O BOTË!
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jan 18, 2022
- 5 min read

O BOTË! O botë, Më ler ta pikturoj shpirtin tënd të zymtë, Me ylberin e buzëqeshjeve të mia. Që toka të kuptojë se është koha të pjek farërat e luleve Për t’i derdhur lëndinave. Më ler të fal një rreze nga shkëlqimi i syve të mi Që ti të mos mbetesh e shkretë Por pemët të fillojnë të mbështillen me gjelbërim, Dhe t’u tregojnë sytheve të mos kenë frikë të nxjerrin kryet. Që edhe zogjtë të kuptojnë se është koha, të prekin qiejt me sqep, dhe me krahët e tyre të shkundin retë. O botë, Më ler të fal një tingull nga melodia e zërit tim, Që ti të mësosh si thurren këngët, Si përhapen simfonitë dhe kthehen stinë, Dhe çdo stinë ka tingullin e saj. Pranoje një trokitje nga rrahjet e zemrës sime Që nga trokthi i saj damarët e tu të zgjohen Duke thirrur “ jetë”. Mësoje pra gjuhën e ëndrrave Dhe duaji… Mos kërko të tjera flijime, Deri ditën kur Zoti mbi çatinë e botës të trokas Dhe ti të kujtohesh se marrëzia jote, përjetësisht s’mund të zgjas !
AJLA Zëri yt, Ajla, erdhi atëherë kur dita ime memece e pagojë, përthyhej nga muzgjet. Erdhi si pèr të përzënë orën e lig' të saj, si për të përmbushur thënien biblike " mos e ler ditën të zemëruar para se perëndimi të shkojë...” Zëri yt Ajla, erdhi si një pupël shkëputur nga një krahë dallëndysheje, për të ngrohur ajrin e marsit rreth meje. Erdhi si një notë në pentagram për simfoninë e zogjve, për t’u bërë e tillë. Si për të më thënë se është koha kur mërmërisin luleqingjat dhe lëndinat me emrin Eden mezipresin ardhjen e tyre! Zëri yt, Ajla erdhi si një mëndafsh i butë i fjongove të tua të kaltra, zbriti zemrës sime për të qetësuar pikëlotin. Erdhi si një tringéllim lulezilkash që çelin në mars, dhe pikojnë mall. Si pêr të më thënë : po ti dil prej territ, bëhu e gjallë! Erdhi si për të më kujtuar se ti dhe vetëm ti je epiqendra e kësaj bote, askush tjetër, Ti dhe fëmijëria jote!
KJO E DIEL… Kjo e diel…, Është pikëllimi i luleve të thara në muzg, era e trishtë që ftoh gjymtyrët e zhveshur të drurëve, ylli i rrëzuar natës së errët strehur syrit tim. Është dhimbja ime e hirtë prej mungesës që zgjat, Dhimbje e mohuar fashitur brinjëve, Kjo e diel…, është zëri yt, thirrja jote prej Ajkune flokëlëshuar, veshur me pëlhurë prej reje. Është malli im prej fëmije, ushqyer me thërrime përrallash, pyetja ime e pazëshme, shqetësimi im i pathënë… sa kohë ke që nuk ndjen aromë vjeshte Zana ime, Zonjëza ime fytyrëhënë?!... Kjo e diel …, është hapi im i vetmuar drejt teje, ardhja ime e pazhurmë tek ti dil e më prit, gjethet e rrëzuara si shpirt i vjeshtës do t’i vë prehrit tënd duke të thënë: A e di se të dielat më pikëllojnë? Më pikëllojnë ndoshta, që nga koha e ikjes së një pulëbardhe… Kjo e diel…, është selvia rrethuar me frymë gruaje. Një dudi përkul degët e mallit mbi ty…
KJO KOHË Në magje dashurie nëna ime gatuan bukë, bukë lepurushi për ne… E mbështjellë pastaj dhe ma jep me duar të bardha zambaku Por unë e di, e ndjej. Në çdo kafshatë kapërdij lotë trishtimi, Kuptoj si i endet mbi sy një re e madhe meraku… Kuptoj si kjo kohë m’i këput një nga një si shira yjesh lotët e pafaj, dhe më lë hapur derën e mallit për folenë e dielltë të saj…
ËSHTË VJESHTË… Ky shi i artë që bie, Dhe lag gjithçka rreth meje. Më ngjan me gishta perëndie që zbret nga fron i bardhë prej reje Çdo gjë e gjelbër u çel, u deh si zgjim çlirim prej ethesh. Ky shi i artë aty nën strehë, tulat dhe zogjtë me krahë prej gjethesh. Vështrojnë puplorët me shqetësim, (se disa trille nuk kuptohen), nuk dinë se shirat janë bekim dhe gjinjtë e tokës zbukurohen. Ata janë thjeshtë ca spektatorë, që diej presin me padurim dhe pse nën qiej dinë të jetojnë, edhe të vdesin në fluturim. “ Ky shi që bie s’di përse, më sjell ndërmend një mit, çdo pemë më bëhet një Danaj’ që çmendi perënditë…”
PËRSHPIRTJE Sonte, më zgjoi vaji i trishtë i një zogu. Klithma e fundit, varur në krahët e ngrirë të natës, mbeti. Në terr, sytë si yje të veckël, shpojnë qiellin e përflaktë. Nata e verbër përgjon shpirtin e tij në ikje... Përshpirtje.
