
Kopi Kyçyku
Një vepër atipike - dëshmi tipike vlerash të mirëfillta
(Libri “Hipostazat e krimit nga Trumcaku”, i autorit Shkëlqim Kokona, Shtëpia Botuese Emal, Tiranë, 2022).
Të krijosh një vepër artistike në fund të fundit do të thotë të imitosh në një farë mënyre natyrën, por pa e kopjuar. Dhjetë fotografi riprodhojnë të njëjtën gjë, ndërsa dhjetë artistë, duke riprodhuar të njëjtat gjëra, do të krijojnë dhjetë gjëra të veçanta, të mirëdallueshme nga njëra-tjetra. Në natyrë bashkëjetojnë e bukura me të shëmtuarën, sublimja me qesharaken, e mira me të keqen. Pakënaqësia shfaqet kur njëra nga të mësipërmet absolutizohet në dëm të tjetrës. Ka njerëz të penës që shkruajnë vetëm për ato që shohin, duke qënë të ndikuar kryekëput nga mjedisi rrethues e nga rrethanat, pra janë gjeocentrikë, ndërsa të tjerë janë homocentrikë, pra të interesuar për problematikën e botës së brendshme, shpirtërore. Mund të thuhet se të dyja palët mbajnë “procesin verbal” të epokës në të cilën jetojnë. Ashtu sikurse nuk mund të kurohet një sëmundje përveçse duke njohur shkaktarët e saj, ashtu edhe plagët e shoqërisë nuk do të shërohen përveçse duke njohur burimet që i ushqejnë. Romantikët, me fantazinë e tyre mund të shkojnë deri edhe në abstragime himerike, ndërkohë që ata që kanë objekt krijimi e frymëzimi shkencën dhe artet, priren me përparësi drejt idealeve të bukura dhe të dobishme për njerëzit e për shoqërinë.
Gjithsesi, pavarësisht nga metoda që përdorin, asnjë krijuesi nuk i lejohet, të paktën moralisht, të bëjë lojë fjalësh të pakuptimta. Merita i takon atij që shtjellon me seriozitet tema madhore duke anashkaluar gjërat e rëndomta, kalimtare, jetëshkurtra.
Libri “Hipostazat e krimit nga Trumcaku”, i autorit Shkëlqim Kokona, shpalos të vërteta thelbësore, zakonisht me formulime të befta, të papritura. Pa dyshim një prirje oratorike e lindur e çon drejt konstruktesh rigoroze, të cilat mbartin ide të thella, që, vetvetiu, tërheqin vëmendjen e lexuesit herë me tone poetike, e herë me digresione, me imazhe plastike, me metafora, me bashkëshoqërime që dëshmojnë për një dinamizëm e zhdërvjelltësi intelektuale, për kulturë të gjerë me referenca artistike me vlera të pakundërshtueshme. Jo rrallë autori i ka konceptuar gjërat pa e quajtur të nevojshme të bëjë shpjegime të hollësishme të ideve, pa thirrur në ndihmë formulime shkoqitëse, pikërisht për të na nxitur imagjinatën që të përsiatim, të vrasim mendjen për të qëmtuar, gjetur e zhbiruar vlera të tjera të mundshme, përmes një akti krijues - meditues vetjak, madje, po ta shohin të arsyeshme, mund të kalojnë edhe në pozicione jokonformiste.
