top of page

“NUK I NDËRROJ VUAJTJET ME NJË SHËRBIM PREJ SKLLAVI...”



ESE

PIRRO LOLI

Vetë sakrifikimi heroik për mbrojtjen e idealeve të larta ka qenë i njohur që në kohët mitike. I pari është akti trimror i Prometeut. Përpos këtij simboli klasik, kryeradhë e kulturës botërore, numërohen qindra e mijëra njerëz të guximshëm që janë ngritur kundër tiranive dhe obskurantizmit shoqëror për të mbrojtur idetë e tyre progresive. Krijuesit e mëdhenj, në të gjitha disiplinat shkencore rreshtohen në ballin e sakrificave supreme të zhvillimit shoqëror. Njerëzimi i mban në histori si modele guximi e heroizmi epokal.

NJERIU, ZOTI I TOKËS - GNOSTICIZMI

Prometheu i tha kryetiranit: “Nuk i ndërroj vuajtjet me një shërbim prej skllavi”. Pitagora, kur e kapën ushtarët persë me shpatë për ta vrarë, ai po llogariste formulën e rratheve në rërë dhe u tha “ mua mund të më vrisni, por mos m’i prishni rrathët në rërë...”..

Aristoteli, shkencëtari dhe filozofi i madh u internua dy herë dhe u largua nga Athina si qytetar me mendime të rrezikshme; Sokrati nuk zgjodhi shpëtimin e jetës dhe daljen nga burgu me ndihmën e studentëve të tij, - Jo, tha filozofi, miku më i madh i Platonit, unë kam votuar por mbrojtjen e ligjit dhe demokracisë, nuk mund t’i shkel vetë. Dhe piu helmin. Giordano Bruno, për mbrojtjen e një vizioni shkencor të astronomisë, vuan persekutimin e Inkuizicionit. Këtë ngjarje epokale Vatikani e ka mbajtur të fshehtë deri në shekullin e 20-të. Ai kundërshtoi të gjitha presionet e shoqërisë dhe të fesë që nuk pranonin se toka është e rrumbullakë, dhe e lëvizshme sipas një ligjësie kontinentesh. . Dhe duke u djegur në turrën e druve artikuloi zbulimin e ligjit të madh “...megjithatë, toka rrotullohet”...Spinoza përfundon i vetëm, i shkishëruar nga komuniteti i tij dhe, i hedhur poshtë nga të gjithë. Eshtrat e Volterit u gjymtuan dhe u zhvendosën nga një vend në tjetrin për t’u fshehur. Zonja Olympe de Gouges, pjesëmarrëse në një revolucion (3 nëntor 1793) shkoi në gijotinë.




E kundërta e heroizmit prometejan është ligji “dao” në Kinën e lashtë sipas të cilit, njeriu duhet t’i nënshtrohet eprorit ashtu si bari erës)


DINJITETI I FILOZOFËVE


Eseisti i famshëm, filozofi Viktor Gomes Pin thotë se tipa të tillë shkencëtarësh e filozofësh. vdesin duke mbrojtur dinjitetin e tyre. Autori citon një frazë të Max Horkheimer që përmbledh shumë mirë pikënisjen dhe thelbin e besimit tw tij. “E gjithë shpresa është e mbyllur në aktin e të menduarit.” Gómez, provon se filozofia është “një luftë kundër disa modaliteteve të parimit të shpresës. Opinioni i gjerë shoqëror e ka bërë të vetën shprehjen se Shpresa vdes e fundit – jo, thotë filozofi i madh ebraiko gjeman, F. Niçe -nuk duhet të mbyllim sytë për atë që është në kundërshtim me dinjitetin njerëzor -, të kesh shpresë nga fundi i kutisë së Pandorës, do të thotë të provosh një torturë të pafundme, ose një vdekje të stërgjatur, pa shpresë”.

... Sakrifica e tyre ka qenë e ndryshme, në emër të një zbulimi shkencor, në emër të dijes, të paqes, lirisë, të dashurisë, të ardhmes ose atdheut, të luftës apo të fitores. Faktet kokëforta na vinë që nga refuzimi i diktatorëve, luftrave, opinioneve tabu, obskuratiste e shoqërore deri në sakrilegje të dhunshme e gjakësore; humbje jete të vetëvedijshme deri te zjarri e gijotina për të mos mohuar ato, zbulimet e mëdha.

