Njerëz të dyzuar


Raimonda Moisiu

Njerëz të dyzuar, Esse –analizë rreth romanit “Bibollasit”të shkrimtarit Ramiz Gjini Shkruar nga Raimonda Moisiu Nga më të admiruarit, i  vlerësuar e  nderuar mes  shkrimtarëve modernë e bashkëkohorë,  me një kontribut të jashtëzakonëshëm në letrat shqipe, është edhe prozatori Ramiz Gjini. Në më shumë se një dekadë ai botoi gjashtë përmbledhje me tregime dhe dy romane,  rikrijoi  kohën  këtej e përtej Atlantikut, përpjekjet e njerëzve  të  zakonëshëm që u është kërkuar të sakrifikojnë rehatinë dhe crrënjosin jetën e tyre, përpjekjet autentike në domethënien e natyrës njerëzore, të joshur nga mundësia për të qënë dikushi, për të jetuar e  punuar, me frikën e të sigurtës e të pasigurtës, për veten, njerëzit e tyre, si po ndryshon bota përreth tyre,  të etur për të fituar, për t’u rritur e bërë pjesë e saj, përpjekje që autori e fton lexuesin të shohë me sytë e mendjes për hapin e papritur, të guximshëm dhe të rrezikëshëm në ndjekje të    kauzës  së lirisë. Proza e Gjinit dallohet për mendimin filozofik, social e politik. Nga viti në vit krijimtaria e shkrimtarit Ramiz Gjini u pasurua me stilin e tij të maturuar, ironi e sarkazëm por edhe kujdes ndaj ngjarjeve, ndryshimeve historike, mes realitet dhe ëndrrave,  ballafaqimin e të shkuarës me të tashmen, egoizmit dhe optimizmit, të moralshmes e të pamoralshmes, mashtrimit e urrejtjes, xhelozisë e smirës, vlerës dhe antivlerës, gënjeshtrës e  së vërtetës, të keqes e së mirës. Sepse e tillë është jeta, një emocion dhe fuqi në vetvete,-“kompleks mendimesh, ndjenjash dhe emocionesh, që të marra së bashku, krijojnë energji që vë në lëvizje individin dhe shoqërinë në përgjithësi,-shprehet autori në një intervistë të paradokoshme. Shtëpia botuese M&B, Tiranë,  nxorri nga botimi veprën e tij të fundit, romanin “Bibollasit” që u vlerësua dhe u konsiderua nga kritika letrare e kohës si një vepër që pasqyron realitetin e shoqërisë shqiptare, një univers social e politik. Romani është voluminoz dhe i ndarë në dhjetë pjesë me titujt respektivë që përfshijnë tregime të tilla si “Aishja e Filip Zhuli”, “Zav Zarrota shet pikëpyetjet e tij, “Në Kërkim të arësyes”, “Shteti” dhe “Korupsioni”, etj., deri tek e fundit që është “Balta e të gjithëve.  Autori shpreh “betejën” e fuqishme të kredos artistike e morale, nëpërmjet  cektësisë të vecantë të mëndjes së personazheve, dobësinë  intelektuale  dhe shpirtërore, terrorit  të përgjegjësisë  individuale dhe terrorit përkatës të ndryshmit, humnerës në mes  ëndrrës e  realitetit që ata jetonin me të, që nuk e kuptonin dhe nuk dëshironin ta pranonin, barazia sociale dhe liritë civile, duke  mos e ditur se cfarë dëshironin, bënin, shpresonin, larg asaj që ishin në të vërtetë, të dallonin në veten e tyre shkatërrimin, pasi në rast se nuk e kuptonin veten e tyre, nuk do të ishin në gjëndje të kuptonin asgjë. Rikrijimi imagjinar i  jetëve të tyre është pjesë e asaj që autori Gjini ndërrmerr në romanin, “Bibollasit”,  duke shpikur karaktere imagjinare, karaktere e mendje njerëzore, psikollogjinë dyzuese  të  njeriut, e   përshkruar nga zhvillimi individual dhe detyrim social,  për dekada të tëra nën rregjimin  e një politike konservative. Rrëfenjat e këtij romani janë një sagë lëvizëse, ndjellëse, të paharrueshme, në kondraditkë me baticat e zbaticat e konfliktit, moralit, qëllimit, arësyes, identitetit njerëzor, marrëdhënieve sociale  dhe ndryshimeve politike në komunitet. Ramiz Gjini është një virtuoz i metaforës dhe hiperbolës, një rikreator i pashoq i ironisë e sarkazmës, humorit të hollë e të zymtë, dhimbjes, vuajtjeve, sakrificës, vesit, imoralitetit, besnikërisë, tradhëtisë, llafeve e