
S’di nëse hija e puthjes së parë
jeton akoma tek vreshti rrezë malit,
ti faqet i kishe prush si luleshtrydhe
dhe unë harenë çapkëne të të marrit…
I kam në sy flokët e pa krehur
ngatëruar nga puthjet dhe përqafimi,
Ti ndjeve lumturinë e një fruti që piqej
dhe unë burrërinë që të ngop blerimi…
Çaste ku vitet ngatëronin ëndrrat
dhe qeshjen tonë e dëgjonin orët.
Ti si rrush i pjekur me shpejt se sa koha,
unë djalë fshati që njihte veç mollët…
I dua hardhitë dhe rrushin shijoj
me gjethet e tyre fshiva lotët e tua
Aty u ndjeva burrë, pa qënë i rritur
ti lule pa çelur, që u bëre grua…
Kërkoj atë shijë si raki të fortë
tek ndryshken vitet si metal nën ujë.
Tani ti je gjyshe dhe këndon ninulla
Unë mes kujtimesh,shaluar një rrudhë…
Tetor 2020