Miguel Servet (1511-1553). Njihet si mjek i famshëm për hipotezat e tij mbi qarkullimin e gjakut dhe gjendja e tij si viktimë përmendet shumë shpesh. Nuk harrohet zbulimi epokal i tij mbi qarkullimin e gjakut që e çoi në turrën e druve në vitin 1553. Ndër të tjera, përballet me teorinë e Calvin-it, në një mënyrë jashtëzakonisht konceptuale. Dhe sot, megjithëse hipotezat mbi gjakun kanë përparuar shumë, ai dhe sot i qëndron kohës si mendimtar fatos e gjenial”. Filozofë si Volteri apo Simone Ëeil preferuan të vuanin refuzimin shoqëror, por nuk tradhtuan pozicionet e tyre shkencore...

%

Tridhjetë vjet më vonë prej Luftës në Vietnam, në kujtesën e tij 1995, Macnamara tregon se personi i parë në Shtetet e Bashkuara që i vuri flakën vetes ishte 82-vjeçarja Quaker Alice Herz, nga Detroit, i Miçiganit. Sekretari i mbrojtjes R. Maknamatra kujtoi vdekjen e një të riu me emrin Norman R. Morrison, babai i tre fëmijëve dhe oficer nga Baltimore. Kjo vdekje u bë botërisht e njohur dhe veçanërisht simbolike sepse ai dogji veten kur Presidenti Johnson autorizoi përdorimin e napalmit në Vietnam, një lëndë kjo, që digjet dhe shkrihet në lëkurë duke shkrirë mishin. Morrison, zgjodhi të vetëflijohej në flakë poshtë dritareve të Pentagonit ku kishte zyrat Sekretari i Mbrojtjes Robert McNamar. Një javë pas vdekjes së Norman Morrison, një punëtor 22 vjeçar u bë protestuesi i tretë i luftës duke u vetëflijuar. Ai vdiq nga djegiet në 9 nëntor, 1965 në Plaza të Kombeve të Bashkuara në Nev York City . Dhe la këtë shënim “Unë jam kundër luftës, kundër të gjitha luftërave”....

Por,

Shëmbulli universal ishte dhënë në krye të herës të njeriut të lashtë ...Guximi njerëzor rrjedh që nga Prometheu.


KRYERADHA


Mitologjia na i kanë dhënë modelet edhe për të sakrifikuar jetën. Prometeu, i pari njihet si një titan që kishte aftësi magjike të shikonte të ardhmen. Ai kishte parë të ardhmen e të gjithëve, përfshirë këtu edhe atë të Zeusit, i cili i dërgoi Hermesin për ta kërcënuar dhe detyruar që të tregonte, por si çdo hero sypatrembur. Prometeu heshti. Ai nuk trembet nga tirania, nuk trembet nga pushteti absolut, zeustian dhe u distancua nga perënditë duke hedhur shikimin në të ardhmen e njerëzimit. Zjarri që u vodhi perëndive ishte rruga e dijes dhe e zhvillimit të njerëzimit. Ai ndezi dëshirën e njeriut për dije dhe progres. Ai nuk ia tregoi as Zeusit të ardhmen e mjegullt që e priste kryezotin, nuk u thye nga presionet e perëndive, as nga torturat e tmerrshme kur, i mbërthyer në një shkëmb në Kaukaz, një shqiponje i shkonte për dite dhe i hante mushkërinë... Zeusi i kërkoi të bindej, por jo, vendimi qe marrë.. Ai braktisi luksin e jetës së perëndive në Olimp dhe zgjodhi mbërthimin me hekura dhe sqepin e shqiponjës në mëlçi. Në këtë kontex, nuk na intereson zgjidhja e kësaj tragjedie midis hyjnive ( Në fund, gjithçka rregullohet sepse Zeusi “zbutet” dhe Prometeu shpëtohet prej Herakliut), por kryemetafora mitike, përpiluar nga poetët, ka mbetur simbolikë gjithnjë aktuale edhe pas mijëra vjetësh. Pajtimi, pra, konsesusi, toleranca mbetet edhe sot shembëlltyrë e bashkëpunimit njerëzor por, qenka e çuditshme qw njeriu e paska më të nevojshme ndëshkimin shembëllor, atë fjalën lapidare të Prometheut... “Nuk i ndërroj vuajtjet me një shërbim prej skllavi” se sa marrëveshjen midis palëve për funksionimin e mirë të shoqërisë me mirëkuptim, negociata dhe tolerancë të dy anshme.