Natyrisht asgjë nuk është e re, as e panjohur në këtë botë dhe kur mendon se po thua për herë të parë diçka të padëgjuar, bindesh pa vonesë që këtë e kanë zbuluar të tjerë para teje. Sidoqoftë, në vëllimin që po analizojmë, gjejmë nuancime, pasurime e kthjellime të përkufizimeve të klasicizuara të shumë dukurive. Veç kënaqësisë estetike, gjatë leximit na bën për vete informacioni i pasur, zbulimi i mjaft ndodhive të ngjashme me ato që kemi hasur në jetë, përfshi gjykimet apo paragjykimet për jetën. Vepra e Shkëlqim Kokonës mbart origjinalitetin në përshkrimin e situatave të larmishme, aq sa ndjen se jo pak prej tyre kanë për të mbetur përherë unikale, përderisa arrijnë “të nxjerrin jashtë loje” gjithçka të sajuar, të stisur apo të rreme. Sepse autori është i aftë të zerë vend në brendësi të surprizës, të befasueses duke na nxitur dhe inkurajuar me ngulm të meditojmë dhe, siç vumë në dukje më lart, respekton të drejtën të shfaqim mendime që jo medoemos janë të njëjta me të tijat. Me interes është të veçojmë faktin që mjaft formulime të librit përbëjnë një përpjekje të lavdërueshme që kultura kombëtare të shmangë komplekset e provincializmit. Në sytë depërtues të autorit mendimi krijues shqiptar merr përmasa universale, të cilat i qëmton, i evidenton e i evidencon. Ai gjen gjithmonë argumente për të shfaqur pikëpamje që, në vështrim të parë, në ndonjë rast tingëllojnë paradoksale, por, duke i përdorur ato, asnjëherë nuk të jep përshtypjen se ushqen mosbesim ndaj të vërtetave themelore të mbarëpranuara nga përvoja njerëzore. Heraherës ndeshim një humor antidogmatik që e ndihmon të zbulojë identitetin e të kundërtave. Kokona jo rrallë lëviz me shkathtësi midis ekzaltimit frenetik dhe ironisë therëse, duke vënë në punë përjetime entusiazte, me një freski emotive të rrallëhasur. Herë të tjera qëllon të ndeshemi me formulime të atilla që të çoroditin me lëmshin e kundërthënieve, pa mundur të gjejmë dot ndonjë nëntekst apo nënkuptim. Kudo bie në sy prirja e autorit për të kapur të pakufishmen, të palimituarën, të pazakontën, praktikisht të pahasurën. Këtë veçori të stilit të tij mund ta shquajmë ndoshta vetëm duke ia analizuar dhe zbërthyer me durim e imtësisht ligjërimin në të gjitha trajtat që përshfaqet; orvatjen për të zënë një vend ndërmjet tradicionalizmit dhe modernizmit ose, më saktë, për të qëndruar mbi të dy, në kërkim të një baraspeshe midis atyre që mund t’i quajmë antiteza. Kundërvënia njëherazi ndaj skepticizmit modernist dhe tradicionalizmit naiv, por ndonjëherë edhe agresiv, i rezervon nismës së autorit një pozicion e një vend të veçantë, origjinal.

Duke kapërcyer veçantitë e secilës nga tri veprat e autorit, - “Cicërimat e Trumcakut”, “Mea culpa e Trumcakut”, “Ferma e krimit nga Trumcaku”, - shquajmë disa konstante, të cilat na mundësojnë t’i konceptojmë si trilogji në një çirkuit të gjerë serial, që, siç jemi vënë në dijeni, do të pasohet së shpejti nga një vepër poetike e titulluar “Haleluja e Trumcakut”. Vepra e Kokonës në tërësi mbart ekzistencën e një fryme të fuqishme lokale e kombëtare, të shoqëruar fatmirësisht me atë të një “homo europeus”.
Brenda hapësirës Prolog-Epilog, lënda e vëllimit rrok gjashtëmbëdhjetë tema: Vjedhësi, Grabitësi, Plaçkitësi, Vrasësi, Terroristi, Serialvrasësi, Vrasësi pasionant, Atvrasësi, Mëmëvrasësi, Birvrasësi, Vëllavrasësi, Përdhunuesi, Krimet e jakave të bardha, Krimi i organizuar,Trafikët kriminalë, Diktatura si personifikim i krimit të organizuar (me nëntemat: Shkelja e të drejtave të njeriut dhe Krimet kundër njerëzimit; Krimi ekonomik dhe vjedhja e pasurisë kombëtare nga diktatori; Dëmtimet dhe humbjet e jetës dhe shëndetit).
