“Nora e Bukur” në arkivat britanike
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 26, 2020
- 8 min read

Prof Dr Fatmir Terziu
Në vend të hyrjes
Ndërsa vazhdoja kërkimet në arkivat britanike, katër vjet më parë ndesha në një shënim të shkurtër të një franceskani irlandez, që shënonte një emër tipologjik ballkanas, të lidhur me Shqipërinë. Emri më shtyu diçka nëpër mend, ndoshta kjo thjesht nga një email, një komunikimin me një mik, tashmë në duart e Zotit, me një mik të paharuar të letrave. E mora në shënim emrin dhe më pas i bëra kërkesë me shkrim, atëherë, të ndjerit të letrave shqipe, Daniel Gazullit, i cili më tha, se për këtë kishte komunikuar edhe me Timo Mërkurin, kur ata shkëmbenin bashkë mendime të ndryshme miqsh të letrave. Ishte fjala për Aleksandër Sirdanin, njeriun që kompletonte një figurë sa të mahnitshme, por edhe të mistershme mes zverdhërimeve të historisë. Ai ishte Teolog, Folklorist, Etnograf, Publicist.
Lidhja arkivore
Arkivat britanike tashmë më kishin dhënë ndihmën e parë. I lindur në Gurës (Milot), në kohën, që ende sundonte Perandoria Osmane, më 1 mars 1891, udha e tij do të ishte e ndjeshme dhe do të udhëtonte deri sa ai arriti të quhej Dom Aleksandër Sirdani SJ. Ai mbeti gjithnjë një shqiptar i devotshëm, dhe kurrë nuk e harroi vendlindjen e tij, Bogën e Kelmendit. Daniel Gazulli, pastaj ndoshta më shumë për të mbështetur atë që kisha gjetur, më shkruante se atë e quanin edhe Lekë, ndaj ishte mjaft e vështirë të hulumtoje vetëm me një emër për të. Kështu kërkimet i vazhdova jo vetëm për Aleksandër Sirdani, por edhe për shkurtimin e emrit të tij Lekë.
Kështu menjëherë më doli përpara “Nora e Bukur”, nën emrin Aleksandër D. Sirdani, e shkruar dhe botuar në vitin 1942 në Shkodër. E kërkova dhe ekzemplarin e saj të vetëm e gjeta në British Library. Një ekzemplar i vetëm, i përkujdesur mjaft mirë dhe me një vlerë të madhe kulturore identitare. Për këtë do të ndalem veçmas. Po kush ishte ky intelektual mjaft i kompletuar shqiptar i asaj periudhe, që kishte rënë në syrin dhe interesin e mjaft të huajve, si Antonio Borrelli “Servo di Dio Aleksander Sirdani Sacerdote e martire” (Italisht), por edhe të Át Zef Pllumit tek “Rrno vetëm për me tregue”, (fq. 297”; dhe të paharrueshmit Daniel Gazulli tek shënimet e tij “Vëllaznit Sirdani”, botuar edhe tek “Fjala e Lirë” në Londër?
Sipas disa dëshmitarëve të fesë mësohet se ai studimet e para i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar më 24 prill 1916. Shërbeu në famullitë e maleve të Arqipeshkvnisë së Shkodrës. Ishte shumë i zellshëm dhe i devotshëm. U torturua në mënyrë barbare e të pashpirtshme, krejt çnjerëzore. E bënë të sillej përreth famullisë së tij në zonën e Koplikut, pastaj e futën të gjallë në një pus ujërash të zeza dhe e lanë aty derisa vdiq më 26 dhjetor 1948, bashkë me Dom Pjetër Çunin. Martirizimi i tij është i dukshëm. I torturuar dhe i mbytur nga policia e Koplikut, në veri të qytetit të Shkodrës.