Kjo mund të na shtyjë të mendojmë se krijuesi – i ideve, i metaforave, i formulave matematikore a psikoanalitike – gëzohet në vetminë e tij, në dhimbjen e tij, aq sa, dhe pse jo, në ndëshkimin e tij. Ajo që bën ai është të kuptojë se në vendosmërinë e tij qëndron bukuria e punës së tij, pavarësisht nga fakti se, siç ndodh kaq shpesh, “e vërteta gjeneron një neveri proporcionale me tërheqjen që ajo ushtron“. Dehja nga suksesi, nuk duhet ta turbullojë kënaqësinë e zbulimt. Në rrugën e dijes çdo stacion që arrihet nuk është i fundit. Dhe mbërritja është relative. Kënaqësia e një arritjeje nuk duhet ta frenojë të menduarit, përkundrazi, mendimi i të kënaqurit, e ndalon procesin, e pret rrugën e dijes, ndalon vetë të menduarit sepse e vërteta kurrë nuk është e palëvizshme e aq më pak absolute.

Në këtë rrugë simbolike të çelur nga mendje gjeniale ka ecur progresi shoqëror. Bashkë me krijimet e zbulimet epokale ka ardhur dhe ndëshkimi mizor i autorëve, i atyre fatosave dwshmorw që çelnin rrugën të parët.. Por rrugët e zhvillimit kanë mbetur të hapur që nga mitologjia. . Shumë filozofë, shkencëtarë e artistë të mëdhenj në kohë të ndryshme kanë sakrifikuar vetveten në mbrojtje të ideve të tyre progresive.

Një Paradigmë ebraike flet për mundësinë e njohjes, gnosticizmin. Që është i lidhur me hermetikën , term ky që, më kot, na ka trembur paksa në letërsi e në arte. Frika ka rrjedhur nga moskuptimi. Hermetikët nuk janë modernë në kuptimin të sotshëm, por janë të tillë sepse janë të sukses’shëm që nga lashtësia. Ata, së pari ishin platonistë, ishin ato mendjet e rralla që kishin pranuar teknikat alegorike hebraike të Aleksandrisë. E thënë më shqip, kishin pranuar spekulimin me dhe pa thojza se njeriu në botë është zoti i vdekshëm ndërsa Zoti i qiellit është njeriu i pavdekshëm. Njohjet e mëdha nga njeriu në qiell dhe në tokë kanë lëvizur rrotën e zhvillimeve në çdo shekull.

Harold Bloom, esteti i madh amerikan, te libri “Gjeniu”(rreth 900 faqe) ka si objekt fushën e pafund të dijes dhe ka zgjedhur të vallëzojë me njëqind shkrimtarë të rangut botëror. Ai shfrytëzon dijet e lashta sidomos ato ebraike(në librin”Tarah”) dhe ato moderne deri te nobelistët e ditëve tona. Sipas tij, të gjitha dijet universale vërtiten rreth dy paradigmave të pafundme – Raportin midis Zotit dhe njeriut dhe teorisë së njohjes, gnosticizmit.


MENDIMI DHE EKZISTENCA


Intelektualë të tillë përmbushin virtytet e dijetarit të madh, krijuesit të madh, guximit të madh, vendosmërisë, vetvlerësimit. “Nderimi që unë pretendoj, thekson Gomez për ata që ishin viktima të mosmirënjohjes, nëse jo anatemë e drejtpërdrejtë, konsistonte në qëndrimin besnik ndaj kërkesave të progresit; këta tipa të veçantë janë heronj të mendimit që përjetojnë një energji jetësore shtytëse në momentet më të komplikuara të ekzistencës së tyre dhe mbeten besnikë ndaj idesë dhe përpjekjes së tyre për zbulim. (Tek ne shembulli më i mirë në fushën e shkencës do ishte Prof. Eqerem Çabej, ai ynë që të mos humbiste minutat, e pinte kafen në këmbë; ai që ditën që po vdiste tha vetëm dy fjalë “ Ah që nuk e mbarova dot”. E kishte fjalën për fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe me tetë vëllime. Ku i kishin mbetur etimologjia e fjalëve që përmblidhnin dy gërma të alfabetit)

