Nuk ka dhe nuk bëhen reforma me Damot


    Ilir Levonja


    Sot një pjesë e mirë e lidershipit opozitar deklaruan pak a shumë se nuk ka rëndësi personat që ne u ulëm në tavolinë, por konsensusi për reformën zgjedhore. I pari që e bëri këtë ishte Lulzim Basha, pastaj disa syresh me zëvendësat apo zëdhëneset e tyre. Gjoja konsensusi mbuloi gjithçka apo i vuri kapakun gjithçkaje duke hedhur në kosh një vit të tërë opozitarizmi luajal me shoqërinë civile. Si nuk paska rëndësi emri? I bie si me thënë, ky është hajduti, ky na vodhi, ky na vrau, ky na i futi para e mbrapa por ne prapë me këtë do i vendosim pikat mbi i. Me këtë do bëjmë marrëveshjet si e kur të vjedhim ne dhe kur këta. Marrëveshja e sotshme apo takimi i sotshëm, ai që ka pushtuar me foto një tavolinë me katër persona, Damian Gjiknurin e PS, Oerd Bylykbashin e PD, Petrit Vasilin e LSI dhe Rudinën e kurrkujt, nuk dëshmon asgjë tjetër por shitjen totale nga klasa politike të shoqërisë civile.

    Për më tepër se cilin parlament përfaqëson Rudina. Për më tepër kur doli si ajo patëllaxhania e vetme mes domateve rifuxho karshi një vendimi kolegjial e publik mbi djegien e mandateve. Një vendimi vërtet radikal por që koha vertetoi se ata që ishin në krye nuk kishin të njëjtat këllqe si shoqëria civile në sheshet publike, po t'i kishin sot do flisnim ndryshe. Përpara se të shkojmë tek konsensusi kjo tryezë është vula e freskët e deklaratës së presidentit Ilir Meta në lidhje me atë që fatet e vendit i ka marrë në dorë bota. Pavarësisht premisave ana tjetër e medaljes është se shqiptarët kudo e gjithandej janë të aftë veç në vendin e tyre jo. Dhe ata që po përfitojnë në këtë rast është pikërisht kjo klasë politike që nuk ka asnjë lidhje më me shoqërinë civile.

    Kur Lulzim Basha thoshte se hiqeni nga mendja të ketë votime me lista të hapura, njerëzit e besuan dhe ia mbushën sheshet. Pasi askush nuk kishte qejf të shikonte iks vemje politike që shkonte deri në mbledhjet e këshillit bashkaiak në qytetin e tij për të vendosur veton a orientimin e qendrës. Shkurt askush nuk e kishte me qejf të shikonte një iks vemje nga skaji i vendit si deputet në qytetin e tij. Kështu edhe kur Lulzim Basha thoshte se nuk ka më zgjedhje të presidentit në tavolina por nga populli, madje sovrani do ketë më shumë të drejta në vendim marrje kjo për të patur një demokraci funksionale etj., njerëzit e besuan dhe ia mbushën sheshet.

    Ky besim u kthye në irritim për më tepër kur u publikuan edhe disa video përgjime. Në krye të tyre ishin qeveritar të lartë, ministra që përpose se përdornin një fjalor brutal tregonin sheshit se kishin manipuluar një vend të tërë. Madje përmendnin me qejf deri emrin e kryeministrit. Por nuk ishte vetëm kjo, për vite të me radhë rezultoi se krimi i organizuar ishin bërë pjesë e fortë e qeverisjes, madje mbanin mandate deputeti, dhunonin publikisht zona të tëra. Aq sa siç e kam theksuar edhe më parë vendi u mbush me aeroporte ku uleshin kaçatorrët e drogës. Nga ana tjetër një goditje tjetër ishin mbajtja e zgjedhjeve votime që sot ka dështuar për faktin e elementit të inkriminuar dhe se në shumë Institucione drejtojnë persona të mbetur aty, apo dyshat, madje edhe ishët pavarësisht largimit. Dhe goditja përmbydhëse ishte edhe mos hapja e negociatave të Shqipërisë për t'u bërë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Madje ishte kriza shqiptare që do merrte më qafë edhe Maqedoninë e Veriut e ndonjë vend tjetër të rajonit. Të paktën kryeministri maqedonas në raport me shoqërinë civile, paktin që kish bërë, e dha dorëheqjen dhe në prill Maqedonia mban zgjedhjet e parakohëshme. Më se normale për demokracinë. Kurse në Shqipëri kryeministri i vendit e vuri një vend të tërë të mallkonte Francën dhe presidentin e saj pa as më të voglin siklet a pa as më të voglën vrarje sedre për më tepër që e kishte premtim elektoral futjen e vendit në Bashkimin Europian. Nga ana tjetër të gjitha këto ishin më shumë se të bollshme për opozitarizmin, por pikërisht ai lideri i saj, ai i listave të hapura, i përfshirjes më të madhe të sovranit, shkoi me pushime dhe zgjedhjet e parakohëshme nuk ishin më një opsion. Kur them se ky gjoja konsensusi hodhi në kosh një 2019-të tërë, pra atë mes shoqërisë dhe opozitarizmit, është tradhtia në vazhdë që klasa politike i bën vendit tonë. Mbani mend që Edi Rama me videon e Ilir Metës vrau 4 vetë, dogji e shkatërroi sa deshi, madje atyre që dogjën e dëmtuan më shumë i bëri ministra e zëdhënës. E njëjta gjë po ndodh edhe më këta të sotshmit, me këta që deklarojnë se nuk kanë rëndësi emrat, me Damon apo jo, rëndësi ka konsensusi etj.

    Kësisoj gjithë ato protesta, ai mllef social nuk është asgjë tjetër përballë epshit a oreksit të njëshave. Mllefi social nuk është asgjë tjetër një pordhë në kokë të gjithëve mjafton që karrika e njëshave apo erzi i tyre të mos cënohet. Në një farë mënyre kjo ka kuptimin që gjithçka çfarë thamë për Damian Gjiknurin, i ngjan një zhargoni me të vërtetë politik, rrofshin tradhtarët poshtë tradhtarët. Këtë na e mësuan me radhë këto vite nga Saliu, Edi, Ilir e Luli. Nëse ky konsensus do ishte arritur me emra të tjerë, pa pjesëmarrjen e të përfolurve qoftë nga e majta qoftë nga e djathta atë here mund të shpresonin se vërtetë Shqipëria po hynte në shinat e demokracisë. Por kjo nuk ndodhi. Dhe siç e kam thënë edhe më përpara, vendi do vuaj akoma stanjacionin, reforma të sforcuara duke pasur të vetmen viktimë, shoqërinë civile pra vet sovranin.


    #Ilir #Levonja

    6 views

    Shkrimet e fundit