Sipas Daniel Gazullit, “Qytetar Nderi” i Lezhës, ai kishte lindur në një familje malësore të njohur t'asaj krahine, i vdiq e ëma kur ishte pesë vjeç. I ati, Dakë Sirdani, mbetur i vejë e duke mos dashtë të martohej përsëri iu përshkushtua edukimit të të bijve, Marinit dhe Lekës. Shpërngulen për në Gucí ku kishin miq e të afërm. Varfëria e madhe e bëri Dakën me lypë ndihmë nga hoxha i Gucisë. Me të marrun vesh se djemët i përkisnin një familje katolike, zbret me to në Shkodër duke trokitë ndër institucionet katolike. Ku Leka 7 vjeçar pranohet në kolegjin Saverian. Më tej iu mundësua të vijonte studimet në Austrí, në Innsbruck. Me të ardhur në Shqipëri, çon meshën e parë më 24 prill 1916. Át Zef Pllumi na sqaron se ai shërbeu si famullitar në Malcí të Madhe, Reç, Shkrel, Bogë.
Mësojmë gjithashtu sipas këtyre autorëve si ai u përkushtua për mbledhjen e pasurisë shpirtërore kombëtare: legjendat, mitet, përrallat, fjalët e urta, traditat deri tek bestytnitë e lashta që ndesheshin nepër malësi. Bashkë me miqtë e tij, Át Donat Kurtin e Dom Nikollë Gazullin, porsi bleta nektarin mblodhën një pasuri shpirtërore që do ishte korpusi i vërtetë etnografik i popullit shqiptar. Më 1945 Dom Lekë Sirdani ishte famullitar në Bogë, kur dhe nisi hatashëm persekutimi dhe perndjekja. Me datë 26 korrik 1948 Dom Leka, si e thërriste populli, i mbushun me mllef për çka po ndodhte, por edhe me një besim gati biblik, në meshën e së djelës, atje në Bogën e tij, u tha besimtarëve: “Vëllazën e motra, nji re e zezë na ka mbulue, por mos u trembni, sepse edhe ajo do të kalojë e një re e bardhë do të vijë përsëri e na do të dalim përsëri në dritë si gurët e lumit mbas shiut kur dielli i shkelqen”, duke huazuar vargun e famshëm nga Eposi ynë i artë i Kreshnikëve. Më 27 korrik 1948, duke gjetë si pretekst fjalët e predkut të një dite më parë, e arrestuan, e tërhoqen rrëshanë mbas kalit prej Boge në Koplik, sa arriti në burgun famëkeq të Koplikut pa këpucë e veladon saqë nuk dallohej çfarë ishte, ku filluan mbi të, ashtu si edhe mbi meshtarë të tjerë, torturat më çnjerëzore.
Ndër veprat e përmbledhura që ai botoi qenë “Shqyptari i vogël” (Kangë për Strehe Foshnjore Fillore. Përkthyer prej gjermanishtes nga D. Aleksandër Sirdani, Shkodër, 1930.), “Kallxime popullore” (Shkodër, 1933), “Fjalë ari” (Shkodër 1928.), “Legjenda e gjethes së purrinit”, “Frati i ri”. Ndër të tjera shkroi në poezi Dekalogun (Dhjetë Urdhnimet) për m'i ba ma të lehtë në mësi, po ashtu dhe “Martiri i Eukaristís” (Sh. Tarçizi). Vepra tjera: “Nora e bukur”, Shkodër, 1942, që ndodhet dhe në British Library, siç e citova më lart; “Mbretnesha e vogël”, Shkodër 1934; “Para frontit të hireve”, Kangë të divoçme, përkthyer Aleksandër Sirdani, Shkodër 1934; “Folklore”. Përmbledhje vrojtimesh përmbi zakonet edhe gjuhën popullore të botueme në revistën “Leka” ndër 11 vjetët e para. III. Kangë vajtime. Mbledhë prej Aleksandër Sirdanit, Tiranë, 1940.
Dëshimtë tek gjetja
Nga dëshmitë për Dom Aleksandër Sirdanin prej disa dëshmitarve okularë. Disa dëshmitarë tregojnë se një ditë, pas predikimit të tij, persona në shërbim të regjimit e nxorrën jashtë, afër një kryqi dhe me zemërim të madh e kritikuan me fjalë të ulëta dhe e kërcënuan përpara popullit t`mbledhur aty. Dom Aleksandri, me qetësinë e vet të zakonshme, tha:
“ Më godisni. Ja ku jam. Unë e jap jetën për Krishtin! “
Atëherë dikush aty iu lut:
“Jo, Dom Aleksandër, sepse kështu po na shkatërron ne dhe veten tënde! “.