Veprën e Kokonës e përshkon tejetej si fill i kuq humanizmi i kulluar, dashuria për njeriun. Ai nuk ndjen urrejtje, por keqardhje kur persona të të gjitha kategorive sociale, me dashje ose aksidentalisht, nga mosthellimi apo nga mosdija, zhyten në llumin e krimit. Qysh në Prolog, ai shprehet: “Nga përvoja ime dyzetvjeçare në drejtësi, njeriu / është krijesa më perfekte, / Dhe delinkuent e bën atë shoqërimi i diferencuar. / Asnjë njeri nuk lind kriminel, / Por nga rrethanat e jetës bëhet i tillë, bedel”. Me shqetësim qytetar të çiltër, ai jep edhe recetën” çliruese: “Ka një mënyrë që njeriu t’i shpëtojë ndëshkimit, / Dhjetë porositë e Zotit gjithë kohën të zbatojë./ Dhe shtatë mëkatet mortore të mos i lejojë, / Që jeta e tij të mund të vihet në lojë”. Me një shtysë origjinale, autori bën “inventarin” dhe zbërthimin e mëkateve, duke vënë në ballë të listës së zezë mbivlerësimin e vetvetes, si pikënisje e tragjedive më të mëdha në jetë. Pasojnë mosngopja me të holla; lakmia për gjithçka të ndaluar, si seksi, pija, droga etj; urrejtja, e cila, kur u vesh me petkun e zi klasor, bëri dëme të pallogaritshme; pangopësia stomakore; xhelozia dhe gënjeshtra; përtacia mjerimsjellëse.Lidhur me këtë të fundit, Kokona sugjeron që Kushtetuta shqiptare të ketë nenin e asaj italiane, pra: “Shqipëria është Republikë që mbështetet tek puna”. Në vazhdim, autori thekson se problem themelor i drejtësisë sot, - që e pranojnë të gjitha studimet, - është se “të pasurit janë më kriminelë se të varfërit. Por, për shkak të pasurisë, sistemi diskriminon të varfërit”, çka “nuk është në kulturën tonë”.
Pa iu përmbajtur rreshtimit të temave, po përmendim disa syresh duke huazuar interpretimet përkatëse të autorit. Po e nisim me Krimin e Organizuar, të cilit Kokona i ka bërë një radiografi të plotë, të ilustruar me shëmbuj konkretë nga vendi ynë, nga shoqëria shqiptare. Njëherazi, kur bën krahasime me vende të tjera për dukuritë që shtjellon, rrezaton erudicion dhe njohje të thellë të gjithçkaje së cilës i referohet. Do të mjaftonte qoftë edhe vetëm ky fakt për ta këqyrur veprën e tij jo vetëm si një krijim letrar-artistik, por edhe si një punim të mirëfilltë shkencor në lëmin e jurisprudencës.
