NOFULLGJËRËT


Thani Naqo

Lëshoj çantën mes këmbëve dhe mbështes bërrylin mbi banakun portativ prej dërrase. Qoftexhiu bën sikur nuk më sheh dhe vazhdon të kthejë përmbys qoftet e kërnacet në tiganin që cërrin mbi prush.

-Eja mbas perëndimit të diellit dhe do të t’i fal të gjitha qoftet e kërnacet që do mbeten,– erdhi zëri i tij nga përtej tymnajës.

-Hej, nuk jam lypsar! – e ngre zërin dhe enkas shpalos njërën anë të xhaketës. I tregoj tufën e lekëve në xhepin e brendshëm dhe qoftexhiu përdredh vetullat i habitur. Pasi pastron duart me cepin e përparëses, më vë përpara pjatën me dy qofte dhe një panine, kurse gotën e mbush rrafsh me raki, pa më pyetur mua. Godet me grusht mbi banak dhe thërret:

-Botë kapitaliste e mbushur me çudira!

Kullufis qoftet avullushka, kurse paninen e mbaroj me dy të kafshuara. I bëj shenjë të ma mbushë pjatën me kërnace dhe të më sjellë një panine tjetër.

-Vë bast me njëqind qofte e kërnace se je nga fisi i Nofullgjërëve, – thotë qoftexhiu e me një të hedhur të tiganit i kthen përmbys qoftet e kërnacet. U jap të krehur me gishta flokëve e mjekrës dhe duke fërkuar

mustaqet i them:

-Bastin e humbe. Nuk kam të bëj me fisin e Nofullgjërëve, - ama e dija se Nofullgjërët ishin sharrëxhinj, druvarë dhe muratorë me nam. Vajzat e fisit të Nofullgjërëve i kërkonin për nuse pa mbushur ende të gjashtëmbëdhjetat.

“Ato janë të forta, si mushka, enkas për punë bujqësie, - thoshte nëneja. - Janë të shëndosha, me vithe të gjëra dhe qumështore. Pjellin çdo vit dhe burrat e tyre mburren se janë më të lumturit në botë, Ah, sikur të më sjellësh në shtëpi një nuse nga fisi i Nofullgjërëve, - më kishte nxitur disa herë nëneja. - Shtëpia do mbushet me nipër e mbesa e unë do porosit kallajxhiun të më bëjë dy tepsi të reja për lakrorë, pispili e petanikë, por edhe një tavë enkas për piperka e domate të mbushura me oriz e kumbulla. Vajzave të fisit të Nofullgjërëve, - shtonte nëneja, - u qesh fytyra, gjë që mua më pëlqen shumë. Do t'ia marr këngës e valles edhe kur të bëhem plakë e të ec me bastun.”

Kështu thoshte nëneja, pavarësisht se ajo e dinte që Nofullgjërëve u kishte dalë nami se nuk ngopeshin me të ngrënë, kurse vajzat e tyre nuk ua jepnin syrin djemve të malit; martoheshin në fshatrat e fushës. Mirëpo, kur unë i lashë të tridhjetë e pestat, im atë e im më, sa zinin shtratin e gjumit, thurnin plane si të më martonin sa më parë.

“E verbër, e çalë, me kryqe të thyera, ose fundja, vejushë, edhe një fëmijë të ketë, këtë vjeshtë im bir duhet të martohet, - thoshte ime më. - Më kanë thënë se

një vajzë nga Nofullgjerët e martuar me fusharak, fusharakun e ndau se ishte dembel e pijanec. E çë se është me barrë?”

Ndërsa im atë i mëshonte zërit:

“Pse të nxitohemi? Femra pjell gjersa bëhet 50 vjet, kurse mashkulli mbars edhe kur i le të njëqindat. Nofullgjërët, denbabaden kanë jetuar në fushë, ku toka është e majme dhe dita e punës paguhet dy herë më shumë se majë malit. Prandaj djemtë e fushës na i përlanë vajzat dhe fshati ynë sot ka njëzet e katër beqarë të stazhionuar. Është hapur fjala, - shtoi im atë me zë të ulët, - se në fshatrat e fushës do të shkurtohet një dynymshi dhe, po u tufëzuan bagëtia, atëherë Nofullgjërët do popullojnë malin.”

“Gjersa të ndodhin këto çudira, - e ndërpriste nëneja, - tim biri e njëzet e tre beqarëve të fshatit tonë, do t'u zbardhen flokët e mjekrat si të Shën Kozmajt.”

“Atëherë, - thoshte im atë, - do kërkojmë nuse për djalin në fisin e Nofullgjërëve. Po të mos bëhet kjo krushqi, do të trokas në portën e fisit të Çakërrve. Punë e madhe se nusja do jetë çakërre. Mjafton të jetë nikoqire dhe të pjellë.”

