NJERËZ TË MIRË GJENDEN KUDO



Tregim nga Luan Çipi

“VËLLEZËR! Mos u thyeni nga vështirësitë që u krijojnë dashakeqët! Njerëz të mirë gjen kudo”.

Citova më lart një përfundim, këshillë plaku, që e vërtetova me disa raste ngjarjesh rresht, të ndodhura e të jetuara brenda dy ditëve, siç po jua paraqes më poshtë:

-Po vija nga Tirana së bashku me gruan time, pasi kaluam atje muajt e ftohta të dimrit, për t’u kthyer në Vlorën tonë të dashur, qytet i veçantë dhe mjaft i kërkuar për të kaluar këndshëm, buzë detit, muajt e verës. Ne, që kemi shtëpi për banim edhe në Tiranë edhe në Vlorë, se fëmijët tanë kanë emigruar nëpër botë dhe shtëpitë e tyre, “qajnë për të zot”, si pleq të vetmuar shkojmë, sa andej këndej dhe i bëjmë ato shtëpi, sadopak, të dëgjojnë “qeshje pleqërisht”, në zëvendësim të britmave gazmore të të rinjve dhe të fëmijëve të tyre.

Udhëtimin nga Tirana për Vlorë e bëja duke drejtuar, në pozicionin e shoferit, një autoveturën time “Reno Clio” 1200 me benzinë. Kur po kaloja kthesën e Rrogozhinës dallova sinjalin e kuq të mungesës së ujit dhe pak kilometra me tutje, sinjalin e kuq për mos qarkullim vaji dhe, ndërkohë, shigjeta, te manometri i temperaturës, kaloi maksimalen.

Ndalova te Bar-Restoranti më i afërt buzë rrugës, që njihet me emrin e pronarit Pilo Lala, sa pimë nga një kafe dhe pasi e plotësova depozitën me ujë, provova ta ndizja makinën me motorino, po pa rezultat. Me aq sa dija, mendova: motori nuk po ndizet, se unë pompova disa here në levën e gazit dhe ndofta, është “gufosur”. I dëshpëruar, me gruan e moshuar përbri dhe me makinën të mbushur me ngarkese të plot teshash në trasta e valixhe në bagazh dhe deri sedilje, po prisja, pa rrugë shpëtimi. Ndërkohë shikoj të parkojë aty afër një furgon me targë Vlore me dy djem të rijë në kabinë. Përshëndetem me ta, u shpjegoj gjendjen dhe u kërkoj ndihmë. Çuditërisht ata u treguan të gatshëm dhe e morën shpejt situatën në duart e tyre: Njeri hipi në makinën time dhe provoi ti binte gjatë motorinos, pa rezultat. Tjetri, nxori “kavon” dhe provuan ta ndiznin me rimorkim, po sërish, pa rezultat. Më sugjeruan se duhej ndihmë e kualifikuar specialistësh dhe me rekomanduan për te një servis riparim automjetesh aty pranë. Unë, duke menduar se do duhej kohë për të dalë nga gjendja e pasigurtë, u sugjerova atyre të me merrnin gruan dhe bagazhet deri ne Vlore dhe unë të bëja përpjekje për të dalë nga situata, te ai servisi aty pranë, sipas këshillës që më dhanë. Ata pranuan menjëherë dhe ndihmuan për ngarkimin e bagazheve në furgonin e tyre.

Pas kësaj, në servis, u kryen disa veprime kontrolluese dhe rezultoi se ishte djegur guarnicioni i kokës së motorit. Pasi e rimbusha depozitën me ujë dhe mora me vete dy shishe plastike të mëdha me ujë rezervë, u nisa drejt Vlorës, me mendimin se do ti hidhja ujë gjatë rrugës, disa herë. Kështu e mbylla aventurën dhe për fat mbërrita në Vlorë.

Ç’kishte ndodhur me bamirësit tanë? Ata dolën vërtetë djem të rrallë: Gruan time të moshuar, të dëshpëruar e të lodhur, e shoqëruan deri në shtëpinë tonë në Skelë të Vlorës dhe bagazhet i ngarkuan në krahë deri brenda shtëpisë. Kur ajo kishte nxjerrë pare për t’i shpërblyer për punën e bërë dhe kohën e humbur, ata kishin refuzuar me këmbëngulje vendosmërisht.

Mendova se ata djem të mbarë do kishin qenë vlonjat të njohur, ndofta bijë të miqve tanë, ose shokë të fëmijëve tanë. Por, jo! Ata nuk ishin asfare nga Vlora, por nga Gorishova e Fierit. I kishte pyetur ime shoqe. Kishin vetëm disa vjet në Vlorë, ku kishin hapur të suksesshëm një punishte duralumini dhe punonin me ndershmëri për mbijetesë.

Atëherë mu kujtua konkluzioni logjik jetësor i plakut: “Njerëz të mirë gjen kudo” Dhe ja vlen t’i publikosh: Ata janë vëllezërit Farudin dhe Ledion.

*

-Kam kohë që, nëpërmjet internetit, jam njohur sadopak me Senad Guraziun, poet, studiues (dhe bamirës, do shtoja unë) dhe shpesh kemi këmbyer krijime letrare, përkthime e deri konsiderata reciproke. Gjithnjë, fare pa interes e përfitimi material, është treguar i gatshëm dhe më ka ofruar, qysh herët dhe vazhdimisht, këshilla dhe ndihmë, sepse kuptohet lehtë, sa e kontakton krijimtarinë dhe veprimtarinë e tij, që disponon njohuri të gjithanshme, jo vetëm letrare e kulturore por edhe teknike kompjuterike. Ai sot më befasoi me BLOGUN e tij të ri, që ma dërgoi me dashamirësi. Ja si i njoftonte, me këtë rast, Senadi, miqtë e tij:

Miq të respektuar, vetëm desha t'ju njoftoj se kam ujdisur një faqe personale për vjershat e mia dhe gjërat tjera... të cilën për momentin mund ta vizitoni në:

http://www.alfa-forma.com/x1/interm/link.php?M=4441&N=105&L=35&F=H (se shpejti do jete nën adresën e vet të regjistruar me herët... LETRAT.EU)

Dhe postimet në kuadër te Listës Ars Poetica do të reduktohen (do jenë si postime të përdyjavshme) varësisht nga volumi... kuptohet, nëse s'të ketë cfarë të postohet atëherë dhe me rralle. Shpresoj që të gjitha postimet (pra dhe ato te se kaluarës) ta kenë se shpejti një Indeks aty ne faqe, të jenë në të njëjtin vend (tani për tani e lidha aty vetëm formularin për regjistrim, i cili ishte i gatshëm). Mos e kurseni as ju kontributin tuaj për listën tonë modeste, ndonjë gjë që mendoni se ia vlen të shpërndahet në adresat e listës, ma nisni.

Përzemërsisht, senad guraziu”

Unë i gëzuar e hapa faqen e mikut tim dhe i kënaqur nga sa zbulova (thuajse një thesar) i shkrova në çast:

I dashur Senad,

Të falënderoj për çka ke arritur të bësh: Një blog teknikisht perfekt në gjithçka. Nuk të bej qejfin poqe se i entuziazmuar të them: Je burrë i zoti. Besoj se do përsoset më tej edhe si ngjyrim.

Përqafime

Luani nga Vlora