Dom Aleksandri iu përgjigj atij:
“Është nder për mua dhe për ju ta dëshmojmë Krishtin. Unë kam predikuar dhe do të predikoj vetëm fenë e Krishtit! “
Ndërsa sipas Fritz Radovanit tek, “Një monument nën dhé”, fq 150-153, Melbourn 2004; Biblioteka “Imzot Lazër Mjeda”, Libri 14; Boton Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci, mësojmë se “Don Aleksandër Sirdani ishte nga Gucia, i datlindjes 1887. Një meshtar i zellshëm dhe i respektuem nga populli në vendin ku shërbente. Që në rini u dashunue me folklorin e popullit tonë. Mblodhi një thesar shumë të çmueshëm dhe shumë shpejt u konsiderue si një ndër njohësit ma të mirë të etnografisë dhe frazeologjisë popullore. Kultura e gjanë që mori në Insbruk, forcoi edhe ma shumë idealin e tij si atdhetar. Njihte mirë frymën demokratike, prandej edhe shkroi shumë artikuj ndër revistat ma në za të kohës. Asht vëllai i At Marin Sirdanit edhe ky dijetar.”
Sidoqoftë, duke lënë pas disa ndryshesa për datëlindjen, vendin e lindjes dhe disa shënime të ndryshme, ajo që na intereson është ndalesa tek ekzemplari “Nora e Bukur” që ndodhet edhe në British Library..., të cilën tashmë e njohim si Nora e Kelmendit.
Nora e Kelmendit
Historia e shek. XVII për Norën e Kelmendit tashmë është shndërruar në legjendë për bukurinë dhe trimërinë e saj. E cilësuar si Helena e Shqipërisë për bukurinë si dhe për faktin që shkaktoi një luftë të madhe mes fisit Kelmendi dhe Perandorisë Osmane, konflikt që zgjati mbi një dekadë. Nora e Kelmendit është një mahni më vete. E refuzuar nga babai i saj, për faktin që kishte lindë vajzë, dhe për të nuk ishte e dobishme në luftën kundër pushtuesit, atë e mori dhe e rriti e halla e saj, si një djalë të adoptuar. I ati i Norës nga dëshira për ta trajnuar e për ta bërë luftëtar, dhe duke menduar që ky ishte djali i adoptuar i të motrës, vendosi ta trajnojë si luftëtar, pa e ditur që po trajnonte të bijën e vet.
Kur Nora u rrit, ajo u bë vajza më e bukur e Malësisë. Thuhej se ajo ishte aq e bukur sa një Zanë e vërtetë mali. Fama e bukurisë së saj u përhap nëpër tërë vendin. Një pasha që banonte në Rozafat të Shkodrës, dëgjoi për të. Një ditë, Nora zbriti në qytet me prindërit e saj. E pashai doli nga kalaja dhe ra në dashuri me Norën sapo ia vuri sytë. Duke qenë nga Bosnja, e cila ka tradita të ngjashme me ato të Shqipërisë, pashai donte të martohej me ligjet shqiptare të Kanunit, që do të thoshte se ai do të dërgonte një njeri të besuar te shtëpia e Norës e të kërkonte dorën e saj. Megjithatë, familja e Norës u përgjigj se Kanuni shqiptar nuk i lejon martesat e vajzave me jo-shqiptarë. E pashai nuk ishte e mësuar me të tilla refuzime dhe ndërkaq mbante një harem të madh. Ai turfulloi: “Ose Nora do të bëhet gruaja ime, ose unë do ta djeg gjithë Malësinë e do e bëj shkrumb e hi.”