DROMCA POETIKE 1.Mbështetur parmakëve të natës, Ti në heshtje ndjek farin e vogël. Unë xixëlloj brenda dhomave 2.Meraku i nënës, është pëllumbi i bardhë që ulet mbi parvaz të dritares 3.Mos fli pa më thënë “natën e mirë” se yjet fiken dhe nata vdes e verbër… 4.Lagen këmbët e zogjve shirave të pranverës, kërcejtë e mallit tim, harlisen kraharorit Është prill…
KUR TI... Kur ti më prek, lumi i dhimbjeve të mia ndalet, furtuna e zemërimit tim fashitet, ndrydhet. Kur ti më sheh, ndjej si prek me sy fundcakun e shpirtit tim, që deri atij çasti i kishin munguar ylberet. Kur ti më puth, brenda syve të mi lind një dritë qumështore, që bëhet diell. Atëherë anija e dashurisë brenda kraharorit ngre velën e bardhë dhe ankorohet në breg të shpirtit tënd... Çdo gjë ndalet, dallgët paqtohen, bie në paqe dhe qielli i zemrës sime ! KAM KOHË. .. Ka kohë që fjalët nga fletët kanë ikur, me krahë prej ëndrrash humbasin në erë. Pa to jam nata me sytë e fikur, jam sikur pylli me drurë të prerë… Ka kohē që letra më nuk shkruaj, me buzë të djegura nga ethet. Jam kthyer tingull, muzikë e huaj, jam kthyer vjeshtë që rrëzoj gjethet...
LETËR E PADËRGUAR A e di se rrufetë e mallit tim për Ty, përplasen dhimbshëm brenda zemrës, e dashur motër? Dhe nëse ti vonohesh këto rrufemalli një ditë do të ma ndalin zemrën. Ndaj, të lutem mos e vono ardhjen tënde. Përse nuk u bëre dallëndyshe këtë pranverë të më cicërije dritares sime me një fjongo në sqep sjell nga fëmijëria?.. Oh, sa vite u bënë pa erën tënde, lodhem t'i numëroj... Ndaj eja shpejt ta tresësh renë e mallit tim, ta prekësh me mollëza gishtash, duarsh, ta ndjesh dhimbjen time vetmitare tek rrëshqet syve, faqeve duke kërkuar prehjen. Mos u vono, motër Mos eja atëherë kur fryma ime të kthehet ajër, sepse atëherë do të jetë vonë.
SA LARG… Si erdh kjo kohë i dashur, ca avuj pritjesh pikojnë mbi dritare. Kjo kohë e ashpër me dhimbje mbarsur, ma rrudhi ëndrrën nëpër ditare. Dikur ditarët i kam urryer, (sëndukë të vegjël me trishtime), ndoshta më ngjanin me zogjkrahëthyer fletë të hirnosura me kujtime. Je kthyer ëndërr nga kjo mungesë, rrahjet e zemrës më flasin ndryshe. Unë larg ti larg, malli në mes, rreh krahët flokëve një dallëndyshe. Mbi fletë ditaresh zemra nuk mund, kësaj kohe t’i bëj ballë. Nga shtegu i zemrës një lot po shkund, Një lot të brishtë dhe pakëz mall
S’HARROJ Unë kurrë s'do të harroj lahutën e djegur mbi kullën gjysëm rrëzuar, Vajtimin e Ajkunave që griste kupën e qiellit. vajin e burrave mbi trupa djemsh të therrur. dhe këngën e fikur mbi buzët e heronjve... Unë kurrë s’do të harroj, ulërimën e erërave nën lisat e shkrumbuar, ku flamujtë e paqes mbështilleshin nga gjaku dhe baroti, Mbi shamitë e zeza të nënave Vulosur ish morti Unë kurrë s'do t'harroj pyllin e errët ku ujqit kërcenin frikshëm një valle demonësh, dhe fustanet e bardhë të vajzave ç'virgjëroheshin përdhunshëm... As barin e përzhitur, As fluturimin e trembur të zogjve mbetur pa fole. .. këpucët e humbura në shtegun borëpërgjakur të fëmijëve mbetur jetim... lumin e dhimbjeve që rend e klith me shekuj damarëve të mi... Nëse një ditë i harroj të gjitha këto, atëherë s'do të kem as atdhe. Atëherë Kosovë s’do të jesh as ti, S'do të ketë atëherë as hënë, as diell, As tokë, as qiell...
Commentaires