top of page

"NUK TA BËRI KOSTA… "




Tregim nga Kozma Gjergji


Ndodhira interesante dhe batuta të zgjuara plot humor të Kostës tregoheshin e ritregoheshin me kënaqsi. Të shkaktonin të qeshura sa të mbaje barkun me dorë dhe mbushnin me pozitivitet. Habitesha. Qe vërtetë i lindur me atë dhunti apo njerëzit duke i veshur gjithçka dëshironin e u pëlqente e kishin shndëruar në një lloj Nastradini?!

Një miku im, që e njihte qysh herët e tani e kish epror ngulmonte për të parën. Më thoshte se i vinin krejt natyrshëm, spontanisht, lirshëm… Dhe sillte raste kur edhe vetë pati qenë i pranishëm. E niste me atë që i dha famën.

-Na erdhi në kooperativë një ekip i fortë kontrolli. Iu fut me themel e gjeti të meta edhe atje ku ishte për t'u lavdëruar. Kjo prirje mbase i vinte ngaqë kryetar Kosta nuk i dha ndonjë vëmendje.

Në përfundim, krahas renditjes të sa e sa të zezave e lënies së detyrave urgjente, propozohej shkarkimi i tij. U çuditëm, po hajde ta gjeje të drejtën! S'bëmë ndonjë reagim, përveç keqardhjes, se e dinim që ishte e kotë.

Nuk vonoi dhe e njoftuan të paraqitej në mbledhjen e radhës të byrosë së partisë të rrethit për të dhënë shpjegime dhe i komunikuar vendimin.

-Hë, - iu drejtua sekretari i parë, -ç'thua për tërë ato shkelje alarmante që ka zbuluar kontrolli?

-Po ç'të t'u them shoku Rryli!… Anëtarët e atij ekipi, ashtu siç ishin çyryk fizikisht, çyryk i bënë dhe kontrollet e konkluzionin…

(Qe vërtet një koeçidencë, që nga pesë kontrollorët, njëri ishte me një sy, tjetri pa gishtat e njërës dorë dhe i treti çalaman.) E qeshura e sekretarit të parë u pasua në kor nga e gjithë të tjerëve. U bë serioz e vijoi.

-Mos u kap me këto, por jepi llogari byrosë, si për shëmbull, qysh e shpjegon që në ekonominë tënde mjaft nga shelegët e viçat hanë tela e pastaj ju i bëni kurban?

-Eh, nëse ata nuk gabonin të hanin tela, çfarë do hanin pastaj të deleguarit dhe ekipet, e ne ku ta gjenim mishin për mencat e kopshtet?… Unë, shoku Rryli, s'kam as dy vjet që drejtoj kooperativën, por ju pohoj me përgjegjësi se janë përmirsuar ndjeshëm gjithë treguesit… M'u krijua mendimi që shokët e këtij kontrolli i kërkuan e zmadhuan me tendencë të metat, sesa për të na ndihmuar, më tepër që t'i përdorin si shkallë për karrierën e tyre dhe fitojnë simpatinë tuaj, meqënëse sapo keni ardhur…

Qëndrimi kurajoz e i sinqert, argumentat e humori i çiltër i tij bën përshtypje. Pas rrahjes së mendimeve u dakordua t'i jepej një herë dora. Kështu ai i shpëtoi mrekullisht shkarkimit. Kjo u komentua gjithandej si një fitore që ky e arriti se dijti të manovroi e gjarpëroi fort bukur…

Ditëve në vijim ia behu në zyrën e Kostës shefi i furnizimit të një kooperative simotër.

-Më ka dërguar kryetari im për të marrë ata kallamat, -i thotë.

-Ç'farë kallamash? -ia priti ky i habitur, që në fakt s'dinte asgjë. -Ne jemi nevojtar për vete…

-Kryetari im më tha që e ka biseduar dhe se kolia është gati…

-Nuk kam dijeni… Por për të tilla gjëra këtu pyetem e urdhëroj unë.

-Atëhere?!… Si?!… S'ka asnjë arësye që kryetari im të gënjejë veten e të më gënjejë dhe mua… Erdha me kamionin bosh dhe s'mund të kthehem prapë bosh, -e ngriti tonin e zërit shefi për të treguar vendosmëri e seriozitet.

-Nuk është faji im… As më thua një çik se kush ka qënë ky karafil nga të mitë që e ka gatuar këtë çorbë?!

