
NJËMBËDHJETË "SHKREPJE" POETIKE
Poezi nga Kozma Gjergji
SA HERË…
(Kujtimit të të paharruarit Jovan Buli, mikut tim të shtrenjtë,
tregimtar i talentuar që u shua tepër herët.)
Sa herë
Qielli, pylli dhe fusha e Divjakës
Ngjyra trishtimi veshin
E polifonisë së shirave ia marrin
Më bëhet se thonë:
Na iku Jovani!
Sa herë
Qielli, pylli dhe fusha e Divjakës
Në festë ngjyrash janë
Dhe këngëve të bilbilave ia marrin
Më ngjan se thonë:
Na u kthye Jovani!
Sa herë…
1996
PREMTIMET
Agimi premtoi me bujë
Ditën më të bardhë,
Mbrëmja premtoi me bujë
Natën me ëndrrat më të bukura…
Dita erdhi e ngrysur e gjithë ankthe,
Nata me kusarë e vrasës.
NË DITËLINDJE
Bëj bilancin e viteve
Dhe më del të jemë
Borxhli ndaj të gjithve.
GJETHET
Vallëzojnë e fluturojnë
Në ekstazë…
Se mos e dijnë ato
Nga do t’i çojë era!
1 9 9 7
Medet! Ditët tona
Të etura për shumë dritë
U bënë afishe nekrologjish!
GJALLESAT
Me sa shpejtësi
Shtohen
Gjallesat pa emër
Në ujrat e pista!
BISHTI
Bishti, bishti i gjatë
Dhelprës i ka kushtuar
Jetën shpesh herë.
KALON…
Kalon bregut të detit
Një bukuri hyjnore.
Dallgët zenë bëhen fjalëshumë,
Peshqit lëshojnë vetëtima diellore…
MAJ
Gjer vonë përroi
Mërmërin e pëshpërit
Si vajza e dashuruar
Të fshehtat e zemrës.
DASMË
Martohet ajo.
Është bërë lulja nuse
Apo nusja lule?!
XHELOZIA
Qorre si Polifemi
Që hedh gurë
Pa e ditur ku qëllon,
E helmët si akrepi
Që pickon pa u menduar…
Kozma Gjergji