top of page

NJE SHOQERI E FTUAR NE DUEL. ME KE?



"...në emër të ç’gjëje po shkon në atë duel, qoftë edhe sikur fitimtari të jesh ti? Ç’të hynë në punë një e tillë fitore?”


shenime romanin "DUELI", të Agron Tufës

Asnjë lidhje nuk ka “koha e të shkruarit” me “kohën e të jetuarit”. Nëse ka një lidhje midis, kjo do të rezultonte vetëm përmes e për shkak të pranisë së urës së përjetimit. Përjetimi i shkrimtarit që, edhe ai, i pamjaftueshëm është, nëse nuk përkon, nëse nuk e gjen, në fakt, përjetuesin tjetër, lexuesin e nevojshëm për të mbyllur ciklin. Tjetër se kjo, përjetimi, mund të ndodh në të njëJtën kohë ose në kohë të ndryshme. Vetëm kështu mund të konsiderohet shkrimtari, vendi dhe vlera e tij, që nuk bëjnë pjesë në tualetin e nevojshëm për ta filluar të shkruarin. Kur dihet se vetëm në këtë plan, vetëm këtu, është ose nuk është shkrimtari.

Edhe të tjerë, krijues shqiptarë, lexues shqiptarë, kanë pasur këtë përvojë, domethënë: këtë fat. Kanë ikur, kanë pasur shansin të ikin prej asaj jete që u ka rënë për hise të vuajnë dhe të gëzojnë në dheun e tyre. Kanë shkuar diku tjetër e, nga që jeta njëlloj është kudo, por nuk përjetohet kudo njëlloj, edhe atje u janë shfaqur “kurthet” e saj. Për shembull dashuria, për shembull zilia, egoizmi, xhelozia, e zejeve, e dhuntive, e moshës së njeriut, moshës së pjekurisë individuale (individum-i) dhe sociale. Atje u është hedhur dorashka e duelit, sfida që quhet dikur duhej përballuar. Se një ditë do duhej përballuar, kjo dihej.

Duel po, por me kë?! Me veten? Me veten tjetër? Me të tjerët si vetja apo me të tjerët si vetja tjetër?!


Romani “Dueli”, i pari i krijuesit Agron Tufa, mbase pa e shkuar ndërmend se bën pikërisht këtë, më besohet se merr përsipër tu shkojë deri në fund, pikërisht këtyre problemeve ekzistenciale, pa u dhënë përgjigje të cilave, as individi e as vetë shoqëria, nuk ka për ta ndjerë veten kurrë të pjekur, të përgjegjëshme, të zonjën për të marrë përsipër shkuarjen përpara.

A u ka shkuar deri në fund?! Autori vetë krijon idenë se as e ka pasur këtë qëllim, gjersa dueli zhvendoset në kohë dhe në territore të tjetërt, në veta që pikën e lidhjes nuk kanë me njeri-tjetrin: nëse nuk pranojmë, nëse ne, lexuesit, nuk arrijmë të vemë re se janë Njerëz. Njerëz të krijuar për shkak të fatit, rrethanave, fatit të të tjerëve, fajit dhe, padyshim, pafajsisë së tyre të paprovuar. E përse duhet provuar, në fund të fundit?! Cilat janë epruvetat, fenolftaleina cila është?!

Në faqen prijëse të romanit, Tufa ka parë të udhës të citojë A.P.Çehovin: “Nëse në fillim të një vepre letrare, rri varur një armë, atëherë, ajo do qëllojë patjetër në fund të saj”. Kur e lexon edhe një herë këtë citim, pasi ke bredhur deri në rreshtat e fundit të “Duelit”, kërkon përgjigje prej vetes së pyetur po prej vetes:

A e dëgjove, ku dreqin u shkreh ajo armë?! Nuk di përse ke dëshirën që të përgjigjesh përmes një tjetër pyetjeje:

Si “a e dëgjova?!”, për çfarë armë e kishe fjalën ti?

Pastaj, pasi je kthjelluar, je përmendur dhe kujtuar se askush nuk të ka pyetur, veç vetes së pajisur me aftësinë e përjetimit, je gati të formulosh njëqind pyetje dhe të japësh njëmijë përgjigje për to. Ndërkohë që ke qenë në shoqëri të romanit, me unin rrëfyes dhe ëm fundoren, Ljubën, duke kërkuar vend-duelin, të gjithë sa ke ndjerë janë shfaqur dhe janë tretur, duke nisur me Varvara Va-mijëra kilometra larg, diku përtej Urës së Krimesë. Bëjnë sikur treten të gjithë, ngaqë do të duhet të vijnë e të shkojnë situata identikisht njerëzore me veta të tjerë. Në të vërtetë me emra vetash të tjerë. Asnjëherë, asnjeri prej tyre, as edhe rrëfyesi vetë, nuk pranojnë ngaqë s’kanë se si të ikin, as nga dueli, as nga një farë dueli, në një vend dhe në një kohë të largët, as nga dashuria, as nga lodra iluzive e trupit dhe e ëndrrës.

Pikën e rëndësisë s'ka (as si kllapi filologjike-siç para(sh)ënohet nga Mark Marku!) në artikulohet si duel, si mejdan, bejleg apo shesh burrash! Rëndësi ka që vlera e jetës të ndëshkohet apo çmohet, nëse do të guxonim të kërkonim një çmim prej saj, thjesht si iluzion i të jetuarit. Ka edhe diçka tjetër, që ashtu si vetë dueli-i pabraktisshëm, i pashmangshëm, mallkimisht i përjetshëm, s’mund të neglizhohet: koha dhe vendi për duelin...

