NUK NA LEJOHET TË HARROJMË



Gjokë Dabaj


Jam i detyruar t’i përgjigjem gazetares Dianë Rexhepi, pasi, me sa duket, ajo e njeh me shifra holokaustin e nazizmit gjerman mbi izraelitët, që është vërtet një plagë e rëndë gjithnjerëzore, por nuk e njeh konkretisht dhe me shifra genocidin sllav mbi kombin e saj, mbi kombin shqiptar.

Jam i detyruar kështu t’i bëj lutje, kërkesë apo thirrje (merreni si të doni) gazetares Dianë Rexhepi dhe qindra gazetarëve të tjerë shqiptarë… Dhe jam i detyruar t’u bëj paralajmërim të gjithë politikanëve dhe biznesmenëve shqiptarë, të Tiranës dhe të Prishtinës: Lexojeni librin e Shaban Brahës para se të shkoni në Beograd për çfarëdo pune apo marrëveshjeje!

Mbi genocidin që sllavët kanë kryer mbi kombin shqiptar ka edhe të tjerë libra. Sidomos mbi plojat që kanë ndodhur mbas vitit 1990. Libra të pamjaftueshëm, por të paktën aq sa për ta informuar dhe paralajmëruar botën, dhe vetë kombin sërb, se, nëse nuk reagojmë ndaj atyre që kanë ndodhur, këtu mund të ndodhin dhe kanë për të ndodhur përsëri mynxyra. Madje mundet edhe të papërsëritshme.


Titulli i librit është: “Gjenocidi sërbomadh dhe qëndresa shqiptare (1844-1990)”, botimi Lumi-T, Gjakovë 1991.

· Faqe 23: Viti 1844. Botohet “Naçertania” e Ilia Garashaninit, program sërb mbi asgjësimin e kombit shqiptar, duke përdorur të gjitha format.

· Faqe 35: Viti 1860. Princi Mirko i Malit të Zi masakron banorët e Kuçit. “Mbi 100 të rritur dhe 20 fëmijë qenë përshkuar nga shpata e atij Neroni të Ri. Edhe në Rahojë dhe Kaçë, fshatra fqinjë të Kuçit, pati përkatësisht 20 edhe 16 viktima.

· Faqe 44: Viti 1878. Në hapësirat rreth lumit Moravë, 35000 shqiptarë të çdo moshe, të asgjësuar.

· Faqe 50: Ndër banorët e Nishit, Leskovcit, Prokuples e Kurshumlisë, 4000 viktima.

· Faqe 75: Viti 1881. Një cub i famshëm i quajtur Bërkiq… “kishte therur 500 a 600 vetë në mënyrën aq barbare, sa kemi neveri ta themi”. Në gjyqin e tij janë thirrur më shumë se 1400 dëshmitarë.

· Faqe 139: Tetor 1912. Kumanovë etj. Vriten 6000 shqiptarë. “Thika dhe zjarri përpinin jetë shqiptarësh, më shumë fëmijë dhe gra”.

· Faqe 184: Viti 1912. Në afërsi të Shkupit 2000 shqiptarë dhe jo larg Prizrenit 5000 shqiptarë u masakruan. Midis Kumanovës dhe Shkupit u vranë 3000 shqiptarë. Ndërsa 36 qenë dënuar me vdekje dhe qenë vrarë në vend. Një oficer sërb ka vrarë me dorën e vet 9 shqiptarë.

· Faqe 185: Në spitalin e Shkupit vriten 50 shqiptarë të plagosur. Në Shkup numërohen 38 cisterna të mbushura me kufoma shqiptarësh. Pranë stacionit të Kumanovës u kapën dhe u vranë 700-800 të rinj. “U lidhën dhe u copëtuan sikur të ishin kafshë të egra”.

· Faqe 186: Viti 1912. Në rrethin e Prishtinës, nga 18 tetori deri më 12 nëntor, u zhdukën nga terrorizmi masiv sërb 5000 shqiptarë. Në Nikodin, Lipjan, Babush etj popullsia e këtyre vendeve u vra në pjesën më të madhe. Në Ferizaj komandanti sërb u bëri thirrje të arratisurvet të dorëzohen dhe 300-400 prej tyre i vranë. Në Ferizaj qe bërë kasaphanë. Aty u vranë më se 1200 shqiptarë.

