Kadri Tarelli shkruan….!
NJË VIZITË E MAGJISHME NË SHKODËR
Reportazh në mes dimri
E dielë 28, të Janarit 2024, në freskinë e mëngjesit, një grup shokësh nga Durrësi, u nisëm drejt Shkodrës, thjesht për një vizitë te miqtë tanë në atë qytet të artit, kulturës, humorit dhe njerëzve që presin miq veç me dashuri e buzëqeshje.
Ne ishim katër: Shpendi Topollaj, shkrimtar e publicist i shumë njohur në Durrës e më përtej, Luan Jaupi, fotograf dhe koleksionist pasionant, i njohur jo vetëm në Durrës, Arben (Beni) Krstani, piktor tashmë i njohur në mbarë trevat Shqiptare, dhe unë Kadri Tarelli, që po rendis këto pak fjalë kënaqësie dhe mirënjohje.
Rruga kaloi shumë bukur me humor dhe biseda të ditës, pa pyetur dhe pa u zënë në gojë programi i ditës.
Si fillim pranë Teatrit “Migjeni” u takuam me shkrimtarin dhe filozofin shkodran Mark Zadeja. Tashmë u bëmë pesë dhe u nisëm drejt shtëpisë së Leopold Shkrelit, mik i Shpendit, pasi në atë shtëpi, shumë vite më parë kishte kaluar një pjesë të fëmijërisë (shtatë vjet). Lagje e vjetër, me rrugica të ngushta, por të mbajtura mjaft pastër. Nuk kaluan as pesë minuta dhe me ne u bashkua edhe inxhinieri intelektual Sadedin Lumani. Është kënaqësi të ndodhesh në bisedë mes njerëzish të ditur.
Të zotët e shtëpisë na pritën buzagaz, traditë e qytetarisë shkodrane, ndaj nuk u çuditëm që e ndjemë veten si në shtëpinë tonë.
Për çdo lexues që ka shkelur qoftë edhe për pak kohë në Shkodër, do ngazëllehet, por nuk habitet. Ndaj po hyj drejt e në thelb të muhabetit: Ishte një ndërtesë e vjetër por e mbajtur mirë, me oborr të madh me shumë gjelbërim. Ishte bukur, por edhe kjo nuk paraqet interes.
Ajo që binte në sy, ishte se kishim hyrë në një shtëpi fisnike, tipike e aristokracisë së hershme shkodrane, që ruante më fanatizëm gjërat e vjetra, por të mirëmbajtura pastër dhe me kujdes të tepruar. Kishte piktura të vjetra, vula veneciane, që nga koha kur lulëzonte tregtia me atë qytet përtej Adriatikut, abazhurë të hershëm që dikur kishin qenë “kandila”, (llamba më vajguri). Mes këtyre objekteve edhe një kuti e bukur, ku ishte vendosur një lugë druri. Poli, (kështu e thërrasin shkurt), tashmë goxha i moshuar, e mori me kujdes nga muri dhe po na tregon historinë e këtij objekti të vogël në pamje, por e ngarkuar me shumë dhimbje. Ai e kishte mbajtur si dëshmi të viteve të burgut në kohën e diktaturës. Në veshët tanë kumbuan fjalët e At Zef Pllumit: “Rrno për me tregue”. Luga e vendosur në kuti, do t’u flasë brezave me gjuhën e heshtjes, për vuajtjet dhe dhimbjet e dënimit, pa kurfarë shkaku, veç se pronarët e kësaj shtëpie ishin familje fisnike e kamur.
Shpendi nuk fliste, qëndronte si i përhumbur në kujtimet e fëmijërisë së tij, veç na thoshte se kjo ka qenë dhoma ku flija unë me vëllain, këtu ishte kuzhina, këtu ishte oborri, ku loznim e vraponim gjithë ditën, etj, etj.
Duke zbritur shkallët, më bënë përshtypje katër faqe syndyku të vendosura në faqe muri. Dërrasa të vjetra, diku kishin humbur ngjyrat, por ishin dëshmi e kohës së tyre.