-Ajo është puna juaj… Kam ardhur enkas për kallamat, e jo për të gjetur karafilat tuaj… Nuk shkulem prej këtej, për ideal të partisë, pa i ngarkuar në kamion.

Situata po tensionohej. Shefi tregohej i paduruar e nervoz, duke menduar se i bënin qëllimisht karshillëk e talleshin. Atëhere kryetari i ra shkurt.

-Ore trim, e di ç'ke ti: Merr më mirë këtë kallamin tim e çoja atij kryetarit tënd, e kështu e kemi të zgjidhur dhe e mbyllim muhabetin. Hajt, të qoftë udha e mbarë! -përfundoi e doli nga zyra.

Ndërsa ktheheshim, na u shfaq buzë arës me grurë një grua që kulloste lopën. Diheshin dëmet që bëheshin dhe Kostës nuk iu durua pa i tërhequr vërejtje e qortuar. Ndaloi e iu drejtua me një gjuhë ironike.

-Tungjatjeta moj blegtoreshë e dalluar! Çfarë je duke bërë?

-Ja, siç e shehë shoku kryetar, po kullosë lopën.

-Ah, ku ka më bukur të ushqehet lopa me grurin e kooperativës! Nesër po sjell edhe gruan time me lopën ta vazhdoni të dyja…

Ajo dukej e dinte që ai ishte dhe hokatar e i thotë:

-Nëse bën atë, atëhere edhe unë po dërgoj burrin me lopën që t'i kullosin bashkë…

Nuk e priste. I zënë disi ngushtë ia ktheu.

-Për këtë përgjigje do të të bëj brigadiere, por të them seriozisht mos e kullot më lopën te gruri.

Ishte ngjarje e rrallë vizita e një mikeshe holandeze në kooperativën tonë. Kohë vere me bollëkun e prodhimeve dhe ngjyrave të stinës. Asaj i interesonin në veçanti zakonet e mënyra e jetesës së njerëzve, që nga gatimi, qëndizmat, kostumet popullore, punimet e artizanatit e deri te ceremoniali i dasmave e lindjeve dhe ritet e tjera.

Kërkoi të drekonte sipas traditës në ndonjë nga shtëpitë karakteristike të fshatit. Ia plotësuam dëshirën. Mysafires i pëlqeu shumë gjithçka. Mbase nga vapa a kushedi tjetër deshi të ndërronte krejt veshjen. E çuan në një nga dhomat. Fëmijë e adoleshentë, mjaft kureshtarë u grumbulluan te dera të shikonin nga brima e çelësit kur ajo të çvishej e të vishej. I vërejti Kosta e i qortoi rreptë.

-Ç'bëni aty more spurdhjakër, se na turpëruat! Hajt, largohuni shpejt!…

Sapo ata ikën, ai u ul në gjunjë dhe puthiti fortë tek brima e bravës sa njërin sy tjetrin, gjer sa holandezja bëri të dalë. Këtë do t'ja përmendnin më vonë si një nga episodet "heroik" të luftës së tij kundër shfaqjeve të huaja borgjeze.

Një herë tjetër ndodhi që njëra nga koleget në administratë, nuse me bukuri vetëtitëse, u dashurua me ekonomistin e planit, "demin maltez" siç e thërrisnim, ngaqë natyra ia kish dhënë me bollëk trupin, shpatullat e gjithë tiparet. Ndoshta ajo pikërisht për këtë e adhuronte e dashuronte marrëzisht.

Në fillim qenë të kujdesshëm, por a mbahen dot fshehur kolla dhe dashuria? Dalldisën e s'donin t'ja dinin më fare. Kyçeshin në zyrë hera-herë. U shqetësuam se mund të gjendeshim para ndonjë skandali të bujshëm.

Sa e mori vesh kryetari e zgjidhi menjëherë situatën. Nën preteksin e forcimit të bazës, i transferoi në sektorë ekstremisht larg njëri-tjetrit. U çliruam e qetësuam. Mirëpo pa u mbushur java ish kolegia vjen të sqarohej për lëvizjen, të cilën e quante padrejtësi, ndëshkim, poshtërim… Përkundrazi, përpiqej ta bindte kryetari, kemi vlerësim e konsideratë për punën tënde, prandaj të zgjodhëm për atje…

Ajo nuk pranonte asnjë arsyetim dhe i kërkonte me këmbëngulje ta anulonte urdhrin. I kujtoi biografinë e shkëlqyer të familjes së saj dhe sukseset e punës në bazë, për të cilat qe shpërblyer me postin në administratë. Dhe prandaj kjo lëvizje i takonte absolutisht dikujt tjetri. U ngashërye me lot dhe shpërtheu plot zemërim.