Gomez Pin në vëllimin gjashtëqind faqesh, kumton se dhuna ndaj krijuesve dhe ideatorëve të mëdhenj, ka qenë e verbër, dhe e dhunshme, sepse autoritetet shtetërore dhe fetare, nuk donin të lëviznin idetë “ortodokse” të pranuara si të pa ndryshueshme një herë e mirë, si të dhëna kostante. Këto mendje “të çakërdisura” të filozofëve dhe shkencëtarëve, bien ndesh me rendin dhe me status quonë e pranuar... Shumë ide të vjetra antishkencore mbahen për inerci të një grupi njerëzish në drejtim shoqëror, Të dyja kanë qenë mure qëndresash të egra e gjakatare deri te zjarri e gijotina, deri te inkuizicioni shtetëror dhe fetar. Eseisti argumenton se “nëse të menduarit mund të çojë në turrën e druve, të mos menduarit mund të paraqesë një kërcënim më të madh“, për shoqërinë. Kur konteksti është i pafavorshëm për filozofët, edhe kur bëhet fjalë për të vendosur midis jetës dhe vdekjes, mendimtarët qëndrojnë besnikë me kokëfortësi. Besnikë ndaj simboleve, gjykimeve, fryteve të ideve. Busullat e progresit shoqëror nuk janë katër anët e horizontit, por idetë transformuese të lëndës dhe mendimit. Oscar Vilde, pasi adhurohet nga shoqëria e lartë e kohës së tij, dërgohet në burgun Reading si rezultat i një gjykimi, pak a shumë të sajuar, që ndjek njeriu i lirë. Është mbresëlënëse shembulli i matematikanit francez Jean Cavaillès, një bashkëpunëtor i Rezistencës gjatë pushtimit nazist, që , më në fund, arrestohet dhe dënohet me vdekje. Kur oficeri gjerman që do ta ekzekutojë e pyet për arsyet subjektive që e kishin shtyrë të ndërmarrë veprime të tilla, ai përgjigjet se, duke pasur parasysh dashurinë e tij për Kant-in dhe Beethoven-in, me qëndrimin e tij luftarak “ai demonstroi vullnetin e një intelektuali të madh se po kuptonte në jetën e tij respektin për mësuesit të tij gjermanë me rrezatim botëror”.

Dhe atëherë, a nuk është të menduarit mjeti më i mirë për ta bërë komunitetin njerëzor, të tashmen e të ardhmen, një vend më pak armiqësor e më tolerant ndaj ndryshimit? Gjithmonë, mendimtari i rangjeve të larta është një martir që duhet të sakrifikojë mirëqenien e tij, madje edhe mbijetesën e tij, në përpjekje të thyejë dogmatizmin që zbulon dhe denoncon me veprat e tij? Dëshmori mund të ketë një kauzë tërësisht të tjetërsuar. Ai mund të jetë martir i bindur i një ideje a ideologjie. Filozofia operon me idetë ose me zbulimet shkencore që nuk pranohet nga shoqëria..

Mendimtarët e mëdhenj të çdo kohe, si filozofë, pranojnë se filozofia nuk shihet si e dobishme, ajo nuk ka të bëjë me arritjen e një destinacioni, as me një performancë. Filozofia nuk aspiron asgjë, ajo kënaq veten. Është në vetë veprimtarinë e mendimit, gjithmonë kundër rrymës, ku gjendet arsyeja e tij për të qenë. Nga vetë individi, i cili i reziston sulmeve të ideologjive dhe doktrinave që ndihmon për të hedhur dyshime, ngrihet liria. Liria intelektuale gjendet dhe realizohet në “mos braktisjen e vetvetes në gradientin e apatisë, përtacisë ose thjesht nihilizmit dogmatik “