Më duhet të bëj një ndalesë të vogël. Në bisedë mes nesh, tashmë durrsakë dhe shkodranë, u thashë: Jam befasuar…! Sa bukur i kanë ruajtur objektet e vjetra, por më bukur paraqitje tyre, me një lloj kulture të fisme, pa shumë zhurmë. Më shumë më habit fakti se si kanë mundur t’i mbajnë pa u dëmtuar nga rrebeshet e politikës dhe lëvizjes së kohës. Këtë bisedë e përsërita edhe sot në kafe me miqtë e mi në Durrës. Dikush e tha me sinqeritet. “Shtëpitë e vjetra kanë pasur dhe kanë mundësi të mbajnë objekte dhe sende të vjetra, ndërsa ne lëvizëm nga pallati në pallat, disa edhe të shpërngulur nga fshati apo nga qyteti në qytet”. Unë i përsërita ato fjalë që thashë edhe në Shkodër: - Nuk mjafton vetëm të kesh, duhet edhe të duash e të përcjellësh traditën e familjes. Nuk është e lehtë të kultivohet një kulturë e tillë, aq më pak të mbahet gjallë ndër breza. Po marrin rastin më të thjeshtë: të gjithë kemi pasur nëpër shtëpitë tona syndykë të nënave, të gjysheve, apo stërgjysheve. Ç’i bëmë…? – Përgjigja ishe e thjeshtë: - I dogjëm si dërrasa, apo i hodhëm në plehra.
Me premtimin, se do vijmë përsëri, u larguam për një kafe në mjediset e Hotel “Rozafa”. Biseda u bë interesante, pasi dy shkodranët Marku dhe Sadedini, paraqesnin projektet e tyre në lëmin e kulturës, studimit, letërsisë dhe më përtej, të nxjerrjes në dritë të figurave të shquara të qytetarisë shkodrane, shumë prej tyre të harruar qëllimisht, disa (të rinj), të mbetur në hije të modestisë, disa të pa fuqisë për të thirrur e bërtitur, apo për t’i bërë reklamë vetes dhe veprës së tyre, etj.
Po kjo temë bisede vazhdoi edhe gjatë drekës në fshatin Zogaj, buzë liqenit. Ndërsa Mark Zadeja shpaloste idetë e tij lidhur me studimet në fushën e filozofisë, Arbeni piktori ynë, rrëmbeu telajot dhe na thotë: - Derisa të përgatitet dreka, unë po dal të bëj një tabllo pikture, pasi më pëlqen ky peizazh liqeni dhe Alpet përkarshi. Ne që ja dimë huqin nuk bëmë zë, pasi ai kudo ku shkon, lakmon të fiksojë natyrën e përzgjedhur. E admirojmë për vullnetin dhe që nuk përton, aq më shumë kur edhe piktura na pëlqen.
Biseda në tavolinë vazhdoi disi e fortë. Isha i bindur në seriozitetin e Markut, kur thoshte: “Kam shumë punë aq sa nuk më tepron kohë…! Kam pasur ftesa në studiot televizive. I jam shmangur, pasi nuk më tërheqin”. Ndërsa unë me shaka i thashë: Më pëlqen kjo “modestia shkodrane”, por nuk jam në një mendje me ju! Biseda e futur në diskutime krijuesish na mbante mbërthyer, aq sa harruam kohën që vraponte, ndërsa ne nuk shkuleshim nga vendi, megjithëse telefoni na kujtonte se Pashk Prevathi, piktori i peizazheve, na priste në Lezhë.
Kjo ishte një tjetër mrekulli, që do të mbahet gjatë në kujtesën tonë. Vendosëm që nuk do të qëndrojmë gjatë, pasi na zuri nata pa dalë ende nga Shiroka, por harruam shpejt sapo u futëm në studion galeri të piktorit të njohur lezhjan. Unë kisha përshtypjen se ai ishte mjeshtër i përkushtuar vetëm në ngjyrimin e peizazheve, kjo më kishte mbetur në kujtesë nga një takim në Tiranë, në sallën e Muzeut kombëtar, por qenkësha i gabuar. Aty kishte shumë piktura portretesh, që na ftonin t’i sodisim, kështu që përsëri nuk e mbajtëm fjalën, duke qëndruar pa u merakosur për orën që nuk pyeste për ne.
Vonë u nisëm nga Lezha dhe vonë mbërritëm në Durrës.
Ishte një ditë e ngarkuar me shumë ndjesi të forta, të veçanta, të larmishme, që do mbeten gjatë në kujtesën tonë, për t’u rrëfyer edhe si temë bisedash mes miqsh e shokësh.
Kadri Tarelli
Fund Janari 2024.
Shënim: Fotografitë u zhvilluan nga artisti ynë Luan Jaupi.
Pershendetje dhe mirenjohje që publikat kete shkrim, qe i ben jehone qytetarise, fisnikerise dhe kultures shkodrane. Eshte qytet i magjishem, qe tw terheq ne gjirin e saj, ashtu si pa u ndjere, por q ete ben te jetosh çaste te bukura. Faleminderit!