Eh, çfare begatie kemi pas në socializem! Lere, lere...! Më mbushen syte me lot kur e kujtoj! Aq shume më ka marrë malli për atë kohë, sa, ç’tju them! Katundin tonë të lavdishëm, Kastriotin, e pat mbytur bollëku. Se, që ta dini ju, edhe bollëku të mbyt, të merr frymën kur të mbulon. Merreni me mend: kishim stallë lopesh, stallë delesh si dhe stallë pulash! Të gjitha i kishim! Vërtet qumështin, mishin, leshin, vezët e të gjitha, i dorëzonim në shtet, ama ishim të lumtur, sepse tek e fundit, stallat ishin prone e jona e përbashkët; dhe ne krenoheshim me gjithshka kishim e nuk kishim! Duhej të krenoheshim, sepse vetëm kështu gëzohej partia dhe fort i dashuri, shoku Enver. Po mollët?! Ah! mollët e Kastriotit! Edhe në ëndërr më shfaqen. Aq shume mollë ka pas në Kastriot, sa nuk i transportonin dot maunet, ndaj dhe kalbeshin. I kapte bora në parcela, por ne i mbulonim me kashtë, që të rrinin ngrohtë se na dhimbseshin. Dhe linin aty një roje si punë katili, që po t'i afroheshe, të merrte për diversant dhe të gjuante me gurë. Ku shkonin ato maune të ngarkuara me mollë Kastrioti?! Ca eksportoheshin jashtë, ca të tjera, drejt e te Blloku ku jetonin, hanin e dhjesnin shokët e byrosë politike. Por edhe ne hanim, që c'ke me të! Pse jo?! Për atë zot, hanim! Mbaj mend, që në dyqanin tonë shiteshin thela molle! Thela, të medha, mesatare dhe të vogla; pra, diçka si hazerllup, - mbetjet nga mollët gjysëm të kalbura. Që populli i Kastriotit të mos lodhej duke i prere me thikë, na i prisnin vetë. Mjaft ishte lodhur populli duke u shërbyer. Kjo ndodhte, sidomos, një ditë para festës së vitit të ri. U hiqnin kalbësinën dhe ia shisnin popullit te Kastriotit me 6 lekë kilogramin. Dhe atë ditë kënaqeshim me thella; hanim për gjithë vitin. Dhe, o zot, kur e kujtoj! Çfarë rregulli ka pasë! Kur vjelëset e mollëve linin punën, brigadjeri u kontrollonte torbat e bukës se mos kishin fshehur aty ndonjë kokërr mollë. Dhe ashtu duhej, sepse ato gra, qenë llupëse te mëdha, nuk ngopeshin kurrë edhe pse kishte plot. Pastaj, përse të vidhnin derisa paguheshin shumë mire? Me pagën e një dite, punëtorët e fermës mund të blinin, jo shaka, por dy bukë gruri; njërën për vete, tjetrën për vëllain kooperativist. Ky vëllai kooperativist, kur realizonte normën duke hapur kanale me kazëm e lopatë, e kishte pagën 100 pikë. Këto njëqind pikët, pushteti t’i kthente në lekë! Dhe 100 pikë, bënin tridhjetë lekë të vjetra, ej! Sepse edhe puna, asokohe ka qene bio. Bëhej vetëm me kazëm e lopatë, nuk ka qenë e manipuluar me teknologji, prandaj paguhej mirë. Ju ndoshta keni harruar, por një buke misri kushtonte vetëm tridhjetë lekë të vjetra. Dhe, merreni me mend: ato tridhjetë lekë, fshatari nuk i merrte për një muaji si në vendet kapitaliste, por i merrte vetem për një ditë. Dhe t'i merrje kaq lekë vetëm në një ditë, nuk ishte pak. Apo jo? Aq e shijshme ishte at'here buka e grurit, sa katundari ynë e shtynte bukën e misrit me bukë gruri. Por ne, si ne! Ndonëse mes bollëkut, prap nuk na rrinte bytha rehat, sepse vidhnim! Vidhnim sa i luanim fenë! Të gjithë pa përjashtim vidhnim. Nuk vidhnim për të vënë kapital, ej! Vidhnim, thjeshtë se na hahej! Çudi, si na hahej kaq shume asokohe, xhanëm?! Të merremi vesh: kjo vjedhje, ishte si të vjedhësh për sport, për hiçgjë, vetëm sa për tu turpëruar para partisë dhe të dashurit shokut Enver!. Edhe pse e dinim, që të vjedhësh nuk është një gjë e mirë, ne prap vidhnim! Nuk di pse e bënim! Ndoshta e bënim ngase na pëlqente të turpëroheshim, se nuk kishim arsye tjetër për ta bërë. Kur na kapnin, na gjobisnin, na vendosnin fletrrufe; si dhe na diskretitonin në mbledhje si hajdut para popullit tonë kryehajdut. Dhe fill pas diskretitimit, ne bënim menjëherë aotokritikë. Kurse anëtarët e partisë, shkriheshin me popullin, shkriheshin dhe ngrinin prapë. Shumica kishin pak bark si shenjë dallimi. Këta gjithmonë flisnin të parët; dhe pas tyre, të gjithë, pa përjashtim, ishin dakort me parafolsin. Parafolsi në Kastriot, ka qene sekretari i partise, shoku Rushit. Edhe sot i kemi parafolsit si at'herë, por sot, të paktën u a futim ndonjë te sharë në shtatë breza. Po ata e kanë lëkurën e trashë. Nuk u bëhet vonë. Tani, kur e kujtojmë atë kohë, na kap nostalgjia; një nostalgji për heroizmin tonë të asaj kohe, për ngadhnjimin; për punën me vrull revolucionar e jetesën roje nate te grumbulli i misrit në arë. "Pa, pa, pa...”