
Profesor Jup Kastrati figura madhore e shkencës gjuhësore shqiptare!
Fatmir Terziu
Shkodra dukej si një tepsi e tejdukshme, e përthyer mbi “Byrektoren” e qytetit, me një frymëmarje të qetë andej nga “Kafja e Madhe”, me të njëjtin mbiemër të ngjizur herët nga vetë shkodranët. Ishte dimri i vitit 1985, një dimër i egër, që natyrisht mbahet mend për dëborën e tij të madhe që ra dhe izoloi për javë të tëra Veriun e Shqipërisë. Dhe në këtë dimër të egër vetëm Rozafa pikonte me dhimbje qumështin e saj të legjendës... Pjesa tjetër ishte racion. Racion në tërë hapësirën shkodrane. Niste tek ‘Byrektorja’ aty ku quhet Katër Yjëshi i Valter Fushës, ku gërmoje çentezin e fundit për të plotësuar pesëmbëdhjetëlekëshin e byrekut me spinaq dhe përfundonte tek Rektorati i Institutit të Lartë Pedagogjik “Luigj Gurakuqi” ku i bënte roje Komiteti i Partisë së Punës. Para hotel turizmit, dëbora kishte ngulfuar pesë “Herronjtë e Vigut” dhe sheshi mes Kishës së Fretërve, sheshi ku është sot godina e Xhamisë Ebu Bakër dhe Hotel Rozafës herë pas here shkërmoqej nga zërrat e ndonjë çafke dhe fërshëllima e ngrirë e birbilit të një polici me mangë të lagura.
Unë sapo kisha lënë konviktin studentor në Zdralaj dhe shihja orën time elektronike të takonte pikën 11:00. Ishte koha kur duhej të takohesha me Profesorin Jup Kastrati dhe më pas me Filipin e Rusishtes e Dibrën e materializmit. Ishte kohë kur natyrisht tempi student-profesor kishte asimetri, por kishte edhe respekt e përkushtim. Dija pak për Profesorin. Aq pak sa dinin edhe të tjerët, por dija se ishte korrekt dhe i reptë. Diku kisha lexuar shkitazi se ai lindi në Shkodër, më 15 prill 1924, gjë që sot më bën akoma më shumë të ndjeshëm ndaj kësaj figure që shënoi nëntëdhjetë e një vjetorin e lindjes. U shkollua në Shkodër, më 1942 studioi pak kohë në Liceun Shkencor “Galileo Ferraris” në Torino, por dija se ai u kthye shpejt në Shqipëri. Gjatë pushtimit italian, si antifashist, ka qenë i persekutuar, i burgosur, i internuar në “Campo Concetramento”, në kodrat e Tepes në Shkodër, pastaj është mbajtur si peng në Kosovë, në burgun famëkeq të Prizrenit gjatë muajve korrik-shtator 1943. Pas çlirimit ka kryer studimet e larta në fakultetin e filologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Tema e tij e diplomës titullohet: “Kontribute për studiumin e Ndre Mjedes” më 1958, të cilën pata rastin pastaj ta lexoja në dorëshkrime të dhuruara nga disa miq të tjerë, midis të cilëve edhe Tomi Treska, pedagogu më i ri i Universitetit. Ai ishte bërë Doktor i Shkencave Filologjike më 1982 me dizertacionin “Historia e gramatologjisë shqiptare” (1935-1944) me 1500 faqe daktilografike. Pastaj sigurisht pas këtij viti, pas këtij takimi me të, në vitin 1987 i është akorduar titulli Profesor.