thashethemeve, mediokritetit, groteskes e shpirtit meskin, dashurisë e mirësisë, të asaj c’ka përmbledh jeta e përditëshme. Autori zhbiron mjeshtërisht anën psikollogjike të personazheve, botën e brendëshme dhe me penelata të shpejta ose nëpërmjet ngjarjeve të vëna në rrjedhën e subjektit jep botën e ngushtë “të përligjur” me ideollogjinë sunduese të viteve në të cilat shtrihen ngjarjet e romanit,  e njerësve dëshmitarë dhe përjetimin e realitetit të interpretuar nga autori, janë më shumë se një medium që përcjell mesazhet e realitetit e përvojës. Nëprmjet rrëfimeve të shkurtëra, shkrimtari Ramiz Gjini, para së gjithash na ka dhënë shprehjen e mendimeve dhe ideollogjive, që mund ose nuk mund të bihen dakord nga vetë autori apo personazhet e veprës, në lidhje me konceptin e moralit social, duke  iu ofruar atyre rrugët ku morali mund të jetë krijuar e zhvilluar nga shoqëria, dhe përshtatur nga individi. Përpjekjet për të bërë jetën e tyre të përditëshme në përputhje me ëndrrat e tyre të cuditëshme dhe t’i kenë ato për t’iu shërbyer si zgjidhje për jetën e tyre normale. Autori Gjini më në fund arrin lirinë e plotë duke kundërshtuar interpretimet dyzuese, jashtë jetës së vërtetë/ imagjinare dhe gjen “paqe”  duke e përjetuar atë si dicka të vetvetes. Përballja me një  realitet të tillë; “Ecje e ngecje”, “ Në shërbim të popullit”,  “Believe it or not”, apo “Lojë shejtanësh”, etj, me plot personazhe negativë dhe me Zav Tarrotën që e hasim si personazhin më të dashur e të kudondodhur, me  pushtetarë mediokër, injorantë por besnikë të verbër të shoqërisë që i shërbenin, përpiqen të privojnë popullin në kuptimin unik personal, duke e bërë atë të ndjehet vetëm pjesëz e një makinë të madhë sociale. Nuk gjen askërkund  që njerëzit mund të privohen në mënyrë efektive nga emocionet e tyre shpirtërore e fizike, që  sistemi socialist përpiqej t’i shiste ato emocione”të pafajshme”, për shkak të moralit social dhe detyrimit individual, inkurajimin për të qënë emocionalë vetëm brenda kufijve të caktuar dhe ata (populli),  të jenë të lumtur për aq kohë sa “lumturia sociale” të mos urrejë njerësit e partisë dhe pushtetin. Konfrontime me realitete e mendësi të tilla hasim përgjatë  subjektit të veprës, janë shëmbulli më i njohur i propagandës komuniste duke u bërë kështu laboratori  i humorit, ironisë dhe sarkazmës të  rrëfimtarit Gjini. Se të kuptuarit e konceptit filozofik, social e politik,  fillon nga arti i të shprehurit e të shkruarit nga përgjigje intuitive dhe konsiderata intelektuale,  sloganin e shpikur të mirëqënjes në  “fshatin socialist”, -metafora ogurzezë e një bllofi. Zhanri i tregimit të shkurtër në krijimtarinë e shkrimtarit Ramiz Gjini përbën si të thuash laboratorin e penës mjeshtërore në zemrën e letërsisë moderne e bashkëkohore. Tregimi  i shkurtër është  natyrisht,  një nga format më të vjetra letrare, që fillon me  aktin  i rrëfimit , duke  elaboruar  në natyrën e shkrimtarit, si tregime, skica, përralla, legjenda, shëmbëlltyra, përralla dhe forma të tjera për të shprehur bukur e ndjeshëm  në një rrëfim të shkurtër.  Në mënyrë të vecantë, si fraza e paharrueshme e Zhan Pol Satrit:”Njeriu është rrëfimtari i tregimeve”. Në thelb, romani “Bibollasit”, një prozë e gjatë, por në subjekt i përbërë nga histori të shkurtëra, është një roman modërn, që gjenden padyshim në zemër të imagjinatës, është thelbi i letërsisë bashkëkohore dhe si i tillë ai do të mbetët e gjendet kudo në cdo formë, është thelbi i fshehtë, që shkrimtari modern Ramiz Gjini ka zgjedhur të komunikojë me audiencën e lexuesve dhe dashamirësit e artit e letërsisë.  #Raimonda #Moisiu Hartford CT USA Mars 2011  

11 views

Shkrimet e fundit