top of page

“Njeriu i së ardhmes...” dhe autori i tij me të ardhme



Përfaqësuesja e një shtëpie botuese në Tiranë, Fatmiroshe Xhemalaj, më kërkoi të bëja redaktimin dhe të shkruaja një recension për romanin fantastiko-shkencor “Njeriu i së ardhmes...”, të vëllait të saj, Agronit, inxhinier me banim në Kanada. Dora-dorës që leximi përparonte, vëmendja më rritej. Siç dihet, deri në momentin që një vepër sheh dritën e botimit, kalon një farë kohe, prandaj e quaj të udhës të përfitoj nga ky interval që t’i parapërgatit e t’i bind të gjithë ata që do ta marrin në dorë librin e lartpërmendur, se nuk kanë për t’u zhgënjyer. Argumentet do t’i gjeni në këtë shkrim pak më tej. Nuk dihen shumë gjëra për letërsinë fantastiko-shkencore në vendet e Evropës Juglindore dhe të krejt Lindjes ish-komuniste në përgjithësi. Të dhëna të këtij lloji do të ishin me interes jo vetëm thjesht për informim apo për të shuar kurreshtjen, por edhe për të përfituar nga përvoja e atjeshme. Në disa nga vendet që zumë në gojë më lart, ky zhanër ka filluar të kultivohet qysh në shekullin XIX, në Rumani, bie fjala, qysh në vitin 1870. Më vonë dhe pikërisht më 1914 autori rumun Viktor Anestin shkroi dhe botoi romanin “Një tragjedi qiellore”, që kishte subjekt përdorimin e energjisë atomike për qëllime ushtarake. Po atë vit, autori tjetër Henri Stahl trajtoi në romanin me titull “Një rumun në Hënë” ëndrrën e njeriut për të shkelur në satelitin natyror të Tokës. (Shih: Judit Lorinczy, Mapamond, 19 prill 2012). Burimet e shumta informuese dëshmojnë se me vendosjen e sistemit komunist në vendet e Lindjes, regjimet totalitare u orvatën ta përdornin letërsinë fantastiko-shkencore, nga njëra anë për popullarizimin e arritjeve të shkencës, ndërsa nga ana tjetër si vegël manipuluese në kuadrin e edukimit ideologjik. Edhe tek ne filloi të botohej një revistë e përmuajshme, “Shkenca dhe jeta”, në faqet e së cilës materialet e botuara ishin të tejngopura me pikëpamje komuniste. Megjithatë, mund të thuhet se, pikërisht, përmes disa aluzioneve, simboleve dhe figurave artistike e stilistike, ndonjëherë sidomos tregimet fantastiko-shkencore përmbanin kritika sociale të maskuara. Prozatorë, poetë dhe dramaturgë, zakonisht jo fort të njohur, kumtuan, edhe pse me ndrojtje e me frikë, mesazhe të guximshëm, që e anashkaluan rrezikun që i kanoste si gjithë krijuesit e tjerë. Njëkohësisht, letërsia fantastiko-shkencore u bë për disa njerëz të penës një rrugë për t’u “arratisur” nga realiteti i zymtë dhe për t’i dhënë krahë ëndrrës liridashëse. Për t’u përmendur veçmas ishin edhe veprimtaritë e zhvilluara në gjirin e rretheve shkencore, që nisnin qysh nga shtëpitë e pionierit, vazhdonin me të rinjtë, për të mbërritur deri në krijuesit e afirmuar. Aty bëheshin promovime botimesh të ndryshme dhe zhvilloheshin debate me tematikë të larmishme. Kur organizoheshin veprimtari të përmasave më të mëdha, në shkallë lokale, por edhe kombëtare, pushtetarët partiakë, nën pretekstin që ishin finacuesit e tyre, kishin rast të përshtatshëm të shihnin, të censuronin me lupë zmadhuese në dorë çdo gjë që u dukej si “dalje nga binarët” e ideologjisë së vetme. Në shumicën e vendeve të Lindjes komuniste u krijuan mundësitë për të marrë pjesë në konferenca, seminare, simpoziume e konkurse evropiane dhe më gjerë. Fituesve të çmimeve që jepeshin me atë rast, u botoheshin edhe krijimet përkatëse. Dora-dorës, për t’i prerë hovin çdo rritjeje të mundshme të “oreksit” të krijuesve, u përpunuan programe-standard me tavolina të rrumbullakta, me tematika të paravendosura nga autoritetet zyrtare, si, bie fjala: “Paqja dhe çarmatimi”, “Synimet