të bukurën, nuk mund të merren me politikë, sepse ajo nuk merret as me të vërtetën, as me të bukurën.” A. Kamy) Por këta - e them me keqardhje, se çdo qenie njerëzore meriton sadopak respekt - këta janë jashtë çdolloj standardi. Të më ndjejë lexuesi i nderuar që do të kthehem pak prapa në kohë. Si ka filluar jeta parlamentare e shqiptarëve? Me Kuvendin e Lezhës. Me Odën e Lidhjes së Prizrenit. Me Kongresin e Manastirit. Kuvendin e Vlorës. Po me emra të ndritur edhe po të vijmë më këtej, në vitet ‘30, kur patën një përparim mësuesia, arti, gazetaria, politika. (Migjeni, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Gjergj Fishta, Tajar Zavalani, Tefta Tashko, Kolë Idromeno, Vangjush Mio e shumë të tjerë, që kur i përmend i bën nder vendit dhe shkrimit tënd.) Nuk munguan edhe atëherë mediokriteti dhe hipokrizia, përplasjet dhe marrëzitë. Por kishte ende njëlloj burrërie, sedër, shqiptari. Ahmet Zogu, të cilit iu bë atentat disa herë, në një nga këto episode, pasi kishte lidhur plagën, punë gjysmë ore a diçka më tepër, u kthye sërish në Parlament… Shumica i dinë këto, nuk i përcjell aq për t’i rithënë, sesa si një argument më shumë në këtë shënim. Edhe Parlamenti i Parë Pluralist i vitit 1992, nëse e kemi mirë kujtesën - sado që një pjesë ishin me dosje e pseudonime, këto janë ende - pati një pamje bindëse, intelektualë klasi, fjalime që mund të dëgjoheshin edhe si esse, etj. Nuk duhet të shkojmë në ekstrem dhe të mohojmë çdo prurje të politikës e gazetarisë më pas e në këto dekada tranzicioni. Sidoqoftë, ky Parlamenti i sotëm, me përjashtime të pakta, nuk ka asgjë nga Shqipëria, pa le nga Evropa e Perëndimi në tërësi. Nuk e besoj se gjenden mes nesh asi që mendojnë në mënyrë pozitive për këtë sesion dhe protagonistët e tij (deri) qesharakë. (“Mendimet e tij zor se ngriheshin më lart se laureshat.” Ç. Dikens) Mendoj se duke u kapërcyer situata tejet e rëndë e pandemisë, që ka mbërthyer gjithë botën, Shqipëria, në mënyrë emergjente, duhet të zgjedhë një Parlament tjetër; vendi dhe qytetarët e tij duhet të mëtojnë seriozisht për ndryshime radikale e zgjedhje të parakohshme. Edhe pse arsyet që të çojnë në një parashikim të tillë, në një perspektivë të tillë, janë të qarta për të gjithë, le të sjellim edhe njëherë në bisedë çfarë e shqetëson tashmë jo vetëm politikën, veças opozitën, por më së pari elektoratin e thjeshtë e, jo më pak, partnerët e Shqipërisë. Kriza politike është e dukshme, ka kohë që paraqitet e tillë, me vendime të njëanshme, me aleanca të fshehta mes politikës dhe oligarkisë, me mospërfillje të institucioneve legjitime, me njëlloj autoritarizmi nga çka njerëzit po mërziten e po lëndohen, po ashtu, shumë “gjëra” të tjera të paplotësuara në raportet me Kosovën, etj. Në një vështrim tjetër, të interesave demokratike, siç u përpoqëm të shpjegojmë më lart, kemi një Parlament fals; reformat e premtuara kanë mbetur në mes; qeveria dhe mediet, e të gjitha kohëve, me pak përjashtime, janë shkëputur nga interesat e popullit; papunësia dhe problemet ekonomike janë duke u shtuar dita-ditës. Por ka edhe më. Drejtues politikë që janë akuzuar për vrasje (Gërdeci, 21 Janari, etj.) dhe ç’janë përqark në klanet e tyre, vazhdojnë të bëjnë si ‘të fortë’, kurse duhej të ishin në duart e Drejtësisë. Me abuzime, që s’është vendi t’i tjerrim këtu, si kudo në botë, janë ngatërruar apo i kanë ngatërruar, nga pak a nga shumë, të gjithë politikanët në këto tri dekada. Por… mendoj se kush ka vrarë apo ka krijuar kushte për fatkeqësi ekstreme, duhet të heshtë. Të heshtë! Më në fund, koha është ose po vjen që edhe vetë PS dhe komuniteti i majtë, gjithnjë pasi të kemi mbaruar punë me këtë virus kaq goditës, të mendojnë në mënyrë pozitive për ndryshimin e sistemit votues dhe zgjedhjet e parakohshme; lipset gjithashtu të kuptojnë nëse janë në një situatë të tillë që mund të riafirmohen, mund të vazhdojnë të drejtojnë vendin dhe t’i japin tonin jetës në trevat mbarëshqiptare apo duhet të kemi një aktor tjetër në këtë lojë të ngatërruar, që pa le sa do të vazhdojë… Megjithatë, prapë na duhet durim dhe fisnikëri, për të përballuar çdo situatë, të krijuar nga ndokush që (ende) s’e dimë apo nga ne vetë, si në rastin e Parlamentit në fjalë. Duhet të mendojmë me qetësi, me maturi - pa vënë në plan të parë urrejtjet dhe mllefet - për përparimin e vendit, për demokraci, edukatë dhe parime. (“Mbaje kokën lart dhe grushtat poshtë.” Harper Li) Sidoqoftë, ky Parlament…

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page