! ia bej une nganjeher me vehten time kur më kap nostalgjia, " sa i bukur pat qenë ai xhumleku i sfungjerit, që ia mora kusheririt tim uha, që të shkoja e të konkuroja në Tiranë për tu futur në Akademinë e Arteve! Ashtu xhumleku nuk ka tani, sepse nuk ka as karrocjerë tregëtie. Vetëm ata mund të ta gjenin nje xhumlek te tille kaq te bukur me vija, e të ta jepnin fshehtas, nën dorë, siç jepet sot droga. Pastaj, lëre-lëre, kur më kujtohet çfarë të shtymje kam bërë unë kur preva biletën e autobuzit për Tiranë! Jam krenar kur e kujtoj, sepse ia theva hundët një xhaje duke e shtyrë me supe e me bërryla për t'u futur te sporteli. Ai xhaja, qe ngordhalaq, nuk e preu dot biletën atë dite, une po! Lere, lere, sa i forte kam qenë asokohe. I fortë si një kalë. Eh, çfar malli më ka pushtuar tani për socializminr! Çfar nostalgjie më ka zenë! Ka qenë tjetër kohë atëherë, besoni. Dhe ne, të tjerë njerëz, gjithashtu! Ishim të gjithë të rinj, pavarsisht viteve që mbanin njerezit në kurriz: njeriu i ri socialist. Në mbyllje, dëshiroj t'ju rrëfej një episod, që përbën, si të thuash, sekret popullor; pra, nuk dua ta marrin vesh pushtetarët e asaj kohe, që ruanin në syrtare sekretet shtetërore. Nejse... Kur mbarova studimet në Akademinë e Arteve, vajta të bëja ca lekë në Greqi. Jo se nuk kisha, por sepse kështu jemi ne! Nuk ngopemi, jemi tahmaqarë të mëdhenj! Vajtja në Greqi, nuk qe me avjon, as me makinë, por qe me këmbë. Madje, as me këmbë, por me stërvitje taktike; diku të perulur siç ecin kaçakët; e diku, duke u tërhequr barkas si zvarranikët, sepse në një përrua të thellë, hasëm një kufomë. Një i ri, i vrarë dhe i pavarrosur, që po e hanin mizat! Pas kësaj, bashkudhëtarit tim, iu fiksua se do ta gjuanin ushtarët me snajpër. Dhe filluam të zvarriteshim barkas, derisa na u rrujt edhe leshi nga fërkimi. Po nuk e bënim nga frika, jo! E bënim, vetëm sepse nuk kishim qejfë të vdisnim e të na hanin mizat si atë djaloshin në atë përrojin e thellë. Më në fund, edhe pse na mori rruga shtatë ditë ngase nuk dinim nga shkonim, ia dolëm të hynim në tokën helene, pa na gjuajt me snajper ushtarët. Filluam punë. Vilnim ullinj në Zakinthos dhe paguheshim mirë. Për çdo ditë, kur hanim, afendikoi na sillte dy litra verë, një pagure me vaj ulliri si dhe mish ose peshk me shumicë. Ai nuk e bënte pa qëllim. Donte të na vdiste. Po ne i përlanim të gjitha dhe nuk na gjente asgjë, sepse kishim krijuar imunitet, që nga bollëku i socializmit. "Pini vere sa te doni" thoshte ai, "vetem mos e teproni se do bini nga ulliri". Ne nuk i besonim asnjë fjalë grekut! E dinim, që greku është i pabesë, ngase kishim dëgjuar atë historinë me kalin e drurit. Mirëpo kishim një hallexhi me vete, që na u mërzit aq shumë, sa pa u bërë java, e mori malli për atdheun dhe deshi të kthehej në Shqipëri. U mërzit pikërisht për shkak të ushqimit. E quanin Emin. Gjithë jetën nuk qe ngopur as me buke ky Emini. Edhe pse ishte rritur mes bollëkut, socialist, nuk ishte ngopur ndonjëherë! "Çfarë ke Emin, që je i mërzitur", e pyeta. Emini shau njëherë grekerit si nëpër dhëmbë, - sepse nu ia mbante të shante me zë të lartë, - pastaj tha: "Nuk hahet ky ushqimi i tyre, jo! U dogjëm për një domate turshi, për një spec me gjizë, për një gotë dhallë të thartë e për një lëng hoshafi." Dhe unë kuptova, që nostalgjinë për socializmin, Emini e kishte ku e ku me të madhe se unë. Atëherë, që të mos ikte, ne e lidhëm fukarain me litar pas një kunji, siç lidhet gomari. “Po rri vetëm për hatrin tuaj” tha Emini. Dhe na u lut ta zgidhnim. Edhe pse e zgidhëm, ne i rrinim me roje, sepse e kuptonim, që Emini, sa nuk po plaste nga nostalgjia për socializmin. Eh, ç’na përmalli socializmi edhe pas tridhjetë vitesh! Lëre, lëre!
top of page
bottom of page
Comments