Fragmentet e zgjedhur me kujdes nga autori, japin material më se të mjaftueshëm për organizatat kriminale duke theksuar se këto e kanë zgjeruar shkallë-shkallë rrezen e veprimit në tërë botën, duke i përkryer metodat për të nxjerrë sa më shumë përfitime përmes veprimeve të paligjshme dhe duke shfrytëzuar në mënyrë shteruese çdo mundësi dhe mjet. Kësisoj lidhja e disa aleancave ndërmjet grupimeve kriminale me qëllim ndarjen e tregjeve dhe zonave të ndikimit, u favorizua nga hapja e kufijve brendapërbrenda Bashkimit Evropian, nga globalizimi i ekonomisë dhe nga teknologjitë e reja. Të gjitha këto u shoqëruan me diversifikimin e veprimtarive duke fuqizuar lidhjet ndërmjet kriminalitetit të sferës së trafikut të drogave, trafikut të personave dhe të emigracionit të paligjshëm, kriminalitetit informatik, trafikut dhe kontrabandës me mallrat e ndryshme dhe shplarjes së të hollave. Kokona tërheq vëmendjen se zgjerimi i krimit të organizuar përbën një kërcënim ndaj të gjitha shteteve të botës çka shtron nevojën për marrjen e masave të efektshme e të përbashkëta për kundërvënie ndaj tij. Efekti negativ i kriminalitetit është ndjerë në ekonominë evropiane dhe botërore duke dëmtuar sidomos të ardhurat fiskale të shteteve përkatës.Grupimet kriminale kanë strukturë në trajtë rrjete, një nivel të lartë fleksibiliteti, lëvizshmërie dhe bashkëveprimi duke qënë të aftë të infiltrohen në organet vendimmarrëse në të gjithë segmentet e shoqërisë. Pjesëtarët e grupimeve të mësipërme janë në gjendje të krijojnë marrëdhënie me leverdi të ndërsjellë me profesionistë, të cilët nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me strukturat e krimit. Në periudha krize maksimalizimi i fitimeve arrihet me anë të uljes së kostove dhe shfrytëzimit të viktimave të reja nga radhët e emigrantëve, të cilët kërkojnë kushte pune dhe jetese më të mira. Rrugët evropiane dhe veçanërisht ato që përshkojnë Ballkanin Perëndimor përbëjnë boshtin qëndror të trafikut të njerëzve dhe të drogave, sidhe të shpëlarjes së të hollave, të cilat e kanë burimin në grupimet kriminale aktive të Evropës. Drogat që kanë destinacion vendet e Bashkimit Evropian përdorin rrugë që ndryshohen vazhdimisht, por Evropa Juglindore përfaqëson një nga eskalat kryesore, përfshi emigracionin e paligjshëm. Kokaina që vjen nga Amerika Qëndrore dhe e Jugut shpërndahet në Evropë me portet që ndodhen në Evropën Verilindore, në Gadishullin Iberik dhe në Detin e Zi. Grupimet e krimit të organizuar përdorin laboratorë ilegalë në zona të ndryshme të Bashkimit Evropian për shndërrimin e lëndëve kimike të ligjshme në droga sintetike dhe për prodhimin më tej të substancave psikoaktive. Organizatat kriminale transnacionale administrojnë trafikun e personave dhe të organeve njerëzore, prostitucionin e sforcuar, skllavërinë dhe krijimin e kampeve të punës. Trafiku i paligjshëm bëhet i mundur në sajë të korruptimit të zyrtarëve shtetërorë dhe futjes në të dhënat konfidenciale, sajimit të dokumenteve të rreme, manipulimit të procedurave të evidences publike dhe shplarjes së parave. Informacionet e siguruara kësisioj u vijnë në ndihmë grupimeve kriminale të shmangin masat e luftimit të tyre nga autoritetet gjyqësore. Përdorimi i paligjshëm i internetit i lejon krimit të organizuar të zgjerojë trafikun ilegal të substancave psikoaktive, të banknotave false, të prodhimeve të ndotura, duke shmangur pagesën e akcizave dhe taksave të tjera që shlyhen për shitjen e prodhimeve autentike. Në zhvillimin e llojeve të ndryshme të trafikut të organizuar përdoren institucionet bankare. Për ndjekjen e flukseve financiare dhe lokalizimin e operatorëve financiarë të implikuar kërkohet bashkërendimi në shkallë globale i veprimtarisë investiguese.
Krimi i organizuar në vitin 2011 përvehtësoi përmes tregut të zi afro 650 miliardë dollarë, më shumë se gjysma e kësaj shume, pra 320 miliardë dollarë, u sigurua nga shitja e drogave. Burimi i dytë i rëndësishëm i të hollave, prej 250 miliardë dollarë në tregun e zi, erdhi nga prodhimi i mallrave të falsifikuara. Në këtë kategori përfshihet edhe shtypja e banknotave false. Shuma të paligjshme prej mbi 30 miliardë dollarë e patën burimin në rrjetet e trafikuesve të mishit të gjallë (prostitucionit). Tregu i zi i naftës dhe i kafshëve të egra solli afro 10 miliardë dollarë. Pak a shumë kaq të ardhura u siguruan nga shitja e peshkut dhe e prodhimeve të detit nga gjuajtjet e paligjshme. Rrjeti ndërkombëtar që ndërmjetëson shitjen e paligjshme të organeve për transplant siguroi 1,2 miliardë dollarë, pra më shumë se sa nga shitja e diamanteve në tregun e zi (800 milionë dollarë).

