Nuk është një detyrë që shkruhet lehtë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 15, 2020
- 1 min read

Nuk është një detyrë që shkruhet lehtë
Fatmir Terziu
… dhe nis të provoj rolin tënd
shkund duart sikurse bishti i shtogut në një shishe boje
imitoj ekzistencën tënde
bëhem një rrugë e shkelur e pashkelur nga sytë
ngre kokën
mbyll këtë kapitull
dhe nis të hyjë në një kolanë zanore
me gishtat të ngjyera boje
nuk ka më kapitull të dytë
mbyll sytë
dhe e provoj ç’marrëzi e hollë më kalon nëpër pore
ku zë fill mosprekja jote,
Fjala dhe vetëm Fjala
shikimi, buzëqeshja, irritimi, heshtja
që endin shekuj në shkrimet e gjata
ku dergjet dhimbja e bërë pluhur
Baba po e nis nga e para,
po e provoj dhe e riprovoj vetë
… dhe nis të ndjej rolin tënd
nuk është një detyrë që shkruhet lehtë.
Të përkëdhelin perënditë
Fatmir Terziu
Të kam dhënë fjalën, do të të zgjoj përditë
heshtjen do ta shtrojmë njerëzisht
nuk i duroj netët e gjata me mbyllje kapakësh
me ngjyrë të lotbotshme
e dua kohën që rrjedh
në thinjat e tua të bëra qiell
do të mbaj mos të të lodh,
dua të të mbaj në buzë, në gishta, në ballë,
besomë do të të zgjoj përditë
do të të mbaj me zë e me fjalë
brenda lirisë tënde ku të përkëdhelin perënditë…
Zot të kërkoj ndjesë! Më fal!
Dylagësi
Fatmir Terziu
Toka është një. E Shtatorit është tokë
e shkrifët,
e athtë … e ftohtë…
më pas cipali i saj zbardhet
dhe durimi gërmon fatin e tij të plotë
itinerari
i mungesës së gjatë në krahë të hirtë
shkruan jetën në dy paralele
në dy tokëra të largëta
dhe zërrat prekin qiellin duke larguar britmat e thata
në dy qytete të lagëta:
njëri nga shirrat e vjeshtës
tjetri nga lotët që i ngjizen letrës…
Comments