Nocioni hapësirë-kohë
Në trenin e jetës udhëtojmë që herët
Biletë falas , vagon-dhomë për prindët,
E njëjta për fëmijët ,përfshirë
E fundja, vagonët e Orient Ekspresit , ngjasojnë të gjithë.
Udhëtojmë nëpër hapësira imagjinatash
Nëpër realitete shtrëngatash, nga stacioni në stacion.
Nisja vinte nga Bing-Bangu,ku
Na priste treni i radhës, me avull
Korrekt, s'duhej me qenë vonë
Ora zviceriane ,ekzaktësisht, nuk gabon.
***
Mbushemi me diell,qullemi nga shirat, e prap Hipim në të njëjtin vagon
Ndodh dhe t'i ngaterrojme pa dashje
Ose me dashje ...t'i ngatërrojmë.
Kur harrohesh nëpër botë
E shmallesh me të dashurit,sigurisht që kthehesh vonë
Por serish mbetesh në tren,në tëndin vagon.
Vagonët e Orient Ekspresit ,fundja të gjithë ngjasojnë.
***
Botën e sheh , e prek me gishtërinj butësisht
Si tastierat e pianos bardh e zi
e mban brenda teje , në udhëtimin tënd si melodi,që
Tundet e shkundet nga kënga e shinave
Si ninullë ...ka kohë, është i largët stacioni i fundit
Ku na presin ish të gjallët,
Ata që zbriten para kohe, e morën avionin për t'arritur më shpejt
Ku?Ne stacionin e fundit,
Sa kurioze kjo rraca jonë, gjëkundi s'e gjen...
Pastaj gjyshërit që kishin hipur të parët e arritën të parët atje
Një shami që zhdukej në mjegull a nga avulli i trenit Orient Ekspres,dhe
Buzëqeshja e fundit ,e bukur si mermer.
Disa fjalë në erë,që i quajtëm amanet i gjallë
Mos u ngutni!, ah! gjithmonë mësime na dhanë
Ngadalë, gëzojeni jetën,jeta është përrallë!...
Misteri është vorteksi ku padashur u gjendëm
E rrokullisemi me hapësirë - kohën
Deri në skaj, si bashkëudhëtarë të pafaj...
Më tregoni historinë tuaj Zonjë,
Historia juaj nuk është përrallë sigurisht
Fundja përrallat nuk ekzistojnë
Historia juaj s'do mend nuk mund t'i ngjajë times
Kur vimë nga dy planete tokë të ndarë.
Ti nga planeti i Perëndimit
Unë nga planeti i Lindjes së perënduar.
Historia ime nuk është tragjedi,sigurisht
Përderisa jam ende gjallë
Historia ime kishte dhe s'kishte Krisht
Diktatorët até, vetë zota u bënë.
Dëgjojini zhurmat e planetit nga vij,të qeshurat dhe të qarat
Dhe më pas më tregoni historinë tuaj Zonjë.
Muret prej guri
Muret kanë veshë,thonë
Kanë sy muret, kanë shpirt
Muret pëshpërisin netëve ,më besoni
Ia dëgjoj trokitjen,si maja gishtërinjsh.
Përgjimtarë që kujdesen mos na zgjojnë
Muret , të thinjurit e paqtë
Muret prej guri të rëndë
Legjendat përqafuar, si Rozafë.
Mure kalash që buzëqeshin hirshëm
Me të bukurit dhëmbë rruaza bedenash
Me lule që dalin prej zemrës së çarë,
Me emër fisnik goje-asllanë.
Dëshmitarët besnikë të një kohe të lashtë.
Gurët dhe lulet bashkë
Në një përqafim të zjarrtë
Këndojnë këngët e moçme rrëzë Kalasë.
Gurët kanë memorie,thonë
Janë shpirtra të thyer në mijëra pasqyra
Janë këngë, poezia e pikës së vesës, që i lag buzën e tharë
Janë përkëdhelje, janë të rëndë nga malli.
Guri është biri i tokës
Bashkë ekzistenca, simbioza në duart e njeriut
Për t'i ndërtuar jetës,çati dhe mure.
Ai gur që na futet në xhep, kur i "braktisim".
Ai eshte magjia që ka brenda, lot e puthje.
Flenë legjendat, flenë epokat,historia flenë.
Gurët dhe ne,ku vetveten gjejmë...
Mirela Leka Xhava
Bordeaux-France
Comments