Në shkallë kombëtare, autori ve në dukje se kriminaliteti i organizuar shfaqet në shumicën e sektorëve të jetës ekonomike dhe sociale, duke u orvatur të kontrollojë disa zona dhe tregje financiare, sidhe depërtimin në ekonominë reale përmes intimidimit dhe korruptimit për të nxjerrë përfitime dhe ndikim. Hapja e kufijve në rajon, siç u përmernd më sipër, ka lehtësuar qarkullimin e njerëzve, mallrave dhe kapitaleve, çka pashmangshmërisht e fatkeqësisht krijon terren të përshtatshëm për krimin e organizuar edhe në Shqipëri.
Krimet e kryera nga njeriu datojnë qysh nga parahistoria. Janë gjetur mbetje masakrash që janë kryer qysh para 9000 vjetësh.
Megjithëse ekziston një numur i madh shkaqesh dhe aspektesh që ndikojnë në vendimin e një personi për t’ia marrë jetën tjetrit, autori Kokona ka sintetizuar tiparet që dallohen në profilin gjenerik të kriminelëve. Këtë e bën në mënyrë bindëse sepse mëkatarët i ka pasur „klientë” në proceset e panumurta gjyqësore gjatë dekadave në detyrën e hetuesit e të prokurorit të rreptë e të drejtë, duke e këqyrur ligjin me kompetencë të lartë profesionale, si diçka të shënjtë e të pacënueshëm. Ashtu siç kemi hasur në jetë, bie fjala, shumë lloje servilësh: bythëlëpirës të eprorëve, goditës të kujtdo që nuk e kanë me sy të mirë shefat, duke u shtënë në vesh këtyre të fundit fjalët kritike që thuhen nga të tjerët etj, kështu edhe Kokona e njeh lexuesin me një „gamë” të gjerë vjedhësish e vrasësish, grabitësish e përdhunuesish. Krimi nënkupton paramendim dhe ekzistencën e motivimit për të shkaktuar vdekjen. Dënimi i kriminelit ndryshon nga një vend në tjetrin, deri me vdekje. Shkaqet që e shtyjnë dikë për të vrarë janë të ndryshëm, nga hakmarrja deri në përvehtësimin e pasurisë së tjetrit. Nuk është e lehtë të ravijëzohet profili psikologjik i kriminelit, pra karakteristikat përkatëse. Vrasësi në seri cilësohet si individ, të cilit i mungon empatia dhe shpesh herë e përdor krimin si instrument për të siguruar përfitime për shkaqe ideologjike ose me qëllim që t’i kundërvihet një frustrimi apo thjesht i nxitur nga një fantazi e sëmurë. Shumica e serialvrasësve janë psikopatë. Në vështrim të parë nuk paraqitin shënja mbresësëlëne. Në përgjithësi i zgjedhin viktimat kur këto janë të dobëta, të cënueshme lehtë dhe që mund të manipulohen e të nënshtrohen pa vështirësi përmes joshjes dhe vendosjes së marrëdhënieve, paçka se këto janë të sipërfaqshme. Pjesa më e madhe e serialvbrasësve vijnë nga familje me nivel të lartë dhune dhe janë abuzuar gjatë jetës.