ekspansioniste të fluturimeve kozmike” etj. Gjithsesi, këto veprimtari kishin edhe një anë pozitive dhe pikërisht faktin që letërsia fantastiko-shkencore ishte i vetmi zhanër, brenda të cilit mund të dilnin disa botime tematike, që praktikisht nuk i nënshtroheshin censurës së rreptë. Në veprimtaritë e organizuara mund të ftoheshin edhe persona të cilët regjimi nuk para i shihte me sy të mirë, i linte mënjanë ose i detyronte të heshtnin. Kish raste që diskutohej edhe për probleme tabu, si ndotja e mjedisit ose çështje fetare. Në ndryshim nga vendi ynë, livruesit dhe simpatizuesit e letërsisë fantastiko-shkencore eurolindorë nuk ishin të izoluar nga gjithçka perëndimore, veçanërisht nga literatura dhe filmografia anglosaksone. Por talenti origjinal i Agronit, autorit të librit “Njeriu i së ardhmes...”, - që pata rastin ta lexoj në dorëshkrim e ta redaktoj me përgjegjshmëri e me kujdesin e merituar, duke bërë edhe mjaft "operacione" të domosdoshme stilistike, më dendur riformulim frazash, kthjellim idesh, "avullim" "uji" të tepërt, fshirje përsëritjesh të panevojshme etj, - nuk do të mundte të shpalosej plotësisht në Shqipëri jo e jo, por as në vendet e tjera të Lindjes komuniste. Krahët prej zogu hapësirash të pakufishme, në mos do të këputeshin me dhunë, të paktën do të lidheshin për të mos u ngritur nga Toka. Duhej të vinin fillimvitet ’90 që pena e Agronit të rrëshqiste pa pengesa duke u ngjyer në bojën e ndritshme të një fantazie marramendëse e gjithaq dobiprurëse. Sidoqoftë, duhet theksuar se edhe me “ndrrimin e kuajve” në vendet ish-komuniste mundësitë që i dha Perëndimi Agroni nuk do t’i gjente në të njëjtën shkallë sepse në Lindje jo gjithçka negative e frenuese u shkul nga rrënjët; reminishencat e së kaluarës vazhdojnë edhe sot, paçka se jo aq dhunshëm. Në Lindje shumë lëvrues apo fanë të fantashkencës janë futur në politikën e mirëfilltë, duke aderuar në një parti apo në një tjetër, por edhe si gazetarë në shtypin vërtet të lirë, por jo rrallë anëmbajtës. Me tregun e lirë vërtet ndryshoi edhe politika editoriale, u shtua numuri i shtëpive botuese, por, për çudi, nuk po shohin dritën vepra autorësh të afirmuar që atëkohë qarkullonin ilegalisht, nën dorë, ama qarkullonin, si të famshmit Clarke, Asimov, Heinlein, Herbert etj, ndërsa lexuesve tani, krahas veprave vërtet dinjitoze, u serviren vepra (nëse mund të quhen të tilla!) me nivel të ulët, që shpesh mbajnë firma askushësh, të cilët kokën e kanë bosh, por xhepat plot. Në këtë kontekst duhet të vemë në dukje me keqardhje se shpesh herë botuesit nuk i shpërblejnë autorët dhe synojnë që këta të fundit të kënaqen vetëm me daljen e librit në dritë. Siç është e natyrshme, autorët e huaj, kryesisht ata amerikanë, aktualisht janë ndër më të parapëlqyerit, veçanërisht të ashtuquajturit “romane me vampirë për të rinj”, Fantazy, Science Fiction ose Susanne Collins, Robin Hobbes, G.G.R. Martin, John Scalzi. Në vendet e para të kësaj liste do të vija pa ngurrim emrin e Agronit, ndër të tjera për arysen bindëse që e ka shkruar këtë vepër si perëndimor i mirëfilltë për nga niveli artistik e shkencor, por edhe më mirë se perëndimorët sepse është i kuptueshëm e i përtypshëm me lehtësi nga lexuesi shqiptar ngaqë, duke qënë bashkëkombësi ynë, e njeh mendësinë, traditat, të mirat, mangësitë dhe kulturën tonë kombëtare si rrallëkush. Fantazia e autorit, larg flatrimeve pa adresë, nuk është pré e rastësisë e ca më pak e manisë dhe e rendjes pas efekteve, sepse brumi me të cilin e ka gatuar “bukën” e shijshme dhe vitaminoze është i cilësisë së epërme dhe nuk ka nevojë për reklamë. Sytë e mendjes, të cilëve