top of page

Njomësi e bukur


Njomësi e bukur


Nipit tim, Mares Habazaj pasi mbushi 10 muajsh


Nga Albert Habazaj


Me këmbë e me duar, duke ecur

Mares sikur flet, tek më sheh habitshëm:

- Ka tre muaj që pena të ka ngecur,

Ku humbe, o gjysh i “vargut të ndritshëm”?!


Apo shkruan mençurira të tjera

Që, ca herë, as vetë nuk di ç’thua,

Ç’i bëre fjalët? Mos t’i mori era?

Si merr gjumë e s’bën vjersha për mua?!


I papërmbajtshmi im me syrin serbes

Nuk më kupton që e kam një shqetësim,

Mares i vogël, trëndafil me vesë

Druhem të të pikturoj në vargun tim.


Njomësi e bukur çel herët çdo mëngjes

Tek zgjat doçkëzat ta marr hopa-hopa,

Sikur më fal dhjetë planete me shpresë

Sa Mares hedh këmbën, merr dritë bota.


Me guriçkat në breg loz si zog i kaltër,

Futet në ujë ta vërë detin përpara,

Qesh ëmbël, si ujë qielli i pastër

Dhe zgjatet të lozë me pulëbardhat...


Lixha, Çikallesh, Malësi e Elbasanit

14.08.2020

23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page