Për herë të parë dëgjoja se në fushë paskej edhe fis të Çakërrve, kurse nga fisi i Nofullgjërëve njihja disa. Njëri, sharrëxhi, moshatar me mua, me një tërheqje sharre e çante kondurin një pëllëmbë. Ama thoshin se e fitoi edhe bastin kur përlau një kosh me patate të pjekura. Një tjetër, moshatar me mua, që i kishin ngjeshur nofkën Ujku, mori nuse nga fshati ynë. Ditën e

dasmës i çuditi dasmorët: i vunë përpara një shqerrë të pjekur dhe ai e përlau me gjithë kocka e brirë. Ama të dyja herët e shoqja lindi binjakë. Një tjetër Nofullgjërë, me të cilin kisha bërë ushtrinë, megjithëse qe trupmesatar dhe nuk ta mbushte syrin, hante një pllakë bukë e përlante dy kova me supë fasule. Ama ditën e paradës, e shtriu hapin në bulevardin e Tiranës, duke mbajtur mbi sup jo pushkë, por grykën e topit. Unë njihja edhe një tjetër Nofullgjërë, mullixhi. Ç’kisha dëgjuar për forcën e tij, e vërtetova me sytë e mi. Shkova për të bluar kërma, sepse nëneja do të bënte trahananë e dimrit. Në mulli mbërrita kur Nofullgjëri sapo e kishte mbaruar skalitjen e gurëve. I shkoi krahun gurit të mullirit në brimën ku binte drithi dhe e ngriti sikur të qe rrotë prej luledielli. Nofullgjërët u vinin gjoksin punëve më të vështira në kooperativë. Nga që nuk e kishin traditë vjedhjen, mbanin lopë race, jonxhat i korrnin dy herë më shumë se të tjerët, kurse në oborret e shtëpive mbillnin nga të gjitha llojet e perimeve. Nofullgjërët kishin shpikur mënyrën e mbjelljes së patateve e të perimeve me kate, nëpër arka e koshe. Shfrytëzonin edhe hapësirat ngjitur me gjerdhet e deri tek nënstrehët e shtëpive e të plevicave.

“Po vrasim mendjen si të mbjellim edhe çatitë e shtëpive,” - thoshin.

Nofullgjërët mburreshin se nuk ngopeshin me punë, ama edhe të ngrënën, - thoshin, - e ndalojmë jo se nginjemi, por se na lodhen nofullat. Mirëpo mbas tufëzimit të bagëtive, u shkurtuan edhe kopshtet familjare. Atëherë Nofullgjërët filluan të ankohen se po u binte fuqia, u përthyheshin gjunjët, nuk ngjitnin dot të përpjetat dhe nuseve të tyre nuk u qeshte buza. Pa bërë nëntë muaj Enveri, fisi i Nofullgjërëve, burra, gra e fëmijë, mbushën sheshin para zyrave të kooperativës. Kryenofullgjëri, hedhur peliçen krahëve, duke tymuar çibukun, i dorëzoi letrën kryetarit të kooperativës. Shkruanin se nuk do të çanin më kondurë, nuk do të shkulnin gurë në shpatet e malit, nuk do të ngrinin çakëlle përgjatë lumit, nuk do të ndërtonin shtëpira e stalla, nuk do të hapnin as kanale kulluese, gjersa Ramizi t’ua kthente tokën që ua mori Enveri dhe t’i lejonin të rritnin bagëti si më parë. Thanë se kryetari i kooperativës flaku kapelen, krojti kokën me thonj si i çmendur, pastaj kishte thirrur nga kreu i shkallëve të zyrave:

“Dëgjoni, o Nofullgjërë! Ju jeni fisi më i nderuar në anët tona. Shtojini më shumë prodhimet e zarzavateve në oborrret tuaja.”

fjalën ia preu një piskamë femre:

“Domaten, kungullin, kastravecin dhe fasulen i mbështesim në hunj, sepse ato nuk mbajnë dot veten e tyre dhe jo më të na mbajnë neve!”

“Nuk kam forcë të ngre gurin qosheli,” – sokëlliu njëri nga muratorët.

“S’mundem të tërheq sharrën zhakë,” – kishte pasuar e thirrura e sharrëxhiut që kishte fituar bastin me patatet e zjera.

“Nuk do pjellim më fëmijë,” - klithën njëzëri nuset e reja.

“Na gërgërijnë zorrët ditë e natë.”

“Na mbinë në bark domatet e lakra turshi.”

“Eshtrat na kërcasin sikur i kemi prej shtogu,” – tha Kryenofullgjëri dhe kishte shkundur çibukun në pëllëmbë të dorës.

Pikërisht atë çast erdhi makina e Degës së Brendshme. Arrestuan Kryenofullgjërin dhe dy të tjerë. Nofullgjërët kyçën gojat, ulën kokat dhe shtrënguan rripat.

Ndërkohë që kujtoja këto, qoftexhiu ma mbushi pjatën me qofte, shtoi dy bërxolla derri, “edhe një panine tjetër,” i thashë dhe përgjoi ziliqar oreksin tim.

-Sidoqoftë, - dëgjova të thotë nëpër dhëmbë, - të malit apo të fushës, fshatarët janë nofullgjërë.

Atëherë dallova se qoftexhiu syrin e majtë e kish të larushitur si vezë laraske. U kujtova edhe se im atë kishte trokitur në portat e fisit të Çakërrëve, por Çakërrët nuk pranuan të më jepnin nuse, jo se fshati im ishte në majë të malit, unë isha dy metra i gjatë, por për shkak të nofullave të gjëra.

0 views

Shkrimet e fundit