top of page

NUK MUND TA VJEDH GOVERNËN


Thanas L. Gjika NUK MUND TA VJEDH GOVERNËN Në qershor të vitit 1961, kur rra tërmeti në Korçë, tim eti iu shtuan shumë kërkesat për punë private në ditët e diela. Unë sapo mbarova klasën e dytë të gjimnazit. Gjatë korrikut e gushtit më merrte si ndihmës për të ndërruar tjegullat e çative të dëmtuara të qytetit. Emocionet më të mëdha atë behar i përjetova kur po ndërronim çatinë e një godine të lartër te sheshi i Mitropolisë. Godina ishte katërkatshe e ndërtuar në vitet e Mbretërisë, kur katet ishin mbi 3 metra të lartë. Ajo godinë kishte dyqane në katin e parë me lartësi katër metra, shto dhe nja 10 metrat e tre kateve, si dhe një e dy metra pjesa mbi çati, bëhej një lartësi rreth 15 metra. Kisha punuar mbi çati dy e trekatshe me nga 6, ose 9 metra të larta, po në lartësi 15 metra nuk kisha punuar ndonjëherë. Njerëzit që ecnin në rrugë më dukeshin të vegjël. Si gjithnjë babai po punonte në anët e poshtme të çatisë, unë më lart. Kishte frikë të më linte mua t'i afrohesha strehëve, buzëve të çatisë, se mos më merreshin mentë e bija. Por në një moment i ndodhur m'u në buzë e për të mos lëvizur më kërkoi t'i afroja disa tjegulla të mira që duhej t'i përdorte për ullukë në pjesët e poshtme të rreshtave. Ia shpura një tufë me tjegulla të tilla, që i kisha tingvllitur më parv për të provuar mos ishin të plasura, ia lëshova aty pranë dhe kur u ngrita në këmbë, pashë aty poshtë te kopshti i një komshiu. Ishin familja Skendi, ulur nëpër karrike rreth një tavoline, dy prindër e një vajzë me një djalë. Të katër po shikonin me kureshtje ustain pelivan që punonte buzë çatisë. Unë njoha shoqen time të klasës, Najdan. Ajo më njohu e para dhe ma bëri me dorë dhe thirri: “Kujdes Thanas, ulu e mos shiko poshtë!” Unë i dhashë të njohur duke i tundur dorën dhe u ula. Pastaj kalova duke ecur me duar e këmbë më sipër, prej ku as i shihja e as më shihnin. Thashë me vete: “Ku e gjeti këtë punë im atë majë kokojkës. Lere frikën, po ajde të dëgjoj dhe komentet e shoqeve të klasës, kur të rifilloj shkollën në shtator”. Mirëpo shoqja ime ishte bijë e një familjeje të pasur e të edukuar, as ma përmendi ndonjëherë atë skenë dhe as u tha shoqeve të saj. Prindërit e saj, kur mbaruam maturën, na bënë në shtëpinë e tyre mbrëmjen e maturës, ku hëngrëm e pimë gatimet e zonjës së shtëpisë e të Najdas. Babai i saj më buzëqeshi, si sikur deshi të thoshte: “Të mbaj mend, puna të ka bërë mirë”. Më ka mbetur në kujtesë ajo buzëqeshje dhe sot... Në muajin dhjetor të vitit 1961, babait i komunikuan daljen në pension. Unë isha ende nxënës në klasën e tretë gjimnaz, motra e vogël ishte nxënëse në Teknikumi Mjekësor në Tiranë, vëllai i madh sapo ishte kthyer nga Moska dhe kishte filluar punë në Kinostudio, por flinte në hotel e hante në restorant. Motra e madhe ende e pamartuar punonte mësuese te shkolla “7 Nëntori”. Kurse nëna si gjithnjë shtëpiake, pa rrogë e pa pension. Nëpunësi i Sigurimeve Shoqërore ishte bir i një ish-emigranti të Amerikës, mik i tim eti dhe pasi bëri llogaritjet e viteve të punës, tha: “Xha Ligor, për kaq vite sa ke punuar në punë shteti, pensioni të bie 2.600 lekë. Me këtë pension nuk mund të ushqesh dot veten, gruan, dhe dy fëmijët e vegjël, prandaj unë do të të shtoj dhe disa vjet pune shtetërore gjatë viteve të Mbretërisë, që të të dalë pensioni të paktën 3.000 lekë, po të lutem mos i thuaj njeriu.” “Zoti Manol, ia preu im atë, “Më cakto pensionin që më bie. Nuk mund ta vjedh Governën.” Me fjalën Governë, im atë quante shtetin, si e kishte mësuar në Amerikë, në atë vend ku kishte kaluar rininë dhe kishte mësuar se shteti nuk duhej gënjyer dhe nuk duhej vjedhur... Manoli mbushi dokumentat dhe i dha librezën e pesionit me 2.600 lekë. Babai erdhi në shtëpi gjithë qejf, kishte marrë pensionin, aq sa e kishte hallall... Po mbusheshin 16 vjet nga dalja e tij në pension. Në janar të vitit 1987, kisha shkuar nga Tirana ta vizitoja se ishte i sëmurë. Ai hapi këtë bisedë, si për t'u rrëfyer: “Po bëhem 84 vjet. Bëra mirë që i thashë zotit Manol se nuk doja ta vidhja governën”, më tha, si me mburrje, ndonëse nuk ma kishte përmendur kurrë bisedën e tij me nëpunësin e Sigurimeve Shoqërore dhe vijoi: “Ja po shkojnë aq vjet sa kisha punuar në shtet dhe e hëngra me shëndet pensionin. Po t'i kisha marrë ato 400 lekët më tepër çdo muaj, kushedi që kur do të kisha ikur nga kjo botë, se kur të vret ndërgjegja të shkurtohet jeta.” Kish të drejtë, por mendoj se shpirti i tij u gëzua dhe më shumë mbas vdekjes, kur gruaja e tij, nëna ime, vijoi të merrte pension prej pensionit të tij 2.200 lekë, pa punuar fare për 14 vjet të tjerë deri në vitin 2001, kur u nda nga jeta në moshën 96 vjeçare...



15 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page