Nderimi i filozofëve për Víctor Gómez Pin është, pra, ai angazhim për të menduarit radikal, vendosmëria për të ushqyer kapacitetin e kthjelltësisë mendore, në mënyrë të tillë që , as kërcënimi e poshtërimi, as torturat as dhe vdekja nuk i ndalon në këmbënguljen e tyre. Këmbëngulja e tyre për të vërtetën është heroizëm mendor që bije ndesh jo vetëm me mendësitë pupuliste por dhe me kufijtë e e kufizuara të zbulimeve në shkencë e kudo deri sot. Në mendimin opozitar ndryshe nga e njohura e pranueshme , fshihen parimet e zbulimit progresiv. Në provën gjeneralë të një simfonie në Vjenë, në oborrin e lartë shtetëror, disa muzikanë të njohur deri në atë çast i sugjeruan Bet’hovenit të bënte ndryshime drejt muzikës tradicionale. Asnjë notë nuk do ndryshoj , u përgjigj mjeshtri. Orkestra e Vjenës nuk e luante dot dhe muzikantet protestuan. Mjeshtri gjenial, që e kishte kompozuar në kushtet e mos dëgjimit të plotë, u largua nëpër shi. Ai dëgjonte tinguj të tjerë në kokën e tij e sot, dhe sot, pas më se dy shekujsh, simfonia e tij ( e nënta në mos gaboj), mbahet si perlë e muzikës botërore. Gomez Pin na thotë se të gjithë shkencëtarët e mëdhenj si Albert Ajnshtajni, Alan Turing ose Cato i Ri, janë po aq filozofë sa Niçe apo Descartes.

Të gjitha zbulimet e mëdha shkencore dhe epokale mbi natyrën dhe shoqërinë, artin dhe kulturën, para se të bëhen çështje të qenies njerëzore kanë kaluar pengesa të mëdha. Marksizëm leninizmi-, veçanërisht në aplikimin leninist e stalinian, veç gjakderdhjes në praktikë të qindra miliona njerëzve, teorikisht ishte një aluzion filozofik i gabuar, i mbyllur; ishte një filozofi moniste që nuk pranonte filozofi tjetër deri sa ra e u shkoq nga vetvetja si mendim dhe praktikë e gabuar.

Pra, të gjithë lidershipët e asaj filozofie, duke mos përjashtuar as komunistët e karjerës, kanë qenë në rrugën e gabuar të historisë.

Një qenie njerëzore që, pa hequr dorë nga gjendja e tij shtazarake, hap pyetje të reja në lidhje me jetën shoqërore, etikën, estetikën apo logjikën. Ky pozicionim na bën të pyesim veten, si qenie të gjuhës, rreth perceptimit që kemi për mjedisin dhe rolin tonë në të. Të menduarit na bën të jemi. Mendimi presupozon qenien.

Njerëzit e cektë thonë , ushqehemi, flasim, kemi, pra jemi – jo, thotë filozofi, - është e pa mjaftueshme - ne mendojmë , pra jemi. Mendimi i ri , novatorizmi gjithmonë është i lidhur me ekzistencën. Kjo është arsyeja pse heqja dorë nga të menduarit nënkupton heqjen dorë nga ekzistenca.

Dhe ai “mendim radikal” me të cilin merret Víctor Gómez Pin na lejon të thithim gjëra me ide në thelbin e tyre, dhe siç theksonte Aristoteli, të gjitha qeniet njerëzore, për shkak të natyrës së tyre, preken nga dëshira për të simbolizuar dhe arsyetuar. Kjo është rruga e dritës dhe e lirisë. Por, kjo rrugë nuk është gjithmonë komode, nuk është e lehtë, nuk pranohet gjithmonë. Mendimi, për autorin e Nderit të Filozofëve, nuk i anulon zinxhirët empirikë. Rruga e njohjes është e pafundme. Detyra e krijuesve të mëdhenj është të nxjerrë në pah sa të padurueshme janë. “Vetë prirja e filozofit është në kundërshtim me faktin se mendimi respekton gjykimet e autoritetit ose mendimet e përgjithësuara, pra, edhe bindjet shkencore që nënkuptojnë një kufizim të vendosjes së tij, Filozofi e di mirë dhe, me urtësi dijetari konkludon se çdo individ, “mendimi i të cilit kënaqet me vetveten

ka përfunduar së menduari”.

22 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page