Teksa vargjet e Jorgo Seferis (“...dhe dhimbjen e zemrës ta ndjeva diku gjetkë”) të ndihmojnë të kthehesh në trollin ballkanas, kthehemi tek emrat që pasojnë rretheqarkësit e vetës së parë, heroit, Martin Gega: Varvara Va, Maksi(viç), Sebastian Kok-njeri nga sergejt, Etleva Xh. Medar Kukeli, Fari Ferra, mësues Vendimi, Kolë Kukeli dhe plaka e tij, Anatolij Fjodoroviç, Ljuba dhe ca emra të tjera femrash, gjithnjë femrash që janë gati të nënshkruajnë, le të themi pafajsisht, poshtë shënimit lutës: “Mos na përdhunoni. Dorëzohemi vetë!”

Ljuba e largët, e gjetur si krejt rastësisht, nga që në këtë botë, që vetë ne e kemi bërë të tillë, është e mundimshme të gjesh një adresë ku të presin, sjell ndërmend Rudin, Portën e Kalasë së Elbasanit, vendin e mundshëm të flijimit! Madje, çuditërisht dhe aspak çuditërisht: nën një shi spanjoll!

E tërë kjo nga që në të vërtetë dueli, pra jeta në një çast së për gjithë jetën, është vetë dashuria. Drama e kësaj jete të shtynë të mendosh dhe të besosh se nëse dueli është i pashmangshëm, dashuria është gati e pamundur. Le të citojmë një tufë rreshtash nga Tufa:

“Dashuria ekziston vetëm si atdhe i shpirtit...Tragjeditë më të thekshme të dashurisë, duke përfshirë dhe “Romeo e Zhuljetën”, janë fakte të një marrëzie e një budallepsjeje aq qesharake, sa të vjen të shkulesh gazit. Dhe e dini? Ai që do të më kundërshtojë me pretekstin se e bën këtë sinqerisht nga bindja e thellë, atij pra, pikërisht, do t’i ndodhë tamam kështu. Natyrisht, këtu përjashtohen ato raste kur mashkulli e dashuron femrën si shpirt, si kujtim të vagullt të një malli të harruar botëror...”

Prandaj dhe njeriu, ai që ka mbetur i tillë, ngaqë është harruar prej të tjetërsuarve, detyrohet të pyes të ngjashmin e tij, më simpatikun e racës iliro-trake:

“Më thuaj një gjë, një gjë të vetme: në emër të ç’gjëje po shkon në atë duel, qoftë edhe sikur fitimtari të jesh ti? Ç’të hynë në punë një e tillë fitore?”

Natyrisht që njeriu guxon të pyes, vetëm ngaqë shpreson të marrë atë përgjigje që ka qejf ta dëgjoj nga goja e tjetrit, për të arsyetuar shkakun e ekzistencës së tij të mëtejshme:

“Mos pretendo të dish atë që ngjet vetëm për vetëm me veten. Sikush, gjen aq arsye dhe po aq kundërarsye për të hyrë dhe për të mos hyrë në duel. Si lum ai që këto arsye dhe kundërarsye nuk i kërkon artificialisht, porse i ndjen të brendshme, të të rrahin zgjuar, në gjumë, në ëndërrime...Ti ke bërë lëshime, të cilat sjellin lëshimin e tërësishëm që quhet tjetërsim...Por kot lodhem...Po ritmi, ritmi? Ajo harmonia e ritmit të brendshëm individual me atë ritmin e madh universal, me ritmin kozmik e hyjnor... që bërtet dhe lëkundet i çakërdisur si ndonjë shilarës brenda meje duke bërë kërdi, a nuk do të thotë ky ritëm atë që unë e kam humbur rezonimin me të, ose të kundërtën: unë isha mirë e bukur brenda ritmit tim në harmoni me atë hyjnorin, kurse ai tjetri, që më ftoi në duel, ai sipas teje nuk ka dalë nga ritmi i vet? Prandaj dueli duhet, dhe është i pashmangshëm, për vendosjen e harmonisë. Harmonisë time ose të tij...Ke për ta kërkuar atë tjetrin, ose të ngjashmin e tij, për ta ftuar në duel. Problemi është të mos hysh me ritëm të humbur në lojë...”

Padyshim që, shpesh, harmonia e tjetrit na diktohet si dhunë. Agron Tufa është tmerrësisht i rreptë, në mesazhin që na përballë: dhuna, jo vetëm që po na ofrohet si alternativë e jetës, por, ngaqë ka fituar qytetarinë, nuk po bëjmë dot pa të, jemi mësuar me të. Jo vetëm si individë, por edhe më gjerë, si komunitet, si popull, si popuj, si qytetërim. Edhe pse thirret si dëshmitar i palës së humbur, njerëzimit, fraza “Jo, e dashur, jam aq trim sa ëndrrën ta shohë si ëndërr!” (N. Hikmet), jemi të paralajmëruar për fundin që asnjë lloj dueli nuk ka për të na nxjerrë dot fitues. Megjithëse dueli mbetet përjetësisht i pashmangshëm: “...Harruem krejt çka ishim, na u bor dëshira për m’u kthye/.../Për me mbledhë, prore Dheun e Babës tuj e qitun mendesh.” Homer. Odisea, cituar prej ATufës. Si armë e mundshme për duelin e tij.

(Gazeta "Albania", 2003)

39 views7 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page