top of page

NOVRUZ ABILEKAJ DHE POEZIA E EKZISTENCËS


PIRRO LOLI




Poeti para së gjithash është vullnet


Njeriu që ndjen në vetvete se ka diçka për të thënë provon të hedhë në fletoren e tij vargjet e para. N. Abilekaj ka filluar të shkruaj që në vitet 60` dhe vazhdon të shkruajË edhe sot në moshën e tretë. Kjo qe një befasi për mua dhe tani them, pa u gabuar, se poezia i ka shërbyer edhe për të “ruajtur veten” nga rrezikshmëria e viruseve agresive. Për qenien dhe artin. Sidoqoftë, një farë vaksine.

Në këtë prizëm dua që t’i analizoj sadopak këto shënime rreth poezisë së tij që e shoh si poezi të ekzistencës. Gjithsesi, atëherë dhe tani, plot nerva e dilema për qenien, punën dhe poezinë. Në poezi koha vrapon siç vrapon kujtesa, aq sa në fund harron që kishe për të treguar një histori. Mesazhi poetik që nuk shpaloset i bashkon hapësirat. Madje edhe pas vitesh me një mesazh tjetër....1973/Linda në mesnatë/kërkova një rrugë, /ndoqa një yll. /Ylli ish partia. 1989 /Rruga m’u fundos/Ylli m’u dogj në ajër, … qe i tjetrit...( Poezia e tij mbetet dramatike në të gjithë shtrirjen kohore shumë vjeçare. (Kjo është vlerë, sepse dramatike mbetet vetë shoqëria shqiptare, që akoma sikur tani ka ca javë që ka dalë nga pelenat e kuqta.)

Po ndalem më tepër te poezia ”Varka përtueshëm rrëshqet”, se më duket se kemi të bëjmë jo vetëm me ekzistencën e qenies, por dhe të poezisë.

Poeti, (perifrazoj) rrëshqet përtueshëm në barkën e vet lodhur dhe i menduar, ndërsa flladet e shkuara i përkundin gjethet e kujtesës. Dhe i zgjohen lastarët e shpirtit, përtërihet e ëndrrat i ndriçohen nga një dritë e zbetë. E shkuara e poetit mbushur me kujtime ka korsinë e vet. Ai rijeton, ngjallet vetë bashkë me kujtimet, E rreth e rrotull hapen rrathë dhimbjeje, degë të thara e trungje të kalbur. I kanë ikur të dashurit e mirë e bashkë me ta dhe zemra e tij. Por ata janë, hije, hijet e shpirtrave. Afrohet t’i prekë, t’i puthë, nuk e trembin, fantazmat, nuk e ftohin, ata i njeh mirë, i ka mbartur thellë vetvetes. Të gjalla. Të vërteta. Dhe i sheh drejt e në fytyrë ato, të paharrueshmet kujtime, të bukurat, dhe lulnajat e vyshkura dhe vrasjen e tërndafilëve, ato, që kishin pushtuar fuqishëm rininë e tij. E tani kujtimet i gjejnë portat hapur dhe harbohen. Kishin komanduar jetën e tij. Por nuk u thuri këngë, edhe se zemra kishte vargje, por një vrimë e zezë tingujt i përpinte. Ç’qe kjo vrimë e zezë? Një ndrydhje intelektuale!? E çuditshme disi. Unë e besoj. Sepse veten me tepëri e desha. (i) Ky sinqeritet është karakteristikë e krejt poezisë së tij. Kujtesa dhe harresa janë pleq të moshuar dhe shpesh bëhen të pa deshifrueshme për gjykim. Mua më duket se njeriu nën diktaturë është qenie nën neurozë. Si e tillë, njeriu shqiptar e kishin të pamundur të vepronte me vetveten sepse kjo (vetvetja) nuk ishte e tij. Në një kohë tjetër, kur, të paktën, ke fituar lirinë e shprehjes, të mos kesh guxim të flakësh atë vetvete që s'ishte jotja, do të thotë se ty nuk të takon liria edhe më tej kufijve të shprehjes. Poezia është elementi më i sinqertë për të bashkuar e atakuar kohët. Nokja i njeh të dy kohët dhe në të dya kërkon dhe zhgënjehet (Zhgënjim)/Ngjit një shkallë,/edhe një, /me mundim./Bëj ta kap,/më largohet,/qielli im.