Vjedhësi është një person i pandershëm. Në Evropë aktualisht bje në sy përhapja e vesit të vjedhjes së xhepave. Në disa stacione të mëdha hekurudhore në Evropën Perëndimore udhëtarëve u tërhiqet vëmendja me altoparlantë të ruajnë bagazhet. Hapja e kufijve në Evropë ka ndikuar në zgjerimin e këtyre praktikave, duke fajësuar me dhe pa shkak disa vende të Evropës Lindore. Më i rrezikshëm është ai që kryen vjedhje të kualifikuar në rrethanat e mëposhtme: në një mjet të transportit urban, gjatë natës, nga një person i maskuar, me çelës të posaçëm, me prishjen e sistemit të alarmit ose të mbikëqyrjes, përvehtësimin e trashëgimisë kulturore, dhunimin e banesës ose të zyrave, duke pasur armë etj. Lidhur me vjedhësit, Kokona jep dy shëmbuj nga Veriu i Shqipërisë, ku, si hetues, falë thellimit dhe vëmendjes që u kushtoi edhe ca imtësive, në dukje të parëndësishme, doli me përfundime të sakta e të drejta lidhur me dënimet përkatëse.
Plaçkitja është vjedhja që kryhet me përdorimin e dhunës, kërcënimit ose vënies së viktimës në gjendje të pavetëdijshme ose paaftësie për t’u mbrojtur. Plaçkitja e kualifikuar, që jo rrallë sjell dëmtimin trupor të viktimës, kryhet në rrethanat e mëposhtme: me përdorimin e një arme ose lëndësh shpërthyese, narkotike ose paralizuese; me gjasmimin e një funksioni zyrtar, nga një person i maskuar, gjatë natës, me dhunimin e banesës ose të zyrave etj. Analizën e kësaj dukurie autori e nis me cilësimin e saj si një vepër e fuqive fituese dhe vazhdon me pohimin se „propaganda gëbelsiane e pushteteve në Shqipëri e ka mbuluar „ me të pavërteta të mëdha dhe gënjeshtra”. Zhvillimet politike në vitet 1990-1992, ai i quan farsë dhe fatkeqësi kombëtare. Nga falangat e krimit „Për rreth një vit e gjysëm u dogj dhe u shkatërrua Shqipëria,/ Që farsa e fitores mbi komunizmin të fitonte”. Rezultati: çmimi ishte më i madh se një luftë civile. Si dëshmitar pamor aktiv i ngjarjeve, autori premton të jetë asnjanës pasi „me asnjë palë nuk jam ngatërruar dhe s’kam pse të mashtroj”. Ngjethëse janë hollësitë me karakter përgjithësues lidhur me djegien dhe shkatërrimin e Shkodrës, duke i krahasuer me një ngjarje alla fashiste, me synim frikësimin e masave të gjera popullore. U vodhën, u plaçkitën e u dogjën rezervat shtetërore, me vlerë miliarda lekë. Pasoi djegia e dytë e Shkodrës, katër demonstrues u vranë e dhjetra të tjerë u plagosën. Teatri politik është absurd e grotesk, thekson Kokona, pasi çdo tetë vjet pushteti me viktima ndrrohet. Ai bën thirrje që në të ardhmen të zhbëhet kjo skemë dhe „populli në dorë vetë fatin e tij të marrë” e në krye të tij të mos jenë më militantët e budallenjtë, por pasardhësit e atyre që, „kur vdiqën, asnjë pasuri të madhe nuk lanë” dhe me mendimet e mënçura ia hapën sytë popullit e punuan për vatanin.
Grabitja është gjithashtu një vjedhje apo plaçkitje e kryer me dhunë. Ajo mund të ketë si objekt sulmi persona, mjete transporti, ndërtesa, lagje, lokalitete, madje edhe zona të tëra. Grabitja merr përmasa të gjera në rastet e akteve të piraterisë gjatë revoltave të ndryshme, luftrave ose pas katastrofave natyrore, kur cënohet rendi publik. Grabitja apo zhvatja përfshin edhe përvehtësimin e resurseve natyrore të vendeve të ndryshme, të deteve përmes peshkimit abuziv e sidomos vënien në rrezik të disa specieve detare në zhdukje e sipër. Grabitësin autori e damkos si „më i keq se vjedhësi më i keq, / Se përveç që vjedh, së bashku gjakun e viktimës derdh”. Në vijim, ai shprehet për rivendosjen e dënimit kapital, çka e përligj kësisoj: „Është i vetmi krim që dilemën e dënimit me vdekje më kthen, / Pasi për arsyen njerëzore marrja e jetës për pasuri, / Është e papranueshme dhe e pajustifikuar, / Këtu është mbështetur njerëzimi që dënimin me vdekje ka zbatuar”.
