Një veçori e Kulturës Tradicionale Shqiptare


Një veçori e Kulturës Tradicionale Shqiptare


Prof Dr Fatmir Terziu

Shqiptarët gjithnjë janë mbledhur. Gjithnjë në traditën e tyre të hershme kanë bërë bashkë zërin e tyre, në gëzim, hidhërim, humbje dhe fitore. Dhe zëri i tyre kurë nuk ka qenë qaraman (edhe kur ai ka qenë vajtues), gjithnjë ka pasur një sens tjetër. Ka qenë kështu pasi epitetet e metaforat, me anën e të cilave bëhen krahasimet për virtytet, bukurinë, trimërinë e të tjera, në shumicën e rasteve, duke buruar nga thellësitë e zemrës së asaj apo atij që nxjerr zërrin e dhimbjes, janë krijime të goditura në shkallën më të lartë artistike, pra me një sens të dallueshëm nga fqinjët. Një sens të cilin që herët veneciani Marcus Antonius Coccius Sabellicus (Antonio Sabeliko 1436-29 Prill 1506) e ka prurë në vëmendjen botërore se “shqiptarët kanë një sens ndryshe, dinë të nxjerrin zërin e dhimbjes së tyre me këngë” (Historiae Rerum Venetarum. Basilea: 1556: 922-923). Marcus Antonius Coccius Sabellicus ishte një studiues dhe historian nga Venecia. Ai është i njohur për veprën e tij studimore universale, “Enneades sive Rapsodia historiarum[1] (Eneada ose Historia e Rapsodisë) dhe ndaj prurjet e tij kanë rëndësi për burimet nga kush është informuar, ashtu dhe për freskinë e tyre, mbasi për to flitet, jo më shumë se njëzet vjet pas vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit, Skënderbeu, prandaj ato janë gjithnjë konsideruar me vlerë të madhe dhe mjaft të besueshme.


(Antonio Sabeliko 1436-29 Prill 1506)

Sabeliko thotë: “Grumbuj vajzash (shqiptare) kishin zakon të mblidheshin javë për javë në sheshe (kryqëzim rrugësh) të qyteteve, ku ai kish sunduar dhe të këndonin lavditë e princit të tyre të vdekur, ashtu siç bënin edhe të moçmit në gostitë e herronjve të mëdhenj”. Po kështu të dhëna për këtë na jep, pas tij, Barleti, për shumë raste në veprën e tij të shquar “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut”[2] (Marinus Barletius. Historia de vita et’gestis, Scanderbegi Epirotarum Princinis, Romae 1508-10 (në përkthimin shqip, Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, Tiranë, 1964: 113, 169, 216, 255, 282). Të dy këta autorë janë të afërt me ngjarjet.

Në fillim të shekullit XVII na flasin edhe Marin Bici[3] (Relacion; 1610:86) dhe Frano Bardhi[4] (1637- 204). Francois Pouqueville (Pukëvilli) na jep në fillim të shekullit XIX një shtrirje të gjerë territoriale të këtyre mbledhjeve grupore, krahinore, fisnore, qëllimore, kur grupe vajzash mblidheshin dhe këndonin në zonën e Devollit, Prespës, Gollobordës, apo si në rastin kur ushtarët e Ali Pashë Tepelenës mblidheshin në Janinë për të demantuar me zë dobësitë e kundërshtarit[5](1805: 288). Francois Pouqueville, në librin e tij të vitit 1820 “Udhëtimet në Epir, Shqipëri, Maqedoni dhe Thesali” përshkroi mjaft detaje të cilat edhe sot kanë arsyet e veta ndërkulturore dhe bashkëvepruese për të ridimensionuar kulturën arbërore, që pasonte nga thellësia e saj një rrugëtim të errët në dokumentim, por të pasur në transmetim. Këtë pasuri të madhe kulturore, si dëshmi e forcës shpirtërore dhe besimit tek jeta, tek e ardhmja dhe ekzistenca, jo pak herë e kanë gllabëruar të huajt, sidomos fqinjët e pushtuesit e shumtë. Në jo pak raste pushtuesit dhe gllabëruesit kanë pasur dhe rolin e vet të madh në zhdukjen dhe asimilimin, apo përvetësimin.

Sidoqoftë, duke marë shkas nga faktorë, fakte dhe këto pak dokumentime të ardhura në këtë formë të kulturës shqiptare, ndoshta do të duhet ta citojmë se është e rrëndëishme të thuhet se kjo është një veçori tipologjike, dalluese, që mjaft mirë argumenton dhe hedh poshtë teza e supozime lidhur me kulturën shqiptare dhe traditën e lashtë të saj në Ballkan e më gjerë. Me gjithëse këngët e tilla të ‘dhimbjes’ lidhen me një improvizim spontan, sikundër njihet tashmë për vajet apo ligjet, dhe nuk i ruajnë rregullat poetike sa duhet, prapëseprapë vargjet kryesisht janë tetërrokësh, gjashtërrokësh të rimuar e të pasur në asonanca. Aliteracioni i vargjeve zbulon dashurinë më shumë se dhimbjen dhe pikëllimin për një humbje, por jep dhe urrejtjen kundër vdekjes, si në një rast për një heroinë, që ndodh të jetë në tërë territorin shqiptar: “gëzimzezë, që s’gëzove/jetënë s’e trashëgove”. Prandaj aliteracionet janë ndërtuar me krahasime nga më të kërkuarat, gjë që vjen edhe nga pasuria dhe mundësia që të jep Gjuha Shqipe në të shprehur, ndryshe nga mjaft gjuhë të rajonit. Kjo bëhet mjaft lehtë për të vënë në dukje shkallën e duhur, pikën kulminante jo vetëm të dhëmbjes, por dhe idenë.

[1] M. Antoni Sabellici Historiae Rerum Venetarum. Basilea: 1556: 922-923 [2] Marinus Barletius. Historia de vita et’gestis, Scanderbegi Epirotarum Princinis, Romae 1508-10 (në përkthimin shqip, Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, Tiranë, 1964: 113, 169, 216, 255, 282 [3] Relacion; 1610:86 [4] Frank Bardhi. Relacion dërguar Vatikanit mbi vizitën e Pukës, qershor 1637. (I. Zamputi: Mbi disa materiale të reja dokumentare të shek. XVII. Buletini i USHT, 1958, nr. 3 f. 204). [5] F.G.H.L. Pouqueville. Voyage en Moree, a Costantinople, en Albanie pendant les 1798, 1799, 1800 et 1801. Paris 1805 (në vëllimin III, kapitulli XXVII faqe 288 dhe vëllimi III, kapitulli III, faqe 19).

33 views

Shkrimet e fundit