Pashai pastaj udhëhoqi ushtrinë e tij dhe e rrethoi Malësinë. Nora kishte provuar të ishte luftëtare, por tani ajo kishte për detyrë të provonte se ishte edhe e mençur, dhe për këtë duhet të kursente Malsinë nga shkatërrimi. Kështu që ajo hartoi një plan për të vrarë pashain boshnjak.Ka dy versione të ngjarjes. Në versionin e parë, Nora pretendon se do të martohet me pashain pa lejen e familjes së saj. E veshur me xhubletë, ajo shkon në çadrën e pashait. Pashai, sapo sheh Norën, bie në gjunjë dhe filloi të lutet, duke besuar se Nora ishte një dhuratë e vërtetë nga Allahu i Plotfuqishëm për shërbimet e tij për Atë.
Pashai urdhëron trupat e tij të pushojnë dhe të përgatiten për t’u kthyer në Shkodër. Kur çdo gjë ishte e qetë reth tendës së pashait, Nora nxjerrë kamën që babai i saj i kishte dhënë me vete, kamë që ishte e përcjellur nëpër shumë breza të familjes, dhe ia ngul atë pashait, e shkelmon në pjesën e pasme të kokës, dhe ia zë frymën, kështu që ai nuk mund të bërtiste. Pasi bie pashai përtokë, Nora nuk e godet më pashain, pasi që për shqiptarin është turp ta godasë dikë që nuk është në këmbë, dhe për këtë pashai i shpëton plagëve të marra.
Në një version të dytë të legjendës, Nora nuk shkon në tendë. Kur ushtritë luftojnë, disa nga Osmanët shkëputen nga trupi i ushtrisë për të sulmuar fshatrat. Nora udhëheq një ushtri prej 300 grash kundër Osmanëve që ishin duke djegur, plaçkitur e dhunuar, i del përpara pashait dhe e vret në një duel.
Në të dyja versionet, Nora vret pashain në një duel të drejtë. Në dy versionet emri i pashait është Vutsi Pasha nga Bosnja.
Burimet historike japin një version më pak folklorik dhe përqendrohen më shumë në betejën e vazhdueshme prej mbi një dekad mes Osmanëve dhe malësorëve të Kelmendit, fillimisht për shkak të bashkëpunimit të tyre me malazezët, dhe famës së tyre si malësorët më kokëfortë në mes të fiseve shqiptare, në vend të portretit të Norës apo heroinave të tjera, edhe pse këto burime përmendin se gratë kanë luftuar bashkë me burrat.
Konkluzion
Sipas Pjetër Bogdanit, në Cuneus Prophetarum, ishin rreth 500 kelmendas që sulmuan ushtrinë Osmane prej 12,000 forcash. François Lenormant në veprën Turcs et Monténégrins (Paris, 1866) përmend një ushtri Osmane prej 30,000 burrash kundër 900 kelmendasve, ndërsa konflikti fillon në vitin 1624 dhe kulmon në vitin 1638. Një tjetër përshkrim vjen nga Ati F. Arcangelo da Salto, teolog dhe këshilltar i Savojës dhe konsulent nga selia e Shenjtë, që përmend rreth 700 kelmendas, dhe 4,000 viktima Osmane, në botimin Vita del Venerabile Padre Fr.Bonaventura da Palazzuolo Riformato. Të tjerët flasin akoma me mister, ndoshta më thellë se ajo që mbajnë vetë arkivat. Më tutje, mjafton të kërkohet akoma, ndoshta më shumë se është thënë e duhet thënë për këtë bukuri dhe enigmë shqiptare të hershme.
Pas nje komenti ne Facebook, po shprehem edhe ketu ku po lexoj kete shkrim te bukur dhe te mirepritur, pasi ben fjale per histori e dokumenta qe jane humbur apo tretur ketu ne Shqiperi, por qe kane lene shenje ne dhe te huaj. Meritoni admirim per kujdesin dhe me shume per durimin ne kerkim te letrave shqipe ne Britani te Madhe. Po bani nje pune qe duhet ta bejne qarqet shkencore te Akademise Shqiptare. Ndaj meritoni falenderime pa kufi. E bukur historia e Nores, por me shume dhimbje e autorit të saj. Aleksandër D. Sirdani,