“NUK BËJMË NE KËTU POEZI”


Lindita AHMETI

Lindita AHMETI – “NUK BËJMË NE KËTU POEZI”


Nga GAZMEND KRASNIQI


Është një dukuri te ne, po besoj edhe në mbarë Ballkanin, që të nënvleftësohet, të shahet e të përbuzet poezia nga ata që rëndomë kanë pasur ndonjë kontakt a lidhje me të, qoftë në shkollë, qoftë profesionalisht, po që tash janë larguar në fusha të tjera të veprimit, veçanërisht nga ata që janë futur në politikë nga dera e pasme. Në një shkrim të mëparshëm të botuar në “Lajm” me titull “Mohuesit e bukurisë” u fol për këtë çështje dhe u cekën disa aspekte të saj, aq sa lejon hapësira e rubrikës. Me këtë rast më shumë u vunë në pah disa pasazhe nga kjo pamje e përhitur… Mirëpo mua vazhdon të mos më lërë të qetë pyetja pse ndodh kështu. Pse?

Për këtë arsye “i thirra në ndihmë” Platonin, Andrej Belin, Sen Xhon Persin,Pjer Zhan Zhuvin dhe Ezhen Gilvikun që “së bashku” ta kërkojmë “fajin” e poezisë dhe të poetëve. Ja se çfarë thonë ata për këtë çështje:

Platoni: “Poetët nuk janë asgjë tjetër, përveç se interpretues të hyjnive”.

Andrej Beli: “E tërë kultura ka dalë nga kënga (poezia) dhe nga vallja”.

Sen Xhon Pers-i: “Nga domosdoshmëria poetike, nga domosdoshmëria shpirtërore janë krijuar madje edhe vetë religjionet, dhe me ndihmën e bukurisë poetike, shkëndija e jetës hyjnore përgjithmonë është dhe do të jetë në kuarcin njerëzor”.

Pjer Zhan Zhuv-i: “Poezia është shprehje e lartësive të gjuhës”.

Ezhen Gilvik-u: “Poezia është ruajtje e gjuhës kombëtare, ngjallje e një gjuhe që ka tendencë të sklerotizohet. Poeti e përtërin gjuhën… Pa poetë kombi zhduket”.

Sa të qartë janë këta mjeshtër të vargut, filozofë e eseistë. Sen Xhon Persi vë në dukje se poeti është me mision. Kurse unë do të shtoja se krijimi i vargjeve është misioni më madhështor për shkak se ky mund të krahasohet me ujin me të cilin i ujisim lulishtet. Lulet janë bimë të ndjeshme dhe kërkojnë të ujiten çdo ditë. Vetëm kështu ato çelin vazhdimisht dhe na e ofrojnë bukurinë. Në të kundërtën i pret tharja, pra zhdukja. “Ujitja” te gjuha është poezia. Edhe me këtë krahasim vërtetohet fjala e Gilvikut, të cilën s’e luan as topi.

Populli shqiptar, ndonëse i robëruar me shekuj, asnjëherë nuk ka mbetur pa poetë. Kemi pasur poetë të jashtëzakonshëm popullorë. Ata kanë bërë krijime të çuditshme lirike e epike përmes të cilave është ruajtur gjuha jonë e vetmuar në Ballkan e në Evropë.

Por t’i kthehemi tash pyetjes që e shtruam më lart. Pse përbuzet poezia? Pse? Ç’i shtyn njerëzit të jenë kundër poezisë, kur, siç u vu në dukje, në saje të saj ruhet e shkon përpara gjuha e me këtë ruhet edhe fryma e kombit?

Shkaku i parë pse e shajnë poezinë është se disa njerëz kanë pasur kontakt me të. Ajo i ka joshur. Mirëpo kur kanë marrë t’i hapin dyert e saj e të depërtojnë nëpër thellësitë e bukurisë që i ofron ajo, e kanë parë se shtigjet e saj nuk kalohen lehtë. Prandaj e kanë lënë “këtë udhëtim” e janë tërhequr si ndonjë çun që largohet prej vajzës të cilën s’e pushton dot. Ndërkaq plaga në zemër i mbetet, prandaj kah shkon, vazhdimisht e qet ndonjë fjalë kundër vajzës. Kështu këta njerëz kur orvaten të lavdërohen, thonë: “Nuk bëjmë ne këtu poezi”!…

Shkaku i dytë është se poezia është ana tjetër e përjetësisë e reflektuar në pasqyrë. Njerëzit i ikin përjetësisë se ajo (përjetësia) doemos të çon shtigjeve metafizike, matanëmendore gjë që është punë e lodhshme për njerëzit të cilët janë bërë vrapues të pandalshëm pas profiteve dhe pushtetit. Edhe këta, duke i treguar grumbujt e parave dhe pozitat pushtetare thonë: “Nuk bëjmë ne këtu poezi”!…

Shkaku i tretë është se poezia e pikturon të pamundshmen, bën akrobacione marramendëse me gjuhën dhe si e tillë mbetet e pakapshme dhe e huaj për ata të cilët e kalojnë tërë stazhin duke e analizuar në dërrasë të zezë fjalinë “Bujku lëron arën”. Kur dalin nga shkolla duke u ngutur të shkojnë në çajtore të luajnë domino, edhe këta thonë: “Nuk bëjmë ne këtu poezi”!…

#lindita #ahmeti

11 views

Shkrimet e fundit