ME POETEN SHPRESA YMERAJ
(Një zë i largët)
Desha të futem brenda dhomës së errët, atje ku njeriu ndodh të ngujohet. E më së shumti kjo ndodh me klasën e artit. Mendimet si përbindësha vendosin trurin nën torturë. Një pjesë jona vdes çdo ditë; një dëshirë, një ëndërr, një shpresë. Edhe liria gjithashtu. Poezia është liri e stampuar në letër, si kartmonedhë dollari. Po kjo e fundit ka vlerë këmbimi, fjala-jo! Ende s’është krijuar tregu i shitjes për fjalën e lirë. Ndoshta mungon kandari për ta peshuar atë. Edhe tribuna për ta thënë. S’dua të besoj se, bukuria apo e vërteta mbaron aty ku fillon fjala, ndryshe bota do ishte në gjumë. Përfytyrojeni poetin në çaste meditimi; papritur shndrrohet në ujvarë, rrebelohet, balli i mbushet me brazda, qetësia është një mysafire e largët e tij. Dashuria fillon të çlirojë energji, sepse ajo s’mund të burgoset, qendron gjithmonë sipër nesh. Kështu ndodh me poeten shqiptaro-amerikane Shpresa Ymeraj, fjalët e mallit i shkruan në fletët e qiellit.
“Dy fjalë, palosur si shamizë të bardhë
m’i vendose në xhepin përmbi zemër”.
Unë bëhem vëzhgues i mprehtë i këtyre fjalëve, ndoshta jo i pari. E kërkova librin e saj dhe ajo ma nisi. Nuk di sa ka shpenzuar për dërgesën, ndoshta ushqimin e një dite. Një zarf i mbushur me shkronja shqipe mbriti nga Amerika e largët. Tek shfletoja fletët, përfytyroja karvanin e Dhaskal Todrit, arkat e mbushura me plumb të shkrirë për këtë gjuhë të bekuar. Malli i poetes s’mund të flasë gjuhë tjetër, veç tonës. S’ka kërkuar që të shkruaj për të. Këto fjalë ja dërgoj në vend të falenderimit. Ajo është zonjë e rëndë nga Dukati i Vlorës, ka qytetari dhe sjellje aristokrate. Mallit që shitet i bëhet reklamë, ose autorëve që kanë nxjerrë shpirtin në tregun e shfytyruar. Lodhen kot ata që rendin pas lavdisë. Lumi e gjenë vetë rrugën për të mbritur në det. Ndodh shpesh të lexoni ata që shkruajnë për njëri-tjetrin, të zbrazurit nga brendia, ata që kërkojnë ngushullimin tek turmat. Ndryshe janë artistët e vërtetë, krejt ndryshe. Po le të vijojmë me autoren në fjalë. Ngarkuar rëndë me mendime poetja, ua ka hapur kanatat e portës stuhive:
“Nga bota në botë rënë
mbi sofrën e saj njësore
Një diell më përzë!”
Çfarë zhgënjimi e ka tronditur poeten? Ndaloj një çast dhe mendoj lexuesit e kursyer të këtyre vargjeve. Arti s’mund të jetë kurrë popullor, përkundrazi, lexuesi duhet të ngulmojë të bëhet amator i artit. Shpresa Ymeraj është një zë i vecantë në poezinë shqipe, doemos i largët. Meditime të gdhendura butësisht në vetëdijen e saj, tematika të përzgjedhura, simbolika gjithashtu. Nuk di cila shtysë i jep forcë t’i drejtohet nënës (Shqipëri):
“Ti je: që më jep frymë, më ngroh
e më mban pranë (a të mbaj unë?!)
Ti je: që më kërkon e më pranon,
dritë më bën ti!
Unë kam një jetë që të përkas, kudo jam
a më dëgjon kur të thërras, nënë Shqipëri?!”
Njeriun e përlot jo vetëm malli, edhe trishtimi. Në një botë të huaj, me detin përballë, dallgët e tij ngarkuar stërkala të bëhen simfonia e vetme e shpirtit. Në dhe të huaj, edhe
“dielli perëndon trishtueshëm
lot i nxehtë
nga faqja e qiellit zbret!”
I vecantë stili i kësaj autoreje, njehsohet me artin dhe përcakton individualitetin krijues. Libri i saj; “Dashuria dhe dhoma e errët” ngjason me një lëndinë ku çelen gjithë lulet e stinës. E kanë të vështirë poetët të pranojnë tradhëtinë që vjen nga dheu i tyre dhe bashkëkombasit. Tradhëtia është ajo që na lejon të njohim tragjeditë. Çdo pushtet është njëlloj i keq me të tjerët. Fatkeqësia e artit është se nuk pranon asnjërin prej tyre. Në pikëllimin që ngjyente penën Frederik Rreshpja, provon t’a ngjyej edhe poetja Ymeraj. Le të besojmë se njerëzit janë më afër njëri-tjetrit se yjet, sikurse shprehet autorja.
Comentários