Noke Abilekaj

Poezia është elementi më i sinqertë për të bashkuar e atakuar kohët. N. Abilekaj është Intelektual që nuk u shmanget të vërtetave e, kësisoj, nuk trembet nga rrëfimi, pendesa e përgjegjësitë që ka pasur ose ka. Ne, të gjithë, njeriu postdiktatorial, e ka të domosdoshëm ballafaqimin me vetveten, e, kur është i sinqertë, ai është më i lirë dhe poezia e tij e ngre në nivelin e shembullit dhe të virtytit.

Poezia të detyron t'i njohësh dhe t’i shkelësh mëkatet d.m.th të çlirohesh. Njeriu i çliruar nuk e ka frikë as rrëfimin as gjyqin. Më duket se qëndrimi i një pjese shqiptarësh, me apo pa kapele, akoma ruajnë një nostalgji për meritat e shkuara, dhe regjimin diktatorial; kjo s’është asgjë tjetër veçse sklerozë ideologjike, që vonon dhe pengon qarkullimin e gjakut edhe në shoqërinë e re.

Poeti “i sotëm”, jo vetëm Abilekaj, mbetet inspirues i poezisë së ekzistencës, poezisë dramatike, por gjithsesi më i lirë për t’u shprehur. Dhe si gjithmonë me sy kritik. Te “Hëna ime ndriço”, është njeriu shqiptar, halleshumi, ndërsa poeti në rrugën e tij të dinjitetit që, nga zhgënjimet e yjeve, nuk e ka ngrohur e ndriçuar as dielli, tani kërkon kompesime te hëna. Nën dritën e zbetë të saj, ai kërkon të shohë korbat, grabitqarët, rruzullin e zi, katranin... më ndriço, o hëna ime ... apo nuk kam as hënë(?!) No koment. Lëreni poetin të kërkojë dritën në çdo grahmë të jetës së saj. Lereni të kullosi edhe nëpër “lulet e së keqes”. Ai është poet. Ekzistenca e tij poetike shpesh ka shumë dhimbje. Zogu i blertë i shpresës çukit e çukit kafazin e zemrës sime: Ciu, ciu, kthehu! / Ciu, ciu kthehu! Unë iki ..... Lufta për ekzistencë poetike është e përhershme. Dhe nuk ka fitore. Shpesh poeti e sheh veten para pasqyrës dhe gjithmonë, diçka nuk i pëlqen. Nëse ndonjë kokërr loti prej gëzimit i ndizet përbrenda, shpejt fiket për t’ua lënë radhën pikave të dhimbjes që shkasin faqeve pa kuptuar e kështu nxitojnë të shohin fytyrën e asaj që mungon duke mbetur vragë e hollë prej bryme mu në mes të shpirtit.

Kënaqësia estetike e poezisë është kriteri themelor i poezisë. Shihet te poezia e Nokes se kjo nuk është qëllim në vetvete, përkundrazi, shpesh arrihet në kundërshtim me të bukurën. Kjo, jo vetëm si ndjesi por më shumë si efekt shpirtëror në përballje me të njohurën logjike. Një lexues i vëmendshëm vëren se këto poezi kanë veshur këmishë pikëllimi. Ka dhimbje në vargjet e N. Abilekajt, ka zhgënjim fatalist, dëshpërim dhe dilema plot. Te “Ku je, o Zot”, poeti synon të mbështetet te misteri i padrejtësive hyjnore, sepse s’ka tribunë të tjerë ku të drejtojë shigjetën, (fjala vjen ndonjë kryeministri a kryepeshkopi) e, sepse vetëm me këtë shkak, “kuptohet dhe justifikohet” e keqja kozmike. Kjo ironi e hollë sfidon krijuesin, dhe në fund e përforcon më tepër sfidën e tij sarkastike kur i lutet, “Zot, bën një njeri tjetër’’ ...