rrugën ua tregojnë personazhet e librit, aq mirë të individualizuar: Higgsi, Kuarku, Ardi, Gluoni, Kuanti, Krispri e shumë e shumë të tjerë, tokësorë apo jo të tillë, “lëndorë” apo valë, përzjerje të tokësores me hapësinoren-makinë që nuk ndjen, kanë mundësinë për të na mbartur qysh tani në kohën e ardhshme dhe në hapësirë për ta ndjerë veten si banorë autoktonë në planetet Mars apo Afërditë, në satelitin e vetëm natyror të Tokës, në Hënë, e të pranojmë ta përshkojmë gjithësinë e galaktikat pa ngurrim, madje me ëndje, duke e lënë veten në duart e sigurta të Agronit. Fantastikja me realen janë pleksur aq fort e aq natyrshëm me shoshoqen saqë ngjajnë me dy binjake të lindura e të rritura në të njëjtin terren, - në fakt, mund të thuhet edhe në dy: në Tokë e në hapësirë, - çka mua, si lexues i palodhur, po më ndodh për herë të parë. Risi përmbajtësore dhe njëherazi stilistike. Megjithse objekt i veprës së tij janë gjithësia, galaktika e më tej, Toka mbetet “e parapëlqyera” e Agronit, sepse aty është lindur, aty ka varret e pararendësve, aty ka përjetuar çdo gjë: gëzime, trishtime, hidhërime, ëndërrime... Kështu shpjegohet fakti që, ndërsa për planetet e për zhvillimet në ta përdor gjuhën “asnjanëse”, “kuantike”, siç u shkon për shtat anijeve e mjeteve të tjera eksploruese me të cilat mbërrin atje përmes personazheve, për Tokën përdor gjuhën e nënës, gjuhën e shpirtit, me ngrohtësinë e ëmbëlsinë që nuk e tjetërson dot asnjë shpikje apo progres teknik. Libri i Agronit na kujton vetiu thënien e Haruki Murakamit: “Nëse lexon vetëm librat që i lexojnë të gjithë, do të mendosh vetëm gjërat që i mendojnë të gjithë”, sepse është një vepër elitare. Nga ky këndvështrim mesazhet që kumton, mund të kuptohen e të interpretohen saktë e përsëthelli vetëm nga intelektualët e zgjedhur, me horizont të gjerë kulturor-shkencor, njohës të ligjeve që “komandojnë” natyrën dhe që qëndrojnë në themel të shkencave teorike e të prodhimit. Këqyrur nga ky kënd, do të ishte e tepërt t’u numurohen e t’u zbërthehen mesazhet e libërshkruesit, apo t’u shuhet kurreshtja duke ua zbuluar qysh në fillim “gjë a gjëzat” e mençura. Përsëris se origjinaliteti i talentit të Agronit bje në sy më shumë se kudo pikërisht në mesazhet domethënës që kumton, si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga mënyra e mjetet që përdor. Po përmend ndonjë prej tyre sidomos për lexuesit e thjeshtë. Paraja, kjo e keqe e domosdoshme, pa të cilën nuk mund të zgjidhen problemet jetike, ekzistenciale, duhet shfrytëzuar siç duhet, pa e fetishizuar, çka do të na shtynte “të hanim” kokën e shoshoqit. Në këtë përfundim, që lexohet mes rreshtave, por edhe haptaz, Agroni arrin pasi sheh se në Tokë, ku personazhet e tij kanë zbritur nga hapësira, nderohen vetëm “parallinjtë”. Nga goja dhe veprimet e Gluonit, fjala vjen, mësojmë se ai i çmon paratë jo si qëllim në vetvete, dhe ca më pak për t’u pasuruar, por për të prodhuar makina elektrike, që mundësojnë mbrojtjen e planetit nga gazet helmues, toksikë, por edhe për të zhdukur luftrat vdekjeprurëse e shkatërrimtare. Njerëzit ndërkaq duhet të bëjnë përpjekje për të zgjeruar gamën e energjive duke iu kundërvënë hidrokarbureve, që synojnë të kundërtën dhe të cilat i ka në krye e sipër personazhi tjetër, Karbi. Hidrokarburet mjerisht këqyren si perëndi, çka pasqyrohet edhe në mënyrën si i falen Zotit (kokëposhtë, në objektet e kultit që ngjajnë si raketa). Mund të vazhdonim me shëmbuj, por çdo shpalosje apo zbërthim i tyre mund të rrezikonte zbehjen e domethënieve apo nënteksteve që mbartin në origjinal.

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page