· Faqe 187: Në trevat e Gjilanit 238 burra u masakruan. Në Sefer u dogj e gjallë një grua bashkë me ndihmësin e saj katolik. Në Gjylekatë një gruaje shtatzënë iu ça barku me bajonetë dhe iu nxor krijesa. Në Trestenik u vranë 60, në Smirë 32, në Vertan 20, në Lubishtë 19, në Komogllavë gati të gjithë burrat. Në Preshevë shpëtuan pa u vrarë shumë pak njerëz. Më 12 nënrtor 1912 gazeta “Deili Kronikall” publikonte se në viset e Prizrenit u masakruan 5000 shqiptarë. Rreth 400 qenë vrarë që ditën e parë.

· Faqe 188: Viti 1912. Në Lumë u dorëzuan vetë 400 burra dhe u çuan në Prizren. Aty u vranë grupe-grupe nga 40 deri në 60 vetë në ditë. Më 12 nëntor 1912, gjenerali sërb Zhivkoviq urdhëroi në Senicë vrasjen e 950 prijësvet.

· Faqe 189: Në Gërdheshtë sërbët therën 72 vetë, gra, fëmijë e pleq.

· Faqe 190: Vetëm gjatë dy muajvet të parë 1912 në Kosovë u vranë 25000 deri në 30000 shqiptarë. Në këtë shifër nuk llogariten të vrarët me armë në duar. Ekziston lista se vetëm me rastin e arritjes së ushtrisë sërbe e malazeze në këta vise në vitin 1912 u vranë 12 777 shqiptarë.

· Faqe 192: 1913. Në Nishor të Suharekës sërbët vranë 42 vetë.

· Faqe 194: Në Krrabë midis Tiranës dhe Elbasanit dhe në Çermenikë, më 1912-1913-n, janë vrarë 20-30 shqiptarë. Korrik 1913, në Prizren vriten 19 vetë.

· Faqe 196: Në një përballje me ushtrinë sërbe, afër kufijvet të Prizrenit, vriten 200 shqiptarë.

· Faqe 199: Ka fshatra me 100-150 shtëpi, ku nuk ngeli njeri i gjallë. I mblidhnin njerëzit grupe-grupe nga 40-50 dhe i masakronin me thika. Në fshatra të Lumës komanda sërbe mblodhi 83 vetë në një vend dhe i vrau të gjithë. Të vrarët dhe të plagosurit i hidhnin në zjarre, për të mos humbur kohë me varrosjet.

· Faqe 200: Në Topojan, afër 400 vetë u vranë me mitraloz grumbuj-grumbuj.

· Faqe 201: Oficeri sërb mblodhi të gjithë të rriturit, gjithsej 83 vetë, dhe i pushkatoi. Te Shpella e Ibrës, në udhën për në Prizren, buzë një uji, bajonetat e xhelatëvet nisën të ngulen në trupat e robërvet të lidhur dy nga dy dhe, sakaq, “36 lojmianë e 54 nimçianë u shnërruan në grumbuj kufomash.”

· Faqe 202: Në Lumë e Opojë, në një pasqyrë përmbledhëse, del se në vitin 1913 janë masakruar 547 vetë, prej të cilëvet mbi 290 ishin gra e fëmijë.

· Faqe 203: Në Kabash të Gjilanit u masakruan 47 vetë. Edith Durhami shkruan: “Në krahinën e Gostivarit, kanë djegur me vajguri fshatrat dhe kanë hedhur në flakë me majat e bajonetavet ata që nuk kanë mundur të shpërojnë. Ka fshatra me 100, 150 e 200 shtëpi, ku tani nuk gjendet asnjë frymë. I mbledhin njerëzit me togje nga 40 ose 50 vetë dhe i shkojnë në bajonetë.” Në Reçan të Gostivarit, sërbët, pasi vranë 30 burra, 200 gra, fëmijë e pleq i mbyllën në dy shtëpi dhe i dogjën të gjallë. Në Zdunjë në një ditë dogjën 37 gra, fëmijë e burra, të nesërmen 9 të tjerë i çuan e i masakruan në Vaku. Në tetor 1913 në fshatin Simnicë vranë 18 vetë. Pas tetë ditësh i vranë edhe 22 të tjerë. Në Gjinovc dogjën 7 shtëpi me njerëzit brenda. Në Reçan pushkatuan 86 vetë.

· Faqe 204: Në katundin Vërtok u pushkatuan 18 vetë. Në Bigorë 40 burra u pushkatuan dhe disa trupa u hodhën në pus. Në Kalisht i vranë e i therën rrugës 43 vetë. Në Çergan vranë 32 vetë. Në katundin Qafë e Gostivarit vranë e masakruan 65 vetë.

· Faqe 205: Në Gjoricë të Dibrës së Vogël qenë masakruar 14 vetë. Qenë mbytur edhe 2 gra e 5 fëmijë.