Nuk është më ekonomia, janë standartet, mundësitë e të tjera.


Ilir Levonja

Një nga temat që po diskutohet studiove tona, është ajo e ikjes, e emigrimit. Të gjithë i mëshojnë një fakti, për një jetë më të mirë ekonomike. Përpos kësaj qasja bëhet me atë patosin e patriotit që atdheun akoma e ka në kokë vetëm pas mendjes së tij dhe bindjeve politike. Dhe nëse je panelist pro qeveritar emigrantin e përmbledh me vulgaritet, kush e di se çfarë po bëjnë andej, banjot po pastrojnë. Madje këta që janë pro qeverisë, ''patriotët'' ka alergji nga opinionet e emigrantëve rreth vendit, të vërsulen e të thonë, ti kur e do vendi përse nuk kthehesh? Dhe nëse je anti qeveritar, pa mëdyshje që fajin e ka ai që po qeveris dhe shteti i tij. Shkurt si shumë debate që ne nuk dimë t'i zhvillojmë, pasi nuk njohim as bazat elementare të komunikimit, nuk kemi synim problemin në rastin konkret emigrimin, por shoqi-shoqin, ndaj ndërpresim njëri-tjetrin dhe ulërasim aq sa gjithçka kthehet në një gumëzhitje. Po të merremi seriozisht me problemin debati do rrjedhi ndryshe. Në fakt emigrimin si fenomen nuk e kanë ndalur dot as diktaturat me gjithë se ikja atëherë quhej arratisje dhe dënohej si tradhti karshi atdheut. Ne kemi plot viktima që në një farë mënyre janë heronj të lirisë dhe të drejtave të njeriut, ekonomisë së tregut, por këta quhen firo, të tjerë janë ata që vlerësohen. A është ekonomia faktori bazë? Sigurisht që po, një vend që i ka të limitura mundësitë e punësimit është i rrezikuar nga zbrazja. Por me që nuk jemi akoma në vitet 90-të, faktit ekonomik i janë shtuar edhe standartet e jetës. Sot nuk po emigrojnë vetëm të rinjtë, por edhe mosha e tretë. Dhe përse, pikërisht për standartet. Kur themi standart, mos gjykoni kushtet e shtëpisë, por klimën sociale duke përfshirë përkrahjen sociale. A është emigrimi i vështirë, pa asnjë diskutim. A i pastrojmë banjot, pa asnjë diskutim. A bëjmë nga dy a tre punë, i bëjmë. A e humbim vendim e punës? E humbim por gjysma e së keqes mund të gjesh shpejt një punë tjetër dhe pa ndihmën e mikut, partisë, a rryshfetit. A na mungon vendi ynë, sigurisht..., si qeni ngordhim mallit. Shtrydhemi për një kafe me mikun a shokun, por i jemi nënshtruar fatit. Në një farë mënyre qe zgjedhja që bëm. Dhe kur shikojmë shkollën, ambjentin a programet mësimore, mundësitë për fëmijët, i harrojmë të gjitha. Por a jemi edhe ne të kërcënuar nga problemet sociale këtu, pa gjumë rrimë, syrin tek rruga e kemi. Megjithatë standarti, fakti që kemi të drejtën të votojmë drejtorin e shkollës, të votojmë se si do shpenzohen fondet e shkollës e kemi me shumicë. Nuk na sjell partia në shkollë drejtor me teserë, por profesionistë të arsimit. Si emigrant që jam kam hasur në shumë versione, mbaj mend që më thoshte dikush pasi kishte mbaruar punë tek doktori, më mbetën sytë tek duart e mjekut, t'i jepja ndonjë gjë se kështu jemi mësuar. Çova buzën në gaz se vija vetë nga ajo mendësi. Megjithëse mjekësia është e kushtueshme, por të paktën këtu thuhet se si është. Dhe kur nuk ke ta paguash nuk të lënë të vdesësh, kanë ato përgjegjësi që duhet t'i përjetosh se nuk i kupton kurrë kur i thua, sidomos shtresave me mendsi nga mjeksia falas. Hapje të skaduara nuk të shesin etj. Ka plot që marrin prindërit jo vetëm për t'i patur pranë, por pikërisht për këto standarte, pasi edhe kartat ushqimore që përfitojnë janë me vlerë valutore më të lartë se pensionet e tyre. Megjithëse plot prindër këto karta valutore i marrin edhe aty ku janë, përmes western unionit, prapë predikojnë vendin që nuk i jep bukë mjaftueshëm, qeveriun e dështuar dhe ia vënë fajin kurbetit. Eshtë alarmante si psikozë por është e jona, e prindërve tanë dhe duhet të jetojmë me 'të. Po a mund të ndikojnë qeveritë aty, sigurisht që po, por kush e ka mendjen. Për veten i kanë të plota si ekonominë dhe standartin e jetesës, megjithëse kanë krijuar një shoqëri që qytetari e ka konceptin se vetëm shteti mund ta shpëtoj dhe trajtoj me dinjitet, jo privati. Kurse bota ka bërë të kundërtën. Pra veç faktorit ekonomik, emigrimit i janë shtuar edhe standartet, por edhe liria e fjalës a garancia e jetës deri sa akoma rregjistrohen qytetarë si azilantë politikë. Gjermania, Suedia, Anglia, Amerika dhe Kanadaja, janë vendet më të kërkuara. Përse sepse është ekonomia por edhe standartet, mundësitë, dinjiteti, pasaporta.

13 views

Shkrimet e fundit