Krimi pasional, që mjerisht është bërë „i modës” kudo në botë, kryhet i motivuar dhe në emër të një emocioni të pazakontë, në thelb nga xhelozia, nga një shkallë e epërme afeksioni ose nga ndjenja e pronësisë në marrëdhëniet martesore dhe mund të ketë tregues agresionin fizik, përdhunimin dhe vrasjen. Duke bërë fjalë për „sindromin Otello”, autori ve në dukje se ky është i lashtë sa vetë jeta mbi Tokë. Dhe më tej:”A ekziston dashuria e vetme pa xhelozinë? / Është gënjeshtër dhe vetëm hipokrizi. Si në njohës e vëzhgues i mprehtë, Kokona, duke marrë shkas nga një rast real, del në përfundimin, në dukje të thjeshtë, por mjaft origjinal se „Diferenca në kulturë dhe e drejta zakonore, / E ktheu në kafshë nga xhelozia duke vrarë bukurinë me njëzet goditje me thikë”. Si rrjedhojë, çdo burrë duhet t’i shmangë fanatizmin e shthurrjen, sepse „në rast se bie pré e dy ngasjeve, bëhet subkjekt për trajtimin klinik ose penal”.
Përdhunuesi është një agresor seksual, që përdor forcën fizike, shtrëngimin, detyrimin. Krimet e jakave të bardha («White collar criminality») është përkufizim që u është dhënë krimeve të kryera nga persona që mbajnë pozita të larta në botën e biznesit dhe në aparatin shtetëror dhe që përdorin postin e ndikimin politik dhe ekonomik për qëllime kriminale. Këtë e realizojnë me anë të shpërfilljes dhe interpretimit të rremë të ligjit, duke bërë një ngatërrim të qëllimshëm ndërmjet caqeve të legales dhe ilegales, ngandonjëherë duke përfituar nga ambiguiteti i disa ligjeve.
Për terrorizmin nuk ka një përkufizim të pranuar njëzëri për shkak të kompleksitetit të tij dhe të pozicioneve tepër të ndryshme të personave, organizatave dhe shteteve të përfshirë në luftën kundër terrorizmit. Ky i fundit është një taktikë lufte jokonvencionale e përdorur për arritjen e disa pikësynimeve politike, që bazohet në veprime të dhunshme të bujshme mbi disa popullsi të paimplikuara drejtpërdrejt në konflikt, por që zotërojnë potencial trysnie mbi udhëheqjen. Nganjëherë kjo e fundit kryen veprime terroriste ndaj popullsisë, me efekt psikologjik frikësues dhe kërcënues, duke pasur mbështetjen e mediave të manipuluara, me qëllim arritjen e një pikësynimi që është vështirë të realizohet me mjete demokratike ose konvencionale. Terroristi është pjesëtar i një dukurie veçorizuese asimetrike, që ka në themel forcën ushtarake, politike ose ekonomike, që mund të përdoret edhe nga shtete, organizata shtetërore, organizata jashtëparlamentare si një formë lufte e pashpallur, jokonvencionale, pa respektuar rregullat e vendosura nga Konventat e Gjenevës. Në mjaft raste gabimisht terrorizmi ngatërrohet me kryengritjen, fanatizmin, luftën psikologjike, krimet e luftës dhe mizoritë e kryera nga forcat e armatosura të rregullta ose me operacionet klandestine. Nganjëherë ky konfuzion bëhet me paramendim për shkaqe propagandistike. Kokona e njëson terroristin me ujkun, bëmat e liga të të cilit janë më se të dukshme në Shqipëri. Kjo