Natyrisht kjo dhimbje dhe në poemat e mëdha e kanë efektin e shkurtër në kohë. E kjo vjen edhe si keqkuptim i vetë funksionit të poezisë. Sepse nuk pritet prej saj rregullimi i botës. As i njeriut as i Zotit. Për të pranuar këtë, estetë të mëdhenj janë shprehur se, efekti përfundimtar apo tërësor, është asgjëja. Kjo i trishton poetët, por jo ata që kanë diçka për të thënë e të ndriçuar ndryshe shpirtin e njeriut. Pasioni, forca emocionuese e poezisë bëhet bindëse e frymëzim shpirtëror për shpresë, paqe e dashuri. Efekti pragmatist vërtet është fiktiv, por, ama, në këtë bibliotekë kaq të pasur të poezisë botërore, askush nuk dëmtohet nëse, unë dhe N. Abilekaj, i besojmë poezisë dhe e marrim për të vërtetë duke e vendosur në vitrinë si relikën më të vyer të shpirtit njerëzor.

N. Abilekaj poetizon shkurt. Efekti poetik i tij është i atypëratyshëm. I shpejtë, por ky efekt, pas fundi të poezisë, kërkon dhe mendimin tjetër, për ballafaqim, lexuesin që po na rrallohet tmerrësisht. Mesazhi i tij, diku direkt e diku i fshehtë, mbetet si një gjurmë e dukshme mbi dyllë. Fryn shumë erë jashtë, o Noke, retë nxitojnë me një dritë të rreme ... Ja, fluturimi i bukur i patave në qiell i pikëzuar aq bukur instinktivisht, diku ranë sikur i përplasi era në një re dhe humbën nga sytë, por ashtu e kështu, mos u trishto, ka dhe yje planetarë mashtrues që zhduken e digjen vetiu, pa gjurmë.


E VËRTETA POETIKE


E vërteta është objekt në çdo dije. Edhe në art. E bukura e vërtetë gjithmonë ka ngacmuar trurin e njeriut, e ka mbushur gjoksin e tij me ngazëllim. Por vlerat e poezisë së vërtetë shkojnë në drejtime të tjera dhe, kur nuk kuptohen e respektohen kufijtë, siç ka ndodhur pothuajse në krejt faqen e shekullit tonë letrar, rezultatet trazohen në të vërteta jo poetike. Poezia shqipe është e përmbytur me të vërteta të tjera - gjithsesi të domosdoshme për kohën (gjatë dhe pas Rilindjes). Por të vërtetat poetike kurrë nuk bëhën armë, as pjesë e ndryshimeve dhe e mungesave që ka njeriu dhe shoqëria. Ndërkohë shtrohet pyetja “A ka të vërteta poezia?

Po, përgjigjemi, menjëherë. Ka të vërtetat e shpirtit që gufojnë vrullshëm nga brenda qenies poetike, burim i fisnikërisë njerëzore. Për realizimin e saj kërkohet talent, punë, rreptësi, saktësi fjale, rrjedhshmëri gjuhe. Kjo e vërtetë ndryshon nga morali, detyra dhe dobia, në të kundërt do përziheshin lëngje të cilësive të tjera, logjikisht të pa përzishme midis poezisë dhe së vërtetave të tjera si kategori tjetër. Kështu poezia dëshmon një farë mishërimi hyjnor. Kur mënyrat magjepsëse të poezisë njomen me lot, afrohen mundësitë e njeriut për të arritur një stacion të dëshiruar, shpirtëror - që përgjithësisht realizohet prej dhimbjes, trishtimit, të pamundurës ose asaj që nuk thuhet por ekziston brenda nesh midis rreshtash. N. Abilekaj është poet ironik. Vetëm me të dashurën nuk ironizon. Si te “ Çast tjetër është pendimi” ose “Një klik kërkoj”. Në ndonjë poezi si te “”Mirënjohje”, ironia bëhet cinike aq sa, lexuesi duhet t’’ia ndërrojë titulin, nga “mirënjohje”në “mosmirënjohje”. Lexo deri në fund! (Greqi,/bija e zgjedhur e Zotit,/mikja e detit dhe e qiellit,/kurm-stolisura nga mijëra ishuj margaritarë,/porta e diturisë, e demokracisë, e filozofimit,/jeta ime e rikthyer. /Faleminderit! /Pres të më thuash edhe ti,/sot, mot, në shekujt që vijnë. /PRES.