-Përse, përse ma bëre këtë shoku Kosta?! Kishe ndonjë gjë me mua? Do të çosh atje njeriun tënd? Thuama shoku Kosta, thuama përse ma bëre?!…

Atij nuk i mbetej tjetër veç t'ja thoshte troç të vërtetën, që të mblidhte mendjen. Me një gjuhë tashmë jo diplomatike e tjetër ton e ndërpreu.

-Përmbahu dhe dëgjomë me vëmendje: Nuk ta bëri kurrsesi Kosta, ta bëri plloska. Prandaj eja në vete e mos na bëj virgjëreshën. Të këshilloj t'i përkushtohesh punës e familjes dhe të mos e përsëritësh atë gabim….

E solli rasti të njihesha dhe unë me këtë personazh kur e emëruan në një post të rëndësishëm në rreth. Qemë bashkë për një vëzhgim sesa e si e kryenin rolin edukues e argëtues vatrat e shtëpitë e kulturës.

Në nisje u ndalëm për pak në një nga fshatrat e kooperativës ku ai kish drejtuar. Banorët që takuam e dialoguam e rrethuan me shumë respekt e dashuri. Ata iu përgjigjën edhe interesimit të tij për mbarështimin e buallicës, një specie në zhdukje. Ndërsa ndaheshim miqësisht me ta, një vajzë e këndshme e gazmore rreth të tridhjetave, mezi po i shkëputej. Në atë kohë kjo moshë konsiderohej e avancuar. Nejse. Më pas e ngacmova me shpoti.

-Ç'ishte ajo perri që meazallah se i bënte zemra të ndahej?!

Meqënëse bashkë me ne ishin dhe dy zonja foli me nënkuptim.

-Ah, more Daku, shpatullat e saj e din se ç'kanë hequr! Ka qenë punëtore e madhe! I janë njohur meritat! Tani punon arkëtare…

Sipas planit e filluam nga koopertiva më e largët që shtrihej kryesisht në terren kodrinor e malor. Vetëkuptohej ç'kulturë mund të zhvillohej këtu. Megjithatë ne do hulumtonim e nxirrnim çështjet dhe jepnim mendimet e sugjerimet tona. Mirëpo me ç'na paraqiti drejtori i kulturës, dilte se kishim të bënim me një model të shkëlqyer përvoje, nga i cili duhej të mësonin të tjerët. Tek ai gënjeshtra kish gjetur vërtet babain biologjik. Me fantazi përralltari na shpalosi një panoramë të gjerë e cilësore veprimtarish, që nga mbrëmjet dëfryese, shfaqjet e filmave, estradave, koncerteve me artistë të ftuar, lojërave popullore e festivaleve folklorike në çdo fshat e shkallë ekonomie e të tjera e të tjera.

Deshi të na bindte për aftësitë e jashtëzakonshme, që t'ja plotësonim kërkesën e vazhdueshme për ta tërhequr në qytet si masovik kulture. Dhe për ta bërë këtë sa më motivuese e prekëse iu drejtua Kostës si më të rëndësishmit.

-Ja, shoku Kosta, -i tha duke treguar me dorë pejsazhin malor dhe fshatrat në distanca të largëta nga njëri-tjetri, -këtej ka pesëmbëdhjetë vjet që më është qirë nëna mua, prandaj…

-Ç'thua!? Qysh kështu?! -reagoi i habitur Kosta dhe shtoi, -Ke bërë jashtëzakonisht gabim që ke marrë nënën me vete këtej. Në të tillë terreni as ushtria nuk mund të ta ruante dot…

Ndërkohë e dëgjoja me buzën në gaz, i dhashë plotësisht të drejt mikut tim kur më thoshte që e ka natyrale këtë cilësi. Humori është antidoda e mërzisë dhe ndihmon shumë për të kapërcyer lehtësisht paradokset dhe idiotësitë.

Me ardhjen e demokracisë Kosta u orientua e integrua shpejt në ekonominë e tregut. Krijoi një biznes familjar -bar restorant, që i mundësoi jetesë me dinjitet. Si gjithmonë i çiltër, kurajoz e me humor s'nguron të reagojë ndaj dukurive të ndryshme.

Pinim kafe dhe bashkëbiseduesi e cyti qëllimshëm për ish zvëndësin, i konvertuar tanimë nga një i majtë babaxhan në të djathtë i vijës së zjarrit.