Për të shënuar më tej Jup Kastrati ka shërbyer në arsim 47 vjet (1946-1993) nga të cilat 37 vjet në shkollën e lartë. Është një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, më 2 shtator 1957, dhe ka punuar shumë për themelimin e Universitetit të Shkodrës. Është dekoruar me urdhrat “Mësues i Popullit” si dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”. Në atë kohë ai ishte shef i Katedrës së gjuhës shqipe në Institut, detyrë që e mbajti prej vitit 1973 deri në vitin 1990-të. Jup Kastrati ka mbajtur ligjërata shkencore në universitetet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Kalabrisë, Napolit, Salernos, Peruxhias, Nju Jorkut, etj. Është autor i shumë librave. Brenda viteve 1956-1999 ka botuar 35 libra.
Gjithë ky itinerar paraleximi shëtiste në mendjen time ngjashëm me skimjet grindavece të harabelave që çukisnin troshat e kashtiseshin me hijet e kofshëve të bardha mbi bicikleta.
E ndërsa paraqitja është një ndjesi respekti për këtë figurë, memorja me të cilën ai strukturohet para imazhit tim është më shumë se kaq. Leximi kishte nisur herët. E kisha lexuar në dorëshkrimin e dhënë nga profesori im, i ndjeri Hysen Hoxha, në përkthimin e tij të parë rreth fillimeve të jetës dhe krijimtarisë së Jeronim De Radës. Në fakt disa vite më parë, në vitin 1964, në numrin 12 të revistës “Nëntori” kisha gjetur të botuara dy pjesë të “Autobiologjisë” së De Radës dhe atëherë leximi i freskët i Profesor Kastratit, mbi veprën e poetit arbëresh, jepte një ide më të saktë për jetën e poetit, për periudhën e parë të veprimtarisë, se si e formoi kulturën ai dhe se si i lindën dëshirat e para për t’iu kushtuar poezisë. Mes përkthimit të Kastratit gjeta shpirtin patriotik dhe kryengritës të poetit si dhe etjen e tij për kulturë të spikatura në penën e De Radës dhe të hulumtuara me zellin e përkushtimin e Profesor Kastratit.
Teksa kemi lënë pas nëntëdhjetë vjetorin e lindjes së Profesor Jup Kastratit, natyrisht ai kapërcen arsyen e shkrimit të thjeshtë prezantues. Një përmendore e tillë e gjallë e nderit të gjuhës shqipe, e shkencës gjuhësore shqiptare, natyrisht i bën nder jo vetëm Albanologjisë, por edhe këndit shkencor ku gjendet fati i një kulture të lashtë gjuhësore. Ndërsa sjell ndërmend një fakt, dua të thkesoj se kur përmendej Jup Kastrati në mjediset universitare, natyrisht të tjerët besonin e dëgjonin. Kështu ndodhte edhe me pedagogë të tjerë që transferonin njohuritë tek studentët. Më kujtohet një bisedë e Profesor Mehmet Çelikut në studiot e Televizionit “Dardan” kur shprehej gati afërsisht me atë që sot shkruan edhe Ben Andoni se “profesor Kastrati me kujdesin e vet ndaj profesionit tregoi se ishte edhe një njeri me përmasa të mëdha njerëzore që e kish të largët rendjen pas famës dhe mbi të gjitha vetëlavdërimin.” Koha dhe puna e sollën me nderin e merituar figurën e tij edhe në këtë 90 vjetor të lindjes edhe pse siç shkruan Begzad Baliu ‘më 22 shtator 2002, në Shkodër vdiq njëri prej albanologëve më të mëdhenj të shekullit XX’. Gjatë atyre viteve ai u ka lënë studimeve shqiptare një trashëgimi jetësore dhe shkencore të jashtëzakonshme, prandaj ai sot radhitet në pantonin e personaliteteve me emblemetike të kërkimeve albanologjike.
Arqile Vasil Gjata
Kam dhënë dy provime në letërsi me Profesorin...Ishte shumë korekt...
Hiqmet Mehmetaj
Ndjehem krenar që diploma ime mban firmën e tij .I përjetshëm kujtimi i Prof. Jup Kastrati ! Respekte për Ju Prof.Terziu , që ndriçoni kētë figurë Madhore !