E vërteta si koncept filozofik është kënaqësi e arsyes; e vërteta poetike – fjala vjen, zërat e ëndërrës, rënkimi i pyllit, kënga e zogut, loti i dallandyshes, dielli qafëprerë, vrapi i trendafilit, kali i zëmërimit etj. Pa fund këto, nuk janë elemente të arsyes, por ambrozë që ushqen shpirtin njerëzor, ose poezinë si esencë i virtyteve të fuqishme.

Poezitë e kujtimeve te ky autor janë gjumi i të vërtetave që shohim në ëndërrat tona – atje shohim shumë absurde, dyshime, ujqër, femra të bukura. Dhe të gjitha këto tregojnë se poeti jeton me projekte të bukura, dëshira, por, ish një kohë e frikshme, kur as vetvetja nuk ishte jona dhe veçanërisht njeriu poet e artist ishte inekzistent. Poezia është jetë imagjinative, demonstrim shpirtëror që kërkon të dalë, të shfaqet, megjithse duket sikur nuk duam të zgjohemi; është gjumi i i dëshirave dhe i të vërtetave të parealizuara.

Fantazia e braktisur nga arsyeja prodhon ëndrra të frikshme, e bashkuar me të bëhet nëna e artit dhe zanafillja e mrekullive, pra mbetet të pranojmë harmonizimin midis të vërtetës dhe imagjinatës, e, pse jo, poezinë e gjithkohshme të autorit që nga vargu i parë, kur trokiti me sqepin e hollë për të hapur një vrimëz në lëvezhgën e vezës së vet. Abilekaj në poezinë e tij mëton të bëjë skanerin e njeriut të përfytyruar- pozitiv a negativ, që e dëshiron por, tani kjo nuk ka rëndësi.

Ç’vlerë ka violia ime (e tij )sot , kur në amshim flenë dashuri që këngën meritonin”.

Sidoqoftë ai ruan hijet, meloditë që nuk i këndoi; i ruan si bizhutë e vyera për një kohë me diell më të sinqertë.

Poeti para së gjithash është vullnet, dëshirë për ta shfrytëzuar dhe shpallur thesarin e tij intelektual që zbulon te vetja. Ai me poezinë e tij aspiron të emocionojë, të trazojë, provokojë, të yshtë të keqen, për të gjetur enigmat e botës e, për këtë bën edhe lidhje të shkurtër duke e djegur qarkun. Poezinë më shpesh e derdh në letër humbja, disfata, vdekja. E vetmja ambicje për të bërë, është e mjaftueshme ta vrasë atë. Ndërsa shkruan për jetën, për atë që i mungon asaj. Ky akt nuk është fatalist. Disi solemn, por dhe guxim krijues i sinqertë dhe autokritik,

Ëndrrat e përcaktojnë rrjedhën e kohës për mirë a për keq, s’ka rëndësi, prandaj gjithmonë ka vend për poezi që thirret t’i zbutë brigjet e moskuptimit të njeriut. N.A. nuk ka frikë nga zvetënimi i fjalës ose mizerabiliteti i njëkohshmërisë. Ai nuk trembet për të zbritur në kufijtë e errët të vdekjes, ku shpirti i njeriut ndrit më tepër se njeriu që ka përballë. Ai e shpërndan vetveten në vete të tjerë. Dhe mbrohet me formën e poezisë, që duhet thënë, se preferon më tepër fjalën e saktë, në vendin e vet, vargun e lirë, ritmin para rimës tradicionale. Ai shfaqet si poet me thellësi mendimi. I pëlqen të gërmojë, të notojë dhe të zhytet thellësive; ai e di mirëfilli ku fshihen yjet e detit dhe delfinët e urtë. Ai e di ku Burojnë përjetësisht krojet, / ujërat tatëpjetë rrjedhin, rrjedhin, përjetësisht./… të gjitha janë atje, në vendlindjen e tij.

