NJË VEPËR E PARË PËR HISTORINË SHQIPTARE


Nga Sinan GASHI




Libri i historisë shqiptare që mban titullin “T’nnoλunat e Scć8pniis” shkruar prej Gni Geget qi don vendin e vet (pseudonim), e botuar në Skenderie (Aleksandri) më 1898, është vepër e rëndësisë së veçantë: se është libri i parë i kësaj natyre dhe se është autori i parë që ka këso njohurish për gjenin shqiptar dhe bëmat e tij.


Po, cila është përmbajtja e këtij libri?


Në fakt vepra ka një parathënie, e cila nis me fjalët “Shqiptar, vllaznit e dashtun!”, ku ai paraqet synimet e këtij përkushtimi shkrimor. Përndryshe, vepra është e ndara në katër pjesë: 1. Prej kohës së moçme e deri sa romakët rrëzuan mbretin tonë Gencin, 167 vjet para Krishtit, që ishte koha e Ilirëve; 2. Koha prej 167 para K. e deri gjatë breza ose qindra vjet pas, që quhet koha e romakëve; 3. Prej të ‘gjashtes faqe’ mbas Kristit e deri më 1479, kur Shkodra ra nën Turqinë dhe, 4. Prej vitit 1479 e deri në ditët e sotme (të autorit,v.i.), në kohën e quajtur e osmanllisë.

Duke iu përmbajtur këtyre radhëve kohorë, autori shpjegon, sqaron dhe u mundëson për herë të parë në gjuhën shqipe njohuritë për historinë e shqiptarëve, që nga gjeneza e deri në kohët më të vona. Ai që në nismë deklaron ”Na jemi fisi mâ i vjetri i Evrops”, për të vazhduar pastaj përshkrimin e aktualitetit të kohës, “...na jena t’vorfen, pa dije e s’kena kërkend qi me na ngjit dorën,...”.

Kur nisë me historiken, ai thotë se t’parët tanë “dulne pei Aziet” dhe pastaj udhëtuan duke u shpërndarë nëpër vise të ndryshme, dhëna të huaja, ku disa edhe u tretën në fise të tjera të gjetura, kurse të tjerët jetuan si të tillë duke bërë udhëtimin e grupuar. Autori ndjek rrugën e ecejakeve të tyre dhe përjetimeve të ndryshme, duke përjetuar vështirësi ekzistenciale, apo edhe duke marrë zakone të grupacioneve fisnore të ndryshme, deri sa u vendosen përfundimisht në trojet e Ballkanit, që u quajt Iliri. Ai shpjegon pastaj se si janë ndarë nga kjo vëllazni, per t’u formuar pastaj prej tyre fise të ndryshme të një etnie, e që pastaj u formuan edhe hapësira të reja gjeografike me emra të ndryshëm, si Arbëri, Dalmaci, Mal i Zi, Kroaci, Panoni e tjerë, që ishin vëllazëri ilire e shtrirë dhe e shkrirë gjatë shekujve në gjuhë të tjera, pasi ilirët kishin ngelur “posi nji shkrep n’midis t’detit” edhe pse “i qindruen gjith tallazve e motnave, qi i rrahen pa i rrxue kurrë.”

Luftat e përhershme, ndikimet e ndryshme fetare dhe të interesit, bënë që disa nga përbërësit e kësaj etnie t’i bashkoheshin popujve sllavë, por edhe viset gradualisht ishin bërë hapësira krejt tjera, si Dalmacia, Panonia, Mali i Zi e tjerë, që ishin shtrirje e fiseve ilire. Kjo ndodhte “...masi Serbt, Bulgart e Shqyptart kishin ni besim bashk”, kur “u munuen Slavt me shti ner ne edhe giuhen e vet e me na bâ kshtu krejt t’vet.”, atëherë nisi ndarja dhe luftërat.


Hapësirë e veçantë për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun


Në këtë libër historie përmblidhet shkurtimisht gjithçka e manifestuar në jetën e kësaj etnie shqiptare, si në jetën ekonomike, sociale dhe luftarake.

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është i paraqitur, siç dihet më, me biografi dhe me bëma të jashtëzakonshme gjatë luftërave kundër osmanëve. Ato saktësi historike të veprimit këtu janë të lakmueshme. Edhe personalitetet që shihen në arenën e veprimit, gjithashtu janë realë dhe me saktësira dëshmimi. Sulltanët, rrugëtimet e betejat e ndryshme pasqyrohen saktë edhe pretendohet se kanë ndodhur.

Kjo kohë e Skënderbeut përmbyllet me vdekjen e tij, kur pas disa rezistencave të pa sukses, osmanlinjtë e sundojnë Shqipërinë.

Në pjesën e katërt kemi tashti një situatë tjetër, atëherë kur shumë shqiptarë janë të përfshirë në shërbimin ushtarak e administrativ të sulltanëve. Kjo nuk është e vetmja, ngase gjatë historisë, ilirët-shqiptarët trima e të guximshëm, kanë shërbyer nëpër ushtritë e popujve tjetër, pa e pas asnjë leverdi për etninë dhe vendin e vet. Edhe kësaj radhe, edhe pse shqiptarët ishin shumë thellë në përbërjen e perandorisë osmane, asgjë të mirë nuk mund i sollën vendit. Vetëm një iniciativë e kësaj natyre ishte përmendur, kur pashai i Tepelenës, i Ohrit dhe ai i Shkodrës, që të tre shqiptarë, kishin bërë një lidhje për t’i bashkuar territoret e tyre në një, ishin spiunuar te Sulltani dhe ajo kishte mbetur dështim i radhës.

Për të qenë i besueshëm, autori gjithçka që jep si të qenme, e saktëson me datën dhe vendin, në mënyrë që lexuesi të bindet lirshëm.

Fqinjët këtu përherë dalin lakmitarë të trojeve shqiptare. Grekët dhe serbët kryesisht dëshmohen historikisht lakmitarë të mëdhenj të tokës shqiptare, ani pse që të dy nuk ishin vendës këtu: njëri ishte formuar nga mbetjet e fiseve të ndryshme e tjetri kishte ardhur nga viset Karparte. Për këtë përmendet sundimi dhe shtrirja hapësinore e Stefan Dushanit deri në Vlorë e Kaninë, më 1337. Po ashtu nuk prajnë as sundimtarët e ndryshëm grekë.

Ndër këto lëvizje, dyndje dhe luftëra, dallohen edhe pinjojtë shqiptarë, qoftë si familje ose individë, për mbrojtjen e tokës së tyre, si topiajt me Karlin, i cili më 1358 ishte shpallur mbret i Arbënisë, pastaj Tanushin, familja e balshajve, e muzakajve, e kastriotëve, e dukagjinëve e tjerë.