-Çorrja? Misër foragjer, domethënë me pak kokrra. Lakuriq nate, gjysmë me ligësitë e të kaluarës dhe gjysmë me poshtërsitë e të sotmes. E nuhati që maskarallëku paguhet mirë

dhe u vërvit, por ama vetëm goja i ha djathtas, se zemra i rreh majtas. Të tillë janë të dëmshëm për të dy krahët.

Flitej se në bare, restorante, motele, hotele ushtrohej prostitucion edhe me minorene. Një i njohur i Kostës, qejfli i thekur, nxitoi ta pyesë si të realizonte një film me ndonjë nga ato të voglat.

- Kollaj fare, -e sqaroj ky. -Ulu në tryezë e prit shërbimin. Vjen kamarieri e të kërkon preferencën për mish viçoke, mëshqerre apo lope. Sa t'ja shprehësh të shoqëron tek dhoma e qejfit të kënaqesh sa të dëshirosh.

-Aaaa!… Mrekulli!. Shumë të faleminderit!

-Kujdes atje të keqen, mos na bie dëshmor, se jemi moshatarë tani…

-Asnjë merak, kam qenë ushtarak…

Qejfliu veproi ashtu pikë për pikë, por nuk ndodhi asgjë. E kuptoi që e kishte gënjyer. U ngrit e largua nga lokali duke e sharë me vete: "Shejtan me bisht dhelpre dje, djall me brirë cjapi sot."


4 comentários


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
18 de mar. de 2021

I dashur Myslim! Kënaqësi që tregimi ju ka pëlqyer, se e dini mirë

që çdo krijim është gjithnjë si një provim. E shton më tepër këtë gëzim që

vlerësimi zhbirues vjen nga një penë e shquar siç jeni ju, që mbi të gjitha

nuk e ka në karakter shtirjen.

Ju falenderoj shumë për angazhimin si krijues dhe dashamirësinë

prej miku të sinqertë. Përqafime, Kozmai.


I shumënderuari Prof. Dr. Eshref YMERI, tungjatjetani!

Duke iu çmuar lart për erudicionin e talentin krijues dhe kontributin shkencor

e atdhetarë tejet të rëndësishmë, por edhe si më të urryerin nga politika

antikombëtare, vlerësimin e konsideratën Tuaj e përjetova si një festë të

veçant shpirtrore.

Ju jam tepër mirënjohës e uroj nga zemra të keni kurdoherë

Curtir

Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
18 de mar. de 2021

I dashur Kosta,

Në korpusin e tregimeve tuaja të shkurtra mjaft tërheqëse, e keni rrahur edhe herë të tjera temën nga paradokset e jetës socialiste në fshat. Ajo kohë është mjaft e pasur me tema të kësollojshme, të cilat përbëjnë subjekte mjaft interesante jo vetëm për artin e prozës artistike, por edhe për filma humoristikë. Ju jeni mjeshtër në artin e rrëfimtarisë me një gjuhë të pasur me shprehje frazeologjike. Natyrshmëria e rrëfimit tuaj të rrëmben. Kur lexoj tregimet tuaja, më kujtohet menjëherë shkrimtarja angleze Xhoana Harris (Joanne Michèle Sylvie Harris - 1964), e cila thotë:

“Rezulton se nga të gjithë librat që kam lexuar, pikërisht tregimet më kanë lënë mbresa më shumë se çdo gjë tjetër, sepse në to…

Curtir

mich.maska
17 de mar. de 2021

Rralle me kane ndodhur, te me befasojne! K.Gjergji ,teper realist, me sakte, neorealist, di se c'thote. Njohes i thelle i psikologjise se kohes qe jetoi, me dramat dhe mikrodramat, me perversitetet e trishtueshme. Tregimi: "NUK TA BERI KOSTA", Sipas meje eshte "Nje Akt Akuze" per kohen, i mrekullueshem. Vetem K. Gjergji mund ta shkruante nje tregim te tille, vazhdim i tregimit te meparshem, si gazetar qe i ka perjetuar. Humori, bastetat, sarkazmat e dhimbshme me personazhet fisnik e te dlire si tek tregimet e Cehonkes te Cehovit te madh, na tronditin... "Shpatullat e saj e dine se c'hoqen, qe u be arktare"... Urime, te perqafoj, Myslimi.

Curtir

mich.maska
17 de mar. de 2021

Rralle me kane ndodhur, te me befasojne! VAZHDON...

Curtir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page