Ka poezi që i përkasin dhe psikës intelektuale dhe subkoshiencës.; dukuri që ndeshet kur kufijtë e botës lëndore pleksen me botën e ëndrrave . Këto dy elementë i strehon dhe në një dhomë; lënda agresive ose eteri shpirtëror shoqërojnë njëri-tjetrin dorë më dorë, si trup e shpirt në një njësi unike, pa i ndarë kufijtë. Megjithëse trupi paraqet gjithmonë pengesa duke u shtrirë dhe në baltë, ndërsa poezisë nuk i pëlqen të eci më këmbë. Edhe këto dy njësi janë kaq unike sa dhe të kundërta. Poezia synon lartësitë për të gjetur atë vendin, ku metafora dhe të gjitha figurat e tjera do të rreshtoheshin drejt absurdit. Këtë fenomen, N. Abilekaj, nuk e ka problem, i mjafton gjahu i tij, ajo copë tokë pjellore me “tapi” të sigurta ku mund të mbjellë zemrën e tij pranë një ulliri shekullor që ka në oborr.

Ah, kjo ditë e verës” një poezi nga më interesantet kjo, ku autori nuk ka të bëjë me gëzimin dhe festën e verës si për të gjithë njerëzit që e dëshirojnë. Poeti zhbiron ndryshe. Dielli i paska zbuluar misterin, i ka zhdukur retë, i ka shkrirë borën, i ka lëmuar relievin, erozioni i (më zbuloi dhimbjet për ata që desha dhe nuk i kam) ... më shkurt, akuza: “më zhvokshe unin”, dhe kështu pa mister, nuk jam poet.( këtë e them unë,(P.L.) Bukur deri këtu. Origjinale. Dhe poezia duhet të mbaronte këtu. Konseguente me misterin. Pa kompromis me diellin.

181 views5 comments

5 Comments


Dhimiter Xhoga
Dhimiter Xhoga
Apr 16, 2022

Se pari urime dhe faleminderii nderuar Pene sjarti Piro Loli sa ne percillni kete shkrim me te mirin Nuke Alibeaj sjelle,bere te jetoj me Vitet nisur ne Athine,ate emigracionin e pas 90te te detyruar...Si e dini-jam 86 vjecar, Bir i *Dangellise Naimjanen*sa dhe emrin sot e 18vjetert, te afertit dhe dashamiresit me theresin *Guri Naimit*D.Kam fatin e madh nje jete,nga nxenes-student, sa vite Mesues,dhe ne EMIGRACION-nga Athina ne Toronto te Kanadase,me te tiilla PENA te afirmuara si; Piro Loli, Noke Alberaj,sa me te rinjte,Robert Goro e Alber Zholi,me shoke e shoqe,njohur ne Athine,nxenes i tyre une,anise me ne moshese ata,,une sot ne Toronto,me Ilir Lenen ne Tv. *Pasqyra shqiptare*e, Pr. i nderuar Vangjush Ziko,me vellimet e tij, apo Pr.Farmaciste -Ru…

Like

Prof Dr Eshref Ymeri

I dashur Pirro,

Ju kujtoj me respekt që asokohe kur ishit student. Urime nga zemra për analizën mjaft profesionale që i keni bërë krijimtarisë poetike të poetit të talentuar Novruz Abilekaj. Poezia e tij, lexuesin e kujdesshëm e fut në përsiatje të hella. Sepse Nokja është një poet me zemrën prush.

Edhe një herë urime të përzemërta për esenë tuaj mbresëlënëse, urime me gjithë shpirt Nokes për krijimtarinë e tij poetike plot afsh emocionues.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 15 prill 2022

Like

sotir.mimi
sotir.mimi
Apr 13, 2022

Xingografia:

Në "Stacionin e bukur", ku është Pirro Loli dhe Prof.Dr.Fatmiri, afrohem dhe unë të dëgjoj ç'thuhet për poezinë e Ekzistencës nga N.Abilekaj dhe solidarizohem me vërtetësinë si dhe ngrohtësinë e gjykimit të tyre!

Xing./Athinë.


Like

Një stacion i bukur dhe i merituar. Të lumtë Pirro Loli! E bukur e tëra.

Noke Abilekaj, para çdo gjëje, është një poet i dashuruar me pasion pas gjuhës.

Ai është plotë art!

Like

Noke Abilekaj
Noke Abilekaj
Apr 13, 2022

Pirro Loli, më bëre të besoj se kam arritur të thur edhe unë poezi. Njëqind të tjerë ta thoshnin nuk do i besoja. Faleminderit!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page