shtazë njihet për egërsinë dhe mizorinë që përfaqëson. Shëmbujt që paraqit janë kuptimplotë. Autori bën një digresion në fillimet e terrorizmit. Të parët që e kanë ushtruar këtë „profesion” janë hebrejtë në kohën e pushtimit romak, ndërsa të fundit islamikët fanatikë të ISIS-it. Simboli i terrorizmit, ve në dukje autori, „është Bin Ladeni që mbeti pa varr, / Që vendstrehimi i tij i fundit të mos kthehej për pelegrinazh”. Duke e ilustruar terrorizmin, këtë dukuri makabre, me një shembull nga Shqipëria Veriore, apo nga Gegnia siç e quan autori, le të nënkuptohet se është diçka që nuk njeh as raca, as fe, as ideologji e as etni. Duke e përfshirë në kategorinë e vrasësve, Kokona ve në dukje se „motivi që e dallon është se ka si qëllim / Të bëjë ndryshime politike në komunitetin ku jeton dhe në botën që e rrethon”. Pranon gjithashtu se terrorizmi i brendshëm „është një realitet në mjedisin shqiptar..., pasi pushteti ka ndryshuar çdo tetë vjet,/ Me pasoja viktima e të vrarë”. Ja dhe faktet: Ndryshimi politik i vitit 1992 u bë dhe dhunë dhe ishte „zgjidhje, jo zgjedhje”. Pati 4 të vrarë dhe 80 të plagosur me armë zjarri. Ndërrimi i pushtetit në 97-ën u krye me kaos e terrorizëm, me rreth 3.000 të vrarë. Ndryshimi që rezultoi më 21 janar 2011 u shoqërua me 4 të vrarë dhe shumë të plagosur mu në qëndër të Tiranës. Si dëshmitar e mbrojtës i së vërtetës ai pranon se „prej sërbëve dhe shqiptarëve/ Ka pasur terroristë... që kanë vrarë gra dhe fëmijë në djep gjatë historisë”. Vlen të veçohet fakti që në portretizimin apo „identikitit” të të gjithë mëkatarëve, - vjedhës, plaçkitës, vrasës etj, - autori, si njohës i thellë i historisë, psikologjisë, mendësisë, besimeve fetare, traditave, zakoneve, dokeve dhe paragjykimeve të shqiptarëve, specifikës së krahinave të ndryshme, ka ndërthurur me mjeshtëri të përgjithshmen me të veçantën, ndërkombëtaren me kombëtaren, kolektiven me individualen etj.
Një nga risitë e librit të Kokonës është këndvështrimi i tij për diktaturën, të cilën e cilëson „personifikim të krimit të organizuar”. Sistemet totalitariste të majta e të djathta - fashizmi e komunizmi lanë gjatë shumë viteve gjurmë të thella në shoqërinë shqiptare. Nga ana tjetër armiqtë tanë tradicionalë kanë trumbetuar se nuk kemi aftësi shtetformuese, pra, tërthorazi, kanë dashur të thonë se ne jemi të destinuar të hiqemi për hunde nga të huajt e t’i nënshtrohemi pa kushte vullnetit të tyre shtypës. Me argumente të forta autori vërteton të kundërtën, pra që jemi një popull që e kami dashur dhe çmuar kurdoherë lirinë e pavarësinë. Si rrjedhojë asgjë nuk na mungon për të ndërtuar e konsoliduar një regjim modern demokratik, si çdo shtet i civilizuar.
Për arsye vendi, - që hyrja të mos dalë më e gjatë se lënda e librit, - u ndalëm vetëm në një pjesë të tematikës së shtjelluar me mjeshtëri, risi e vërtetësi nga shkrimtari jurist Shkëlqim Kokona, i cili na bind që të dy këto profesione i ka dhunti të barabarta.
Comments